Kisha në dorë zjarrin e yjeve


Kostaq Mizaku

RREZJA

S’u lodhe pra kaq kohë e arratisur ,
Kaq kohë që kur ike e më mungon ?
S’besova të vonoheshe kaq gjatë
Nga njëri yll në tjetri tek kalon.

Ndaj herë, herë kur malli më merr shumë,
Përgjatë lumit dal edhe shëtis,
Në bërryl të thellë bufkëzën e Hënës
E shpleks e nëpër gishta shpupuris

Fundprilli atëherë duhet të ishte,
Për herë të parë m’u shfaqe flokëlëshuar,
Ti shtireshe e qetë sikur për mua,
Se kishe bërë por thjesht ashtu nxituar.

Atëherë unë i hutuar s’po kuptoja,
Se si kaq befasisht në sytë e mi,
Përfundimisht ish shuar tashmë rrezja,
Një grua ishte shfaqur, një peri ?!

Por ndoshta flokët i ke mbledhur prapë,
Në bufkë ndaj dhe yjesh shkon e ri.
Sa shumë paske dashur dhe një herë
Në rreze të më kthehesh përsëri.

Lumi i mëhallës sime



Tërë këtë natë të gjatë të pagjumë
e mblodha shuk dhe e vura
në një guaskë arre
më një velëz gjetheje
e nisa ku të mundë në det,

Pa xhaketë,pa portofol
ecën serbes,serbes me duart në xhepa..
Në fund të tyre dy vrima
ku luajn gishtrinjtë.

Ndër ferrat buzë Moravës
ndehur shqetësimet e tua,
si rroba të bardha, të lara
që i valvit era.
Si mund t’i mbledhë ëngjëlli yt i mirë
ka aq shumë gjemba?!

Atje në rrëzë të malit
ku shkove e ngrite shtëpinë
nuk e dije
që rrokullisen orteqet ?

U thyen tërë xhamat e shtëpisë.
Në dhomat bosh era e Ivanit
kërcet dhëmbët
ndërsa pas shpine dyert
përplasen me vrull.

Ulesh i lodhur rrëzë një plepi ,
me sytë gjysëm të mbyllur
përpiqesh të flesh pak.
Nga supet nuk e fshin një glaskë
harabeli.

Kishte kaq shumë vemje kopshti sivjet,
kaq shumë vemje,
dhe sa pak zogj !

Është koha të ikësh,
qielli u vrenjt dhe patjetër
do kemi furtuna.
Këpucët janë prapa derës,
kujdes nga gozhdët !

Kur të dalësh në rrugën e madhe
mos u huto
kape për mënge erën
është e mirë, besnike
si qeni i të verbrit !


Kaq e përpjetë kjo rrugë
dhe kaq e përdredhur
si mund të vraposh ?!


Rri i krrusur mbi pirgjet
me hekurishte
Ndër ndryshqet pa fund
kërkon me gishtat që të dridhen ,
bukën e ditës


Netëve kur hëna të dalë
duke të servirur varkat
si fruta në pjatë të argjendtë ,
mbaj një shami me vete ,
do të të duhet për lotët.

Nganjëherë ndodh
që është më mirë të qeshësh
se sa të qash
kur bie në gjunjë.

Kush e mati ndonjëherë
sasinë e kripës në lotët e gazit
e në lotët e vajit ?
Kush e mati ndonjëherë ?

Ajo qeramidhja në kulm të shtëpisë
prapë nis e pikon
pikë, pikë
pa rreshtur

E shikon ?
Sot telefoni
nuk trokiti fare
prandaj nuk erdhën zogjtë në ballkon
të hanë thërrimet e bukës.

Është kaq e rëndë të presësh
diçka që të ka ardhur me kohë
e s’të hiqet nga vetja,
dhe ti bën sikur se shikon
e gjoja del ta presësh
duke vënë pak aroma freskie
e duke kënduar një këngë rinore
ndërsa era t"i hedh andej , këndej
flokët tashmë të rralluar.

Nga larg kur të fryjë
era e perëndimit
dil e mblidhe në një thes të zbrazur
dhe le të të tallin
diçka në të do të mbetet.

Nga tërë fjalët e së dashurës
mbetet vetëm fjala "të pres"
Nga tërë heshtja e nënës
mbetet një gozhdëz
që lëviz e lëviz kudo
bashkë me gjakun
dhe del vetëm kur kokën mbështet
në prehrin e saj.


Ajo pema jeshile që zgjatet
deri tek dritaret e katit të dytë
mbrëmjeve kur e kur hedh nga një sy
në dhomën e gjumit
andej nga krevati.

Mbasdite , kur skuqet qielli në perëndim
dhe parku nis fërgëllohet
ti nis e mbushesh mornica .
Ke frikë mos digjet bota.

Është kaq , kaq e vogël kjo botë
sa nuk na nxe të dyve bashkë
normalisht
ndaj ngjishemi e shtypemi kaq shumë
me njëri tjetrin
sa shkrihemi e bëhemi një.

Thanë që edhe Marsi
ashtu si Hëna është ,
i shkretë , pa jetë.
Nuk të duket pak e frikshme
me kaq komshinj të vdekur
rreth e rreth
s"të duket e frikshme?

E në u ndafshim ndonjëherë
ç’do të bëhet me këtë botë
kur të marrim me vete
dy gjysëmbotëzat tona ?
O Zot në u ndafshim ndonjëherë !

Mjeku të tha :
"Kujdes të është zmadhuar zemra"
Me kaq shqetesime sa fute në të
si mos zmadhohet?

Qeni yt që ruante shtëpinë
ngordhi një mëngjes.
E morën në rrabën e plehrave .
Në këtë botë mbushur me hajdutë
a mund t’i besosh një kyçi ?

Kur të nisesh për kthim
mos i vish këpucët
se nuk do të shkelësh në tokë
do fluturosh!

E pe sa bukur perëndoi sot dielli ?
Si fanar i ndezur u var
aty midis malesh
si mbi derën e një bujtine të dhemshur
që pret me mall

Kur të kthehesh
në atë grykë të ngushtë
mos harro të hedhësh në lumë
thesin me shqetësime
Lumi do ta marrë
mespërmes atdheut
do ta çojë në det.


Deti gjërat e shtrenjta i mbledh
në bark të molusqeve
dhe ndoshta një ditë vala i nxjerr,
ndoshta i nxjerr…


Tërë këtë natë të gjatë të pagjumë
e mblodha shuk dhe e vura
në një guaskë arre me një velëz gjetheje
e nisa ku të mundë në det.


Po deti si e gjeti lumin e mëhallës sime?
Nga tërë këta lumenj të pafund


ZJARRI I YJEVE

Kisha në dorë zjarrin e yjeve
Kur ishim bashkë .
E ishte bukur,
Gjithë zogjtë e pyllit këndonin vetëm për mua .
Por ah ajo kukuvajka e orës !
Si se prisha më parë atë orë të zezë ?
Katër herë këndoi e ndali pak të të shihte
Sikur ta dinte
Se s’do të të gjente më
Deri në pesë.

Tani zjarri i yjeve
S’duket gjëkund.
E morën urithët thanë
Të ndezin qirinj tjetërkund.

si e gjeti pikërisht atë ?


LERE TËRBIMIN E QIELLIT

Lere mërinë e reve
tërbimin e qiellit
të derdhet mbi mua !

Duke më ruajtur nga shiu
merr mbi vete rrufetë.

Kështu si bën,
pa puthjen tënde,
pa dihatjen tënde të çrregullt
në gjoksin tim
s’jam harbimi i lisit
që gris lartësitë
por zgërbonja e çarë mespërmes
më rrënjë dalë dheut
ku tremben të ulen zogjtë.

Tek rrjedh ndanë varreve të moçme
atë guaskë e ngjiti nëpër të !



UNË E DI

Unë e di se sonte do të vish
Dritëzën e oborrit do të shuash
Në kanapenë e vjetër ti sërish
Do ulesh e do bëhesh njësh me mua.

Mban mend nuk kishin kushedi
Ndonjë freski të madhe ato netë
Kur mbledhur si fëmijë hyje ti
Në gjoksin tim e dridheshe si fletë.

Ashtu si kot pastaj kur më përgjoje
Të zemrës rrahje me kokën mbi të
Ca lutje mbushur ankth sikur dërgoje
Tek Shën Mëria herë, herë pa zë.

Po ku ta dija se aq dhembshurisht
Një mal me kuvaristra mbaje fshehur
Dhe drugën që të dridhej nëpër shpirt
Të gjitha një nga një i kishe tjerrur.

Të gjitha një nga një i kishe tjerrur
E mbledhur në një lëmsh,o zot ç’cfilimë,
Gjersa një muzg të vonë t’u këput filli
E Shën Mërinë thirre ti për ndihmë…….

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri