Festivali i 11-të, Edi Luarasi: Si na spiunoi vajza e Enverit



 Festivali i 51-të i RTSH-së nuk do të rikthejë vetëm imazhin e këngëtarëve të shquar të festivalit të 11-të, por do të kthejë live në skenë edhe dy prezantuesit Edi Luarasin dhe Bujar Kapexhiun.

Zbulohet surpriza e organizatorëve, ndërsa duhen edhe 15 ditë nga fillimi i edicionit të 50-të festivalit. Organizatorët kanë menduar të ngjisin sërish në skenë të dy prezantuesit e atij festivali që u ndëshkua dhe nuk u shfaq më kurrë gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Të dy prezantuesit kanë nostalgji dhe emocione të veçanta. Aktorja e njohur Edi Luarasi, prezantuesja e bukur e asaj kohe, me gjithë prezencën e saj elegante, sot ndjen frikën e moshës. Me të qeshur thotë se nuk i ka më ata “flokët e dendur e të ngritura lart në mënyrë madhështore”. Por edhe artisti i njohur Bujar Kapexhiu, që në atë kohë ishte rreth 26 vjeç dhe me kaçurrela të bukura, rrëfen me nostalgji. Rrëfimet e dy prezantuesve të festivalit të 40 viteve më parë për “Shqiptarja.com” nuk kanë fund. Ata përveç gjërave të panjohura sjellin edhe atmosferën e gjallë të atij festivali. Të intervistuar veç e veç, ata jo rrallë herë rrëfejnë të njëjtat detaje, e megjithatë secili prej tyre i ka bërë pjesë të shpirtit krijues ato net të bukura, magjike e spektakolare, kur në Shqipërinë komuniste jepej festivali i 11-të i këngës në Radio-televizion.

Zonja Edi, ju do të riktheheni në festivalin e këngës në RTSH si prezantuese me prezantuesin tjetër të Festivalit të 11-të të këngës, Bujar Kapexhiun. Çfarë kujtoni nga ajo kohë. Si jeni ndierë?

Emocionet kanë qenë shumë të mëdha. Disa gjëra i kujtojë si atëherë e disa i kam harruar se ka kaluar koha. Rikthimi im si prezantuese më shkakton emocione shumë më të mëdha se atëherë, sepse ka kaluar koha dhe ne jemi mplakur. Bujari është shumë më në formë se mua. Por unë kam një ndjesi të çuditshme, sepse njerëzit më mbajnë mend nga atëherë dhe kam frikë se mos i zhgënjejë.

Po me Bujar Kapexhiun keni folur për prezantimin?
Bujarin e mora në telefon para dy-tre ditëve dhe i thashë, “A të kanë thënë për festivalin?”. “PO”, tha. “Bujar po unë kam merak, e dua tekstin para kohe, se mos nuk mbaj mend gjë”. “Hajde moj Edi se do të improvizojmë ne si atëherë”, më tha ai duke qeshur.

Kishit një skenar të përpiktë atëherë, apo u lejohej improvizimi?
Ne bënin edhe improvizime. Regjia kishte një skenar, por improvizimet i kishim si objektiv për t’i dhënë skenës më shumë gjallëri, që të mos krijonim boshllëqe nga kënga në këngë.

E mban mend veshjen që kishe në skenë?
E mbaj mend sepse kisha tre fustane shumë të bukura. Kisha gjetur ca copa të rralla kineze. Kinezët hapën një ekspozitë në Shqipëri me mallrat më të mira industriale, copat e mëndafshta dhe dizajnët interesante. Kur ikën, ia falën mallin e ekspozitës Shqipërisë dhe kush mundi bleu nga këto metrazhe. Mbaj mend një fustan punuar me fantazi, copë e hollë dhe e lehtë. Të dukej vetja si flutur. Edhe modelet e prerjes në atë kohë kanë qenë më të avancuarat e kohës. Bëra dhe flokët sipas modës, por mbaj mend që u mërzita shumë. Shkova te parukierja dhe i kisha bërë flokët të fryra, të ngritura përpjetë. Nikolla Zoraqi më tha: “I ke shumë lart flokët, lagi, lagi, uli!”. Artistët i fshihnin disa aksesorë dhe kur dilnin në skenë i ekspozonin. Të gjithë donim të bënim një spektakël të nivelit të lartë. Në atë kohë Rafaela Kara bënte bujë në Itali. Na thanë për spektaklin se arritët nivelin e saj. Ky festival ishte më shumë se një shfaqje koncertale. Mbaj mend Mihallaqin që ishte regjisori i festivalit dhe na bërtiste matanë: “Nuk dua asnjë pauzë para se të dalë këngëtari”. Dhe pa dalë nga skena këngëtari, hynim neve për ta përcjellë me një mënyrë komunikimi. Pastaj çuditërisht në atë festival nuk këndohej për partinë, për kooperativistin, për brigadierin pararojë. Më vjen të qesh se mbaj mend fjalët e këngës të një festivali më parë: “Brigadieri pararojë/Djali simpatik/Vetullgjerë si shqiponjë”... Lere ç’të kujtosh. Ndërsa në festivalin e 11-të nuk i shkoi mendja njeriu të bënte këngë të tilla. Më pas u kritikua për qamet vargu “buzët e tua vinë era limon”, se duhej ndoshta të thoshim që “vinë era graso”….

Pas gjithë këtij entuziazmi, kur e ndjetë reagimin e parë negativ të qeverisë?
Menjëherë pas festivalit. Lajmi erdhi në fillim si thashetheme, “që Enver Hoxha e ka kritikuar festivalin”. Bo, bo thamë dhe filloi një shqetësim i madh. Por thoshin se kanë qenë me pushime Enveri me Nexhmije Hoxhën dhe Pranvera, e bija, e cila ndiqte festivalin, i lajmëron dhe u thotë: “Hajde babi, se po bëhet nami në Tiranë, shifeni!”. Pranvera megjithëse dilte jashtë dhe shijonte një jetë shumë liberale, u tregua e ashpër ngaqë e pa që nuk po këndohej për të atin...

Si vijuan sulmet pas kësaj?
Filluan mbledhjet, me një pretekst se sikur të rinjtë e Lushnjës e Myzeqesë kishin thënë se “ç’është ky festival”. Nikolla Zoraqi nuk e mori aq seriozisht këtë pretekst dhe në çast shpërtheu: “Por edhe ne kemi marrë shumë letra, por kemi marrë letra lavdërimi!”. Masat nisën të merren, sa filloi loja...

Sa vjeç ishit atëherë. Çfarë kujtoni nga batutat e partnerit tuaj në skenë?
Mund të kem qenë nja 30 vjeçe. Bujari ishte edhe më i ri se unë. Mbrapa skene më thoshte do të them këtë e këtë. Dhe unë “mos të keqen, mos e thuaj”. Ai ishte i lirë fare. E bukur ishte lidhja që sajuam me juritë e rretheve. Na quajtën të çmendur. Si u lidhkeni ju me juritë e rretheve, kaq kollaj është. Dihet teknologjia e asaj kohe. Por ne sfiduam edhe me këtë, se kishim bërë gati përgatitjen; i kishim regjistruar që të mos bëheshin gafa në jurinë më përpara. U lidhëm me Korçën, Shkodrën, Elbasanin, etj. Rinia mezi e priste këtë festival. Ishte koha e Adriano Çelentanos, që është edhe sot i madh, por edhe ne kishim shumë këngëtarë të mirë.

Mihalin si regjisor dhe ty, për festivalin e 11-të ju dënuan?
Po për festivalin, por duhet thënë se shkak u bë edhe “Njollat e Murrme” dhe kjo duhej dhe …..

Cilat këngëtare ke pasur mike?
Unë kam mbaruar për teatër dhe nuk kisha shumë mike, por me Vaçe Zelën njihesha e bisedonin së bashku, sepse Vaçja ka bërë edhe Institutin e Lartë të Arteve për aktore.

Çfarë kujton nga Vaçja?
Më vjen keq që ka pësuar probleme shëndetësore sot. Ajo Më tregonte se kishte simpati për Koni Frençin, e kishte idhull. Vaçja ka pasur zë të mirë shumë. Ajo në atë kohë ka qenë edhe e preferuara e udhëheqjes si këngëtare. Ndërsa Vaçja mbante flokë të gjata deri tek vithet, nuk shihej me sy të mirë, por ishte “kokëkrisur” ajo. Megjithatë, të gjithë e donin Vaçen. Kishte një zë fantastik.

Nuk më thatë ngjyrat e tre fustaneve të tua?
Njëri kishte ngjyrë të zezë të argjenduar. Një tjetër ishte mëndafsh me reflekse gri e bojëqielli. Dhe njëri me një u bë një fantazi të veçantë. I thashë rrobaqepëses se e dua me plise (me pala) që nga lart deri poshtë. Vinte duke u zgjeruar dhe mëngët i kishte të gjera.

Ke foto me këto veshje?
U zhdukën të gjitha, kush i la. Më vjen çudi si kanë ngelur nja dy gjëra në Kinostudio, ku jam unë duke bërë makijazh. Atëherë edhe skulptorët thyen gjithë skulpturat që kishin bërë nudo, e piktorët i grisën.

HISTORIA

CFARE NDODHI ME FESTIVALIN E 11-të
Festivali i 11-të i Këngës në RTSH u zhvillua nga datat 22-24 Dhjetor 1972, në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Regjisori i atij festivali ishte regjisori i talentuar Mihallaq Luarasi. Prezantues ishin aktorja e bukur Edi Luarasi dhe artisti simpatik Bujar Kapexhiu. Ata prezantuan me nivel artistik. Në atë festival u paraqitën 20 këngë, te cilat u kënduan nga 19 këngëtarë, sepse këngëtari Sherif Merdani këndoi dy këngë. Këngët e atij festivali u shoqëruan nga orkestra e drejtuar nga Zhani Ciko, si dhe nga orkestrina frymore e drejtuar nga i talentuari Gasper Curcia. “Një shkëndijë filloi te ndizej në atë festival rrëfejnë prezantuesit e intervistuar në “Shqiptarja.com”, Luarasi dhe Kapexhiu. Përveç jurisë qendrore të Tiranës, ishin edhe disa juri te tjera ne qytete te ndryshme te vendit. Por pas këtij festivali nisën ndëshkimet e atyre që e bënë. Është një listë e gjatë artistësh. U dënuan Gasper Çurcia, Bashkim Alibali, Justina Aliaj, prezantuesit Edi Luarasi e Bujar Kapexhiu, Françesko Radi, Aleksandër Lalo, duke i hequr nga puna dhe dërguar në prodhim. Ndërsa nëpër burgje shkuan vetë regjisori, Mihal Luarasi, Sherif Merdani,etj, etj.

festivali 11 bujari dhe edi luarasi

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri