Kur botën mundet me e shelbue vetëm "e bukura"



Ardian Ndreca

Kujtojmë poetin dom Lazer Shantoja në pervjetorin e lindjes



( Lazer Shantoja, 7 korrik 1891 - 5 mars 1945 )



Poetët vriten atëherë kur e rrejshmja ka fatin me u quejt ligjë e ligji shpreh shëmtimin e mbrendshëm të njeriut, atëherë ata vriten e kângët e tyne heshtin në shurdhimin e paskaj të vetë ndërgjegjes së njerzve.
Me 5 mars 1945 në të dalun të Tiranës, nji nadje heret nji grup partizanësh i dha fund me nji krisëm batarjet jetës së njenit prej poetëve mâ të ndieshëm e skofiar (delikat) qi ka pasë letërsija jonë e shekullit të njizetë. Trupi i tij i munduem prej torturash, kamba e tij e kalbzueme prej gangrenës, gishtat e thyem prej thuprave të hekurta, fytyra e vuejtun e sytë pa shkëlqim ju falen nji grope të paemën diku ndër kodrat buzë lumit. Ato duer qi dijshin me i ra aq ambël pianofortes, tue përhap jonet e lied-eve të Schumann-it, Schubert-it, Franz-it, ato gishta qi kthyen shqip Goethe-n e Schiller-in nuk gjetën nji zemër të mëshirshme qi t’i pështonte. Gjoksin e atij idealisti qi shkoi në mërgim 15 vjetë jetë, mbasi ishte anmik i regjimit të Zogut, e shpuen plumbat mizorë të nji marrije qi po përshkonte fund e maje Shqipninë. Ndërsa nana e vet plakë, bashkëvuejtsja e mërgimit të gjatë, tue e pa të birin ashtu të shëmtuem prej torturash, me trupin gjysë të kalbun në nji thes, iu lut gjakatarëve qi t’ia vrisnin në shênj mëshiret.
Kur nanat e poetëve lusin vdekjen e bijve të tyne, don me thânë se bota âsht shëmtue e ka bjerrë ndjesitë njerëzore.
Megjithatë, n’ato çasa të fundit në burgun e Tiranës, u gjet nji zemër e dhimbshme qi i dha pak kafe e nji tjetër dorë miqsore i preu gishtat e kambës qi i vareshin të lidhun vetëm me nji copë lëkurë.
Kështu mbyten poetët tek na, kështu dhunohet tempulli i Muzave tue i dhanë botës rasën me pa se sa afër âsht njeriu me shtazët e egra atëherë kur e vret të bukuren.
Atë ditë marsi, ish studenti i Innsbruck-ut, publicisti i "Orës së Maleve", miku i Luigj Gurakuqit, Anton Harapit, Ernest Koliqit, themeluesi i "Orës së Shqipnís" në Vjenë, oratori i flaktë mbi vorrin e Avni Rustemit, miku i Hasan Prishtinës e i Mustafa Krujës do të vdiste tue lanë nji nanë plakë të braktisun prej botës, e cila mbas pak kishte për të dhanë shpirt e helmueme dhe e turbullueme prej dhimbës qi shorti i pat premtue. Bota e qytetnueme poetëve të vet, pa dallim fejet e bindjesh politike, i ngreh përmendore e ia mëson përmendsh vargjet, ndërsa ne, ja thyejmë kambët e i vrasim sikur të ishin gjakbâsa e hajduta.
Kurse kriminelat ndër ne plaken në shtëpijat qi i kanë grabitë të tjerëve e vdesin në shtrat pa iu dridh qerpiku. Kjo âsht humnera qi historia ka vue ndërmjet nji vendi të qytetnuem e nji vendi qi nuk njeh qytetnim.
Poeti âsht zâni i ndërgjegjes, âsht hyjnorja qi banon midis nesh e heshtun, pa bâ bujë e pa lypë nderimin e turmave. Poeti: "miku i hyjve", siç e quen Goethe-ja, âsht mâ poet bash atëherë kur njerëzit e tradhtojnë dhe e braktisin, kur ai ndien thellësisht vetminë e vet në ketë botë, e cila âsht e huej për tê dhe âsht anmike e së bukurës.
Lazër Shantoja nuk iku prej Shqipnijet atë fund nandorit të zymtë të vjetit 1944, pse vargjet e tija s’kishin mbjellë urrejtje e tingujt e tij s’kishin vra askênd; zâni i tij i ambël vetëm kishte afrue njerëzit te lirija dhe te Zoti.
N’ato çasa të fundit të jetës i erdhën ndër mend vjetët e mërgimit, shetinat në rrethinat e Beogradit në 1928, vjetët e ethshme të Vjenës, atëherë kur në Schaumburgergasse, i përkrahun prej Hasan Prishtinës nxirrte "Orën e Shqipnís", jo larg konsullatës shqiptare, mbrenda mureve të së cilës, Çatin Saraçi thurte intriga e pregatitëte vrasje mbas shpinet. Ju kujtue Jura bernese ku mes alpesh kaloi vjetë të lume tue andrrue e tue shkrue për atdheun e vet, ju kujtuen miqtë qi s’ishin mâ, shumica të ramë nën plumbat e trathtisë: Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Avni Rustemi, Mark Raka.
I erdhën ndër mend vargjet e rinisë:
Ah, mos e lyp at varg! ... Asht shum mâ mirë
korimbat (1) t’tú mos t’dijn ça do me thânë
me qên’ poetë e mos me qênë i lirë,
me kndue me goj’ kur zêmërngrita qanë.

Pse duhen vra poetët? Ata s’i përkasin veçse poezís, e kjo s’ka as parti e as atdhé, s’duron roje e s’ka plumb qi ja shpon gjoksin. Poetët duen me e pështue botën nepërmjet së bukurës, duen qi njerëzit të sundohen prej ndjenjave t’nalta dhe jo prej arsyes së ftohtë e as prej teknikës, duen qi e pangjyra e anonimja t’ja lëshojnë vendin të thjeshtës e të përkores, asaj qi mbërrin me na mahnit e me na shelbue në ketë “luginë të përvajshme” qi âsht jeta.
Qe se çka shkruente te revista "Illyria" në tetor të 1935, në nji kohë qi ishte n’mërgim në Helvetí:
“Nji âsht rruga qi na çon tu populli i ynë! Ky popull âsht i mirë. Pret ndihmë prej nesh e me të drejtë. Djersa e tij na ka dhânë shkollën. Për me i ndihmue këtij populli na jemi nda shpirtnisht prej tij e kemi formue nji klasë në vete, klasën intelektuale. Të jét nji klasë e jo nji kastë. Nuk do të bâhemi beglerët e mêndes e të pendës. Mos t’i grabisim popullit edhe shpirtin! Të na duken sikur janë “faje të rânda ândrrat e argtimi i ynë i ushqyem me mjerimin e nânave e të fëmijve pa ndimë e proje.” A nuk shkrou kështu nji shok i jueji tash vonë në nji copë proze së mrekullueshme, shtatore apologu të vjetër, në Rivistën t’uej? Poshtë putat, po! T’i rrëxojmë së bashkut e të gjithë. Pa mëshrirë. Pse jo? As na nuk adhurojmë puta. Por na e dijmë se putat rrëzohen vetëm atëherë kur nëpër rradhët e mykta të tyne të kalojë flladi i freskët i Hyjnís. Përndryshej rrëxojmë nji put e ngrehim nji tjetër. Na nuk dijmë ndoshta sod sa dijni ju, e kët send na e dijmë pse na e njohim at popull qi ju nuk njihni. Populli shqiptar beson në tokën e të parve të vet, por edhe në qiellin qi shtrihet mbi tê. Qiellin plot me hyj! Doni me i a fikë? Mosni, pashë të rijtë t’uej, mosni! Nuk e ka meritue!”
Migjeni kishte botue disa skica të tija te numrat e mâparshëm të "Illyrisë", bashkë me poezinë “Shpirtent shtegtarë” e cila mbyllej me vargjet: “shtegtarë të mërguem, shpirtënt tonë n’origjinë po kthejnë”.
Shantoja nuk donte qi utopia e sinqertë e disa idealistave t’u bânte shkak qi histeria e kriminelave të vênte dorë në të ardhmen e kombit, nuk donte qi andrra nietzsche-ane e Migjenin për nji "mbinjerí" të frymëzonte "grushtin" e urrejtjes qi mund t’ja fikte Shqipnisë qiellin plot me yje. Poeti don evolucion dhe jo revolucion, don dashuninë dhe jo dhunen e verbët, urren hipokrizinë e llafet e qelbta, por gjithsesi s’pranon nji t’ardhme të pikëzueme prej shkulmeve të gjakut të pafajshëm.
Poeti, na ka mësue Schiller-i, don me pajtue me anë të së bukurës arsyen me ndjenjat, don me edukue e jo me djegë, ai e din qi arsyeja e ftohtë e gjanave âsht jo-njerëzore, ashtu si pasionet e pakontrollueme zbulojnë anën tonë primitive e të pagdhendun, nxjerrin prej shpellave të ndërgjegjes troglotidin qi mshehet mbrenda nesh.
E bukura âsht lirija vetë, dhe e bukura nuk lind kurrë konflikte e luftna, ajo âsht qëllimi i fundit i ekzistencës sonë. Por poeti i len gjanat përgjysë, ai tregon shênjat për ata qi të bukuren e kërkojnë e ikë përgjithmonë andej prej kah ka ardhë, mbasi ai nuk i përket njerzve, ai âsht i Hireve të Amshimit – e premton se:
“... un tash i a kndoj
mâ t’bukrin varg hyjneshës Afërdite
ndër hije t’qiparisavet kur t’shkoj”.
Por hijet e qiparisave ku prehet Shantoja na nuk i dijmë, pse vorrin bota poetit ja ka tretë për me i bâ vend atyne qi do t’i këndojshin vorrit të lirisë. Novalis ka shkrue se mbretnija e poetit âsht bota, mjafton qi ky ta mbrûjnë me shpirtin e tij, mbasi poeti âsht profeti qi i jep shpirt natyrës. Atëherë poetin kena me e gjetë nën hijen e qiparisave të tanë botës, pse e bukura e bân atê përjetësisht të vërtetë. Poeti Shantoja âsht nji qi ka kërkue me mbrûjtë botën me anë të poezisë, mbasi ku ka mâ shumë poezí atje ka mâ shumë vërtetësí, tue qenë se poezija âsht i vetmi mjet qi udhton lirshëm prej shpirtit te natyra e anasjelltas.
Mos t’i vrasim pra kurrë mâ poetët, me helm e as me plumb, pse ndoshta Muzat idhnohet e na lanë me jetue në vorfninë prozaike të nji jete të zymtë, të ndriçueme veç prej nji vetime - qi tepër vonë mbërrin me na diftue se jeta na shkoi kot e se vdekja sovrane afrohet me na shqymb përgjithmonë. Por âsht fort ma zí për ne, në qoftë se Muzat na dënojnë tue lejue midis nesh hije të mekuna poetësh, qi enden tue plazmue shije të mbrapshta me kângët e tyne të shëmtueme.

____________________________________
1) Korimbat: vjen prej gr._(maje, kulm) prej këndej lat. corymbus (frut me vile, vilja e shermashekut); në botanikë âsht lulësia e disa llojeve si b.f. qershija, shtogu, molla, dardha, dredhëza.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri