Gonzo gazetaria dhe fenomeni Arian Çani


Y.M


Hunter Stakton Thompson ka qenë një gazetar amerikan që vdiq para nja dy vjetësh. Ai ka mbetur në gazetarinë amerikane si formuluesi i Gonzo, një stili gazetaresk tepër të veçantë, ku pleksen nuanca tejet personale dhe ku saktësia e faktit dhe situatës qëndron në radhë të dytë pasi kryesorja është bërja e lexuesit që të ndjehet sikur ka qënë i pranishëm në ngjarjen. Ky stil mjaft i personalizuar raportimi e komenti që u bë ikonë e antikulturës në Amerikë, përmban shpesh një mosrespekt të dukshëm për fjalorin e kulturuar, përdhos e përqesh tabutë morale e shpirtërore të njerëzve dhe ka prirje të jetë kundër gjithëshkaje që zakonisht opinioni shoqëror e pranon si të natyrshme.

Arian Çani është lëvrues i gonzos shqiptare, për fat të keq një surrogato e zbehtë e asaj që prodhoi babagjyshi Thompson. Dhe kjo për faktin se ndërsa Hunter Stakton Thompson ka qenë një intelektual i shquar, me përvojë gazetareske e letrare (ka botuar disa libra), zoti Çani, për fat të keq ka një kulturë të kufizuar shumicën e së cilës e ka marrë “kur ishim të vegjël”. Por ky zotni di një gjë të rëndësishme: Po të dalësh kundër mendimit normal e të pranuar përgjithësisht nga njerëzit, bëhesh i famshëm. Le të të shajnë e të të kërdisin. Prapë, bëhesh i famshëm. Në atë botë të varfër shpirtërore ku jeton Shqipëria, është kollaj që ta shohësh veten me famë pikërisht për këtë.

Vini re emisionet e tij “Zona e lirë“, vini re shkrimet e tij kohët e fundit. Vini re edhe batërdinë e të sharave e përjargieve që qarkullojnë nëpër forumet shqiptare në Internet si të dala nga dora e tij (më faltë zoti, në mos qofshin të tijat!). A ka vërtet në të gjitha këto që përmenda gazetari serioze? Vështirë ta thuash. Paturpësia për të vënë në pozitë të vështirë të intervistuarit duke mos patur asnjë kufizim moral dhe një papërgjegjshmëri totale për cënimin e disa vlerave të çmuara që çdo shoqëri i akumulon në kohë e i ka të shenjta, e dalluan këtë individ dhe e bënë të famshëm në gjithë Ballkanin ( Ai u bë i njohur edhe në Greqi me intervistat bajate të një grekeje të pasur që i paskësh rënë në kokë një shqiptar).

Analizoni me kujdes shkrimin e tij në Panorama, 28 shkurt 2008, “Çfar luksi të fshish BYT... me NYT”. Shkrimi që bën objekt kryeministrin e vendit për një shprehje të papërshtatëshme e të pavend, hallakatet në fshirjen e byt... me gazetat e kohës komuniste, përmenden emrat e gazetave dhe vështirësitë që hiqte ky popull e sëmundjet që merrte nga ky proces intim. Dhe shkrimi nuk kuptohet pse është: për kryeministrin e papërgjegjshëm apo për kulturën e fshirjes së byt... me gazetë nga shqiptarët. Në fakt, zoti Çani që lakon aq shumë përdorimin e gazetave në procesin e byt...fshirjes nuk di një gjë (se po ta dinte, do ta thoshte). Harron atë se shqiptarët, si shumë popuj të tjerë, kanë patur kulturën e larjes me ujë të atij vendit rreth të cilit vjen rrotull zoti Çani. Letra higjienike është një kulturë më e vonëshme, që për hatër të së vërtetës, edhe pse është më konveniente dhe më e shpejtë, nuk ja kalon asaj të parës.

Çfar gazetari është ai që nuk tregon asnjë interes për ndërthurjen e jetës në vendin e tij, në hallet e atyre që vuajnë, në dështimin e politikave, në përçudnimin e njeriut dhe të mardhënieve njerëzore. A shikon ky njeri më larg se hunda e vet, apo është dashuruar me veten si një Narcis fatkeq që kujton se është bota?

Në vitin 1996, gazetari i shkencës Xhon Horgan shkroi librin “Fundi i shkencës”. Në të ai thoshte se si rezultat i daljes së kompjuterit dhe internetit, shkenca kishte marrë fund dhe ketej e tutje nuk mund te priteshin zbulime të rëndësishme. Libri bëri jehonë të madhe dhe atij ju kundërvunë shumë korifej të shkencës e zotërues të çmimeve Nobel. Më von, Horgan mbrojti legalizimin e psikodelikeve si LSD dhe meskalina dhe përsëri bëri bujë. Por edhe ky Horgani ishte një njeri që kishte mbaruar në Columbia dhe merrte vesh nga shkenca. Zoti Çani ynë nuk merr shumë vesh nga të gjitha këto, por di vetëm kartabythet. Ato i di mirë. Sepse po të kishte patur ca më shumë kulturë historike, nuk do t’i hynte asaj që të vinte shenjën e barazisë midis Kosovës dhe minoritetit shqiptar në Greqi, siç bëri ca kohë më parë në nja dy shkrime.

Problemi nuk është në se dikush ka një opinion të veçantë e ekstrem si zoti Çani. Sigurisht është e drejta e tij ta ketë si njeri (me gjasme) i lirë i një shoqërie (me gjasme) të lirë. Por puna është se a duhet lejuar ky opinion t’i shkojë i imponuar (se te ne po e tha gazeta, e tha mbreti) atij publiku që nuk është në gjendje ta gëlltisë atë opinion dhe të krijojë mbi atë një opinion të vetin ?

Unë mendoj se çdo njeri i lirë, nuk është i lirë se nuk ka një hu ku të lidhet por se ai hu ku lidhet ai, është trashëgimia më e përparuar humane që njerëzimi ka gatuar si një bletë e mirë. Të jesh i lirë pa asnjë koordinatë, ashtu siç pretendon se është zoti Çani, do të thotë të jesh rob i rastësisë, kuturusë e hiçit. Kjo botë ka parë shumë njerëz të famshëm. Fama ka mbuluar edhe njerëz të shquar për budallallëk, poshtërsi , krime e kotësira. E famshme është dhe Paris Hiltoni në botë. Por shumë pak të pafamshëm do ta donin e lakmonin famën e saj. Të famshmit e vërtetë janë tjetër. Ata janë në një panteon më vete që e ruajmë me nderim e përkushtim ne të pafamshmit e tjerë. Atje gonzoisti Çani nuk hyn dot me gjithë çudirat e tij ekstreme.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri