Poezi nga Naim KELMENDI: Në gjeografinë e kombit....



 Naim (Salih) Kelmendi tërë jetën e tij e deri më sot ia kushtojë çështjes sonë kombëtare gjegjësisht penda e tij nuk pushojë kurrë së shkruari poezi e prozë për Kosovën dhe popullin e robëruar shqiptar, dhimbjet e të cilit do t’i përjetojë rëndë në shpirt, njësojë sikur mallin për babanë e tij, ngrohtësinë dhe zërin e ëmbël të të cilit nuk e shijoi kurrë në jetë.…


Naim (Salih) Kelmendi edhe tash vazhdon të shkruan poezi, të këndojë dhe t’i thurë këngë lirisë së fituar me aq shumë gjak, do të këndojë bashkë me popullin e tij të cilit i thuri aq shumë vargje, dhe për lirinë e të cilit ishte i gatshëm të sakrifikohet në çdo çast.




Poetët janë zëri më i bukur i një populli, janë këngëtarët më të mëdhenjë që i këndojnë lirisë, janë bilbilat më të bukur të botës që ia thonë këngës në çastet më të vështira kur të tjerët vajtojnë, vetëm e vetëm që ta mbajnë të gjallë shpirtin e popullit kur ai kërcënohet me zhdukje, siç ishte rasti para një decenie me popullin të cilit i takonte Naimi.



Për këtë ai deri më tani ka botuar mbi 12 përmbledhje poezish, ka shkruar me dhjetëra punime publicistike dhe gazetareske, është marrë me aktivitete të shumta kulturore, qoftë në Kosovë (Pejë, Ruhot, Prishtinë) në Zvicër, Shqipëri etj.



Naimi ishte redaktor i disa revistave shqipe në diasporë si “Top-Kultura” , “Mërgimtari”, etj. ka organizuar me dhjetëra takime dhe mbrëmje letrare, promovime librash, ishte reporteri i parë i gazetës “Bota Sot” që arriti të raportojë nga fronti i luftës në Koshare, ishte bashkëpuntor i shumë botimeve në gjuhën shqipe… Ishte pra gjithmonë ndër të parët në front, në atë intelektual dhe ate të luftës, nuk i frikësohej as vdekjes, sepse trimërinë ia kishin lënë trashëgim të parët e tij nga Rugova, gjysh e stërgjysh, denbabaden deri në ditën e kiametit.



                                                       Prekaz- aty te piemonti i shqiptarise


Veprimtaria letrare e Naim Kelmendit , siç na është e njohur mirë përveç vlerave të larta letrare, stilistike, ka edhe vlera pozitivisht të theksuara gjuhësore. I lindur e i rritur në Ruhot, ai si një fëmijë e më vonë si një djalë e veçmas më vonë si nxënës dhe student vërejti se të folurit e Rugovës ka një veçori të vetën e cila po të mblidhet e të ruhet, jo vetëm që do të jetë një thesar i paçmuar për gjuhësinë, por edhe burim e leksik i pashterrshëm për letërsinë, posaçërisht për poezinë.

Foto: Interesim i veçantë për botimet e Shtëpisë Botuese "Rugova Art" në panairin e 15/të të librit...tradita dhe kualiteti i botimeve vazhdon...



Qysh në përmbledhjen e parë të poezive me titull “Shtreza në fjalë” është hetuar tek ai se adhurimi i tij është shumë i fortë për leksikun autokton rugovas dhe se ato fjalë të vjetra do të mund të shfrytëzohen pafundësisht në poezi.

Foto: Dy poetë,dy rugovas.Çaste poetike...
lexime vargjesh nga libri që pret dritën e botimit të aktorit e poetit Çun Lajçi...
Naim Kelmendi tha: Lirika të fuqishme,të pastra,thellësisht ndjenjore sikur burimet e gurrave të Rugovës,Çun je një damar i pashtershëm nga ato burime!...

Kjo prirje e tij vazhdoi të thellohet edhe te veprat e tjera, deri tek ajo e fundit. Mund të thuhet se Naim Kelmendi një numër të madh fjalësh të leksikut rugovas e futi me gjeturi në poezi, ia gjeti vendin e përshtatshëm aty dhe ashtu e mbetur ajo u ngulit aty edhe më tej nga bashkëfrymëzuesit e tij, kështu që në saje të meritës dhe të pasuesve të tij, gjuha jonë e ka rinuar një numër fjalësh e shprehjesh të vjetra, ua ka rigjetur vendin aty dhe aty kanë mbetur e do mbesin përgjithmonë si pasuri edhe e leksikut letrar.


Foto: Ne Presidencen e Presidentit te Ndjer Dr.Ibrahim Rugova


Një meritë tjetër e Naim (Salih) Kelmendit si poet e prozator e ka edhe për gjetjen e neologjizmave (fjalëve të reja), për krijimin dhe formimin e tyre, duke i dhënë një kontribut të madh neologjisë shqiptare.


Foto: Reporteri i luftes Naim Kelmendi ne mesin e luftetareve me 1999 ne Kosharen heroike aty ku rane heronjte kombetar Salih Cekaj e Agim Ramadani dhe shume deshmore qe i dhane gjakun e tyre te shenjte lirise se tokes dardane...

I dhënë pas letërsisë, ku e ka gjetur strofullën shlodhëse për shpirtin dhe ndjenjat e tij, ai si gjuhëtar tërthorazi ia begatoi leksikun gjuhës së vet, e cila në pendën dhe gjeturinë e tij, gjeti një mjeshtër kulmor për ruajtjen e të vjetrave dhe krijimin e fjalëve të reja sipas dhe në saje të mendjes dhe syrit shigjetues të tij (Nyja e Gordit).




Nga leksiku popullor Naim Kelmendi ia doli të fusë në përdorimin letrar me dhjetëra e dhjetëra fjalë, të cilat, jo vetëm që nuk ia ulnin vlerën letrare asaj gjuhe, por, përkundrazi ia ngrisnin, ia larushonin dhe ia mbushnin me poezicitet.




Natyrisht se një vlerë të tillë nuk mund ta ketë çdo fjalë e leksikut popullor, prandaj ai arriti mjeshtërisht të zgjedhë ato fjalë që në vetvete kishin bukuri fjale, bukurtingëllim, veçanësi emërtimi ose shënjimi (Pse ashtu Pandorë).




Nga sa u tha, Naim Kelmendi në lëmin e leksikut ka sjellur një pasuri leksiku jo vetëm me brumin vetanak por edhe duke e rikthyer në jetë një numër fjalësh të gjuhës sonë, të cilat poezisë i japin hijeshi, gjerësi kuptimi e sidomos melodicitet autokton.



Fjalët e reja të qëmtuara nga veprat, shkrimet dhe shënimet e tij mua më kanë hyrë në punë si lëndë e pakapërcyeshme në punën time gjatë hartimit të FJALORIT TË FJALËVE TË REJA. Ndër krijuesit më të frytshëm të fjalëve veçohet i dalluar edhe Naim (Salih) Kelmendi ashtu si Azem Shkreli dhe Ramiz Kelmendi. Prej pendës së Naimit kam qëmtuar dhe shënuar me dhjetëra fjalë të tipit të neologjizmave.



Naim Kelmendi këngën e ka ndërtuar me fjalë ngjyrimesh të ndryshme ndër të tjera edhe me përmbledhjen me poezi “Nyja e Gordit”. Ai me një “daltë fjale” në dorë këndoi edhe kur shkroi përmbledhjen me poezi “Përballje me vdekjen” me atë formën më të bukur që dinë poetët të bëjnë mjeshtërinë e fjalëve (Eklipsi i diellit, Albanoi, Nyja e Gordit, Pse ashtu Pandorë, Kohë për të folur gurët, Sipërfaqja e padukshme etj).



Publicisti Naim (Salih) Kelmendi ka shumë libra dhe vlejnë t’i veçojmë disa prej tyre:

1.Shtreza në fjalë,poezi,Prishtinë ,1984.

2.Albanoi,poezi,Prishtinë,1986.

3.Nyja e Gordit,poezi,Prishtinë,1987.

4.Ç’ të bëj me dhembjen,poezi,Prishtinë,1987.

5.Pse ashtu Pandorë,poezi,Prishtinë,1989.

6Përballje me vdekjën,poezi,Prishtinë,1993.

7.Eklipsi i diellit,poezi,Prishtinë,1993.

8.Vrasja e deputetit,monografi,Prishtinë,2003.

9.Shqiptari vdes duke kënduar,poemë për Adem Jasharin,Prishtinë,2003.

10.Kohë për të folur gurët,poezi,Prishtinë 2004.

11.Sipërfaqja e padukshme,poezi,Prishtinë 2005.

12.Beteja e Kosharës,monografi,Prishtinë,2008.

13.Pikëpamje dhe reagime ,2008.

14.Në një jetë pas Krishtit,2010

15.Esenca,2010

16. Shqiptari vdes duke kënduar,botim i dytë,2010.

17.Është vetëm kujtesë,2012

18.Antologjia e dhembjes poetike 2012

19.Antologjia e humbjes poetike,2013.
20.Po i flisja vetes,2013.

ETJ.

Naim Kelmendi është njëri nga publicistët që, me penën e tij, i doli përballë krimit që mbiu në Kosovë menjëherë pas përfundimit të luftës, pjesëmarrës i së cilës ka qenë edhe vetë si reporter në Koshare.
Për këtë guxim të tij, për këtë përpjekje në funksion të ndërtimit të një shteti të mirëfilltë ligjor, për vizionin e tij për një Kosovë demokratike-ishte për një kohë të gjatë i kërcënuar nga grupet kriminale që u konvenonte anarkia, për ta shfrytëzuar këtë (anarkinë) për pasurim brenda nate.

Naim Kelmendi krejt çka mendoi për zhvillimet e pasluftës në Kosovë, e tha haptaz. Prandaj, vlera e shkrimeve të tij qëndron jo vetëm te ana cilësore e tyre, por edhe te guximi për t’i thënë me emrin e vërtetë të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë.

Në shënjestër të shkrimeve të Naim Kelmendit, ndër të tjera, ka qenë edhe politika e “re” e Beogradit dhe lëvizjet e saj të vazhdueshme për ta frenuar procesin e pavarësimit të Kosovës. Çdo lëvizje antiKosovë nga ana e kësaj politike, publicisti në fjalë bën përpjekje ta demaskojë në sytë e opinionit tonë.

Njëkohësisht, i analizon edhe politikat ndërkombëtare në raport me Kosovën dhe, sa herë sheh të meta në të, bën thirrje që ajo të mos bjerë viktimë e taktikave të reja të politikës së “re” të Kalimegdanit kundër pavarësisë së saj. Po ashtu, parashtron fakte të shumta në favor të pavarësisë së Kosovës, e cila edhe u realizua më 17 shkurt 2008.Shkrimet e përmbledhura në këtë libër janë të shkruara në gazetën “Bota sot”, “Pavarësia”, “Pavarësia news” etj. gjatë viteve të pasluftës.

Në të janë përfshirë vetëm disa prej shkrimeve të tij të shumta të publikuara në këto gazeta. Me penën e tij, ishte njëri nga heronjtë e demokracisë në Shqipërinë Etnike . Themi Hero për faktin se t’i identifikosh gjërat negative për një shoqëri dhe një komb, kur nata qe bërë kulçedër që i “hante” atdhetarët e Kosovës, është vërtet heroizëm.

T’ua vësh gjoksin përpara grupeve kriminale, që gati sa s’e patën dërrmuar përpjekjen e Kosovës për pavarësi, ishte ana tjetër e atdhetarizmit të Naim Kelmendit, pas përfundimit të luftës. Ana tjetër e atdhetarizmit të tij të treguar qysh në kushtrimin e parë për luftë kundër Serbisë.

Shkrimet e publicistit, shkrimtarit, gazetarit dhe patriotit Naim Kelmendi do ju shërbejnë gjeneratave të ardhshme se si mbrohet Kosova edhe në liri. Se si liria e merr kuptimin e saj të vërtetë.....

(Flori BRUQI)


ESENCA

Në esencën e gjërave
kërkoje veten

në margjinat e jetës
nuk jetohet  ashtu vetëm

të kanë zbuar
deri në moskuptim

pastaj t’i bëjnë
të nëntëdhjetenëntat
prapa shpine e përanash

tash të duhet vetëm esenca
e asaj që është gjakuar
nga paraardhësi ynë

në një kuptim të jemi Një
me degët rreth një trungu

jo ti fryesh më një fyelli shurdhan
nëpër botë fillivetëm pa identitet

kthehu te esenca dhe kërko kuptimin
në lëkurën tënde të rrjepur
në gjeografinë e kombit

sepse mashtrimit i del vonë tymi
po një mik yti tash është sa njëqind
të dikujt tjetër,

aty ku duhet të jesh ti ende s’je
e mos më kallëxo përralla pa kripë
kur e lëqit vëllain tënd
pse sheh me sytë e Argusit

pastaj si mor si kënaqesh
me vetveten në kaq kuptim

po a ta kanë copëtuar gjeografinë etnike
shekujve dhe a s’po të dhemb kjo
kur në esencë nuk je ai që je


DUKE QENË VETVETJA

Duke qenë vetvetja jam mërguar
nga esenca e gjërave të dashura

jam mbyllur si eremit në jetën e pajetë
kam thirrur në njeri dhe s’më ka dëgjuar kush

askushët janë shtirur se kinse s’kanë dëgjuar
se kinse s’kanë parë asgjë përtej hundëve

duke qenë vetvetja kam rënë në dashuri
me të vërtetën e ditur e të hidhur pelin

ia kam vënë kokës fjalën në pritë
vetëm për t’ua thënë në sy t’palarat
vetëm për t’ua numëruar poshtërsitë

dhe, duke qenë vetvetja përjetësisht
gjak më kanë pikuar mendimi e fjala
dhe s’kam luajtur kurrë nga e thëna

veç plagët ulërinin idhshëm shpirtërisht



UNË ME KOHËN FLAS VET


Dikund në një sfond i vetmuar po vdiste
zëri i një fëmije-engjëll
për shkak të hipokrizisë së të mëdhenjve

vetëm për shkak të vdekjes
së ndërgjegjës në njeri
dhe për shkak të mosleximit
të librave filozofik mbi moralin

librat nuk shiten si dikur
në treg shkojnë flakë laviret
marihuana pederët dhe gratë mashtruese

a po frikësohesh nga e ardhmja e pakrijuar
e pyeta dikend atje në grumbull
para shitores ushqimore me çmime të lira
jo assesi, sepse jemi mësuar tashmë
me gjakderdhjen me terrorin me krizat me luftën

po fatin tim si ma ruajnë kaq shumë
këta, armiqtë që kurrë nuk flenë -
këtë herë heshtjen s’do ta lë të heshtë
unë me kohën flas vet për gjërat në mungesë

për tregun e fjalëve që shiten shtrenjtë
në emër të çështjes kombëtare
për shpirtin e lënë rrugëve të botës
përtej shtatë detëve,për biografinë
në pasqyrën e thyer në letrat e dashurisë
të vëllait Serembe, atij fatkeqit dashnor

ai sërish mendon të kthehet në vendin e krimit
qyqet do i vras mbi qiparis nëse më vajtojnë
këngë qyqesh, s’dua më këngë vajtimi

mbi një mendim më pret ky fati im, i miri
sepse e di pse jam dhe e di kush jam
andaj me kohën flas vet unë i-liri

MEDITIM

Keni masakruar shekujve
me gulfim gjaku me mizori

por, a e keni menduar një
se veç një farë shqiptari
t’mbetet dikund, ai do t’mbijë

zoti s’ka thënë se do zhduket
ashtu si mendon armiku i tij…

Prishtinë, dhjetor 2009


ÇAST VETMITAR

A thua
a do të kishte kuptim
kjo Mulhouse
pa një shqiptar
si unë,

edhe këtu flitet shqip
dhe pëlcet shqip mendimi

heshtja e vret heshtjen me përmallim

po ku u fshehët biografi
e gjurmëve, dilni                                          
biografi e rrugëve të fatit tim

Mulhouse, korrik 2009


KUTIA E MENDJES

E di se jam
atje
këtu
gjithkund
ngapak
dhe ndoshta askund
e di që jam
ai që jam

në ecje
të pandalshme
për t’i kapur fijet e këputura

dikund ka ndodhur
pakuptimësia
dhe ka ardhur rënia

tash jam aty ku jam
sërish te kërkimi
në vetveten e humbur
caqeve të pakuptimësisë

në aureolë të jetës
më pret lavdia
atje në breg të fjalës
në breg të shkrimit

një horizont i bardhë
hapësirave të pajetuara
             
Shtutgart, 8 korrik 2009


NDJENJË

Unë ty të kërkova
apo ti mua më gjete
fati im i fshehur

kemi kaluar
rrugë të gjatë
e të përvuajtur

sërish u takuam bashkë
e u pamë me hënë të mirë
me hënën pesëmbëdhjetëshe

tash po ecim
me veten tonë secili
me nga një kryq mbi shpinë-



ATY KU S’ISHIM

Secili jeton të veten
pjesën e vet secili
e merr nga dega e tij

dhe ecjen dhe biografinë
e vuajtjes
prandaj uroj të kenë vreshtat rrush
e të bëjnë kumbullat kumbulla
plot degën fiku
dhe plot këngën plot dhembjen
koha e vargut

le të na e duan
së paku gjurmën
atë që bëmë njeherë
për të mirën e tjetrit
e vetëdijën e gjërave

dhe s’prish punë jetuam
sipas qëllimit të parë e të mirë
apo s’jetuam ashtu si e pamë ëndrrën
për ideale të larta, pse na e morën dardhën
në degën që s’arritem as ta prekim,
sepse ishte në pyetje atdheu,

i mi që më kërciste nervat
nëpër të vërtetën e thënë
i tyre që po ia shtrydhnin
tamblin e nënës,po ia hanin
deri në palcë kuptimin e tyre
sikur rendin etshëm zulutë

sepse pjesën e vet secili  e merr
nga dega e tij,dhe shkon
i fryen ashtit dhe vetmisë

NË VEND TË ASGJËSË

Në vend të asgjësë
kam shpirtin tim
përditë në stacion
të pakuptimësisë
rrugëve të kuptimit
në kërkim të vetvetes
hullive të mnerta të vetëjetës
prandaj s’dua ta trandë as për një çast
këtë kuptim prej asgjëje
sepse s’e kam fuqinë e zotit t’i ndryshojë gjërat
dhe në vend të asgjësë
gjithmonë ka diçka që ma kuptimëson
frymëmarrjen,mendimin për të jetue
dhe që do të shuhemi këtej jete
është aksiomë e njohur nga e vërteta
po sa vështirë ata bëjnë përpjekje për ta mundur vdekjen…
pa mundur t’i qetësojnë askurrëmë dhembjet
e thekshme të shpirtit pa shpëtim
dhe kur vdesin thua se nuk ishin kurrë pjesë jona
unë s’dua të shkel më mbi vetveten
e ta denoj shpirtin tim me gjithfarë teorish
të paqena…që vrasin që helmojnë
dhe në vend të asgjësë
prapë si një lulediell vjen dashuria
prandaj këtu kemi ardhur të duam
e jo të vrasim të urrejmë krijimin e zotit-njeriun
dhe duhet të shkojmë,ama të shkojmë heshtur dhe pavërejtshëm
pa prishur as për një çast as rendin as rregullin
dhe unë zotohem se në vend të asgjësë
do të vijë kuptimi i diçkaje
për të të thelluar në kërkim të njohjes
dhe s’ke për ta njohur kurrë…
ka diçka tej shikimit
diçka ka tej mendimit
ka diçka tej t’vërtetës
diçka ka përtej jetës
bari do të lulëzojë dhe bimët do të kokrrojnë
dhe ne dhe ju dhe ata të gjithë dhe gjërat
që s’i njohëm kurrë dhe s’kemi për t’i njohur
përgjithmonë në vend të asgjësë…

MAL I MADH

Mal i madh
e unë kërkoj
majën e gjilperës
veten e humbur
po askush s’e ka humbur veten
që unë ta gjej fatin e humbur
në mjegullën e epshit
dhe dal nga teatri i gazepit njerëzor
për ngritje për forma deri në Maje
servilët pederët laviret dhe shumëkëmbëshat
jetojnë më së miri në këtë zallahi jete
unë ende kërkoj veten dhe melodinë
e humbur në jehonën e një vajtimi të këputur
ec e dije mbrëmë kush kënd e ka mashtruar
deri në poshtërim dhe e ka hedhur si limonin
dua ta them se kështu jeta s’ka asnjë kuptim
në Malin e Madh dal i vetëm dhe humbës
i krejtë kohës në eksplorim…
shëndosh koka pra
rrugën e gjejnë të tjerët
ata që kanë shpikur kodin e jetës
shumëngjyrëshe… shumëkuptimëshe…
shumëmënyrëshe…
mal i madh e unë ende kërkoj majen e gjilperës
e ende kokrroj mendësi kokëdhembëse…
dhe ia shkel bishtin, dikund kokën nxjerr
vjen erë sperme nëpër të qarat e natës
por njeriu dhe unë ecim e ecim e mendojmë ende
për shtëpinë për familjen për ngjyrën prej njeriu
për identitetin për dorën e fshehët për dorën e zezë
që pret lisat natën që shkruan skenarët e lavireve
sikur na e ka ëndja ta hamë më të mirin
na e do gjaku që ta rrëzojmë secilin
dhe s’bëhet gjë prej gjëje
pa dirigjuar dikush nga prapaskena
ato fytyra që shikoni në skenë janë veç maska
të mjera… tragjike…askushët e askundit…
vetja ua ka gërdinë e fatit të tyre t’pafat

TË QENËT E MOSQENË

Mor, me një fytyrë të zbehët del
dikund në fushërrugë
dhe s’i bindesh asnjëherë
fatkeqësisë së vetvetes
nëpër jetë po të përcjell
i njëjti fat cub
cep më cep hapësirës etnike
shanë e përlanë e s’bën dot me tëndin
bjezga e huaj në mes bën vend dhe gjuan
gjaku dhemb natën në shtrat të Prokrustit
i kthehesh vetes në kafshim idhnak kur s’e rrëzon dot tëndin
nga Maja që s’ia duron hijeshinë e mendimin
dhe të bëjnë të flasësh vetmevete vetmashtrimit pastaj,
po sa i zbrazët sa i verbër paskësh qenë vetja
në shërbim të hijes së tjetrit që të jep Dhuratë Danajsh
dhe shikon se në secilën kohë diçka të kanë marrë
nga vetja dhe kanë qeshur me ty paskëtaj
tradhtitë e mnerta se si pranove një cohë që s’e veshin as qentë
e pëshurraftë kur ndjekin kudra
të qenët e mosqenë sërish duket
se vret në shenjë të mendimit tim
të trandur,mor njihe veten se s’bën kështu
gjithmonë nga fundi nis fillimin e çdo gjëje
a s’të kanë thënë mjaft shekujt për gurin e Sizifit
aq tragjikshëm që kurrë s’i del në fund ecjes
del e bërtet përanash e në shesh bërtet e shanë vëllanë tënd
e të ujit hija e të gjithëpushtetshmit
e ta rjep lëkurën e dhembjes dhembja nga i yti
sepse dhemb më shumë dhe s’ia gjen ilaqin vetvetes
tatëpjetave të jetës duke i zbritur për veshëve
duke ia rjepur gjinjtë dhe tamblin e nanës
duke ia pirë deri në fund mëmëdheut
dhe s’i bindesh idesë dhelpërake
sepse të paskan thënë rri kështu si je
merr frymë kështu si je ec kështu si je
mendo kështu si je hije e sakatosur nga ndarja
e shekujve dhe ti ec e ec tragjikshëm e pandalshëm
drejt shekujve të ardhshëm njëllojshëm
të qenët e mosqenë shenjon ligjin e ekzistencës tënde
të bindjes tënde për të mos qenë aty
ku i duhesh kohës ku i duhesh ecjes
në kohë dhe hapësirë kur të thërret
jehu i vetvetes në fushëbetejat e jetës

FTESË PUBLIKE

Lërini anash sytë ktheni shikimet
në një pikë të vetme dhe shikoni
mbani veten nga trishtimi
mizorët po ngarendin tokave
në dorë mbajnë trofetë e tyre
nga prerja e kokave
lërini anash sytë e kujtimet
mbi ditët e lumtura
nga ndonjë dashuri vitesh që iku
si çast i mjegulluar në mbamendje
ktheni shikimet në një pikë
si po byrytet Dhevështruesi
dhe mos më thuaj Ante
se unë s’paskësha Atdhe
a është ky që e pëshurrin
çdo ditë e çdo çast
a është ky që po a hanë
nëntokave mafia e verdhë
a është ky që po qajnë natën
fëmija e asaj varfanjakeje për një copë buke
a është ky i këtyre lypsarëve të përditshëm
cep më cep kaq të mërzitshëm duke na prishur
qetësinë e fjalëve në kafenetë e shesheve
dhe në shtëpitë e qendrave urbane
mor a është ky atdheu për të cilin kam menduar
se është edhe i imi dhe vetëm në një fjalë nëne
saherë më thoshte kthehu ku ke lindur
kur i thoja dheu i babës dheu i nënës
unë të dua për emër të Atit e të Birit e Shpirtit të Shenit
lërini anash dhe hudhni fare sytë mbani veshë
se po vjen Dhevështruesi po i dëgjohet gërhama
e mos më thuaj kurrë Ante
se unë s’paskësha Atdhe
a është ky që po ia mbushin hundët me marihuanë
a është ky që po ia shesin një vajze dhe shoqeve
të saj seksin në jetën e mbrëmjes stacioneve të vetmisë
a është ky ku s’e kthen kush kokën anash
a është ky ku secili shikon jetën e vet personale
a është ky ku secili vjen e shkon në askund
me heshtjen e vet të sert ndër vete
a është ky ku secili s’mendon të të dhurojë pak gaz
veç thur lavde për të vdekurit e harron të gjallët
që ka para syve përditë e t’u japi pak dashuri
sesa një shikim përbuzës dhe vrasjen në mesditë
me heshtjen e hipokrizisë njerëzore

ECJE VETËM

Zotin tim ku e kam oh Zot
që t’ma shkurtojë njëtrajtshmërinë
e ecjes sime vertikale padukshëm mes rrethit
të përditshëm të gjërave lakuriqe
si e kanë ngulur në hu kokën e një kali
të ngordhur pasditën e një qershori
e kush ma shkroi këtë fat
të ec të ec dhe vetëm të ec
me shikimin e etur për ta parë fundin
e një fati që ka filluar moti
të zhgërryhet mbi pafatësinë
zotin tim ku e kam oh Zot
apo s’merret më me gjërat e përditshme
me fjalët e përlotura kurtheve të vetmisë
kësaj mbretëreshe që ha njerëz e fate
dhe s’i shkruhen askund aktet e tragjedisë

KOHA PA TY

Koha pa ty është kohë pa kokë
kohë që i digjet shkrumb dhembja
dhe kohë që i ka mall vargu e fjala
koha pa ty është kohë e ndalur
dikund në një vegim dhe s’i ec
as ora s’i del as fjala as vargu
koha pa ty rrin në rremb të qyqes
krejt qyqevetem
dhe i rriten flokët, dhe
i rriten thonjët, dhe thërmohet
imazheve të pritjes
dhe ia ha vetes thonjët dhe ia ha
vetes vargjet dhe fjalët në gojë
është gjykim i vetes
dhe mallkim është
në hirin e asgjësë
nëse nuk kthehesh…
koha pa ty rri në rremb të qyqes
krejt qyqevetem

Prishtinë, gusht 2010

VETJA NË MUNGESË

Keqas u mungon vetja
rendin pas vetes
së humbur
kërkojnë veten
e munguar
mjerueshëm
shajnë e thejnë
gota pezmi
dhe urrejnë
shtatë ditët e krijimit
të botës
se, keqas u mungon vetja

PËRFTIM

A na përftuan
para syve të gjitha
po a s’u kishte
shëmtim vetja
si e hanin të vetin
a s’u hypen në qafë
a s’i kalëruan shtatëqind dreqër
dhe a s’i harbuan
lakmizezat
nga vetë mëkata
e vetvetes a s’u vetëvranë
po ku mbeti e drejta
a s’e njohët apo s’e patë
në aureolë jete n’kuptimin e saj
ishte një përftim
që ju gjeti shtrembër
duke menduar -

EKZAKTËSISHT

Tërë jetët, çkado
që erdh u bë
n’pluhurin kozmik
n’hapësirat
stërë t’paanshme, t’pafund
me urdhër t’krijuesit
tek gjithësia
lindën, jo kurrë nga urrejta
por vetëm nga dashuria …

E PANDRYSHUESHMJA

Ekziston diçka e paarritshme
për ta njohur deri në fund
në botën e kujtesës
qiriu i mendimit rri ndezur
në mua, përreth meje ekziston
e reziston deri në paskajësi
e mjegullt e panjohur
që rrjedhë përditë çdo çast
Panta Rhei, dhe
një ditë që s’do të jemi
më kështu në këtë ajër
po si luan teatër me ne
e padukshmja
e paprekshmja dhe hija
e atij që rrënon dashuritë
ne mbesim veç hijesim, shenja
për t’na çajtur mjerueshëm
pasaktësia nëpër hirin e asgjësë

POR, NE ISHIM

Pa dritat e mendimit…
jemi thjeshtë pjesa e pjesës të pjesëve
diçka që s’do ta shpjegoj assesi
nga erdhëm e kah shkojmë
mor askush s’do ta ndryshojë ligjin
e heshtjes bizare pasi tradhtojnë
dhe veten në fund të fundit
deri këtu kemi ardhur
duke u kapur për një fije t’mendimit
pas betejave të gjëllimit ofshajmë thekshëm
në tërë rrugëtimin tonë vetmitar
ekziston ana e errët që ne s’e shohim
pikërisht aty kemi kurthën
e shpirtit të lënë vishkull
s’është e rëndësishme
nga na vjen gjykimi
ne edhe vetëgjykohemi
për ato që s’ia arritëm qëllimit
tash qetësia ime vajton papajtueshëm
por, ne ishim…
pikëllim fatesh nëpër kohë

E PAMUNDSHMJA

Mësa një fije bari
që mund ta dijë për një fije bari tjetër
që ekziston dikund larg në botë
aq e pamundshme është ta dijë
dikush e dikund se ekzistojmë
ti dhe unë në këtë çast, pra
po flas, ja për çka po flas
për të pamundshmen
dijmë vetëm për raca njerëzish e popuj
kufij, luftëra, dhe tragjedi jetësh
por ne s’e dijmë biografinë e secilit
prandaj ne s’e dijmë as pse jemi këtu
e dikush tjetër e atje dikund
dijmë vetëm se jemi dhe në këtë formë
pra, ja për çka po flas
për të pamundshmen e njohur

NËNA, LOTI,DHE NJË HISTORI E DHEMBJES

Shi binte me shekë apo loti i saj
ëndërronte jetën për bimën
dhe ditën me diell,
për kohën për ekzistencën
e shponte dhe gurin
dhembja qyqevetem
me kujtimin e saj
për humbjen e babait tim
nga ai çast tragjik në kohë t’pakohë
që na kishte lënë ashtu vishkull
në mesjetë në meskohë në mesrrugë
loti i saj me dhembjet
e tmerrshme të pasigurisë
kaltëronin kohët dhe
mendimin për të ekzistuar
nëna ime Xufë,
ëngjulli im mbrojtës
shpirtvuajtura e fatprera…
pas ngjarjes tragjike kur ia vranë burrin
me 1961, babain tim, kur e pyetën tha:
për jetën time jeta janë këta, dy djemtë,
dy zogjtë e saj, dy dashuritë e shpirtit,
dy ëndrrat e jetës, do i rris ndershëm tha
dhe ashtu vijoi për të
jeta e pagjumë
jeta e saj plot sakrificë,
jeta e saj plot altruizëm,
jeta e saj plot dashuri nëne
jeta e saj plot dashuri engjëllore
jeta e saj nëpër batica e zbatica
dhe deri në fund qëndroi:
dashuri vertikale
dashuri horizontale
dashuri mbi dashuritë
dhe deri tash me 2011
e njëjta dashuri
që mëkon shpirtin e saj
nga dashuria e zotit
vazhdon ta mbajë gjallë…
jeta ka qenë e vështirë, nënë
për ty, për ne
po, thotë, kjo ishte rruga jonë
ky ishte fati ynë…
por kisha t’vetmen ëndërr
juve të ju rrisja, juve të ju kisha…
nëna Xufë,imja nënë e mira
as që kishte dëgjuar
për Shekspirin apo thënien e hamletiane:
të jesh apo të mos jesh
por jetën e saj e kishte vënë në pikëpyetje:
kah t’ia niste e si t’i dilte n’krye me pasaktësi
me tërë t’panjohurat e saj…
në shpirt ndjente
trishtimin e viteve
dhe pikëllimin e jetëshkretës pa gjumë
nën dritën e një fitilaqe
shfletonin dhembjen
netëve ëndrrimtare
as për Korbin e Edgar Allan Posë
s’kishte dëgjuar kurrë
sepse nëna ime s’ka ditur as shkrim lexim
por sa herë ia dëgjonte këngën shpendkeqes rreth shtëpisë
parashihte gjendje të keqe për fatin…
dilte në oborrin e shtëpisë dhe e truante
natë e ditë fytafyt me t’vërtetën pelin
as nuse si bëhen nuset s’është bërë nëna ime
as ka veshur fustan të bardhë nusërie
e ka marrë halamrukas babai atëbotë
nëpër kohën e acart nëpër kohën furtunë
dhe siç thotë vetë më vonë në një kujtim
të saj: mendet kishin rrënjë…
e tash në kujtesë
më kthehen të gjitha
derisa rri pranë nënës sime
këtu në spital
ajo kupton dhe e kujton
se diçka ka ndodhur
në vitin e 78-të të jetës së saj
derisa merr nga dora e majtë
terapinë mjekësore
me ushqimin artificial…
lutem për dashurinë e Zotit
siç lutet mesiguri edhe ajo me t’veten
koha, jeta, vitet rrodhën dhe jemi
ja ku jemi te ky çast jete,
vërej fytyrën e saj engjëllore
e kredhem në një mendim
për t’ia kërkuar domethënien
se, ja çka do të thotë një çast
pra një çast jete dhe i vetmi çast…

POR, NE ISHIM

Pa dritat e mendimit…
jemi thjeshtë pjesa e pjesës të pjesëve
diçka që s’do ta shpjegoj assesi
nga erdhëm e kah shkojmë
mor askush s’do ta ndryshojë ligjin
e heshtjes bizare pasi tradhtojnë
dhe veten në fund të fundit
deri këtu kemi ardhur
duke u kapur për një fije t’mendimit
pas betejave të gjëllimit ofshajmë thekshëm
në tërë rrugëtimin tonë vetmitar
ekziston ana e errët që ne s’e shohim
pikërisht aty kemi kurthën
e shpirtit të lënë vishkull
s’është e rëndësishme
nga na vjen gjykimi
ne edhe vetëgjykohemi
për ato që s’ia arritëm qëllimit
tash qetësia ime vajton papajtueshëm
por, ne ishim…
pikëllim fatesh nëpër kohë

E PAMUNDSHMJA

Mësa një fije bari
që mund ta dijë për një fije bari tjetër
që ekziston dikund larg në botë
aq e pamundshme është ta dijë
dikush e dikund se ekzistojmë
ti dhe unë në këtë çast, pra
po flas, ja për çka po flas
për të pamundshmen
dijmë vetëm për raca njerëzish e popuj
kufij, luftëra, dhe tragjedi jetësh
por ne s’e dijmë biografinë e secilit
prandaj ne s’e dijmë as pse jemi këtu
e dikush tjetër e atje dikund
dijmë vetëm se jemi dhe në këtë formë
pra, ja për çka po flas
për të pamundshmen e njohur

E PANDRYSHUESHMJA

Ekziston diçka e paarritshme
për ta njohur deri në fund
në botën e kujtesës
qiriu i mendimit rri ndezur
në mua, përreth meje ekziston
e reziston deri në paskajësi
e mjegullt e panjohur
që rrjedhë përditë çdo çast
Panta Rhei, dhe
një ditë që s’do të jemi
më kështu në këtë ajër
po si luan teatër me ne
e padukshmja
e paprekshmja dhe hija
e atij që rrënon dashuritë
ne mbesim veç hijesim, shenja
për t’na çajtur mjerueshëm
pasaktësia nëpër hirin e asgjësë

KORI I KORBAVE

Amen, mos ua kopjoni krrokamën
s’thonë gjë prej gjëje
që i duhet bardhësisë
pos zhurmës së korbët
në shumës janë bërë të zhurmshëm
kor i mërzitshëm deri te retë
kur ta vajtojnë fatin e atdheut
janë duke ia sqepuar mëlqitë
pasi ia kanë shtjerrur
tërë qumshtin e nënës
posi, i dalin zot në secilën krizë
së bashku në kor me gjuhën e korbët

NË FOLTORE

Si po djersijnë fjalëve
fytyrave nuri i bardhë
si po ushtojnë kërcëllimës
për t’parin e radhës
askushët sërish te vargu
betohem në verën e kallirit
të thatë, në stinën e verdhë
dyll do të na dalin
veç një herë do t’i shohin
fjalë të zbrazëta prej asgjëje
paskëtaj do t’i takojmë heras
n’peshoren e ndërgjegjes së vrarë
askushët sërish në krye të vargut

NËN DIELLIN TIM

Ecjen e bëj të flashkët
me thirrjet në vetvete
dhe ngrohem
ashtu si di vet
në botën time të vogël
vetëm poezinë e kam
dashnoren më besnike
që s’më lë të vetëm
edhe atëherë kur s’më shohin
edhe atëherë kur s’ më njohin
o ati ynë, bota dhe njerëzit
qenkan një reklamë e madhe
të mërdhijnë hipokrizitë
kur ndeshesh ballëpërballë
me intrigat, laviret e demonët
kujt t’i qahem e kujt t’i besoj
veç poezisë që më mbetet afër
një pikë helmi në dhembje fjalësh

PRAPË DEMONËT

Dje ishin kokë cerberësh
kryerrugës, kryejetës
nëntokës kaliruan me biografitë
e egra prapashpine
plehu i kohëve t’perënduara,
ende ua zbardhë rrugët
e idealit t’një plehurine
në kryejetë në kryerrugë
kanë dalë përsëri
të verdhë, të kuq,
soj i çuditshëm
helmin e gjuajnë kujdesshëm
në kohë tjetër në njeri
dhe prijnë me flamujt
e dufit të tmerrshëm
në krye të radhës
nën dardhë kokrrojnë

RISANI

Aty, vetëm pluhuri
i Ilirisë së madhe
një dhembje
për t’humburën
po ma brente shpirtin
askund mbretëresha
Teutë,
unë – askushi aty
dhe askund
fjala e bukur shqipe
veç kthimi në kohë
dhe një dritë në kujtesë
për luftërat, tmerr i njerëzimit
ika për ta shëruar plagën
atje te lumi Shkurd

PERASTI

Perasti ishte dikur
një pikë në Iliri
tash detit iu kthye
mendimi se është
dikund përsëri si pikë
me bokelët vendas
nga rrënja ilire
me vetëm dy fije emri
ballabanët dhe Lindi
a thua do të Ri-lindin
LUMI SHKURD
Lum shkurti,
po të thellë burimin
po të shkurtër rrugën
po të lashtë rrjedhën
më thuaj kah i del
më shkurt, për t’jetuar
shqip me detin

Ulqin-Risan,2002

HARRIM U BËMË

Koha kaq e shurdhër
e spo na e zë as fjalën
as zëri s’na dëgjohet kund
hapësira sa e gjerë
i vie era pis
nga myk i mendimeve
e s’e shohim njëri-tjetrin
nga hipokrizia e vetvetes
amen mor si ia dalim
kështu drejt Bregut
e ai na pret në maje
me shpatën e njëjtë
ne ngjitemi rrugëjetës sonë
mugët dhe bëjmë sehir
me jetët tona e lavdet
e fitorët e minjve
harrim u bëmë kaq kohë
e s’po e kuptojmë asnjëherë
as n’fund as n’fillim Dhembjen

GJITHÇKA DHE ASGJË

Gjithçka jeton në mendjen time
gjatë kërkimit për ta arritur majën
fillon në mëngjes dhe ekziston
në secilën ëndërr deri te asgjëja
gjithçka nuk mbaron dikund
në mes, por në fund të zhgënjimit
nuk përfundon atje
në mesin e mjegullës
pa vdekur shpresa në kërkimin
e përjagur caqeve të jetës dhe mundimit
gjithçka dhe asgjë janë dy skaje
janë dy fije të frymëmarrjes
që nga ecja e deri te fundi i ecjes
gjithçka dhe asgjë vërehen përditë
e përnatë në secilën rrugë jete
nëpër secilin ndriqim që s’preket
sepse mund të të humbin para syve
si një hije e bukur prej hyjnije
gjithçka dhe asgjë janë të varura në krahët
e ëngjullit dhe s’mund të lagen nga shiu
gjithçka dhe asgjë janë shumësia e numrave
rreth e përreth kozmosit dhe kaosit
janë vetëm lidhje numrash të përjetshëm
gjithçka dhe asgjë janë hiri i mbetur i një feniksi
janë përtërirja, janë jeta e dikujt deri në vdekje
prandaj, gjithçka dhe asgjë janë një fiksion i bukur
kur mendon se të gjitha i ke, dhe asgjë s’është ytja
aty ku është gjithçkaja është asgjëja
dhe aty ku është asgjëja është gjithçkaja
nëse i ke të gjitha nuk ke asgjë
nëse nuk ke asgjë do t’i kesh të gjitha
asgjë është një numër i pallogaritshëm
dhe njëkohësisht një llogari bankare
që s’e ke hapur kurrë në ndonjë bankë
gjithçka është një llogari e madhe
që ke ëndërruar ta kesh në ndonjë bankë
amerikane, evropiane, në mars apo në hënë
dhe jeton sërish nën jehun e egër të asgjësë
kjo është gjithçka dhe asgjë
je e tëra dhe s’je asgjë prej gjëje
gjithçka mund të jetë një shumë e pagëlltitshme
ndërsa asgjë mund të mbetët një zero e akullt
në gjithçka mund të shëndrrohen buzët
e paputhura të një të dashure të shpirtit
në asgjë mund të përsëriten tëra përpjekjet
për t’i puthur ca buzë të dashura femre
gjithçka mund të jetë një kujtim prej hiri
asgjë mund të mbetem pas fund-fillimit
sepse gjithçka dhe asgjë janë realitet i mërzitshëm
mos u lodhni me gjithçkajen dhe asgjënë
lërini të qeta në rehatinë e mistershme të kaosit…
më në fund gjithçka fillon prej asgjëje
asgjë mund të fillojë prej gjithçkaje

Prishtinë, maj 2003

BALADA E KTHIMIT NË ATDHE

Tash u kthyem te burimi i etjes
për t’u dhënë kohëve emër e mbiemër
shpirtrat e mi të vegjël, loçkat e babit
kur ika nga kjo hapësirë
isha vetëm, endësha vetëm
vishkull në një andrrallë
që nuk shpjegohej n’gjuhë të huaja
kisha një qëllim të vetëm
që m’ bënte dritë rrugës, mugëtirës
të kthehesha patjetër te burim i etjes
e ta prekja me shikim gjeografinë
time të lirë, hirin e saj të flashkët
erdhëm lehtë fare, pahetueshëm
asgjë nuk e gjetëm në vendin e vet
dikend s’e njoha dikush s’më njihte më
s’e kuptoja vetveten as pasluftën
me emra të vrarësh nga rrënja e kombit

Prishtinë, nëntor 2005

QËNDRIMI VERTIKAL

Valët përbijnë
njëra-tjetrën
edhe dashuritë poashtu
po shkëmbit i mbesin
vetëm vrimat e plasat
e ca gjurmë t’ përplasjes
sa shumë duron
e s’luan nga vetvetja-

HIJA SHETITËSE E TJETRIT

Më tmerron Hija e tij
rrugëve të frymës sime
andej kah jeton
si bishë e plagosur
duke kërkuar shtegun
në vallen e djallit
është fije e pakëputur
rrugëve ma pështjellë
lëmshin me ngjyrë fute
dhe përgatit akt tjetër
për vrasjen e Laokoontit

KAOSI

Çdo gjë që u krijua
nga kaosi
mund të kthehet
sërish aty
për t’u vetëshkatërruar
sepse kaosit
nuk i besoj
mësa besës
së një lavireje…

PRAPË DEMONËT

Dje ishin kokë cerberësh
kryerrugës, kryejetës
nëntokës kaliruan me biografitë
e egra prapashpine
plehu i kohëve t’perënduara,
ende ua zbardhë rrugët
e idealit t’një plehurine
në kryejetë në kryerrugë
kanë dalë përsëri
të verdhë, të kuq,
soj i çuditshëm
helmin e gjuajnë kujdesshëm
në kohë tjetër në njeri
dhe prijnë me flamujt
e dufit të tmerrshëm
në krye të radhës
nën dardhë kokrrojnë

ULCINIUM

Në këtë qytet
dashurohet shqip
e s’të sheh as zoti-
vetëm se,
dashuritë tradhtojnë
sepse kanë gjak njeriu

RREZATIMI I DASHURISË

Rrezatimi vjen
nga shpirti i femrës
jo nga shtrati i saj
prandaj, e gjurmoj
deri në thellësi atë shpirt
që e dua deri në fund
duke më djegur thellësisht
ma shkurton ngapak jetë
sa më shumë që e dua
aq më thellë më vret e padukshmja
në mesrrugë furtunash
thërras në vetvete
m’duket se Erosi
paskësh qenë tradhtuar
aq shpesh nga rrezatimi i dashurisë
prandaj, i them, ik oh djall
kjo natë është mallkim
më shumë se dashuri
mëkat që s’ lahet
me një jetë…

Prishtinë, 26.4.2003

MBROTJA NGA OKTAPODËT

Nëpër teh kurrë s’i kanë rënë
rrugët i kanë pasur të shtruara
me lule gjithfare,
dhe sërish i shtrojnë drejtimet,
i gjejnë tëra hyrje-daljet
nuk shtyhen fytas me rribat
dalin andej kah vetëm ata dalin
hyjnë andej kah vetëm ata hyjnë
format i ndërrojnë sipas çastit,
sipas kohës dhe rastit, pamjet
e vetmja mbrojtje nga oktapodët
t’i rrish pip në këmbë historisë
dhe ta shkruash secilën faqe t’jetës
me gjuhën dhe gjakun e së vërtetës

E DUA…

E dua femrën të veshur
me ndriçimin e tejdukshëm
kur e shoh të zhveshur
nuk ngopem me zbrazësinë
e saj të pafundme
plot jetë të magjishme
kujtoj, është më mirë
kur e dua të veshur
me ndriqim të tejdukshëm
kur e dashuroj të zhveshur
s’ngopem me zbrazësinë e pafund
përplot epsh të magjishëm
e kërkoj, sërish ta dua, ta takoj
sikur t’i kisha një mijë jetë
do të përgjërohesha njëjshëm

QYTETI NATËN

Mbushet ditën
zbrazet natën
shikimeve të heshtura
urave të ngritura
dashurive të rrënuara
ngjarjeve të tronditura
dhe kurrë nuk u dihet
fundi as fillimi

Gusht, 2003

BUNGAJË
A bën një ditë
së paku një ditë t’vetme
pa ulërimat e njeriut
pa vetëvrasjen
e tij të përditshme
n’zërin e ndërgjegjes
së paku një ditë
pa këtë ulërimë njerëzore
po sa bukur e shëmton vetvetja-

Prill, 2004


TRIPTIK PËR TRADHTINË

1.
M’u soll pas shpine si gjarpër
ma helmoi rrugën, ma ngulfati fatin
më helmoi saherë
në bardhësinë e fjalës
2.
Në fund kafshoi edhe bishtin
e vet nga xhelozia-
ngase unë arrita në cak i pari
3.
tradhtia tjetër ishte vetë lubia
m’i helmoi stinët dhe kohët e mia
tradhtia e tretë
pas meje kafshoi kokën e vet
por unë vuajta gjatë nëpër jetë-

Essen,dhjetor 2004

APOLOGJIA E GJËRAVE QË S’JANË

Në mbretërinë e Hadit
janë shpirtra kristal
ndriqojnë thekshëm
e shkumbëzojnë të zezën
nga e zeza e tyre tmerrshëm
të shtirur gjithë jetën si hije njeriu
kinse për t’u besuar
në ato që s’i kanë
tërë qenia e tyre e pakët
ndriqon në mbretërinë e Hadit
në ato që s’janë tjetër
veç spik i zi te kohët e asgjësë
është e vetmja pjesë e tyre
që u takon nga tragjedia e fatit

TË JESH VETVETJA

Të jesh vetveteja vertikalisht
katërcipërisht vetëm vetvetja
në secilën rrugë të fundit e t’fillimit
edhe kur t’lëbyrën sytë
nga dritat vezulluese
të mashtrimit fatzi
edhe kur ta ndrydhin kujtesën e lshtë
edhe kur ta shtrydhin lëngun e t’pathënmes
edhe kur ta hedhin
mendimin në rrashtë
edhe kur ta dredhin
vetvetja të mbetesh
me atë qëndrimin vertikal
mos ia lako as edhe një hap
ecjes, siç e ka njerëzisht
e jotja, biografi,përjetësisht
të jesh vetvetja
në substancën tënde
që të mbron nga acari
i imoralitetit njerëzor
të mbron nga kutërbimi
i mendësive t’pamoralshme
në të gjitha kohët
pra,patjetër të jesh vetvetja
është vlerë që ruan bërthamën
në substancë të qenies
dhe në dritën e vetëdijës

SPEKTAKËL I HIJEVE

M’i kanë tradhtuar
të gjitha dashuritë
lakmitë e tyre të zeza
uritë e tmerrta
tradhtarë fatesh
cerberë e t’pabesë
orgjive dhe fundit të tyre
koha vdirret e pashpresë
ata,flamuj në gjysëm shtizë
vetë spiku i zi në kujtesë

ISHULLI I QENVE

Bëjnë banjo qençe në natyrë
dhe mbajnë higjienën personale
nën jehun kutërbues të shurrës
pastaj lehin thik përpara
e kafshojnë me t’pabesë mbrapa
vazhdojnë me avazin e vjetër
pas kudrave besnike t’lëna n’mëshirën e fatit
maninë e t’lehurit s’e ndalin
ditë as natë ndaj biografisë njerëzore
çarten egërsisë me sytë e kuq
si të komunizmit kundrejt kokave
në ishullin e tyre bëjnë jetën fare të lirë
e demokratike sipas doktrinës qençe-
sërish pëshurrin gjurmën e vet
nën jehun e t’lehurave nervoze

Shkurt,2000

NË NJË JETË PAS KRISHTIT

Gjeli zgjohet në mëngjes
dhe shikon mundësinë
e fillimit të një kënge…
nuk e kupton dot
trishtimin e të tjerëve
që vuajnë gjithandej,që vdesin
pa asfarë ndihme praën tyre…
hë po çdo bënte ai gjel
me aq fuqi te veten,pa e ditur asnjëherë
se kur dhe kush do t’ia pres kokën
në një jetë pas Krishtit
kemi vuajtur dhe ende vuajmë
njerëzoren e kryqëzuar në Golgotë
pse m’i shkaktuat gjithë këto vuajtje
përse ma bëtë tërë këtë përçmim
mor ç’keni fituar nga lavditë
e zeza t’urretjes djallëzore,
gjeli zgjohet si zakonisht
dhe unë zgjohem në oarën gjashtë
shikojmë mundësinë e fillimit
të një kënge që trandë shpirtin
pa i kuptuar udhët e mundimit njerëzor
nesër,pasnesër e përgjithmonë
në Librin e Zanafillës
është shkruar e vërteta e t’vërtetave
për ta mësuar,për ta thënë
për ta zbuluar,për ta ruajtur
nesër kujtojmë se vdesim të mirë
si ëngjëj të pafajshëm pas këngës
ende kullon plagë e gjallë degëve të kombit
prandaj në tërë një jetë pas Krishtit
kuptimi është tkurrur në kutinë e mendjes
mbi një qiparis thehen rrezet e diellit
dhe bie më pas një shi i shëndetshëm
zot-o,amen na ruaj kujtesën
dhe kuptimin për ta kuptuar
herët a vonë a ndonjëherë
se jemi dikund veç kuptimi
i diçkaje që lëviz përgjithmonë
në kërkim për të kuptuar,
se dashuria është i vetmi
bar shërues për shpirtrat
që s’urrejnë e që s’kanë mëkatnuar…


Floaripress,2014.

Vërejtje:Nuk lejohet publikimi i tekstit pa lejen e autorit!

TEKSTET PO KOPJOHEN DHE PO PUBLIKOHEN  DUKE LARGUAR EMRIN E AUTORIT TË SHKRIMIT!

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri