POLEMIKA : Ibrahim Kelmendi, Bedri Islami, Bardhyl Mahmuti, Xhavit Hoxha

 25 Jun. 2007 15:26

Ibrahim Kelmendi Briihler Str. 1 D - 50968 Koln (Gjermani)

Organeve kompetente të hetuesisë dhe të gjyqësisë të Republikës se Shqipërisë

Lënda: DENONCIM PUBLIK DHE KALLËZIM PENAL KUNDËR ISH KRYEMINISTRIT FATOS NANO, SHTETAS SHQIPTAR, ME BANIM NË TIRANË

Në pamundësi për të qenë për momentin në Republikën e Shqipërisë;

Në mungesë të njohjes se ligjeve përkatëse të Republikës se Shqipërisë;

Duke u mbështetur në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e ratifikuar nga
Republika e Shqipërisë;

Po shfrytëzoj formën publike për të denoncuar e për të bërë kallëzim penal kundër z. Fatos Nano, ish Kryeministër i Republikës se Shqipërisë, për shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe për shpërdorim të përgjegjësisë se Kryeministrit të Republikës se Shqipërisë, kur në mars të vitit 1998 urdhëroi Drejtorin e përgjithshëm të policisë se Republikës se Shqipërisë, z. Sokol Bare, që të privoj përdhunshëm nga e drejta elementare për të ngrënë bukë rreth 1.400 burra të arratisur nga Republika e Kosovës në Republikën e Shqipërisë.

Arsyetim:

1. Në gjysmën e dytë të marsit 1998, kur forcat policore dhe ushtarake serbe sulmuan Krahinën e Dukagjinit në Kosovë dhe ndërmorën krime të përmasave të mëdha ndaj popullsisë se atjeshme civile, rreth 1.400 burra të Kosovës brenda një nate u arratisen në Rrethin e Tropojës në Republikën e Shqipërisë. Të gjithë këta u vendosen në një kullë të zbrazët dhe në livadhet rreth kësaj kulle, ndoshta në Fshatin Viçidol të Rrethit të Tropojës. Këta burra të tmerruar, të lodhur nga udhëtimi i gjatë në këmbë dhe të uritur, sapo arritën ilegalisht në atë vend, u rrethuan nga policia e Bajramcurrit. Kur rrjeti i logjistikës i UÇK-së u përpoq t‘i furnizonte me bukë këta të arratisur të uritur, policia ua ndaloi dhënien e bukës, me shpjegim se u ishte dhënë urdhri që me dënim urie të detyroheshin të regjistroheshin si refugjatë lufte dhe të shpërndaheshin nga ai vendstrehim. Meqë gjendja ishte alarmante, nga rrjeti i logjistikës se UÇK-së në Tropojë (konkretisht nga Ilir Konushevci / Mërgimi), u informova përmes telefonit satelitor që të shkoj nga Tirana, ku gjendesha për momentin, për të ndërmjetësuar te policia e Bajramcurrit që të lejonin t‘u jepej bukë të arratisurve. Rreth orës 22,00 luta z. Perlat Gojçi (shtetas shqiptar, me banim në Tiranë), që të na voziste mua dhe z. Gafurr Elshani (atëherë anëtar i Kryesisë se LPK-së, tani avokat në Prishtinë) deri në Bajramcurr. Z. Perlat Gojçi na voziti me xhipin e tij (nëpër Qafë të Malit) deri në Bajramcurr dhe atje arritëm rreth orës pesë të mëngjesit. Nga Ilir Konushevci dhe të tjerë të rrjetit të logjistikës se UÇK-së u informuam për gjendjen e llahtarshme të të arratisurve dhe se policia e Bajramcurrit kishte bllokuar dy xhipa (foriostrada) të UÇK-së të ngarkuar përplot me bukë dhe djathë, që të mos ju dërgoheshin rreth 1.400 burrave të arratisur nga Kosova. Nga Bajramcurri shkuam të vendstrehimi i rreth 1.400 burrave të arratisur nga Kosova. Policia na lejoj të kapërcenim rrethimin policor për t‘i takuar të arratisurit, me kusht që me vete të mos kishim bukë për t‘ju dhënë të arratisurve.

Kur iu afruam vendstrehimit të të arratisurve pamë gjendje të tmerrshme. Meqë ishte mëngjes i hershëm (rreth orës gjashtë), pamë mbi një mijë veta të shtrirë në livadh, rreth kullës se atyshme, meqë vetëm rreth katërqind veta i kishte zënë kulla. Bënte ftohtë. Të shtrirët për toke, të lodhur e të uritur, vetëm se kolliteshin nga ftohja që kishin marrë nga toka dhe nga të ftohtit. Për të përballuar udhëtimin e gjatë e të rrezikshëm, ata nuk ishin veshur trashë për të përballuar të ftohtit. Ajo pamje të llahtariste...

U kthyem në Bajramcurr dhe rreth orës tetë të mëngjesit takuam Shefin e policisë, z. Hyka (me sa mbaj mend). Ia përshkruam gjendjen që pamë dhe e lutem që të lironte dy xhipat e konfiskuar, që t‘ua dërgonim të arratisurve të uritur e të plevitosur. Ai refuzoi lutjen tonë, me arsyetim se e kishte urdhëruar Drejtori i përgjithshëm i policisë, z. Sokol Bare, që të mos lejonte furnizimin me bukë, në mënyrë që të arratisurit të detyroheshin nga uria që të regjistroheshin si refugjatë lufte. Nga zyra e shefit të policisë në Bajramcurr, përmes telefonit satelitor që dispononte rrjeti i logjistikës i UÇK-së, u lidha me z. Fatos Klosi, atëherë shef i SHIK-ut. Ia paraqita gjendjen dhe e luta për ndihmë. Ai shfaqi habi dhe keqardhje dhe u lidh me z. Hyka për ta lutur që të lejonte t‘u shpihej buka e konfiskuar të arratisurve. Por z. Hyka u arsyetua se nuk mund të shkelte urdhrin e eprorit të tij, z. Sokol Bare. Të njëjtën lutje ia bëri disa herë edhe shefi i Degës se SHIK-ut në Tropojë, me arsyetim se ai nuk ishte në dijeni të një urdhri të tillë.

Sërish shkuam në vendstrehimin e të arratisurve. Luta që të tuboheshin dhe të zgjidhnin tre veta që do të përfaqësonin të arratisurit në komunikim me organet shtetërore të Republikës se Shqipërisë. Në atë moment, me gjithë fuqinë e zërit, mbajta një fjalë rasti, për t‘u dhënë shpresë dhe forcë morale për të përballuar urinë dhe të ftohtit.

Nga mesi i atyre të arratisurve u afrua një burrë trupmadh dhe m‘u lut që t‘ia mundësoja lidhjen përmes telefonit satelitor me Zyrën (Ambasadën) e Qeverisë se Republikës se
Kosovës në Tiranë. Ai u prezantua me emër e mbiemër (që fatkeqësisht ia paskam harruar dhe shënimet e kohës nuk i kam pranë), me profesion mësues anglishte, nga Fshati Junik, Kryetar i LDK-së për Junikun. Ia mundësova lidhjen me Shefin e Zyrës, z. IRamajli, dhe meqë aparati kishte parlofon, mundëm të dëgjonin bashkëbisedimin e tyre. Personi në fjalë ia paraqiti gjendjen e llahtarshëm z. Ramajli dhe e luti për ndihmë. Ai u përgjigj tepër brutalisht, se nuk ishte kompetent për t‘i ndihmuar...

U zgjodhën tre veta që t‘i përfaqësonin. Policia lejoj që t‘i merrnim me vete në Bajramcurr për të lutur z. Hyka që të lejonte të ushqeheshin me bukë.

Gjithë dita na kaloi duke lutur z. Hyka dhe duke u lidhur me Tiranën, por kot. Në mbrëmje, rreth orës 19.00, një polic trupmadh, për të cilin thonin se ishte komandant, duke ndjerë keqardhje për gjendjen e krijuar, më ndau anash dhe më sugjeroi që të merrja z. Hyka dhe të niseshim me te në Tiranë, me mendim se do provonte të dërgonte natën xhipat me bukë të arratisurve tashme skajshmërisht të uritur e të plevitosur. Ishte mbrëmja e ditës se tretë të urisë se përdhunshme.

E luta z. Hyka të udhëtonim për në Tiranë që të shihnim mundësitë nëse do hiqej bllokada e urisë. U arsyetua se nuk kishte me se të udhëtonte. Iu luta që të gjente ndonjërin në Bajramcurr, që kishte xhip dhe që pranonte të na voziste për Tiranë me pagesë. Gjeti njërin. Ai kërkoi, me sa mbaj mend, 300 USD. U nisem, por z. Hyka nuk harroi t‘i merrte me vete çelësat e xhipave të UÇK-së, të ngarkuar me bukë e djathë dhe të bllokuar në oborr të ndërtesës së policisë. Kjo e hidhëroi komandantin e policë, që kishte ndërmend të shpinte bukën natën, kur do udhëtonim z. Hyka dhe unë. Për këtë nisje me telefon satelitor informova z. Fatos Klosi dhe e luta të na priste nga mesnata, bashkë me z. Sokol Bare dhe mundësisht të kontaktonte edhe Kryeministrin Nano për hallin dhe shkuarjen tonë.

Në Tiranë arritëm pas orës 12.00 të mesnatës. Z. Klosi na priti në zyrën e tij në selinë qendrore të SHIK-ut në Tiranë. Informoi edhe z. Sokol Bare, i cili pas pak erdhi. Z. Hyka paraqiti gjendjen e rënduar të rreth 1.400 të arratisurve nga Kosova. Z. Klosi dhe z. Bare ishin përpjekur të kontaktonin Kryeministrin Nano, por nuk po ua hapte celularin. Biseduam rreth një orë dhe z. Bare arsyetohej se nuk guxonte të shkelte vendimin e eprorit të tij, Kryeministrit Nano. Edhe z. Klosi e luste z. Bare, me shpjegim se ai nuk ishte i informuar për një vendim të tillë. Gjatë bisedave u rrit tensioni dhe z. Bare më bëri me dije se do më arrestonte që aty. Z. Klosi u fjalos, duke i thënë se miku nuk mund të arrestohej në zyrë të tij, pasi do delte besëprerë. Edhe ata u fjalosën ashpër mes tyre...
Nga zyra e z. Klosi u nisëm për Bajramcurr. Pronari dhe shoferi i xhipit, kur mësoi hallin dhe gjendjen, nuk pranoi të merrte dollarë as për karburant, me shpjegim se edhe ai do jepte kontribut patriotik për luftën çlirimtare të Kosovës. Po udhëtonim të mërzitur e të mllefosur, meqë nuk kishim mundur të zgjidhnim asgjë.

Rreth orës 10.00 të ditës se katërt të urisë, z. Hyka urdhëroi policinë të mblidheshin në oborr të ndërtesës se policisë në Bajramcurr. Ai urdhëroi policët të forconin rrethimin e të arratisurve, me shpjegim se ashtu e kishte urdhëruar z. Bare. Me atë rast mora fjalën unë dhe ju drejtova rreth 100 policëve të pranishëm, duke u thirr me patetikë e romantizëm në traditën bujare të malësorëve të Malësisë se Gjakovës (Tropjës) dhe policët reaguan me dorëzim të shërbimit policor (dezertuan). Pas rreth dy orëve, me gjasë i informuar për gjendjen e krijuar, z. Bare dërgoi me helikopter njësitin policor "brisku" (siç e quanin një polici speciale). Në zyrën e z. Hyka hyri komandanti i atij njësiti dhe pas prezantimit pyeti shefin Hyka se ku mund të gjendej z. Ibrahim Kelmendi. U paraqita, meqë gjendesha në zyrë. Ma komunikoi vendimin për arrestim. Ia ktheva gjithë emocione, se po të ishte shqiptar nuk do më arrestonte. Ai ma ktheu se ishte shqiptar Labërie dhe krenar. Kur u informua se për çfarë behej fjalë, urdhëroi z. Hyka të ia jepte çelësat e xhipava të bllokuar dhe e shpuri bukën tek të arratisurit e uritur për vdekje...

Gjykoi se me këtë rast z. Nano, nëse e ka urdhëruar z. Bare, ka shkel Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ligjet përkatëse, pasi edhe robi i luftës nuk mund të dënohet me uri.

(Dëshmitarë: Rreth 1.400 të arratisurit nga Kosova, z. Fatos Klosi / Shef i SHIK-ut në Tiranë, Shefi i Degës se SHIK-ut në Tropojë, të gjithë policët e atëhershëm të Degës se policisë në Bajramcurr, Qerim Kelmendi, Fanol Bardhi dhe dhjetëra të tjerë të sektorit të logjistikës se UÇK-së në Tropojë, z. Sokol Bare / drejtor i përgjithshëm dhe z. Ilir Çano, zv.drejtor i Policisë se Republikës se Shqipërisë, pronari dhe shoferi i xhipit që na voziti nga Bajramcurri në Tiranë dhe anasjelltas, z. Perlat Gojçi, e të tjerë.).

2. Në fillim të gushtit 1998 Kryesia e LPK-së (Bedri Islami / Kryetar, Bardhyl Mahmuti / Nënkryetar, Ali Ahmeti anëtar, Jashar Salihu / anëtar, Agush Buja / anëtar dhe unë, Ibrahim Kelmendi, anëtar) u prit nga Presidenti Rexhep Mejdani. (...) Pasditen e të njëjtës ditë kishim të caktuar pritje edhe nga Kryeministri Nano. Mua në mesditë m‘u desh të fluturoj për në Cyrih të Zvicrës. Kryesia kishte marrë vendim të shkarkonte z. Xhavit Halitin / Zekën, të cilin e kishte emëruar me herët se përfaqësues të LPK-së dhe të UÇK-së në Republikën e Shqipërisë, dhe në vend të tij kishte emëruar Ramiz Lladrovcin dhe Halil Selimin. Për këtë vendim Kryesia kishte ndërmend të njoftonte Kryeministrin Nano. Meqë nuk munda të merrja pjesë në takim, Kryetari Bedri Islami dhe anëtarë të tjerë të Kryesisë se LPK-së më informuar pastaj, se z. Nano nuk e kishte pranuar shkarkimin e Xhavit Halitit dhe se kishte shfaqur kërcënimin, se po provuam të shkarkonim Xhavit Halitin, do merrte vendim që të bllokonte gjithë sektorin e logjistikës se UÇK-së në Shqipëri. Këtë kërcënim kushtëzues të z. Nano dhe mosdëgjimin e Xhavit Halitit për të respektuar vendimin e Kryesisë i pata kuptuar si lidhje "miqësore" e dy profiterve kryesorë të luftës...

Ky mund të kualifikohet se shpërdorim i detyrës nga z. Nano, për përfitime financiare të tij dhe të Xhavit Halitajt, meqë ky i fundit "menaxhonte" pjesën më të madhe të fmancave të UÇK-së...
(Dëshmitarë: Anëtarët e Kryesisë se LPK-së se atëhershme.)

3. Si shtetas shqiptar po i jap të drejtë vetës të denoncoi z. Nano edhe për dezertim nga detyra e Kryeministrit dhe për arratisje të panevojshme nga Republika e Shqipërisë me 14 shator 1998...
(Dëshmitarë të gjithë ata që dinë e duan të dëshmojnë dhe ata janë me mijëra.)

4. Po si shqiptar po i jap vetës të drejtë të denoncoj Kryeministrin Nano për martesë me një të dyshuar për spiune të një shërbimi të huaj, me dëshirë që të kontribuoj që kjo bashkëshorte e z. Nano të mos ketë mundësi të behet "Zonjë e parë" e Republikës se Shqipërisë, meqë z. Nano po pretendon të na bëhet president...

(Dëshmitarë: Z. Fatos Klosi dhe të tjerë të punësuar atëherë në SHIK dhe që duhet t‘i dinë provat përkatëse për bashkëshorten e z. Nano.).

Lus institucionet Kompetente të hetuesisë dhe të drejtësisë të Republikës se Shqipërisë të marrin në shqyrtim këtë formë të denoncimit tim dhe të kallëzimit penal kundër z. Fatos Nano. Shpreh gatishmëri të vi në Tiranë, nëse organet kompetente parashohin se jam i nevojshëm për të bërë personalisht kallëzim penal e denoncim kundër z. Fatos Nano.

Me respekt, Ibrahim Kelmendi (Tel.: 00377 44 151959) Prishtinë, më 22 qershor 2007

* * *

REAGIM NDAJ PADISË PENALE TË IBRAHIM KELMENDIT,

Datë 24 qershor 2007

Si shumë të tjerë, u njoha edhe unë, përmes internetit, me kallzimin penal, që Ibrahim Kelmendi, shtetas i Shqipërisë dhe njëkohsisht veprimtar i herëshem i lëvizjeve ilegale të Kosovës, ka bërë kundër zotit Fatos Nano, ish kryeministër i Shqipërisë. Duke qenë se në nënshtesën e dytë të kallzimit penal i referohet një ngjarje në të cilën kam qenë jo vetëm i pranishëm, por edhe drejtues i organizatës, Lëvizja Popullore e Kosovës, e ndjej moralisht të detyrueshme të bëj saktësimin e ngjarjes të cilës i referohet miku im Kelmendi.

Nuk e di se si kanë ndodhur ngjarjet në Tropojë, pasi nuk kam qene atje, vetëm më vonë jam vënë në dijeni të gjendjes së krijuar, të përplasjeve që kanë ndodhur, të cilat mund të sillnin pasoja të pallogaritshme.

Ajo, që është në dinjitetin tim për të bërë të qartë për të gjithë, ka të bëjë me nënpikën e dytë të Kallzimit Penal, i cili ka lidhje me Takimin e Kryesisë së atëhershme të LPK-së me kryeministrin, po ashtu të atëhershëm, të shtetit shqiptar, zotin Fatos Nano.

Në fundin e muajit korrik 1998 unë mora një telefonatë të papritur nga zoti Fatos Klosi, i cili e quante të domosdoshme një takim sa më urgjent për problemet që ishin krijuar në Shqipëri dhe të cilat lidheshin me praninë e strukturave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të logjistikës së saj, grupimeve etj. Pyetjes sime se" kur e dëshironte ai një takim të tillë" i erdhi përgjigjja " edhe pas një ore", me shtesën se deri kur të realizohej ky takim, për vetë problemet që kanë lindur, do të ndalohen veprimet e mëtejshme të strukturave të luftës në Shqipëri. Duke parë se problemi ishte më madhor se sa mund të bartej nga një njeri i vetëm, qoftë ky edhe drejtuesi i organizatës, thirra të gjithë shokët e kryesisë që të ishin në Tiranë. Ata ishin : Bardhyl Mahmuti dhe Jashar Salihu, nënkryetarë, Ali Ahmeti/antar, Ibrahim Kelmendi/antar, Sejdi Gega/antar, Agush Buja/antar. Bardhyli ishte në të njëjtën kohë antar i Drejtorisë Politike të UÇK-së, ndërsa Jashari ishte kryetar i Fondit "Vendlindja thërret".

Në të gjitha takimet që u zhvilluan në Tiranë, në sferat më të larta të shtetit, do të ishte i pranishëm edhe Xhavit Haliti, përfaqsuesi ynë në Shqipëri, njëkohsisht antar i Drejtorisë Politike dhe i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Besoj se nuk është rasti të flitet për të gjitha takimet që u zhvilluan, bisedat e bëra, kundërshtitë, përdallimet që kishim në probleme të veçanta, përvijimet politike të krijuara. E rëndësishme është të saktësoj Takimin e zhvilluar me zotin Nano, në kryeministri, me ftesën e e posaçme të tij.

Se pari, më duhet të saktësoj se, as në kryesinë e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe as në Këshillin e Përgjithshëm të saj, nuk eshtë marrë asnjë vendim për largimin e Xh.Halitit nga detyra, si përfaqsues i saj në Shqipëri dhe si drejtues i sektorit të veçantë. Pas kthimit tonë nga Shqipëria, pra edhe pas Takimit tonë në Tiranë, në marrëveshje të përbashkët mes Shtabit të Përgjithshëm dhe Kryesisë së organizatës, është marrë vendimi i Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, për të dërguar dy shokë të tjerë, për forcimin e gjendjes,si përfaqësues të organizatës dhe të fondit "Vendlindja thërret" në Shqipëri, pasi, sipas mendimit tim, një njeri i vetëm nuk mund t‘i përballonte më të gjitha punët, të cilat tashmë ishin shumëfishuar dhe për vetë natyrën e tyre kishin krijuar probleme në lidhjet mes zonave të luftës dhe strukturave të logjistikës në Shqipëri. Pra, dërgimi dhe emërimi aty i Ramiz Lladrovcit dhe Halil Selimit është bërë me vendim të Këshillit të përgjithshëm të LPK-së, sipas propozimit tim dhe pas konsultimeve që kam pasur me Hashim Thaçin dhe Xhavit Halitin. Mund të saktësoj se puna e tyre ka qenë shumë e frytshme.

Së dyti, nga takimi disa orësh me Nanon, në zyrën e tij, ku ishin edhe pjestarë të rëndësishëm të kabinetit qeveritar, disa nga të cilët si Kastriot Islami, ishin të njohur të vjetër të mi, nuk është diskutuar për emërime e shkarkime, sepse ajo nuk ka qenë kompetencë e qeverisë shqiptare dhe nuk kemi pranuar kurrë të futemi në detaje të tilla.

Temat e bisedimeve kanë qenë shumë më të rëndësishme se sa përmasat e një ngjarje të tillë. Ata janë shtrirë që nga përcaktimi i një qendre të vetme koordinative për problemet e logjistikës në Shqipëri, tek problemet e luftës në Maqedoni, mbështetja e shtetit shqiptar në logjistikë, por edhe në diplomacinë botërore, në kërkesat tona për një fuqizim të ndihmës së shtetit shqiptar, mundësinë e lëvizjes së strukturave të luftës të mbështetura nga shteti shqiptar, krijimin e qendrave të stërvitjes, dhe deri tek programi satelitor i RTSH, i cili në atë kohë ishte e vetmja dritare televizive dhe informimi, dhe që, për fat të keq, deri në atë kohë, ishte disi ose shumë e mbyllur ndaj strukturave të luftës. Nga ana tjetër ne ndjenim edhe detyrimin moral për të falenderuar zotin Nano, pasi përmes tij ishte realizuar takimi i parë, shumë i rëndësishëm, mes përfaqsuesve të UÇK-së dhe zotit Hollbruuk, në Krans Montana të Zvicrës. Ai solli njëkohsisht edhe mesazhin e shtetit amerikan se " ! keni ditur të mbroni në mënyrë të shkëlqyer interesat tuaja kombëtare dhe politike".
Si është në natyrën e zotit Nano ai mendoi që gjithë takimin ta kthente fillimisht në një bisedë miqësore, ku të informohej dhe të informoheshim, por të mos kalohej në përcaktime konkrete.Më pas, vetë biseda u zhvillua e tillë, saqë do të kishte të domosdoshme edhe përcaktimin e vendimeve konkrete.

Mes të tjerave, në bisedën e zhvilluar, na është kërkuar nga zoti Nano emërimi i strukture në Tiranë, që të ishte fuqiplotë për të vendosur në emër të UÇK-së dhe të LPK-së, sepse shumë njerëz, të njohur dhe të panjohur, po flitnin në emër të tyre dhe gjithësecili po e paraqiste grupin tjetër, si të lidhur me gjithëfarë agjenturash të huaja. Një gjë e tillë ishte e papranueshme për shtetin shqiptar dhe kjo ishte më se e kuptueshme.

Pra shefi i qeverisë shqiptare, sipas kërkesës së Fatos Klosit, të cilën na e kishte bërë edhe më parë,kërkoi që të vendosnim një strukturë të plotfuqishme në Tiranë, në të kundërtën " shteti shqiptar nuk mund të lejonte që të kthehej teritori i tij në një vend ku gjithkush lëviz me armatimet që dëshiron". Në pamjen e parë, kjo mund të dukej se, meqënëse ai kishte lidhje të herëshme me Xhavit Halitin, dëshironte që vetëm ai të ishte aty, mirëpo asnjë emër nuk është përmendur. Kërkesa e zotit Nano, dhe ishte një kërkjesë shumë e logjikshme për kohën në të cilën zhvillohej ky takim, për përcaktimin e një strukture të vetme drejtuese, mund t‘i jetë transmetuar zotit Kelmendi si kërkesë e Nanos për të forcuar pozitat e Halitit në Shqipëri, mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Dhe nuk kishte përse të ndodhte.

Unë ende kam bindjen se Takimi ynë me zotin Nano ka qenë shumë më i frytshëm se gjithë takimet e tjera që bëmë në Shqipëri. Mes të tjerave aty është vendosur edhe për gjëra të cilat kanë padur një rol shumë të ndjeshëm në zhvillimin e mëtejshëm të luftës. Pas një bisede disa orëshe u vendos që shteti shqiptar, krahas Kastriot Islamit, i cili kishte një qëndrim jashtëzakonisht pro forcimit logjistik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjes së saj totale,të kishte si përfaqsues të tij Fatos Klosin, ndërsa ne, ashtu si më parë, do të kishim Xhavit Halitin, të fuqizuar me dy shokë, të cilët do të kishin detyrat e veta, pa i rënë ndesh njeri tjetrit, Ramiz Lladrovcin dhe Halil Selimin. Ata kanë punuar sëbashku pa probleme të mëdha dhe pa përplasje, gjë të cilën e kemi pritur.

Unë vazhdoj të ruaj mendimin se Xhavit Haliti është njëri ndër përsonalitetet më të spikatura të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veprimtaria e së cilit qëndron në themelet e saj dhe, në të njëjtën kohë, nuk mund të mendohet pa kontributin e tij. Si njëri ndër bashkëthemeluesit e saj dhe drejtues i sektorit të veçantë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, çka përfaqsonte pjesë të rëndësishme të shtabi të përgjithshëm, ai ka pasur meritën në ndërtimin e shumë strukturave të saj, të cilat, megjithë problemet e kohës, u dëshmuan shumë të efektshme. Të njëjtin respekt ndaj edhe për punën e përdallueshme në sektorin që u caktuan të Halil Selimit dhe të Ramiz Lladrovcit.

Në takimin me zotin Nano , mes të tjerave, u morën tre vendime të rëndësishme. Krijimi i qendrave respektive për koordinimin e punëve në Shqipëri, të cilat, të pavarura nga njera tjetra, do të bashkëpunonin. Vendimi për lëvizjen e logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën shoqërimin e posaçëm të strukturave të shtetit shqiptar. Po ashtu u vendos që RTSH, problemi më i ndjeshëm deri atëherë në fushën e informimit, të hiqte censurën për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për fodnin "Vendlindja thërret", gjë të cilën, me shumë dinjitet, kishte filluar ta bënte tashmë drejtori i Televizionit shqiptar Eduard Mazi.

Per kete takim është raportuar në mbledhjen e Kryesise, edhe ne Keshillin e Pergjithshem, ku , te them te drejten, disa gjera dhe probleme qe na kishin dalur, vendosa te mos i bej te njohura, pasi do te kishte fjale, moskuptime,ndoshta edhe thyerje.

Në Shqipëri , në takime të veçanta ose të përbashkta me shokët e sektorit të veçantë, të Drejtorisë Politike ose të logjistikës, është diskutuar dhe mbajtur mbledhje të veçanta për menazhimin e fondit " Vendlindja thërret". Nuk është rasti të futem në hollësi të veçanta, por e quaj të detyrueshme të saktësoj se pikërisht ndonjëri që kishte ngritur më shumë "zërin" për "zullumet" e Zekës me paratë e fondit, kishte qenë më i parregullti. Ndërsa nuk është ngritur asnjëherë, edhe asaj kohe, edhe më pas, asnjë tendencë dyshimi për menazhimin e fondit nga shokët e dërguar në Shqipëri.

Pra, duhet të saktësoj se nuk ka pasur asnjë vendim për largimin e Xhavit Halitit nga detyra e tij, e po ashtu nuk është diskutuar kjo gjë në takimin me zotin Nano. Ka patur shokë nga ne që kishin mendimin se " po të larrgohej Xhavit Haliti, ne do të blokoheshim dhe nuk do të mund të bënim asgjë dhe këtë mendim e kanë shfaqur.

Tek unë, qoftë edhe si drejtues i organizatës, Xhavit Haliti , për vetë natyrën e tij disi të veçantë , të pabujshme dhe njëkohsisht të pahapur,ka mbetur bindja se ai ka bërë më të mirën e mundshme.

Bedri Islami
Ish-Kryetar i LPK-së në vitet 1998-1999
Steingaustrasse 36
73230 Kirchheim teck
0049 7021 486385
Me Reagimin e mësipërm të zotit Bedri Islami jam plotësisht i njëmendje dhe e nënshkruaj sëbashku me të.
Bardhyl Mahmuti
Ish-Nënkryetar i LPK-së në vitet 1998- 1999
Jam plotësisht me Reagimin e mësipërm
Xhavit Hoxha
Ish-antar i Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së.










Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri