"Zhduken” dorëshkrimet e bejtexhinjve



Jorgo Bulo

Qindra faqe dorëshkrime nga fondi i bejtexhinjve, prej një vitit e gjysëm janë “zhdukur” nga arkivi i Institutit të Gjuhësisë. Studiuesja Genciana Abazi, e cila është njëkohësisht edhe punonjëse në këtë Institut, i ka marrë materialet nga fondi i arkivit dhe i ka nxjerrë jashtë institucionit. I ka marrë në shtëpi dhe pas denoncimit të bërë nga drejtuesit e institutit, i ka dorëzuar në Arkivin e Shtetit në ruajtje. Në këtë status dorëzimi, tashmë vetëm Genciana, mbesa e studiuesit të mirënjohur Osman Myderizi, i cili i ka transkriptuar të gjithë tekstet e bejtexhinjve, ka të drejtë t’i shohë e t’i tërheqë nga Arkivi u Shtetit. Askush tjetër veç saj nuk mundet t’i marrë ato dokumente dhe t’i studiojë.



Genciana ka pretendimet e saj. Shumë studiues dhe trashëgimtarë si ajo i japin Gencianës të drejtë morale për këtë veprim. Prej 17 vitesh, humbje të mëdha dhe të pariparueshme po ndodhin me arkivat shqiptare. Dokumente pafund të zhdukura, të cilave sot nuk u gjendet asnjë gjurmë. Për të mos përmendur momentin delikat ku gjenden sot të gjitha institutet shkencore, pas krizës që po kalon Akademia e Shkencave. Kryetari i Akademisë, Ylli Popa u shpreh me keqardhje para pak ditësh, se rreziku më i madh në këtë rast u kanoset arkivave të gjithë institucioneve që ishin deri më dje nën varësinë e Akademisë së Shkencave. Dhe sot, arkivat, që janë themeli i të gjithë këtyre institucioneve shkencore, janë në rrezik. Qindra herë kemi dëgjuar për ndërrim ambientesh nga një godinë në një tjetër, për rikonstruksione të ndryshme e lëvizje të tjera, që përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm për arkivat e tyre. Vetëm një raft sikur të ndërrohet, rrezikon të humbasë rendi i vendosjes, e për pasojë një dorëshkrim, a qoftë edhe një dokument i vetëm të mos gjendet për vite të tëra...

Genciana trishtohet për faktin se gjithë ajo punë dhe mund i gjyshit të saj mund të rrezikojë të humbasë përgjithmonë. E pak më tej, njerëz pa skrupuj kanë zgjatur duart dhe kanë përvetësuar punën e Myderizit, pa e cituar se e kujt është kjo pronë intelektuale. Por këto janë çështje që nga ana insitucionale nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Jorgo Bulo, drejtori i Institutit të Gjuhësisë, është shqetësuar pasi ka marrë sinjalizimet për zhdukjen nga arkivi të këtij thesari. Si drejtues i këtij institucioni, ai e ka denoncuar këtë rast dhe tashmë çështja është në Gjykatë. Genciana nuk pranon t’i kthejë dorëshkrimet aty ku i ka marrë. Ka gjetur një rrugë private për t’i mbrojtur, e bindur se ajo ka të drejtë të veprojë ashtu. Ndërkohë, prej disa muajsh e mbase dhe për shumë kohë të tjera, derisa të kthehen, nëse gjykata vendos të kthehen në arkiv, asnjë studiues nuk ka të drejtë t’i shohë ato dokumente. Askush nuk mund të studiojë mbi bejtexhinjtë… Si nisi kjo çështje që tashmë po synohet të zgjidhet me gjyq?

Bëhet fjalë për një nga punonjëset tona këtu në Institut, e cila punonte për një temë të caktuar rreth të cilës ne kemi një koleksion dokumentesh. Si punonjëse e Institutit, ajo ka të drejtën si kushdo studiues tjetër, t’i shfrytëzojë. Por në bazë të rregullave që ka arkivi dhe sipas këtyre rregullave, ajo mund t’i shfrytëzojë materialet në mjediset e institucionit. Por ajo ka shfrytëzuar besimin dhe i ka marrë në shtëpi materialet. Kur drejtoria është informuar se ajo i ka marrë materialet në shtëpi, ndërhymë menjëherë dhe kërkuam që t’i kthejë e të punojë me to sipas rregullave që kanë të gjithë arkivat. Ajo nuk pranoi t’i kthejë. I kemi bërë disa herë kërkesë me shkrim dhe me gojë, por sërish nuk i ktheu. Atëherë ne u detyruam që ta denoncojmë në organet e drejtësisë. Nuk kërkojmë asgjë tjetër, veç t’i kthejë materialet që ka marrë në Arkivin Shkencor të Institutit, sepse ato janë pronë intelektuale e Institutit.

Për çfarë dokumentesh bëhet fjalë?

Këto janë një koleksion mjaft i rrallë dorëshkrimesh që lidhet me krijimtarinë poetike të bejtexhinjve. Janë tekste të shkrimtarëve bejtexhi, duke filluar nga tekstet e frashërllinjve, Dalip e Shahin Frashëri, e deri te Nezim Frakulla, Sulejman Naibin, Hasan Zyko Kamberi, etj. Janë tekstet origjinale, dhe ato të transkriptuara. Me ç’argumente e mbron punonjësja juaj këtë veprim?

Një nga pretendimet e saj është se ajo ka lidhje farefisnore me Osman Myderizin, i cili e ka bërë këtë punë, pra transkriptimin e teksteve. Ai ka qenë punonjës i Institutit. Ne, për shkak të kësaj lidhjeje, jemi treguar të gatshëm që nëse ajo do që t’i ketë këto materiale, t’i japim një kopje falas. Nga ana tjetër, ajo ngre pretendimin absurd se ka raste që janë shfrytëzuar këto materiale nga dikush dhe nuk është cituar autori. Por kjo nuk është çështje e arkivit dhe e institucionit. Kjo është një çështje e të drejtës së autorit. Nëse dikush i shfrytëzon materialet dhe nuk i citon, është përgjegjësi e tij dhe mund ta hedhësh në gjyq. Ne nuk mund të pengojmë askënd që të vijë e të shfrytëzojë materiale në bazë të rregullave të arkivit, nën mbikëqyrjen e punonjësit të arkivit. Natyrisht, edhe të mbajë shënime nëse ka nevojë, apo të marrë fotokopje të teksteve të caktuara nëse i duhen. Të gjithë këto janë të sanksionuara në ligj. Nuk ia pengojmë askujt këtë. I quani të pabaza pretendimet e saj?

Të gjithë argumentat që mund të paraqesë ajo zhvleftësohen, sepse bien në kundërshtim me ligjin. Sipas ligjit mbi arkivat, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, materialet që hyjnë në arkiv janë të pakthyeshëm, pavarësisht nga koha apo mënyra se si kanë hyrë në arkiv. Nga ana tjetër, materialet e Arkivit shfrytëzohen vetëm në mjediset e arkivit. Nuk mund të dalin jashtë, përveç rasteve të jashtëzakonshme, kur prokuroria, fjala vjen ka nevojë të bëjë një ekspertizë. Por edhe në këto raste do t’i marrë i shoqëruar nga një punonjës i Arkivit, të shkojë të bëjë ekspertizën dhe brenda ditës t’i kthejë. Keni informacion se ku gjendet sot ky koleksion dokumentesh? Po. Pasi ne e denoncuam rastin në organet e drejtësisë, ajo i ka çuar dokumentat në Arkivin e Shtetit. I ka çuar atje, por jo në statusin t’i dorëzojë në Arkivin e Shtetit, por në ruajtje. Çdo të thotë “në ruajtje”?

Është e njëjta situatë si me një kasafortë në bankë. Nëse unë kam ca para dhe s’dua t’i mbaj në shtëpi, i çoj në bankë. Ajo i ka çuar në arkiv dhe tani ka të drejtë t’i tërheqë sërish kur të dojë. Por nuk janë të shfrytëzueshme nga të tjetër. Askush tani nuk mund t’i marrë ato materiale për t’i studiuar. Ky është problemi. Është e thjeshtë, ne nuk kërkojmë as më shumë e as më pak, por të kthehen ato materiale që janë pronë intelektuale e Institutit. Sa pjesë e fondit të bejtexhinjve i mungon sot arkivit tuaj?

Janë një pjesë e mirë e këtij fondi që i mungojnë tashmë. Janë disa qindra faqe. Dhe ajo që përbën vërtet problem në këtë rast, është fakti se ato janë kopja e vetme. Ato materiale nuk ekzistojnë askund tjetër. Dhe që nga ai moment, asnjë studiues nuk mund të bjerë më në kontakt me to. Është një rast i rrallë. Nuk ka ndodhur kurrë, por është një dëm i madh për arkivin tonë. Prej sa kohësh i mungojnë arkivit tuaj këto dokumente? Ky problem ka kohë që ka lindur. Janë bërë thuajse katër muaj që ne jemi në gjyq për këtë çështje. Që në qershor ndoshta, e kemi denoncuar.

Ajo është ende punonjëse këtu në Institut?

Po, këtu punon. Por ne nuk kemi dashur që të merret masë ndaj saj. Vetëm të kthejë materialet. Materialet aktualisht janë në Arkivin e Shtetit? Tani ndodhen në Arkivin e Shtetit. Megjithëse ende nuk e dimë ekzaktësisht se çfarë ka çuar atje në ruajtje, por unë besoj se i ka dorëzuar të gjitha. Dhe sipas logjikës së statusit të dorëzimit në ruajtje, ajo tashmë është pasuri e saj. Mund të ndodhë që një pjesë e një fondi nga një arkiv për arsye të ndryshme, nëse është më i shfrytëzueshëm diku tjetër, mund të transferohet, siç është rasti i Arkivit të Shtetit. Por kjo bëhet midis institucioneve. Nuk mund të bëhet në mënyrë private.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri