Propaganda artistike



Shkruan: Dr. Ilir Muharremi

Propaganda shërben si qëllim që identifikohet, si i vetmi burim vlerash, imazhesh, madje edhe njohurish që shpalos idenë, e cila fuqizohet mbi të vërtetën e vetme krahas arsyetimeve. Pse gjithnjë propaganda arrin ta bindë masën, krijon besueshmërinë dhe fiton logjikën? Njerëzit shpejt e gëlltitin propagandën, u besojnë informacioneve të pabaza, aspak të logjikshme, pa argumente, ngaqë fjala e artistëve për veprat e tyre ngrihet në superlativ. Besimi në më të bukurën, më të madhërishmen, në renditjen e frontit të parë, shndërrohet edhe si sëmundje fiktive ndaj artistëve individë. Doemos, ata përpiqen të dominojnë tregun pa çelësin e duhur, pa ëmbëlsinë e veprës, pa mesazhin universal-global, kuptimplotë, vetëm e vetëm të jenë të parët dhe më të mirët.
Veprat artistike janë të heshtura, por në thellësi mjaft të zhurmshme, nëse vërtet arrin evolucionin dhe ngacmimin. Ato nuk dinë të flasin për vetën, por, vetëm të prezantojnë sinqeritetin. Krijuesit e tyre gjithnjë përpiqen t’i përdorin si arma neutrale në vetvete. Tash, në këtë kohë, është vështirë të propagandohet një pikturë, poezi, dramë, film, ngaqë informacioni për arritjen e krahasimit në mes prezantimit të veprës, arrin me shpejtësi të madhe. Të gjitha jo vlerat fundosën apo i distancon koha.

Prejardhja e fjalës propagandë

Është vështirë të përcaktohet saktë, mirëpo sipas disa të dhënave thuhet se fjala propagandë vjen nga një grup kardinalësh katolik “Congregatio de Propaganda Fide” (Kongresioni për propagandën e Besimit). Fjala propagandë dalëngadalë filloi të identifikohej si përpjeke për të prezantuar dhe për të përhapur bindje. Mirëpo, nëse kjo dukuri zhvillohet në art, atëherë reflektimi pengon, stagnon të menduarit korrekt, dhe bëhemi pjesë e egoizmit të rrejshëm artistik, i cili në esencë ka shkatërrimin dhe thellësinë e humnerës artistike. Propaganda në esencë e ka gënjeshtrën, madje shumë artistë, me plot bindje, reklamojnë çmimet, prezantimet e veçanta, duartrokitjet e rrejshme, vlerësimet të cilat aspak nuk janë ashtu si interpretohen. Shpesh këtë mediokër artistësh përdorin edhe emocionet dhe lojëra të ndryshme si vendimtare në përpjekjet për t’i mbushur mendjen opinionit. Këta artistë në shumtën e rasteve përdorin edhe përgjithësimet që kanë për qëllim mbështjelljen e fakteve të rëndësishme rreth problemeve kryesore. Sot tregu artistik është i madh. Po kthehemi në kohë kur konfliktet politike dhe ato ushtarake shoqëruan të gjithë gjatë shek XX. Miliona njerëz vdiqën në të dy luftërat botërore, këto efekte ishte të tmerrshme, vulgare për artistët, të cilët i portretizuan situatat jetësore. Në vitin 1917, në Rusi komunistët morën pushtetin, duke përfunduar në një luftë civile midis të kuqve komunistë dhe të bardhëve jokomunistë. Artistët iu bashkuan kësaj lëvizje duke krijuar imazhe propagandistike si ajo pro komuniste “Mundini i të bardhët me pykën e kuqe” një vepër nga El Lissitzky. Imazhi tregon pykën e komunizmit që çan qarkun, Rusinë jokomuniste.

Vepra që flet dhe rrëqethet vetë

Një vepër tjetër që vlen të veçohet e që i përket propagandës artistike është “Bateria e bombarduar” nga Percy Wyndham Lewis. Vetë vepra ndërton propagandën e botës në luftë. Këtu artisti nuk ka nevojë ta zhvillojë propagandën e imagjinuar në korrelacion me veprën. Ai kombinon figura mekanike këndore me të tjera më të natyrshme në pamje. Ajo i shmanget pamjes së përgjakshme të luftimeve, duke na paraqitur vetëm ushtarë që po pastrojnë vendin pasi bateria e tyre është bombarduar. Të tre oficerë të vendosur në anën e majtë të veprës vëzhgojnë pa ndonjë emocion. Ndërkaq, peizazhi i shkretë zbulon deri në lakuriqësi shkatërrimin që sjell lufta. Edhe pamja e ushtarëve ne formë roboti synon të nxjerrë në pah se si lufta i depresionalizon njerëzit. Kjo pikturë u realizua pas Luftës së Parë Botërore, duke ngritur propagandën negative çnjerëzore të luftës. Artist këtu nuk ekziston, por vepra flet dhe rrëqethet vetë. Propaganda bëhet e thellë kur vepra nxjerr ngacmimin. Gjatë luftës së dytë botërore propaganda e vërtetë e artistëve shpesh i dërgonte dhe në vdekje. ‘Shtylla e shoqërisë’ nga George Grosz satirizonte udhëheqësit gjerman duke i bërë qesharakë dhe të ligj. Ai u persekutua për këtë vepër. Ushtarët mizorë gjermanë marshojnë në sfond të pikturës. Një prift bekon me budallallëk gjithçka. Në anën tjetër figura e një politikani i cili valëvit një flamur, koka e tij është e mbushur me jashtëqitje. Një nazist, i cili është në plan të parë të pikturës qëndron i pirë duke vringëllirë shpatën e tij. Artistët këtu shprehin vizionin , imagjinatën e tyre propagandistike në opinion, gjë e cila nuk i pëlqente regjimit, sepse regjimi pranonte vepra sipas qejfit për të propaganduar në opinion. Në të njëjtën kohë politikanët përpiqeshin t’ua fitonin mendjen njerëzve, duke kërkuar ndihmën e një lloji arti të ri – pikturave propagandistike. Kam miqësi me shumë artistë nga fushat e ndryshme. Pak prej tyre shpalosnin propagandën e sinqertë kohore, ekonomike, politike, e cila me batuta të rrejshme apo me teatër fjalësh bind masën.

Shpalosja e së vërtetës nëpërmjet artit propagandues

Përse veprat artistike nuk godasin në shenjë. Këtë goditje nëpërmjet stilit të tyre ta propagandojnë në publik, sepse e vërteta shpaloset vetëm nëpërmjet artit propagandues. Nëse këtë gjë nuk e bën arti, atëherë politika fiton betejën. Përse nuk ekziston një Pikaso i kohës, i cili me veprën madhështore “Guernika” arriti propagandën më të madhe kundër luftës civile në Spanjë. Kjo panoramë tronditëse shpalos vdekjen dhe shkatërrimin, pasi avionët nazistë bombarduan qytetin republikan të Guernikës, duke vrarë qindra civil. Pikaso pohonte se Guernika përmban një apel të qëllimshëm drejtuar popullit, pra një sens të qëllimshëm propagandistik. Këtu dukshëm vërehet se arti ka ndikim real mbi ngjarjet, gjë të cilën asnjë krijues nuk e paraqet tek ne. Pikturat nuk duhet të krijohen për të zbukuruar muret e apartamenteve, por për të protestuar në shenjë revolte ndaj padrejtësive. Guernika është një instrument lufte për të sulmuar dhe për t’u mbrojtur nga armiku. Pikaso nuk donte ta shpjegonte Guernikën, edhe pse si vepër është e pakuptimtë. Mjafton të dimë se kali përfaqëson njerëzit, demi mizorinë dhe errësirën. Në të majtë të pikturës demi vërshon, i pacenuar, ndërkohë që një grua ka vënë kujën me duart mbërthyer mbi fëmijën e saj të vdekur. Një ushtar gjendet i vdekur për tokë dhe sipër tij kalin e kanë qëlluar. Në të djathtë, një fytyrë e tmerruar shikon jashtë një dritareje. Një grua përpiqet të largohet me vrap, ndërkohë që një tjetër bie, duke ulëritur, nga një shtëpi që digjet. A nuk mjaftojnë këto skene për të propaganduar luftën, e cila bëhet në të padrejtë? Andaj, propaganda artistike gjithnjë do të mbartë emblemën e përjetësisë.


Ilir Muharremi u lind më 1983 në Pejë. Shkollën fillore e kreu në Prishtinë, ndërsa shkollën e mesme të artit në Pejë. Ka diplomuar më 2004 në Fakultetin e Arteve, Dega e Aktrimit, në klasën e profesor Luan Dakës. Pas diplomimit është angazhuar në disa shfaqje teatrale, si: “Sfida e madhe” e autorit Nebi Islami, “Nata e dymbëdhjetë” e William Shekspeare-t, “Duart e ndyta” e Zhan Pol Sartre-t, “Shkolla e grave” e Molierit etj. Në vitin 2007, me dramën “Van Goghu Kosovar”, ka kryer magjistraturën në Degën e Dramaturgjisë në Prishtinë. Ndërsa, në vitin 2010, ka doktoruar me temën në Fakultetin e Filologjisë “Kiril i Metodij” në Shkup. Nga viti 2008 punon asistent në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë, ndërkohë ka punuar edhe gazetar i kulturës në të përditshmet “Koha ditore” dhe “Lajm ekskluzive”. Aktivisht merret me aktrim, por shkruan edhe poezi, tekste dramatike, shkrime diskursive dhe kritike për artin e dramës, teatrin,  filmin, artin figurativ, artin konceptual etj.  Ilir Muharremi në aktivitetin e vet shkencor interes të veçantë ka treguar edhe ndaj temave të arteve vizuale dhe të filozofisë, për çka shkruan venerime dhe artikuj me karakter të ndryshëm. Aty flitet për çështje të ndryshme të pikturës, skulpturës dhe filozofisë. Edhe në këto trajtesa vërehet afiniteti i autorit ndaj paraqitjes informative të personalitetit të ndonjë piktori, si janë piktorët shqiptarë I. Kodra, A. Paci M. Mulliqi etj. Ose të huaj S. Dali P. Pikaso, A. Modelijani përkatësisht për kryevepra të pikturës, si është “Mona Liza” e L. Da Vinçit. Kësaj pjese të veprimtarisë shkencore i përkasin edhe disa artikuj në të cilët trajtohen çështje të përgjithshme të skulpturës. Nga fusha e filozofisë veçohen publikimet për pikëpamjet e Fridrih Niçes dhe të Zhan Pol Sartrit. Është autor i tri librave: “Djalli në qytetin tim” (1996) , “Dera e fundit e çmendurisë” (2003), “Van Goghu kosovar” (2010). 

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit