Nga: FATMIRA NIKOLLI-Ylli Polovina: Si i fshehu komunizmi pasardhësit e Skënderbeut


Ylli Polovina: Si i fshehu komunizmi pasardhësit e Skënderbeut












Të quajtur zyrtarisht si familje e shuar më 27 dhjetor 1561, me vdekjen e nipit të Skënderbeut, dukës Ferrante, dinastia e heroit në të vërtetë nuk u fik. Duke mos pasur trashëgimtarë, ajo shumoi pasardhës. Tani janë gazetarë, njerëz të shkencës ose të ligjit, punonjës bankash, muzikantë. Studiuesi Ylli Polovina vjen me të tretin studim për pasardhësit e Skënderbeut. Gjithçka ai është rrekur të arrijë, është të treguarit e historisë: si mbijetuan pinjollët deri në ditët e sotme.
Më sipër, cituam pjesën hyrëse të librit tuaj të fundit, "Pasardhësit e Skënderbeut, si u mbajtën fshehur".
Libri për të cilin po flasim është botimi im i tretë me tematikë përpjekjeje për këndvështrime të reja të veprës dhe jetës së heroit tonë kombëtar. Tek "Gjysma e harruar e Skënderbeut" (2008) mëtoj të argumentoj se si gjatë periudhës 1944-1990 Gjergj Kastriotit i është censuruar, për arsye ideologjike, lidhja e tij e fortë me Evropën dhe qytetërimin e saj perëndimor. Për këtë arsye ai përherë u interpretua si komandant ushtarak, si prijës, ndonjëherë edhe ndopak si diplomat, por kurrsesi si politikan. Po të ndodhte kjo do të zbulohej doktrina e tij politike, e cila kishte për themel lidhjen me Perëndimin.
Tek ky libër i parë për Skënderbeun po ashtu paraqis pikëpamjen personale se Gjergj Kastrioti është hero evropian më shumë se heroi ynë nacional. Pra, është të paktën dy herë më i madh nga sa jemi mësuar ta njohim dhe ta pranojmë ne.
Ndërkohë ka pasur tentativa çmitizuese, që kanë synuar të zvogëlojnë dimensionin e tij. Si i përgjigjeni ju kësaj?
Ky libër i tanishëm synon edhe më shumë. Në 335 faqet e tij paraqes prova të shumta se si, për arsye më shumë se politike, i është privuar opinionit shqiptar njohja me pasardhësit e Skënderbeut në Itali, vend ku kjo dinasti emigroi dhe u shumua deri në ditët e sotme. Me pak fjalë, libri i ri është edhe një rrëfim se si m'u krijua mundësia dhe u angazhova në kërkimin dhe gjetjen në Itali të pasardhësve të vërtetë, si i seleksionova ata mes falsëve të shumtë dhe si organizova sjelljen e tyre në vendin tonë. Është një histori që nis në 17 janar 1998, kur sapo i emëruar në ambasadën tonë në Romë, njoha kompozitorin dhe dirigjentin Lorenco Kastriota Skanderbeg.
Si është grupuar informacioni juaj?
Lexuesi respektohet duke i dhënë informacion të ri, jo duke bërë komente e shprehur opinione personale. Atë e nderon duke i dhënë faktet dhe duke e lënë të lirë të gjykojë vetë të besojë ose jo. Që ai të dijë sa më shumë për historinë e trashëgimtarëve fillimisht dhe më vonë, të pasardhësve të familjes Kastrioti në Itali, libri është ndarë në 47 kapituj. Kjo do të thotë që mesatarisht një i tillë përbëhet prej shtatë faqeve. Nuk është grimcim. Është ashtu "dendësim". Më lejoni t'i përcjell lexuesit titujt e një pjese të këtyre kapitujve: "Shefi i Ballkanit në agjencinë ANSA: "Kemi një shqiptar këtu afër", "Roma mes dy vendmonumenteve të Skënderbeut", "Kronikat regjistrojnë lojë politike", "Dega Kastrioti e Leçes", Izabela origjinale dhe një tjetër e dytë:, "Përplasen komunistë dhe antikomunistë", "Kastriotët-Zogu, rivalitet i ngacmuar", "Në Paris, mbi emrin e Gjergj Kastriotit, tre serbe", "Nga se vdiq Papa Pali II", "Veneciania Luçia Nadin", "Ku ndodhej Donika në dimrin 1466-1467?", "Një ngatërresë në Universitetin Oriental të Napolit", "Si u shpik vajza e Skënderbeut me emrin Vojsava", "Qeveritari i lartë italian, një Kastriot i rremë".
Çfarë risie, dokumente e prova të reja sjell libri juaj, për të dëshmuar se pasardhësit e Skënderbeut janë mbajtur fshehur?
Për ta provuar si u mbajtën fshehur për një gjysmë shekulli dhe cilët në të vërtetë janë ata, realët dhe jo falsët, është shkruar i tërë libri. Por në pak fjalë po tregoj shtratin ku ka ecur ky kërkim. Pasardhësit e Skënderbeut jo vetëm u njohën nga dy vendime të qeverive italiane në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të njëqindvjeçarit të shkuar, por edhe prej bashkësisë së arbëreshëve. U njohën edhe nga politika shqiptare e periudhës së Rilindjes. Kështu, në libër dëshmoj për rolin e tyre për të inkurajuar çlirimin e Shqipërisë nga Perandoria turke, se si Filipo Kastrioti shkëmbeu telegrame urimi me Ismail Qemalin për shpalljen e pavarësisë, si qenë pjesëmarrës aktivë në Kongresin e Triestes në 1913, si i mbajtën marrëdhëniet me Ahmet Zogun, si një dërgatë e tij kreu bisedime për t'u martuar me njërën nga vajzat e degës së Kastriotëve të Napolit, si ai i ftoi në dasmën me Geraldinën dhe këta, të kënaqur, pas ikjes i dërguan mesazhe falënderimi. Çuditërisht këto raporte të vijuara të politikës shqiptare me pasardhësit në Itali të Gjergj Kastriotit, të pakompromentuara me kërkesa për pjesëmarrje të tyre në të drejtë froni apo pushteti publik në Shqipëri, u ftohën menjëherë pas ardhjes në pushtet të komunistëve. I vetmi dokument që kam gjetur është një listë në mes të viteve pesëdhjetë, ku njëri prej tyre gjendet në listën e ambasadës shqiptare në Romë, si mik i Shqipërisë dhe pastaj bie heshtja e plotë. Ndërkohë janë antikomunistët dhe Vatikani që jo vetëm i mbajnë lidhjet e rregullta me ta, por edhe i gjallërojnë vazhdimisht. Për këtë arsye i hap shumë vend çfarë ndodhi në Romë në 1968, me rastin e festimeve të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Kështu, derisa diktatura ra, nuk u bë asnjë përpjekje për t'i kontaktuar. Për inerci kjo vazhdoi edhe pas rënies së saj dhe unë paraqes në libër rrethanat përse dhe si ndodhi më në fund rikthimi i tyre. Tashmë, pas mbi gjashtëdhjetë vitesh. Gjithnjë si pasuri historike dhe kulturore e vendit tonë, për çfarë edhe ata vetë janë dakord.
Tani që libri juaj është shpërndarë në disa prej librarive të kryeqytetit, çfarë dëshironi ju të bëni për të?
Kam vetëm një "ëndërr": t'i promovoj tre librat e mi për Skënderbeun në një mjedis universitar në Prishtinë.
Me se po merreni aktualisht?
Kam në duar një libër me titullin e përkohshëm "Ambasadori ballkanik". Në të mëtoj të paraqes rolin e Shërbimit të Jashtëm Shqiptar në Ballkan. Do të jetë një i shkruar antologjik: analiza diplomatike, këndvështrime historike, skica e mbresa udhëtimi, rrëfime dëshmitarësh rreth ngjarjeve më të bujshme...

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit