Që prej shekujsh rron e thëna: "Qengj’ i urtë pi dy nëna". (Cikël poetik dhe fabula nga Ferit Lamaj)

Ferit Lamaj


Ferit Lamaj u lind në Korçë më 6 janar 1955. Kreu studimet e larta për gjuhë-letërsi shqipe në Tiranë. Lamaj është nje nga fabulistet me te mire shqipetare. Ka publikuar 60 libra, në faqet e të cilëve renditen mbi 3500 fabula. Disa nga titujt e librave: “Në verë dhe në dimër”; “Në kopshtin zoologjik”; “Tosi me fustan”; “Kush e hëngri mjaltin?”; “Gjelkokoshi zgjon derrkucin”; “Bilbili dhe gjinkalla”; “201 fabula”; “Dhelpra doganiere”; “Dhelpra e Trojës”; “Kafshët flasin”; “Bubi, beci dhe kaleci”; “1111 fabula”; “Papagalli pinguin”; “Një deve pranë Eifelit”; “Derri me tri këmbë”; “Fabula erotike”; “Gërvisht e gërvisht”; “Mikrofabula”; “Lakuriqi lakuriq”; “Miss Dhia”; “Mbreti xhuxh”; “Gici dhe polici”; etj.
Foto: Ujku

Ç’e zu halli derrkucgjorin:
nuk hap dot televizorin,
te ekrani futur thellë
Ujku gojën çel si shpellë.

Radion Gici ndez pas pak,
nis zëçirret Ujku plak.

Te gazeta, mu në ballë,
Ujku shqyen gjënë e gjallë.

Gici sot te magazina
blen një qeskë me patatina;
tek e gris, shfryn: - Uf, ç’u çmenda!
Po sikur të jetë brenda…
Fabulat e Ferit Lamajt janë përkthyer e botuar në disa gjuhë: anglisht, frëngjisht, spanjisht, italisht, greqisht e rumanisht. Krijimtaria e tij është ekranizuar në albume fabuleske nga TV shqiptar, nën interpretimin e aktorëve Kadri Roshi, Margarita Xhepa, Lazër Filipi e Roland Trebicka.

Është hartues i përmbledhjes antologjike të fabulës shqiptare si dhe fitues i mjaft çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, ku spikatin: çmimi i parë në konkursin kombëtar të 45-vjetorit të Çlirimit (1989); çmimi "La Fonten" nga Ambasada Franceze në Tiranë (1995); çmimi “Libri më i mirë për fëmijë në gjuhën shqipe” (Maqedoni, 1996); çmimi i Karrierës (1996); medalja e argjendtë në konkursin ndërkombëtar "Il faro d'Argento" (Itali, 1998); medalja e argjendtë nga Biblioteka Ndërkombëtare e Poezisë (SHBA, 2002); medalja “Naim Frashëri i argjendtë” akorduar nga Presidenti i Republikës (2005); lista e Nderit e IBBY-t (Kinë, 2006).

Ka studiuar e hulumtuar në fushë të fabulës në Greqi, Itali, Francë, Gjermani, SHBA, Bullgari, Rumani, Zvicër, Austri, Egjipt, Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi, Çeki, Kinë.

Është anëtar i Shoqatës Botërore të Fabulistëve si dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj.




Ujku

Ç’e zu halli derrkucgjorin:
nuk hap dot televizorin,
te ekrani futur thellë
Ujku gojën çel si shpellë.

Radion Gici ndez pas pak,
nis zëçirret Ujku plak.

Te gazeta, mu në ballë,
Ujku shqyen gjënë e gjallë.

Gici sot te magazina
blen një qeskë me patatina;
tek e gris, shfryn: - Uf, ç’u çmenda!
Po sikur të jetë brenda…




Kandidati

Nis fushata politike
me premtime bombastike.
Kandidati shet parime
me premtim - këmbim - shkëmbime.
“Gegë, çamë e lalucë:
pesë vota …një derrkuc!
Malësorë, katundarë:
dhjetë vota …një gomar!
Toskë, labë, ju flas copë:
njëzet vota …baras lopë!”

Parlament krejt për së mbari:
Gici, Lopa dhe Gomari…


Titujt


- Në kujtim të Nonda Bulkës -

I thosh Zonja një behar:
- E ç’më hiqesh si shkrimtar,
kur një titull s’e ke marrë?!

- Ç’i do titujt, moj e gjorë,
kur të gjithë ma bëjnë me dorë:
“Tungjatjeta, Profesor!”


Përroi psikik

Një Kërriç psikopatik
i shkon Frojdit në klinikë
për konsultë, merret vesh.
Profesori qesh e ngjesh:
- Ti notoke, dëgjomë mua,
bash në …lumë, jo në përrua!



Kolltukofagut

Mos ultë bythën në kolltuk
Ai copëmish:
para uljes …pulë kllukë,
prapa bëhet bishë

Derrit …Dajë!

Dosa sosi Drejtoreshë;
boll e zonja veç për peshë.
Më lugate, çfarë lubie!
Që të gjithë u bënë me hije,
dyllë fytyrat – e verdhë veze:
s’i thonë “Dosë”, por i thonë …“Teze”!


Tabelat…

Te qyteti, mbi motor,
me njëqind e ca në orë
fluturonte Majmun “trimi”:
s’njeh tabelë qarkullimi.

Mirë o mirë, po Polic Çimi
s’njeh tabelë …shumëzimi.



Këshilltarët

Mbret Luani në Pyllshtet
këshilltarë ka plot tridhjetë.
Plot tridhjetë këshilltarë?!
Jo Luan, qenka …Gomar.

Koha e hekurit

Lindi tre mijë vjet më parë
dhe pushtoi botën mbarë.
Sot më del, sipas hesapit,
po jetojmë Kohën e …skrapit.



Farefis

Farefis e nga një …Pis.

Engjëlli

Mu në xhungël, në Afrikë,
zgjidhet Engjëlli Mbret,
që të zbusë çdo egërsirë
e t’u bëjë Shtet.
Nëpër pyje, nëpër fshatra,
Engjëlli zemërmirë
jo që kafshëve s’u vu flatra,
por i ngjitën brirë…



Viçi

Ç’ves të poshtër paska Viçi,
zhvat në arë e vidh në stallë.
Punë hajduti, punë dobiçi;
damka pullë mu në ballë.
Ta flas shkoqur, ta them copë,
se merak të madh e kam:
s’u bë Viçi kokëlopë,
porse kokëhipopotam…



Kryepijaniku

Derri rrumbull, gojëshkumë,
djersët det e lotët lumë.

S’është shkumë, dhallë a hirrë,
porse …birrë, deli birrë!

S’i ka djersë Derr zavalli,
por …raki ç’i buron balli!

Jo, jo, shok nuk ka të dytë:
Verë, verë i del nga sytë!

Dhe nga veshët, vrik përpjetë:
njëri …ponç, tjetri …fërnet!

Ju rrëfeva aq sa munda:
kushedi ç’do qesë nga hunda!



Qerosi

Për një post në Dikaster
konkurrojnë këtë herë
sharlatanë, aventurierë…

Marrka pjesë dhe Qerosi.
“Qysh t’ia fusim? - pyet Bosi. -
Mençurinë ka në gjen;
s’i gjejmë dot as ves, as cen!”

Diç Urithi nakatos:
“Shef, ia gjeta, është …qeros!”




Kapteri te Berberi

Kapter Zefi, tek u rrua,
fët Berberit: “Nuk më thua,
ç’punë bën ti, byrazer?”

Ia pret ky: “Punoj …Kapter!”

Gjueti

Dy qen gjahu kësaj radhe
në kurth kapën një kunadhe.
Njëri s’priti doemos,
fët e fët ç’ia …rrumbullos.

Dhelprën zunë në fund të fshatit,
“Don Zhuani” vu zanatit…
Ç’i leh shoku gjithë oreks:
- Del për gjah apo për …seks?!




Pas fitores

Pas fitores në betejë
nis mësymja gjithandej
për të mbythur ndonjë punë,
kacavarur si majmunë.

Flamurtarit s’ia var kush;
sa s’e pshurrin, me nder jush!
Tek troket zyrë më zyrë,
nuk po njeh asnjë fytyrë.
Njëri fjalën shket si ngjalë:
- Jemi …trimat ilegalë!



Dënimi i Peshkaqenit

Dha vendim gjyqtari,
aq sa bëri bujë:
“Dënohet vrastari
me mbytje në ujë.”

Një i marrë
- Përrallë ndryshe -

Një i marrë s’e zgjat shumë,
fët hedh gurin thellë në lumë.
Një i mençur pa hiç bujë
shtyn marrokun mu në ujë;
thirri fjalët e argjendta:
“Ja nxirr gurin, ja rri brenda!”




Shfryn Veriu

Në një shtet gjetiu
na u çmend Veriu,
ç’rron mbi tokë, ngriu;
tok flenë macja, miu.

Tek ne më dreq fati,
treshe shtrirë te shtrati:
macja, miu, djathi…



Zhvirgjërim

Njoh, për turp, ca tipa,
pa pikën e burrit.
U ka plasur cipa,
virgjëri e trurit…




Celulari me dy karta

Dhelpra zuri post të ri,
Drejtoreshë në Qeveri.
Celularin, dale, dale,
me dy karta personale.
Bëri provën shpejt e shpejt,
tak i ra numrit të vet;
thirrja zgjatej pa hesap:
- A t’ia hap a mos t’ia hap!


Telenovelë

Katër Zonja gjerbin kafe,
për Ezelin* tjerrin llafe;
porsi pulat në oborr
kakarisin katër orë…
Në fund tonet janë të buta,
flasin fiks katër minuta
për papunësinë e shkretë,
që jetojnë tash katër vjet!
_________________________
*Personazh i një teleseriali turk.



Komedia

Ndrit reklama në vitrinë,
dihet, pas avazit:
“Bli biletë për komedinë,
që të dhitesh gazit!”

Nga reklama ç’u marrosa,
s’shkruhet dot me laps.
Jo që hiç s’u menderosa,
porse ngela kaps…




“Invalidi”

Invalid nuk je nga sytë;
veshët pipëz, s’gjej të dytë;
edhe këmbët i ke top,
pas partive me galop…
Gjer më sot ndërrove shtatë,
porsi Mbreti këmben gratë.

Ç’diagnozë Mjeku të vuri?
“Invalid, me gjysmë truri.”



Adresë elektronike

Ujq e dhelpra të pabesë
kanë së toku një adresë,
një adresë si paradhomë:
“zhvateshqyej@.com”



Shkallë gjyqësori

Për ca prona të tim gjyshi
shkuma po më del.
Njëzet vite gjyq pas gjyqi
me rrënjë, me themel.

Nëpër shkallë zbrit e hip,
rrahur si këlysh:
kur ia nisa isha nip,
sot jam …babagjysh!




Vitamina

Mbret Luani Pyllin - Shtet
e kërdisi, e la shkretë.
Mjerë kafshët, ç’pikëllim!
Pa një strofkë, pa ushqim…
S’këndon bilbil e thëllëzë,
pemët prerë gjer në rrëzë,
bimët mbetur pa kërcej,
dhimbje koke gjithandej.

Lepurushi flet nën zë:
- Po marr vitaminë B 1!

Derri noçkën çon përpjetë:
- Me këtë palaço shtet
futi ca B 12!…



Fërkimi

Njëherë në një klub,
tek pinin kafe grup,
Dikush Njërës iu qep,
nën tavolinë si grep
shtrin dorën allasoj,
Zonjushën ta fërkojë.

Pas kafes, me një Shok
shkëmbeu dialog:
- Ajo, more jahu,
nuk kishte kofshë, por dru!

Kolegu zgjidhi tezën:
- Do kesh bërë copë tryezën!


Relativiteti

Ajnshtajni disi tinëz
i binte violinës.
Thërret me aq dëshirë:
“Si dukem, luaj mirë?!”
Ç’ia bën vetes me gisht:
“Eh, mirë …relativisht.”

Aleksandri dhe Diogjeni

Aleksandri kohë më parë
ç’ia mbush vezët plot me ar.

Diogjeni fitilndezës:
- Më bën keq e verdh’ e vezës!



Pritje populli

Dhelpra pritje paska sot,
ç’u mbush lista, mos o Zot!
Plot treqind, nxitojnë të tjerë:
Dash e Cjap, Kërriç e Derr,
Pulë, Patë e Gjeldet,
halli hallit nuk i ngjet.

Dhelpra fët shkel njërin sy:
“Le të futen dy nga dy!”

“Ç’dy nga dy, - Ketri Maçokut: -
T’i qajmë hallet shoku – shokut?!”



Shtetrrethim

Në pyllshtet plas anarkia,
s’mbahet shpezë – kafshëria…

Mbret Luanit një Çakall:
- Shtetrrethimin pse s’e shpall?

Madhëria: - More trim,
me dajak e shtetrrethim,
e kanë thënë sak të parët,
qeverisin dhe Gomarët…

Dumas (Ati), Dumas (Biri)*

Te një dramë me dy pjesë
Dumas (Biri) korr sukses.

Dumas (Ati) urtë e butë:
- Kam dhe unë kontribut!

- Po, po, je, - i thanë të gjorit, -
Auor i autorit…

_________________________
*Shkrimtarë të shquar francezë.



Peshkatari …politikan

Lë liqen, e lumë, e det,
var në gozhdë grep e rrjetë;
bëhet bash politikan:
peshq e ngjala, more xhan,
i vijnë vetë në tigan…

Gjilpëra me kokë

Gjilpërën me kokë
ç’ma mburrte një shok
përherë jashtë radhe:
“Është kokë e madhe!”




Foto: Titujt
- Në kujtim të Nonda Bulkës -

I thosh Zonja një behar:
- E ç’më hiqesh si shkrimtar,
kur një titull s’e ke marrë?!

- Ç’i do titujt, moj e gjorë,
kur të gjithë ma bëjnë me dorë:
“Tungjatjeta, Profesor!”
Vizitë

Derri qe aq i sëmurë:
ethe, kollë, temperaturë.

Dosa llafet fët i tori:
- Shpirti im, po vjen Doktori!

Porse Derri ka vënë prita:
- Jam pa qejf, nuk pres vizita!

Lao Tze*

Në të gdhirë, një mëngjes
ç’i thotë Laos një kinez:
- Donin të më bënin puç,
por nja tre i hodha tuç!

Filozofi fluturim
qet prej goje një qortim:
- Ç’bën me botën shuhen, treten.
Je një hiç, po s’munde veten!

__________________
*Filozof i lashtë kinez.



Dhelpra, Ujku…

Dhelpra, Ujku bënë kërdinë:
Njëra griu pularinë,
Tjetri rropi bagëtinë…

Në fund Dhelpra ra në lak;
epo burgun e ka hak!
Te biruca bishtin – fshesë
seç heq zvarrë dyshemesë.

Hidhen Dhentë: - Ç’ditë e mbarë!
E tërheqtë dhe këmbën zvarrë…



“Përrallat”

Ç'u gdhi Derri Deputet,
mori laps e nxiu fletë,
shkroi libër me “përralla”:
sesi koqe paska Halla,
sesi qumështi del nga dhalla,
sesi dardha pjell gorrica,
sesi Derri paska cica…

Noçkën Derri tund krenar:
- M’u shit krejt tirazh’ i parë!
Si shkrimtar i madh, i vjetër,
tash do shtyp tirazhin tjetër.
Kësaj radhe, more burrë,
them, ta vesh dhe me lëkurë!

Dashi fjalët pjek në furrë:
- Kur të sosë legjislatura,
shih sesa të vlen lëkura......




D-U-R-I-M!

Kam një dert, një shqetësim;
po më çmend, hej, miku im,
ky refreni: “Pak DURIM!”

Prit e prit, prita aq shumë;
më del “D”ja dhe në gjumë.

Ja, i shtyva disa ditë,
porse “U”ja më zë pritë
si Ujkonjë me Ulërimë:
“Pak DURIM, bëj pak DURIM!”

Shkuan javë, erdhën muaj;
nga lajthitja, Zot, më ruaj!
Ta marr “R”më fort për dore
tok me “I”në Iluzore
dhe t’i flak përtej, përtej,
se pak prehje nuk po gjej…

Ç’më thotë “M”ja: - Zotëri,
çdo D-U-R-I-M ka një kufi!



Ndryshim ore

Milingonat punëtore,
jo, nuk njohin ndryshim ore;
porsi lumë vërshojnë tek ara:
- Ora pas, por ne përpara!



Kufje celulari

Gici me kufje në vesh,
në noçkë mikrofon,
Bulevardit qesh a s’qesh,
llap a s’llap me ton!

Hidhet Dashi: - Marifete!
Iku ky, po flet me vete...



Kryekusareshë me vulë

Zonja Dhelpër nuk la pulë,
Kryekusareshë me vulë.

Zoti Ujk gjithë grigjën grin,
Kryehajn me vulë e firmë…


Pa u lagur…

Dhelpra mbrëmë te qymezi,
si përlau nja dy pata,
fët “motorin” seç e ndezi
e ia mbathi me të katra…

Teksa hodhi një përrua,
ç’u bë qull këmbë edhe bisht.
Bishti kokës iu drejtua:
- Pa u lagur …ti sërish!


Fotot

Në album fotografik
kafshë të kopshtit zoologjik.
Shih, shih, Qelbësi! Ky, për nder,
dhe në foto vika erë…



Derri me tri këmbë

Kthehet Beni prej mësimit:
- Mami, ia kalova Çimit! -
Pastaj shtoi nëpër dhëmbë: -
Thashë, derri ka tri këmbë.
- Ty mësuesja të mban hatër,
S’ka tri këmbë, por ka katër.

Beni mamin sheh në sy:
- Epo, Çimi tha, ka dy!





Disa Fabula:

Një thënie e re
Që prej shekujsh rron e thëna: "Qengj’ i urtë pi dy nëna". Por nuk dini më të renë: "Pi servili gjithë kopenë"...

Kanarina

Engjëllorja kanarinë Në kafaz rri e trishtuar. Sheh një ujk që ulërin, Ulërin si i tërbuar.
Eh, moj botë, botë e mbrapshtë, Kë mban brenda, kë lë jashtë!...

Pasfjalë

Më ka rrëmbyer fabula që herët. Humbisja pas Ezopit e Fedrit, La Fontenit e Krillovit, Trilusës, Naimit, Santorit e Çajupit. Fabula është magjike. Të ngjizet në shpirt. Të pushton. Të josh me përjetësinë e saj. Fabula nuk do të ketë kurrë vdekje. Ajo ka gjalluar njëzet e pesë shekuj më parë, do të gjallojë edhe njëzet e pesë të tjerë, edhe dyqind e pesë, edhe... Le të më falë lexuesi, nëse pasionin dhe dashurinë ndaj fabulës do ta shprehja përmes vargjeve: "Rrëmbemini të gjitha:/ Mish, e kockë, e gjak./ Larg kthetrat nga fabula!/ Larg!" Fabula bën çudira. Të ledhaton, por edhe ta ngul. Fabula është e tillë. Disi "e pabesë", ngaqë e tillë është vetë jeta. Fabula ndjek jetën. E lufton me armët e saj të fuqishme: me humorin, sarkazmën, ironinë, groteskun, alegorinë, paradoksin, lakonizmin, befasinë, e mbi të gjitha, me filozofinë e saj. Fabula është filozofike. Siç shprehet Dritëroi në parafjalë të këtij vëllimi, fabula shpejt bëhet pronë e të gjitha moshave dhe profesioneve. Është pikërisht kjo ndër arsyet që i jam përkushtuar i tëri fabulës. Fabulisti lumturohet kur krijesat e tij shëtisin te sa më shumë duar e sy.
Ferit Lamaj
Globi - Kokë
Globi - Kokë glob më vete, Supershtete, minishtete.
Shtetet - Buzë buzabuzë... Shteti - Gjuhë pjell akuzë.
Shteti - Gojë, shteti - Gojë Po u hap, diç do kafshojë.
Shteti - Hundë Shfryn ku mund.
Shtetet - Faqe Lypin paqe.
Shteti - Ballë Rrudhat palë.
Thellë ç'fsheh pyllshteti - Flok: Derra, ujqër a maçokë?
Shtetet - Veshë vesh më vesh: "Koka ...glob apo përshesh!"
Shtete - Sy na qenkan dy, Kanë sy a s'kanë sy?!
Globi - Kokë djeg si furrë. ...Deri kur? Deri kur?


33

Çohet gici në tabelë.

- Shkruaj numrin 33!
Gici rri si torovel.
I thotë pata: - Shkruaj, ç'ke?
- Nuk e di, si është e mbara: Cilin tresh të vë përpara!

Përgatiti Flori Bruqi


Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit