Kush e tremb median dhe qeverinë të shprehen për projektin Jugosllavia e Madhe!?

Kush e tremb median dhe qeverinë të shprehen për projektin Jugosllavia e Madhe!?









Debati për projektin e krijimit të "Unioni Ballkanikoperëndimor", i cili u hap dhe u trajtua për ditë me radhë nga gazetat dhe radio televizionet shqiptare , tashmë po ngjizet dhe në qarqet nacionaliste me reagime të ashpra dhe kundër tij, që në thelb parashikon krijimin e një Jugosllavie të Re. Pavarësisht se shumë media po përpiqen ta anashkalojnë këtë problem potencial në rajon, nga ana tjetër shumë figura publike të politikës, publicistikës, gazetarisë, jurisprudencës, diplomacisë, artit etj., deklarohen kategorikisht kundër këtij projekti. Të gjithë ndihen të tmerruar përballë faktit që një ditë Kosova dhe Shqipëria mund të jenë pjesë e një Jugosllavie të Re. Zbardhja e këtij projekti të fshehtë por dhe të frikshëm, i ka bërë shqiptarët të rikthejnë në memorie luftrat, gjakderdhjen dhe përpjekjet e mundimshme qindravjeçare për të jetuar një ditë pa frikë, të lirë e të pavarur. Nuk e duan kurrë më një shtet nën varësinë e Serbisë.
E ndërsa të gjithë kërkojnë të dijnë fatin e mëtejshëm të kësaj marrëveshjeje ogurzezë të nisur nga qeveria “Berisha”, qeveria e re ka vendosur që hapat e ardhshëm të mbulohen me mister. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati u takua pak ditë më parë në Nju Jork me homologët e tij të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi këtë union, të iniciuar nga Mali i Zi, me prapavijë të qartë serbe. E vetmja gjë që u bë publike nga ky takim, ishte fakti që gjatë diskutimit u pa e arsyeshme që të shihen të gjitha nismat rajonale ekzistuese dhe të shihet mundësia e zhvillimit të mëtejshëm të tyre, duke i bërë ato më gjithë përfshirëse dhe të hapura. Kjo deklaratë e zyrës për shtyp të ministrit Bushati, lë të kuptosh se qeveria e re mesa duket do të ndjekë rrugën e paraardhësit “Berisha”, dhe me shumë gjasa ky projekt skandaloz, do të firmoset si një bashkëpunim rajonal mes 6 shteteve.
Është shumë e çuditshme që ashtu si qeveria “Berisha”, edhe qeveria “Rama” nuk deklaron asgjë mbi diskutimet rreth këtij projekti, por po aq i i çuditshëm është dhe heshtja e mediave, a thua se ato janë të lidhura me qarqe serbe ose të qeverisë së kaluar “Berisha”, i cili dha dhe pëlqimin për pjesëmarrjen në këtë union. Diskutimi i parë për idenë e ministrit të Jashtëm malazez, Igor Lukshiç, i cili ka propozuar formimin dhe ngritjen e një "Unioni Ballkanikoperëndimor", është bërë në samitin e SEECP në Ohër, në 1 qershor 2013. Ndërkaq, një mbledhje e posaçme për këtë nismë është organizuar nga Ministria e Jashtme e Malit të Zi në 16 korrik në Përzhno, ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Ministrive të Jashtme të Serbisë, të Malit të Zi, të Maqedonisë, të Bosnjë-Hercegovinës, të Shqipërisë dhe të Kosovës, në nivel drejtorësh politikë. Përfaqësuesit e gjashtë shteteve pjesëmarrëse kanë shprehur pëlqimin e shteteve përkatëse për krijimin e këtij "Unioni Ballkanikoperëndimor". Takimi më i fundit për këtë çështje ishte ai i Nju Jorkut, zhvilluar pak ditë më parë me pjesëmarrjen e ministrit Bushati dhe homologët e tij.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri