Xhafer Peçi: Sali Berisha u caktua për zbatimin e “Katovicës”, Zogu tradhëtoi, Enveri ndërtoi shtet-

Xhafer Peçi: Sali Berisha u caktua për zbatimin e “Katovicës”, Zogu tradhëtoi, Enveri ndërtoi shtet









Katër figura që kanë dominuar në 100 vitet e fundit kombin shqiptar, vijojnë të ketë një vend të paqëndrueshëm në histori. Bëhet fjalë për Ahmet Zogun, Enver Hoxhën, Ramiz Alinë dhe Sali Berishën. Ky i fundit sapo është rrëzuar nga pushteti, ndërsa kërkon të ketë edhe një raport me historinë dhe shtetndërtimin. Ndryshe nga Ismail Qemali, i cili është një figurë përbashkuese, konsensuale dhe unifikuese për të gjithë shqiptarët e të gjitha trevave, Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe Sali Berisha, kontestohet, himnizohen, rrëzohen dhe anatemohen nga grupe të caktuara të shoqërisë. Debati është përqendruar tek Enver Hoxha dhe Ahmet Zogu, pasi Ramiz Alia dhe Sali Berisha, konsiderohen si tejzgjatje dhe derivacione të Enver Hoxhës, pavarësisht metodave të mbajtjes së pushtetit. Por çfarë mendon njeriu që i ka njohur nga afër të katër figurat në fjalë? Bëhet fjalë për kolonel Xhaferr Peçin, ish-komandant i Gardës së Republikës, njeriu kyç që mbronte jetën e Enver Hoxhës. Xhaferr Peçi deklaron se Sali Berisha dhe Ramiz Alia nuk mund të krahasohen me Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën. I pyetur për debatin e marrëveshjes së “Katovicës”, pra paktin e fshehtë të krerëve të komunistëve për të sunduar me metoda të tjera dhe për të kontrolluar pluralizmin, Peçi pajtohet me mendimin e Servet Pëllumbit, teksa thotë se Berishës iu besua zbatimi i marrëveshjes së “Katovicës”. “Unë jam dakord me atë që thotë Serveti. Me babain e Servetit kam qenë në luftë. Ai ka mbaruar për filozofi. Mund të them se, Sali Berisha nuk mund të krahasohet me Zogun dhe Enverin, por ai hyri në lojë, pasi iu besua zbatimi i marrëveshjes së “Katovicës”. Saliu për këtë do të mbahet mend, pasi shtetin e ndërtuan Zogu dhe Enveri”, theksoi Peçi. Ish-komandanti i Gardës së Republikës ka pohuar gjithashtu se Ramiz Alia nuk ka pasur merita në luftë, por i ka ngjitur shkallët e karrierës falë lidhjeve të krijuara pas luftës. “Enver Hoxha dhe Ahmet Zogu nuk mund të krahasohen me Ramiz Alinë dhe Sali Berishën. Enver Hoxha ndërtoi shtet sepse e mbajti pushtetin 50 vjet. Ramiz Alia është shoku im në rini. Gjatë luftës e kam takuar. Ai nuk ishte as ndonjë figure në luftë. Ai nuk kishte asnjë peshë në luftë. Me rëndësi ishin Gjin Marku dhe Kadri Hoxha”, thekson Peçi.
Zogu
Xhaferr Peçi vlerëson figurën e Ahmet Zogut, por deklaron se ai tradhëtoi atdheun. Ndërsa për Enver Hoxhën, Peçi mendon se ishte hero i luftës dhe njeriu që ndërtoi shtetin shqiptar. “Zogun pak e kam njohur. Një herë e kam takuar në Himarë. Në atë kohë ai ishte një figurë e padiskutueshme. E vlerësonte Evropa. Por, Zogu kishte probleme të mëdha në atë kohë. Zogu ka meritat e veta, por edhe tradhtoi vendin. Megjithatë, ai bëri shtet me ndihmën e anglo-amerikanëve dhe italianëve. Po të mos kishte këtë mbështetje, Zogu nuk e mbante dot pushtetin. Enverin e nxori lufta. Ai ishte hero i luftës. Ka luajtur një rol të madh me jugosllavët dhe rusët. Ai mbrojti territoret, sepse sot Shqipërinë mund ta kishte përvetësuar Greqia”, ka theksuar Peçi.
Ruajtja e Enverit
Xhaferr Peçi, për 10 vite me radhë, ishte njeriu kyç për mbrojtjen e jetës së Enver Hoxhës. “Enver Hoxha mbrohej me strukturat e veta të krijuara. Ai mbrohej nga Garda sipas ndarjeve dhe zonave. Ishte Garda e Republikës ajo që organizonte gjithçka kur mbaheshin kongreset. Bëhej një plan i koordinuar Gardë dhe Polici. Por, unë di të them se populli e donte shumë Enver Hoxhën. Në muajin maj të vitit 1970, Enver Hoxha bëri një vizitë në Veri; Rrëshen, Kukës, Has, Tropojë, Fushë-Arrëz, Pukë, Tropojë. Unë kam qenë me të në këtë vizitë 7-8 ditore. Enver Hoxha hidhte valle bashkë me fshatarët dhe hante me ta”, kujton ai.
Tentativa për vrasjen e Enverit
Ish-komandanti i Gardës së Republikës, ka pohuar se ka pasur një rast  kur Enverit i është rrezikuar jeta. “Populli e ka dashur shumë Enver Hoxhën. Por ka pasur një rast kur kanë dashur ta vrasin. Një shqiptar që kishte emigruar në Amerikë, kalon në Shqipëri në mënyrë ilegale, me urdhër të agjencisë së spiunazhit anglo-amerikan-serb, ku kërkon të vrasë Enver Hoxhën. Mbiemri i tij ishte Banushi. Erdhi dhe qëndroi katër ditë te pallati i Shallvareve, në pritje të festës së 1 Majit. Tribuna në atë kohë ka qenë te Hotel Dajti. Por nuk mundi të vriste Enver Hoxhën. Hotel Dajti ishte me pemë dhe e kishte shumë të vështirë vrasjen e tij. Nëse do të qëndronte te pallati i Shallvareve, duhej të matej mirë për të vrarë, pasi ishte shumë larg. Por, ai ishte zbuluar. Kjo ngjarje ndodhi në vitin 1962. Ai u morr dhe u fut në burg në Burrel. Ai ishte arratisur nga Golemi i Gjirokastrës dhe nga Greqia kishte shkuar në Amerikë. Edhe banda e Xhevdet Mustafës donte të vriste. Ai erdhi deri në Rrogozhinë dhe u kthye pas. Në Lushnje u asgjësua”, tha ai.
Kim Mehmeti: Berisha dhe Enveri, lojë e serbëve
Shkrimtari dhe publicisti i njohur, Kim Mehmeti, ka bërë një vlerësim edhe për tre figura që kanë dominuar politikën shqiptare gjatë shekullit të fundit, Ahmet Zogu, Enver Hoxha dhe Sali Berisha. Mehmeti pohoi se Zogu, Hoxha dhe Berisha kanë një të përbashkët; që është etja për pushtet dhe lidhjet e dyshimta me fqinjët. Sipas tij, Zogu dhe Enveri përdorën serbët për të mbajtur pushtetin, ndërsa Sali Berisha u orientua nga grekët. “Kështu që Zogu binte e kthehej në fron me ndihmën e mbretërve serbë, Hoxha dobësohej e forcohej varësisht nga disponimi i "milladinëve" e më vonë nga ai i Rusisë apo Kinës, e Berisha, më me rëndësi e kishte ta pëlqenin grekët apo diplomatët e huaj, se sa populli i vet! Është e dhimbshme, por sipas meje e vërtetë: shqiptarët kudo që janë, ende sundohen nga ata që janë më të pëlqyer nga qarqet joshqiptare! Nuk kam me çka ta dëshmoj këtë, përpos me një të vërtetë: nëpër kabinetet e politikanëve tanë, nuk sheh atë që e has në gjithë botën; fotografitë e më të dashurve të tyre, por ato me figurat e famshme të politikës botërore”, ka theksuar ai.  Adriatik Doçi

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri