UDB-ashët dhe “patriotët”





Çfarë e dallon një tradhtar shteti, i cili spiunoi për agresorin e pushtuesin në dëm të vendit të tij për përfitime personale, dhe një politikan që me pushtetin që i jep pozita e negocion territorin e shtetit, e vjedh atë, e shkatërron çdo sektor kyç bashkë me grupin e tij të dyshuar për krim e korrupsion?
Kjo kategori vepron në emër të luftës që ka bërë për çlirimin e vendit. Rezultati përfundimtar nga të dyja anët është i njëjtë. Dikur bashkëpunëtorët e shërbimeve sekrete serbe dhe jugosllave pos shumë të këqijave që i kanë sjellë Kosovës edhe kanë vrarë ata që i shihnin si “rrezik” për “pushtetin popullor”, i cili më së paku ishte i popullit.
Por, disa nga politikanët tanë të pasluftës çfarë bënë? Sa vrasje u kryen nga 1999 e këtej, sa njeriu me nam shkoi pa nishan, sa prona u uzurpua, kush u bë milioner brenda natës, ku i gjetën paratë për të privatizuar me mijëra hektarë tokë shoqërore, kush i ka në duar monopolet kryesore në vend, sa prej tyre punësuan farefis në PTK, KEK dhe Aeroport? Kush guxon t’u bëjë zë këtyre matrapazëve tash 15 vjet nga mbarimi i luftës? A ka prokurorë? A ka hetues policorë? Ka, por jo për vjedhësit më të mëdhenj të këtij vendi.
Çfarë domethënie ka për një ish-luftëtar të UÇK-së, që para disa vitesh e vuri në peshoren e luftës vetë jetën për lirinë tonë kur dëgjon për të bëmat e një UDB-ashi dhe kur sheh sot bashkëluftëtarin e tij, në të shumtën e rasteve mashtrues, që abuzon me pushtetin që e ka në dore?
Kjo kategori për interesa personale na e dëshmoi se është në gjendje të shkelë mbi gjithçka. Cili, pra, është dallimi i një spiuni të Serbisë dhe i një pushtetari që hyn në pazare dhe kalkulime politike? Në sytë e një luftëtari që dikur ishte i gatshëm ta japë jetën për një Kosovë të pavarur, me tërësinë e saj territoriale e për ta ruajtur pasurinë e kërcënuar nga gllabërimi serb, dallim mes UDB-ashit të djeshëm dhe zaptuesit të sotëm nuk ka.
Sot një dekadë e gjysmë nga çlirimi, po humbet pasuria për të cilën u demonstrua dhe u luftua, bashkë me të edhe tërësia territoriale, u degradua pasuria publike, u plaçkit gjithandej ku pushtetarët patën mundësi. Atë që e nisën UDB-ashët me shumë suksese e vazhduan një grup i madh pas luftës e që sot nëpërkëmbin popullin që po varfërohet pandërprerë.
Ata besojnë se janë të paprekshëm, sillen kryelartë, bile edhe me arrogancë, dhe nuk përtojnë të buzëqeshin në fytyrë, njësoj sikurse dikur punëtorët e denjë të shërbimit serb. Dhe sot sa herë që dikush kritikon veprimet e tyre menjëherë nga partitë e krimit dhe të haraçit shpallet zyrtarisht antiamerikan dhe gjithsesi pro serb.
Fshehja pas strehës “ndërkombëtare” apo pas “ombrellës së patriotizmit” është krimi i radhës që bëjnë këto parti komandantësh.
Këta të korruptuar që “mbrojnë vlerat amerikane” qëmoti është dashur të ndiqen nga drejtësia ndërkombëtare. Janë këta “pro amerikanë” që prej vitesh tallen me çdo vlerë evropiane e amerikane, vrasin virtualisht kritikët, shkelin ligjet, i fryjnë racizmit. Janë po këta që flasin për patriotizmin, por interesat e tyre përzihen me bizneset e kriminelëve dhe oligarkëve serbë.
Pa marrë parasysh se si do t’u tregohet historia gjeneratave të ardhshme, një është e sigurt: nëse mësojnë drejt për të kaluarën, do të kërkojnë ndëshkim si për UDB-ashët ashtu edhe për “patriotët” që shkatërruan të ardhmen – në emër të “vlerave të luftës”. Dëmi vjen nga të dyja palët. Andaj do të jetë vështirë i riparueshëm në vitet në vijim.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri