2014-03-23

Mendjendrituri, akademik Pajazit Nushi


Mendjendrituri, akademik Pajazit Nushi

Prof. Dr. Pajazit Nushi, është njeriu i cili tërë jetën ia kushtoi arsimit, edukimit, dijës dhe shkencës, por edhe çështjes sonë kombëtare. Ai, më të drejtë është vlerësuar ‘Simboli i dijës dhe i paqes’. ’Profesori i respektuar’, ‘Pedagogu ynë’, ‘Mendjendrituri’, e me emërtime të tjera.

Intervistoi: Shaqir Foniqi
Akademik Pajazit Nushi, u lind në Gjakovë më 8 janar 1933. Në vendlindje kreu shkollën fillore si dhe shkollën normale. Më 1955 i mbaroi studimet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit, dega e psikologjisë. Studimet e larta i kurorëzoi me mbrojtjen e tezës së doktoratës në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2000 u zgjodh anëtar me korrespondencë i ASHAK, kurse që nga viti 2008 është anëtar i rregullt i kësaj Akademie.
Profesor Nushi, sigurisht se këtu nuk përfundon ngritja juaj profesionale dhe shkencore?
Jo, jo, ka edhe rrugë të gjatë të dijës, të cilën e kam trasuar gjatë jetës sime. Më 1950 kam punuar si mësues në Gjimnazin e Ulët të Deçanit dhe nga shtatori i vitit 1950 u regjistrova në studimet universitare, të cilat i përfundova me 1955. Nga viti 1956 deri në vitin 1995 kam punuar profesor i psikologjisë në gjimnazin e Gjakovës, në shkollën normale të Prizrenit, pastaj në atë të Prishtinës, ku kalova profesor i kësaj lënde në SHKP të Prishtinës dhe që nga viti 1968 kam ligjëruar lëndën e psikologjisë, në cilësinë e ligjëruesit, të docentit, të profesorit inordinar dhe të profesorit ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Krahas punës së pedagogut për lëndën e psikologjisë nëpër shkolla të mesme, u mora edhe me veprimtari shkencore nëpër institucionet e larta arsimore e shkencore, si në Prishtinë, Zagreb, Beograd e Tiranë. Kam qenë ndër themeluesit e shkollave të larta, të fakulteteve dhe të Universitetit të Prishtinës, por edhe të ASHAK.
Kam qenë edhe drejtor i Entit të atëhershëm krahinor për përparimin e arsimit dhe të edukimit, ndihmës kryetar i Këshillit Federativ për arsim e kulturë, nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës dhe redaktor i Enciklopedisë së Entit Leksikologjik ‘Miroslav Kërlezha’ të Zagrebit.
Jeni marrë edhe me shkrimin e librave dhe kumtesave shkencore, me një peshë të përfillshme shkencore dhe arsimore?
Është e vërtet, kam përkthyer vepra psikologjike në gjuhën shqipe dhe kam botuar libra shkollor nga psikologjia për nevojat e shkollave të mesme dhe atyre universitare. Aktiviteti im profesional e shkencor është shtrirë në fushat studimore të psikologjisë eksperimentale, të etnopsikologjisë dhe të metodologjisë hulumtuese të psikologjisë. Nga fusha e studimeve teorike dhe nga hulumtimet empirike kam botuar mbi 130 artikuj, kumtesa dhe punime shkencore. Shumë nga rezultatet e hulumtimeve empirike u kumtuan në konferenca dhe kongrese të psikologjisë, si në Prishtinë, Tiranë, Beograd, Zagreb, në Minesoto (SHBA), Romë, etj.
Kam qenë kryetar i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës dhe nënkryetar i Shoqatës mbarëshqiptare të psikologëve. Kam qenë edhe njëri ndër themeluesit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të njeriut, kurse tashti jam kryetar nderi i këtij Këshilli. Ndërsa, isha edhe ndër themeluesit e organizatës, Lidhja Shqiptare në botë. Për punën që kam bërë jam shpërblyer dhe falënderuar me mirënjohje dhe shpërblime të shumta
E përmendet KMDLNJ-në. Cili ka qenë roli i tij gjatë viteve të okupimit?
Ka qenë shumë i madh. Ai ka evidencuar dhunë shtetërore serbe mbi shqiptarët e Kosovës dhe ishte zëdhënës i të drejtave dhe Lirive të njeriut. Pra, ishte një arkiv i të tërë i dhunës serbe dhe aparatit represiv shtetëror serb në Kosovë e jo një vajtore, sikurse mundohej dikush ta emërtonte. Përmes këtij Këshilli bota u alarmua, u njoftua dhe u sensibilizua për të na ardhur në ndihmë, sikurse edhe ndodhi më vonë.
Keni marrë pjesë edhe në Pajtimin e gjaqeve?
Është e vërtet, misioni ynë, jo vetëm imi, por edhe i prof. Anton Çetës, Z. Canës, Ramiz Kelmendit e i shumë të tjerëve ishte shumë i rëndësishëm në këtë plan. Ne arritëm të pajtojmë mbi njëmijë familje dhe të shërojmë shumë plagë e ngatërresa. Pra, ishte një periudhë e vetëdijesimit dhe një sinjal i qartë dërguar Beogradit, se shqiptarët janë të bashkuar, kur është fjala për çështjet madhore. Tashti, që i kemi Ligjet tona, roli i këtij Këshilli është më shumë simbolik, kurse ai i KMDLJ, mbetet vazhdimisht i rëndësishëm, sepse, sado që një shtet të ketë të drejta dhe liri, ato kurrë nuk mjaftojnë. Ka disa vjet që ky Këshill organizon, pikërisht në dhjetor Festivalin për të drejtat e njeriut, ‘Një botë’, i cili po luan rol të rëndësishëm në avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. E për liri dhe të drejta, bota gjithmonë ka dhe do të ketë nevojë.
Keni qenë edhe në krye të Këshillit për shënimin e njëqind vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Si e vlerësoni atë ngjarje dhe cili ka qenë roli i saj dikur e cili është tani?
Po, kam qenë kryetar i Këshillit Organizativ dhe kam mbajtur referatin kryesor për këtë datë të rëndësishme, ndër më të rëndësishme dhe llogaritej vazhdimësi e Mukjes, mbase edhe Kuvendit të Lezhës, sepse ajo, pastaj solli edhe Bujanin e ngjarje të tjera deri të Pavarësia e Kosovës. LSHPZ ishte një ngjarje shumë e madhe kombëtare, por dihet, pastaj si përfundoi nga Porta e lartë. Megjithatë, fryma e saj mbeti e gjallë sot e tërë ditën. Ajo, mendoj se e dha kontributin e vet dhe ishte pikë referimi për ngjarjet e mëtutjeshme.
Roli i figurave kombëtare ishte i madh dhe LSHP, gjithsesi mbetet një ngjarje e lavdishme e historisë sonë dhe ajo nuk do të zvetënohet kurrë.
I keni përjetuar edhe diferencimet, shantazhimet, përjashtimet...
Po, po, këto ishin dukuri të shpeshta, por unë ndaja fatin e kombit tim. Fal Zotit, luftës sonë, por edhe miqve ndërkombëtar, në rend të parë SHBA-ve, tash Kosova është e lirë, por ende ka shumë punë që ajo të bëhet një shtet i dinjitetshëm, si e gjithë Evropa dhe bota. Pra, ende ka shumë punë dhe angazhim që Kosova të jetë një shtet normal dhe i respektueshëm.
Ju, lirisht mund të themi se keni qenë kronist i shumë ngjarjeve, por edhe i shumë dhembjeve?
Është e vërtet se kam qenë pjesëmarrës në shumë ngjarje dhe jeta me ka qitur në shumë sprova, por besoj se kam arritur që t’i përballoj me dinjitet. Sfidat ishin të mëdha e të rënda, por, mendoj se ia kam dalur faqebardhë. Dua, të theksoj se fati i kombit tonë ka kaluar nëpër dyertë e tragjedive të mëdha dhe, ne të gjithë kemi kaluar, kolektivisht nëpër këtë Akademi të vuajtjes, sikur do të shprehej Kadare. Të shpresojmë se, më ne fund edhe për ne kanë përfunduar vuajtjet dhe golgota, sado që kemi pritur më shumë
Jeni në moshën tetëdhjetëvjeçare dhe ende jeni aktiv në procesin mësimor dhe në jetën shkencore.
Fati e ka dashur që të jem me shëndet dhe ende jam aktiv në punë e në procesin mësimor. Psikologjia është një lëndë interesante dhe, kuadri për këtë fushë është shumë deficitar. Unë, psh, jo për t’u lavdëruar, por mund të them se kam lexuar mbi 992 libra të psikologjisë, për t’u përgatitur për lënde, të cilën e ligjëroj tash e pesëdhjetë vjet. Jam i lumtur me studentët e mi dhe ata janë jeta dhe krenaria ime. 

No comments:

Post a Comment

Letër publike e Kryetarit të Komunës së Junikut, Agron Kuçi, drejtuar Kryeministrit,zt.Ramush Haradinaj

Ndalo punimet e paligjshme që degrafojnë rrjedhën e lumit “Ereniku i vogël”! I Nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Ram...