Filantropet Endrju Karnegi, Xhorxh Soros, Bill Gejts


Dhuntia e të dhënit

Të japësh për të tjerët në nevojë, është një traditë e lashtë që nga kolonistët e parë në SHBA. Filantropë të tillë si Endrju Karnegi, Xhorxh Soros, Bill Gejts e shumë e shumë të tjerë, kanë përjetësuar tashmë emrat e tyre në bëmat e ndihmës ndaj atyre në nevojë dhe në të mirë të komuniteteve të ndryshme. Sot bujaria ka arritur nivele të larta në Amerikë. Sipas aneksit të Uashington Post, Parade, në vitin 2006, dhurimet e bamirësisë i kaluan atje 295 miliard $, që është më shumë se prodhimi bruto i Norvegjisë dhe 12 miliard $ më shumë se një vit më parë. Rreth 68% e familjeve amerikane dhanë diçka për bamirësi në 2006. Në nivelin e lartë, 21 vetë gjatë këtij viti dhanë për bamirësi çeqe me së paku 100 milion $. Ndër ta janë Uorren Bufet që premtoi 85% (më tepër se 40 miliard $) të pasurisë së tij dhe Ofra Vinfri që dha 58 milion $ për arsimin në Afrikë. Sipas të dhënave, 65% e kontributeve që ndihmojnë të financohen kuzhinat e bamirësisë apo kujdesin e përditëshëm pa pagesë, vijnë nga familjet që fitojnë më pak se 100,000 $ në vit. Amerikanët që dhurojnë janë më të shumtë se ata që votojnë. Amerikani mesatar dhuron 2.6% të të ardhurave të veta. Njerëzit që fitojnë më pak se 50,000 $ japin mesatarisht 971 $ në vit për bamirësi, ata me të ardhura 50.000 deri 100.000, japin 1.918 $ dhe ata mbi 100,000 japin 3.975 $. Natyrisht Amerika ka edhe dukuri të tilla kur miliarderë e milionerë u lënë trashëgimi qenve e maceve, por kjo nuk është e zakonshmja. E zakonshmja është ajo çka thamë më sipër.


Pse japin vallë ata? Veç motiveve të veçanta personale, janë disa përcaktues të përbashkët që i bëjnë njerëzit të japin: bërja e botës një vend më i mirë për të jetuar, dhëmbshuria për ata në nevojë, apo një ndjenjë për të shpërblyer shoqërinë për fatin e tyre të mirë. Me librin e tij të fundit, “Duke dhënë: si secili nga ne mund të ndryshojë botën”, ish presidenti Klinton është bërë një ambasador i filantropisë. Pavarësisht nga të ardhurat që ke, thotë ai, pavarësisht nga mosha e aftësitë, ka prapë diçka që mund të bësh. Në vend të mendosh se kanë pllakosur problemet, bëj një gjë. Po të mund të ndryshosh jetën e një njeriu, ke bërë një gjë të madhe, thotë ai. Kjo është në përputhje me atë çka thënë e madhja Nënë Terezë: “Në qoftë se nuk mund të ushqesh 100 vetë, atëhere ushqe vetëm një.” Bamirësia nuk e ndryshon botën, por të paktën zbut dhimbjet e shumë njerëzve mbi dhe.


Dhuntia e të dhënit nuk është karakteristike për shoqërinë e sotme shqiptare. Gjatë këtyre 17 vjetëve, pas thyerjes së barazitizmit të pështirë e artificial komunist, pasuria e shqiptarëve u polarizua në mënyrë të skajshme. Tranzicioni, demokracia e tregu i lirë, nuk mund të favorizonin një lloj një njeri të thjeshtë në Gramsh, Bulqizë apo Pukë (duke lënë mënjanë të gjithë ata ç’qenë në fshat) nga dikush që punonte ta zemë, në tregtinë e jashtme apo në institucione të rëndësishme, në Tiranë. Pasuria u përfitua me mjete nga më të ndryshmet, me mbështetje politike, me dhunë, me spekullime e shkelje ligji, por edhe me punë të ndershme e me respekt të ligjit. Dukuri të tilla nuk qenë që ndodhën vetëm në Shqipëri. Kudo, në botë janë vënë re të tilla zhvillime, në etapa të caktuara.


Fuqia ekonomike e të kamurve bie në sy në zë qytetet e mëdha të Shqipërisë veçanërisht në zonën e metropolit Tiranë-Durrës. Vila luksoze me pishina e kopështe në tarraca, makina të prodhimit të fundit e pushime atje ku nuk hyet dot me kuleta rrogëtarësh të zakonshëm. Milionerët e rinj shpesh prishin pa hesap për kënaqësi vulgare e vanitoze, ata ndodh të mbyllin lokalet jashtë vendit, siç tregojnë, për ta bërë qejfin më vete, lënë miliona e miliona në kazinotë e vendit e botës, i mësojnë fëmijët e tyre të jetojnë jetën e snobit duke harxhuar pa hesap klubeve e orgjive. Ndërkaq, mijra e mijra të tjerë s’kanë bukë të hanë, luftojnë me skamjen e vështirësitë e përditëshme ku shteti, në vend t’i ndihmojë, nuk u siguron as minimumin që duhet të bëjë një shtet për shtetasit e vet. Ata jetojnë mes fukarallëkut e stresit që prodhon mungesa e rrugëdaljes, papunësia, privacionet e shumta, kriminaliteti dhe ligji i korruptuar. Kjo po sjell paprerë jo vetëm drama tragjike në jetën e shoqërisë shqiptare: vrasje, vetëvrasje, hakmarrje e krime të përçudëshme të padëgjuara më parë, por po deformon realisht edhe psiqikën shqiptare.


A nuk mendojnë vallë të kamurit shqiptarë se jeta e tyre do të ishte më e mirë në qoftë se edhe vendi ku ata jetojnë do të ishte sado pak, një vend më i mirë për të rrojtur? Të përqëndruar në egoizmin e tyre, ata shpesh herë harrojnë se nuk mund të ndërtosh një klimë perfekte lumturie në qoftë se pak metra larg teje ulërin mjerimi e skamja. Sado të ruhen e të mbrohen, shpesh herë ai përçudnim shoqëror që ndodh me shumicën e shoqërisë, i arrin dhe i godet edhe ata duke i vënë në qendër të dramave po aq tronditëse me fëmijët e tyre, gratë e ata vetë.


Shqiptarët tradicionalisht janë mbajtur për mikpritës e bujarë. Kjo është pjesë e legjendave patriotike. Ç’është e vërteta, shqiptari është bujar kur është i varfër. Zakonisht ai është bujar kur e sheh se ti je më në hall se ai. Një i varfër të pret duarhapur dhe e ndan varfërinë me ty po të jesh në hall. Po të kamurit? Vini re se ç’ndodh me atë që nuk bën vaki në botë: vijnë festat dhe çmimet në tregjet shqiptare rriten. Kaq të paskrupull janë këta tregtarët shqiptarë që medoemos duan ta shfrytëzojnë për të fituar më shumë edhe një rast të tillë? Veç kësaj, me pasanikët shqiptarë ndodh si me atë evgjitin e përrallës që ku u bë pasanik lyente dhe të pasmen me kos. E pra, ata prishin pa hesap për gjëra të kota dhe kurrë nuk japin gjë qoftë për komunitetin ku rrojnë qoftë për bashkëkombasit e tyre që fati u ka dhuruar skamjen e pamundësinë.


E pra, kujt t’i bjerë rasti të vizitojë Amerikën, do të shohë shkolla e spitale, parqe e muzeume, biblioteka e teatro të ndërtuara nga individë të shquar e pasanikë të vendit që nuk janë prona të familjeve të tyre por të mbarë komuniteteve e shoqërisë. Do të ndodhë kjo vallë dikur me Shqipërinë? A nuk janë edhe varfanjakët e sotëm në Shqipëri ata që kanë kontribuar për pasurinë e milionerëve të rinj në njërën apo tjetrën mënyrë? E pra, ku është sensi i mirënjohjes e përdëllimit? Le të mos harrojnë ata se jeta është tepër e shkurtër kur e jeton brenda egoizmit tënd të paskrupull dhe mund të zgjatet e të bëhet më e denjë për t’u rrojtur vetëm me altruizëm, bujari e me dhuntinë e të dhënit.
Y.M

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri