Dyrmish Shorja, burri që e mbyti majorin turk në kazanin e supës

 NGA ZENEPE LUKA


 
Shtypi i kohës shkruante me gërma të mëdha për Dyrmish Shoren, djaloshin nga Sevasteri i Vlorës, që një ditë para se të ngrihej Flamuri në Vlorë, doli nëpër qytet dhe tërë krahinën duke valëvitur flamurin kuq e zi. Në ditën e Pavarësisë ai qëndronte në krah të Plakut Ismail Qemali.

Një foto e kohës e dëshmon këtë moment emocional. Nga ana tjetër prekesh kur mëson historinë e patriotit Dyrmish Shoraj, bëmat e të riut nga Sevasteri, martesa me tre gra, por që nuk mundi të lindë një djalë.

Shkon përtej imagjinatës kur bindesh se si e mbyti majorin, që shante shqiptarët në kazanin e supës, si e shleu  gjakun me një xhami, pusia që i bëri ujkut, si u bë krushk me armë, për të mbërritur deri tek legjenda e njeriut që ecte më shpejt se kali. Megjithëse kanë kaluar 65 vjet nga vdekja e tij, në këtë vit që shënon 170 vjetorin e lindjes, burri nga Sevasteri i Vlorës, Dyrmish Shore vjen i freskët me heroikën dhe bëmat e tij. Për të flet një stendë në muzeun e qytetit, flasin të moçmit në krahinë, dëgjohen këngë dhe pasardhësit tregojnë për të.

Në Muze tek fustanella 100-vjeçare

Gjatë një vizite në muzeun etnografik në Vlorës, na tërhoqi vëmendjen një fustanellë e bardhë me shumë pala, ku shkruhej “Fustanella e Dyrmish Shores”. Për të mësuar diçka më shumë, biseduam me historianin Novruz Bajrami. Ai na thotë se ky kostum popullor shpalos nga palët e tij historinë e një patrioti,  që e deshi vendin e tij dhe betohej për flamur. Ai është Dyrmish Shore nga Sevasteri. Megjithëse nga një zonë e thellë, sikurse është Sevasteri, ai mbetet një figurë komplekse, që nis me ekspozimin e flamurit Ditën e Pavarësisë. Më pas ai u bë nismëtari për të formuar çetat me luftëtarë në krahinën e tij, për t’u përfshirë në luftën e 1920-ës. Është njeriu që pati influencë të madhe, burri i parë i dhomës së miqve, që kur fliste, nuk pipëtinte as miza.
“Ky është kostumi i veshur prej tij, që e kapërceu një shekull e gjysmë dhe që ka shërbyer edhe si model për kostumet popullore të zonës së Labërisë” -thotë historiani.
Legjenda Dyrmish Shore dëgjohet, jo vetëm në krahinë, por është përjetësuar edhe në këngë. Bëmat e Dyrmish Shores, janë të pafund, por ne po radhisim vetëm pak nga ato, bëma që kanë mbërritur si legjenda deri në ditët e sotme.

Historia e Majorit

 “Kur shkoi ushtar Dyrmishi, si shumë djem të tjerë në Janinë- , nuk ndjehej mirë, që herë pas here, komandanti i fyente shqiptarët, madje i kishte neveri. Nuk dihej arsyeja se përse sillej majori në këtë mënyrë edhe pse ushtarët shqiptarë ishin më korrektë. Kjo sjellje do t’i sillte atij një fund të dhimbshëm nga ushtari, që kishte ardhur nga Sevasteri i Vlorës.
Një ditë prej ditësh, teksa ishin në kuzhinën e repartit, komandanti ishte shprehur se supa është gjella më e shtrenjtë për shqiptarët e uritur. Dyrmishit nuk iu durua më, por i u vërsul, e mori para krahëve dhe e futi në kazanin e madh ku ziente supa, duke i shkaktuar vdekjen. Pas këtij veprimi ai u largua vetëtimë nga reparti dhe u kthye në fshat. Të gjithë e morën vesh historinë dhe i thanë Dyrmish Shores:
“Mirë i a bëre, ke ruajtur nderin e shqiptarit”. Kjo histori i dha krah,  i rriti prestigjin, por e bëri edhe njeri të sertë që për nder, për të vërtetën, luante me jetën”.

Për një kunj, fal një çiflig


Mungesa e një trashëgimtari, ishte gozhda e futur në zemër për tërë jetën e Dervish Shoraj. Kjo ishte e vetmja pikë, ku ai ndjehej i mundur nga të tjerët. Sesa peng e kishte këtë, tregon gjesti i tij, që për këtë fjalë fal një çiflig prej 100 ha tokë. Këtë ndodhi e pohojnë sot fisi Shehaj, që mori çifligun dhe që e trashëgojnë edhe si pronë të tyre. Ja çfarë ndodhi:
Ndërsa kalonte me kalin e bardhë me shalë, me fustanellën, që hapte palët, kur ai fluturonte, e ndali një kushëri i tij, Sako Shore, që guxoi dhe i tha
Mbase e dëgjove, mbrëmë gruaja ime lindi edhe një djalë tjetër”.
Ai heshti. Ishte një predhë, që i shpoi zemrën, por nuk e rrëzoi nga kali. Pas kësaj, ai shkoi në shtëpi dhe thirri të parin e fisit të Shehajve dhe i tha: ”Ju fal çifligun në Mugjerat prej 100 ha. Ta gëzoni. Ai shqeu sytë kur mori letrën e firmosur prej tij dhe vonë e mori vesh se përse ndodhi kjo. Ndoshta ky çiflig i takonte kushëririt të tij të afërt, Sakos, por vetëm për një fjalë, që kishte brenda dhimbjen e Dyrmishit, ai fali çifligun, duke sfiduar kushëririn, që guxoi ta qesëndiste këtë burrë, të cilit nuk i dilte askush përpara.

Tek Stani i Mustafarajt, vret ujkun

Teksa kalonte me kalin e bardhë, përpara stanit të Sinan Mustafarajt e ndalon i zoti i stanit dhe i lutet:
-Dyrmish aga, jemi në hall të madh, po na shfaroset tufa. Vjen një ujk, që është sa kali i Zotërisë tënde, që ha qengja çdo ditë. Ther edhe të tjerë dhe largohet. Nuk i bën gjë as tufa e qenve. Na ndihmo, të falemi Aga.
 -Në cilën orë vjen ujku këtu?- pyet Dyrmishi.
- Rreth orës 7.00 të mëngjesit dhe për një gjysmë ore ai bën hatanë.
   Të nesërmen, Dyrmishi i zuri pritën, e ndoqi kur hyri në stan, kur doli, i lëshoi qentë për ta frenuar dhe pas kësaj, nxori jataganin duke e lënë pa frymë ujkun e tmerrshëm, që po shfaroste tufat e fshatit.
Në krahinë u përhap lajmi se Dyrmish Shore mposhti edhe egërsirën.
 
Një xhami për fshatin Mallkeq

Në këtë fshat, xhamia e sotme e thërresin “Xhamia e Dyrmishoires”.. Ajo është falur prej Dyrmish Shores dhe historinë e dinë edhe fëmijët e sotëm edhe pse ndodhia ka mbi 130 vjet. Dyrmishi kishte vrarë dikë në atë fshat, jo kot, por ia kishte bërë borxh... Gjithsesi, fshati ishte bërë hasëm dhe ishte në gjak me të, pavarësisht nga fama që kishte.
Një ditë, ai u gjend në mes të fshatarëve dhe iu tha burrërisht: “Më falni, o njerëz, do të ngre një xhami për fshatin”. Qysh nga ajo ditë, ai u respektua dhe u vlerësua për gjestin, duke e falur njëherësh për atë që kishte bërë.

Si vendosi paqe në dasmën e Rrapo Çelës

Bëhej një dasmë e madhe në fshatin Sevaster, martohej Rrapo Çela. Në qoshe rrinte Dyrmish Shoraj, që kryesonte muhabetin. Tregojnë se për një çast, Dyrmishi doli nga oda e miqve dhe pa zbritur shkallët në dhomë plasi sherri. Pas llafeve erdhi grushti dhe po ju vinte radha thikave, që mbanin në brez për t’ua lënë vendin kobureve. I zoti i shtëpisë e pa pisk punën, doli në oborr dhe e thirri me zërin, që i dridhej.
- Aga Dyrmish, eja se po bëhet kasaphanë në dasmën e tim biri. Ai fluturoi nëpër shkallë dhe u gjend në vendin e tij, në krye të qoshes. Të gjithë u ulën në shesh. Ra qetësia, sikur të mos kish ndodhur asgjë.

Gjermani që masakroi fshatin
Sevasteri e pagoi shtrenjtë vrasjen e një gjermani. Një fshatar me emrin Daut, e pa dhe e qëlloi për vdekje, por hakmarrja ishte për të gjithë fshatin... Erdhën gjermanët dhe vranë 17 veta duke shfarosur çfarë gjetën përpara. Ata vranë kalin dhe pelën e Dyrmish Shores. U ngjitën lart në shtëpinë e tij për të vrarë çfarë kishte brenda, por kur u përballën me Dyrmishin, ulën armët. E panë nga këmbët deri tek koka, hodhën vështrimin  në faqen e muri, ku ishte foto e tij me fustanellë, i hodhën edhe një vështrim kullës nga brenda dhe u larguan pa thënë asnjë fjalë. U larguan edhe nga fshati.

Bëni gati nusen, pastaj therni mishrat…

Një kurveleshas, i çon fjalë Dyrmishit dhe i tregon për hallin e madh që e kishte zënë.
Kam ngrehur dasmën të dielën, por më kthyen nusen. E kishim fejuar djalin në Progonat dhe tani ndjehem i turpëruar, më futën në dhe të gjallë. Më ndihmo Dyrmish Aga, se jemi bërë për t’u mbytur si fis. Jemi të varfër, por nderin e kemi pasuri të shpirtit”- u përlot i zoti i shtëpisë, duke i rënë në gjunjë Dyrmishit. Ai heshti dhe para se të largohej nga shtëpia e kurveleshasit, i tha: Mos e shkrih dasmën, se do të sjell nusen. I hipi kalit me shalë, mori edhe një kalë tjetër për nusen, një hyzmeqar që e shoqëronte dhe trokiti në shtëpinë e progonatasit. Kur panë Dyrmish Shoren në derë, mprehën thikat për të therur deshtë. Ai i u drejtua të zotit të shtëpisë:

Bëni gati nusen, pastaj therni mishrat”. Familjarët thirrën fisin, pse kishte ardhur krushk Dyrmish Shore dhe ngrehën dasmën. Të nesërmen, ai dërgoi nusen në shtëpinë e Kurveleshasit me kalin e bardhë, që kishte marrë me vete….

Dyrmish Shore fluturonte

Kjo nuk është një legjendë, por një e vërtetë e parë me sy nga bashkëkohësit e tij. Ai tërë jetën e tij ecte me kalin e bardhë dhe kurrë nuk e hoqi nga trupi fustanellën e bardhe e jelekun e zi, por edhe kur ecte nbë këmbë, nuk e arrinte kush. Ai fluturonte, ecte më shpejt se kali. Kush kish provuar të niste rrugën me të, e kishte pësuar. Ishte nisur, por nuk ishte bitisur. Dyrmishi kishte krahë, ecte më shpejt se kali.


Bashkëjetesa me tre gra

Dyrmish Shore mori tre nuse dhe bashkëjetoi me to në shtëpinë dykatëshe me 12 dhoma, që është edhe sot në Sevaster. Mori tre gra, jo pse ishte një burrë zamani dhe duhej të veçohej nga të tjerët, por për shkakun e vetëm se donte të kishte një djalë. Fati e deshi që me të tre gratë të lindnin tre vajza.
Gruaja e parë që ishte Beushja nga Monica, nuk lindi fare fëmijë. Ai e mbajti në qoshe si zonjë dhe mori gruan e dytë Asikon, që ishte nga Sevasteri, e cila lindi një vajzë. Dyrmish Shore kërkonte me doemos që të trashëgonte emrin dhe trimërinë e tij, ndaj e detyruan të marrë gruan e tretë, që ishte Nafize Brahimi nga Berati, vajzë e re. Ajo lindi dy vajza Zhikon dhe Hyrien. Bashkëkohësit rrëfejnë se me gjithë dhimbjen që kishte, sepse nuk po lindnin një djalë, ai i trajtonte mjaft mirë gratë që jetonin si zonja të rënda me hyzmeqarë. Secila kishte dhomën e saj dhe Dyrmishi kalonte sa tek njëra tjetra, duke i respektuar njësoj. Edhe ato shkonin si motra, pa zë e sherr, duke shpalosur vlerat e kësaj familjeje të rrallë, për nga vetë strukturat e saj, por duke përcjellë edhe dhimbjen, që gjithashtu ajo shtëpi me një burrë të famshëm, me tre gra, nuk kishte një djalë.

Jetoi 110 vjeç, e pret vdekjen duke qeshur

Alemi, nipi i Dyrmishit, tregon se i ra atij fati që të mbante në shtëpi gjyshin, këtë figurë legjendare që i kaloi kufijtë e krahinës, që ia bëri shtëpinë derë të madhe. Ai tregon jetën e tij që nga viti 1932 kur i vdiq i ati dhe u mblodhën me nënën Hyrien, që mori edhe të atin Dyrmishin, për të pleqëruar aty.

Dy gratë e para i vdiqën, kurse e treta vdiq në vitet ‘80 në moshën 80 vjeçe. Në shtëpinë tonë – thotë ai, vinin njerëz me emër, sikurse nga Vlora e rrethinat, nga Himara dhe krahina të tjera. Shtëpia jonë e vogël, u bë një derë e madhe.

Në moshën 110-vjeçare, me trupin si lastër, pa hequr asnjë dhëmb e dhëmballë në gojë, Dyrmish Shore nuk iu dorëzua as vdekjes. Qëndroi i shtrirë vetëm 12 ditë dhe në njërën prej këtyre ditëve ai u shpreh duke qeshur nën buzë:”Eja, të pres, e di që duhet të vish patjetër, por nuk më mposht dot. Eja, do të nisim rrugën bashkë, por unë do të lë pas”. Kur mbylli sytë Dyrmish Shore, dhimbja pllakosi krahinën. Ai u përcoll me nderim në banesën e fundit në fshatin Sevaster, pranë bashkëshorteve të tij, ndërsa lavdia e këtij njeriu legjendë do të përcillet në breza…

Është fati madh për mua, që të jem nipi i Dyrmish Shores nga Sevasteri, që të rrëfej historitë dhe bëmat e tij me gojën time. Do të vdes me krenarinë që jam mashkulli që trashëgoj Dyrmish Shoren e Sevasterit –thotë ai me sy të përlotur dhe nis rrëfimin:

Cila është lidhja juaj me Dyrmish Shoren nga Sevasteri?

Gjyshi im, babai i nënës, Dyrmish Shore, ka 170-vjetorin e lindjes, ndërsa këtë viti mbush 65 vjet nga dita e ndarjes nga jeta. Jetoi 110 vjec, pa i rënë asnjë dhemb dhe asnjë dhëmballë, pa i u kërrusur trupi.

Unë jam trashëgimtari tij, gjithçka e di nga goja e tij, cdo gjë ma ka lënë me dorën e tij. Mua më vdiq babai dhe më ka rritur ai..

Shtëpia e tij në Sevaster, ka shërbyer si ambulancë, më pas jetonin mësuesit e fshatit, por për çudinë e të gjithëve, nuk më kthehet mua, që jam direkt trashëgimtari i saj. Dikush pretendon se e ka blerë shtëpinë e Dyrmish Shores .

Nuk kam marrë as tokën, kullotat, përveçse disa metra katrorë vreshtë... Ndoshta do të vijë dita për t’i marrë, por për derën e madhe të Shorajve ka rëndësi që me pasurinë e tij jeton i. gjithë fshati dhe që ndër breza do të përcillen trimëritë e tij. Është burri, që ngriti lart vlerat e shqiptarit, që priti me buzëqeshje edhe vdekjen.

Alem Hyskaj, është nipi i Dyrmishit, mashkulli i parë i familjes së tij. Ai na tregon një dosje të madhe, që e cilëson “pasurinë” që i ka lënë gjyshi, duke I rrëfyer me gojën e tij bëmat e jetës së tij, që në ditët e sotme përcillen si legjenda.

Në atë dosje ka edhe shumë fakte dhe foto, që i gjen të ekspozuara edhe në stendat e Muzeut të Vlorës, që ia pamë me kujdes.
Për shumë vite, - thotë ai, që në rininë time, kam takuar miqtë e gjyshit, burrat e mocëm bashkëkohës të tij, duke marrë nga goja e tyre bëmat e Dyrmish Shores, këti burri të rrallë nga Sevasteri i Vlorës.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri