Racizmi dhe lajmi pa etikë

Pamja tipike e një dasme nga fëmijëria ime që më ka mbetur në mendje dhe që nuk arrija t’i jepja një përgjigje atëbotë, është ajo kur kthehen sofrat, e para, e dyta, e treta; që atëherë kisha hetuar njëfarë komuniteti me disa rende “qytetare”. Në sofrën e tretë rëndom uleshin ca fukarenj dhe fëmijë.
Porse për romët me tupan e surle, që argëtonin dasmorët, nuk kishte një vend as në rendin e tretë “qytetar” të asaj shoqërie, që tash e vlerësoj thjesht  primitive!?
Mbaj mend që atyre u shtrohej një letër thasësh industrialë pas dere dhe ende me vringëllojnë në kafkë lugët e shkëlqyera si shpata betejash të harruara.
Kisha qejf të ulesha pranë tyre, t’i vështroja instrumentet e tyre muzikore dhe të dëgjoja çfarë thoshin. Ata nuk flisnin, nuk përbuznin.
Të gjithëve u drejtoheshin: “Po, zotni” dhe pas ndonjë shërbimi pasonte heshtja!?
Një fotolajm që u emetua në mediet shqiptare e që kishte për subjekt një politikan të ri shqiptar (ministrin Erion Veliaj) dhe një fëmijë (shtetas të tij) në të parë ishte shumë domethënës, me rrezatim humaniteti dhe shkonte përtej logjikës dhe imazhit të politikanit karagjoz e mendjemadh shqiptar. Sipërfaqësisht shprehte ndjesinë dhe frymën e re të një politikani ballkanik. Mirëpo në thelbin e vet fotografia si riprodhim i një realiteti e ka pra edhe anën tjetër, historinë dhe gjenealogjinë e vet, rrethanat që e kanë prodhuar si ngjarje, pamje dhe imazh.
Dhe vetë historia e këtij lajmi dhe kësaj  fotografie e bënte atë hipokrite dhe thjesht një lajm pa etikë. Pse?
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe i Rinisë i Republikës së Shqipërisë, Erion Veliaj, shihej tek e kishte dërguar në spitalin ushtarak të Tiranës me veturën e tij zyrtare një vogëlush, bashkështetas, i cili kohë më parë ishte aksidentuar, në ndërkohë që atij i ishte refuzuar ndihma mjekësore, me motivacione administrative por me prapavijë shumë të hapur raciste.
Vogëlushi ishte me përkatësi etnike rome.
Dhe pikërisht kjo ia heq lajmit etikën dhe e shndërron në propagandë!
Mirëpo Republika e Shqipërisë, ndonëse shtet kombëtar i shqiptarëve, është shtet qytetar i bazuar në demokracinë parlamentare dhe në të drejtat e njeriut dhe në barazinë e shtetasve. Kjo sanksionohet me neni 20 i cili thotë: “Personat që u përkasin pakicave kombëtare ushtrojnë në barazi të plotë para ligjit të drejtat dhe liritë e tyre”.
Në kreun I të Kushtetutës së Republikës (Parimet e Përgjithshme)  në nenin 15, paragrafi 1 thuhet: “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik”.
Kurse në nenin neni 18, paragrafi 2 thuhet: “Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore”.
Nga kjo del se Republika e Shqipërisë de jure mbron shtetasit nga çfarëdolloj diskriminimi  racial, etnik e fetar. Mirëpo realiteti, si çdo kund në Evropën Juglindore është krejtësisht tjetër? Grupet e ndryshme etnike e kulturore jo që janë të diskriminuara, por nuk i gëzojnë as të drejtat elementare dhe sidomos jo katër liritë themeltare të proklamuara në fjalimin e tij inaugurues para 68 vjetësh nga presidenti amerikan Franklin Delano Roosewelt: 1. Liria e fjalës, 2. Liria e besimit; 3. Liria e të dëshiruarit (liria ekonomike) dhe 4. Liria nga frika. Dhe kjo është lehtë e vërejtur në shoqëritë e transicionit në Evropën Juglindore, pra edhe në Shqipëri dhe Kosovë.
Përse media duhej të trumbetonte dhe t’i jepte jehonë lajmit se vogëlushi në krahët e ministrit ishte i përkatësisë etnike rome?
Për ta bërë më të fuqishëm lajmin dhe për ta ngjyrosur atë me humanitetin e ministrit ndaj romëve apo thjesht si propagandë e Qeverisë së re shqiptare, si mekanizëm për imazhin e saj të mirë?
Me këtë rast përdoret media, që në mënyrë të nënvetëdijshme e pranon se diskriminimi në këtë vend është i hapur.
Më parë, 36 familje shqiptare me rrënjë rome ishin zhvendosur nga shteti me masa represive nga një lokacion për t’i hedhur në rrugë. Në këtë histori shfaqet Elidoni i aksidentuar, të cilin e ëma e kishte dërguar për mjekim por i ishte refuzuar shërbimi, kështu që vetë ministri i Mirëqenies sociale dhe i Rinisë, me veturën e tij zyrtare e kishte dërguar atë në Spitalin Ushtarak, ku ka marrë trajtimin e duhur. Ky është lajmi, në të parë inspirues.
Por a duhet që gjithnjë të qëllojë afër një ministër, sado i frymës së re dhe sado human (në këtë rast këto cilësi as që  mund t’i mohohen ministrit Veliaj)  për t’i dhënë shërbime mjekësore një fëmije?
Posaçërisht nëse ai është me përkatësi etnike rome!?
Në ndërkohë ministri Veliaj paskësh premtuar zgjidhje për 36 familjet rome, porse zgjidhja nuk është gjetur ende, derisa po shkruaj këtë kolumne.
Mirëpo historia e abuzimit me romët në Shqipëri është e gjatë dhe vjen deri në ditët e sotme.
Sipas një raporti të Qendrës Evropiane për të Drejtat e Romëve (ERRC) të vitit 1997, evidentohen raste të diskriminimit jo vetëm simbolik por edhe faktik, madje ndër më mizoret të trajtimit të romëve. Që nga mohimi i së drejtës për jetë – vrasjeve makabre (ndezje me benzinë) e një të riu rom nga katër të rinj shqiptarë dhe, për ironi prokuroria nuk e cilëson krim klasik i motivuar nga urrejtja raciale porse e cilëson si “zënkë mes adoleshentësh”, e deri tek mohimi i një procesi gjyqësor të ligjshëm dhe ofrimi i mjeteve juridike, ngase avokatët refuzojnë ta mbrojnë një rom!?
Janë shënuar edhe vdekje nga rrahjet brutale të policisë; kërkim dhe marrje me zor e parave, privim nga pronat e luajtshme në mënyrë joligjore; ndalime dhe arrestime arbitrare. P.sh. kur policia kërkon një të dyshuar rom dhe nuk e gjen, atëherë merren pengje familjarët, mbahen më shumë se tre muaj paligjshëm dhe askush nuk jep llogari.
Diskriminimi është i përditshëm dhe shkon përtej logjikës së pamundësisë së shtetit për të kontrolluar “rregullin e kaosit” sipas të cilit rëndom jetojnë romët në Shqipëri. Një rom i ka thënë ERRC-së se sa herë që ndodh një problem në qytet, policia së pari shkon tek ata, i bastis, maltreton, rrah dhe paragjykon si kriminelë të mundshëm!
E të mos flasim për diskriminim në punësim e arsimim, në ushtri dhe nga organet lokale të pushtetit.
Në anën tjetër, subjektet e ndryshme politike në kontinuitet e manipulojnë votën e romëve, duke filluar nga premtimet për punësim deri tek blerja e saj me një shumë simbolike parash.
Sa i përket abuzimit emotiv ose simbolik, Shqipëria nuk veçohet nga fqinjët e parë, si Greqia, Maqedonia, Kosova dhe Serbia, por as nga Bullgaria, Rumania, Çekia etj.
P.sh. ERRC-ja vëren se romët në Shqipëri trajtohen me emërtime joqytetare dhe në baza raciste, si fise nomade, ndër të cilat shquhen meckara, kabuzie, cergara ose skodrara dhe kurtofa.
Romët në Shqipëri përfshihen kryesisht në emërtimin racist si arixhinj.
Racizmi ndaj romëve nis me gjuhën dhe kodekset popullore dhe përfundon në shkelje drastike të të drejtave të njeriut.
Sipas ERRC-së, një shqiptar i Dumresë e ka për zakon të thotë për miqtë (krushqinë)  “me nder, po vijnë arixhinjtë”; “me nder, si një mëhallë jevxhish”, shprehet një amvise tiranase për një katund të mbajtur keq: “A duhet pritur ndonjë gjë prej arixhinjve”?- pyet një dibran.
Një frikacak përshkruhet si “një arixhi në shtatë breza” etj. Vrasja e një arixhiu sipas këtij raporti nuk është theksuar ndonjëherë të jetë trajtuar si vrasje e një shtetasi, as nga organet e ndjekjes.
Sikur në rastin kur e vranë të riun Fatmir Haxhiu në Tiranë, vrasësit i kishin thënë “arixhi i qelbur” etj. dhe siç u theksua më lart, vrasja ishte cilësuar si zënkë adoleshentësh, por jo si krim klasik.
Statistikat zyrtare flasin së këndejmi për më pak se 1000 romë në Shqipëri (sic!), ndërsa shifrat e ERRC-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut dhe të pakicave kulturore e etnike thonë se në Shqipëri jetojnë mbi 120 mijë romë.
Romët dhe jevgjit perceptohen nga shumica si të dallueshëm. Por edhe ata vetë e bëjnë shpesh këtë dallim. Për një rom jevgjit nuk ka gjuhë dhe nuk e mban traditën, ai martohet me një të bardhë dhe flet shqip, ndërsa për jevgjit, romët janë primitivë, (gabelë) nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë, derisa veten e quajnë “qenie humane” dhe para administratës thjesht shqiptarë!
Në këtë sfond të trishtë, ministri Veliaj duhet të përballet me këto fakte, të bëjë të pamundshmen për ta ndërruar frymën e konstitucionit shpirtëror të shoqërisë shqiptare ndaj romëve dhe ta ndërrojë fytyrën e shtetit ndaj tyre, para se të fotografohet me një vogëlush rom në grykë!
Nisur nga këto argumente, lajmi dhe fotografia e Erion Veliajt më janë dukur të pështira, hipokrite dhe mediatikisht pa etikë profesionale!
Në anën tjetër në Kosovë është një situatë edhe më tragjike. Romët rëndom ia kanë  mbajtur anën kastës apo etnisë dominuese në shoqëri.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë romët kryesisht ishin përdorur si vegla në duart e pushtetit fashist të Milosheviqit, por aty-këtu, paradoksalisht, kishte edhe romë që i ishin bashkuar UÇK-së.
Dhe pas luftës romët kryesisht janë përzënë nga Kosova të përbuzur si armiq, ose kanë ikur vetë me armikun!?
Ata që kanë mbetur, kryesisht mbaheshin në disa kampe si ai i Plemetinit, që ka ekzistuar deri në vitin 2007, pastaj një në Mitrovicë të veriut etj.
Këto kampe janë cilësuar si “turpi i Kosovës” dhe pasojat e tyre në imazhin e shtetit nuk janë eliminuar ende.
Përderisa në Shqipëri diktatori Enver Hoxha mëtonte ta krijonte një komb unik shqiptar, jo përmes integrimit në shoqëri, por përmes mohimit të identitetit të veçantë, së paku kampe përqendrimi nuk ishin vendosur.
Kurse regjimi i Kosovës nominalisht shtet multietnik dhe qytetar, kishte vendosur dhe mbajtur të tilla!?
Edhe pas heqjes së kampeve dhe ndërtimit të ndonjë banese kolektive, romët në Kosovë janë tërësisht të diskriminuar në jetën sociale, ndonëse barazia e tyre është e garantuar me Kushtetutë dhe me ligjet aktuale.
Më pak para ligjit dhe në shkollim sesa në punësim e shërbime shëndetësore, si dhe në shërbime juridike.
E sa i përket dhunës simbolike, të përmendim vetëm dy raste emblematike: Adem Demaçi që vlen si lider i të drejtave të njeriut në Evropën Juglindore, duke bërë fjalë për skenën politike pati deklaruar: “Mos të bëhemi si magjuptë” – ndërkaq lideri i lëvizjes “Vetëvendosje” ka qenë i pranishëm në Tiranë, kur ishte linçuar një muzikant i përkatësisë rome në një kafene dhe ai nuk kishte reaguar fare, duke e përcjellë skenën e dhunës me gjakftohtësi të pamatshme!

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri