2014-04-23

Intervistë e gazetares Blerina Braho me shkrimtarin Shpendi Topollaj, ish oficer

Dhe atje… në atë komisionin që më kujtonte atë komisionin e Shvejkut?




image


Blerina Braho



Gazetaria: Zoti Shpendi! Shkak për këtë intervistë u bë përmendja e emrit tuaj në gazetën tonë të para disa ditëve, ku mësuam se ju keni marrë një vrejtje kur keni qenë oficer, ngaqë keni lexuar një libër të akademikut kosovar Rexhep Qosja. A mund të na thoni diçka më shumë rreth këtij fakti?

Përgjigje: Ka një pasaktësi që jam i detyruar ta sqaroj për lexuesit. Sikur të ishte ashtu sikurse thuhet në atë shkrim, vetëm një vrejtje, do ta puthja e ta vija në ballë. Por mua, nga libri i profesor Qosjes, më shkatërruan jo vetëm perspektivën si oficer, por edhe jetën. Për të mos thënë se qetësia, për nja dy dekada ju prish edhe familjes time.

Gazetaria: A mund të na thoni se si ngjau dhe cila qe prejardhja juaj familjare dhe ecuria e karrierës tuaj?

Përgjigje: Ju si gazetare, patjetër që e njihni historinë e mesjetës në Firence. Keni dëgjuar për atë që bënë Mediçët për kulturën, në fund të shekullit të XIV dhe gjatë shekullit të XV - të. Por, njëkohësisht duhet të keni dëgjuar edhe për bëmat e Sevanarolës që digjte në zjarr edhe librat. E pra, i tillë sistem inkuizicioni ishte ai i komunizmit në Shqipëri që dënonte edhe mendimin. Sa libra u ndaluan te ne dhe sa njerëz janë parë si armiq apo janë futur edhe burgjeve, për fajin e vetëm se kanë lexuar një libër apo kanë parë një revistë.

Kjo më parë kishte ngjarë edhe me babanë tim, Hulësiun; antifashist i cinkografisë “Kosturi” në Tiranë me Qemal Stafën e Mihal Durin, partizan nga të parët në çetën e Kolonjës, në batalionin legjendar “Hakmarrja” dhe më pas kuadër drejtues në formacionet e Brig. së XV - S. Ishte plagosur në kokë dhe mbante një mori dekoratash. Nga familja e tij kishin dalë plot luftëtarë, motra e vëllezër dhe shtëpia u ishte djegur dy herë. Pas çlirimit u arsimua dhe shërbeu me ndershmëri si oficer dhe si jurist. Ai, aty nga viti 1965 botoi librin e tij me kujtime për luftën “Partizanët e Gramozit”, por pas nja dhjetë vjetësh, kur u dënua grupi “puçist” fantazmë i B. Ballukut, P. Dumes, H. Çakos dhe Rr. Parllakut, dhe kërkohej të bëhej sa më e besueshme goditja e poshtër dhe e pabesë ndaj tyre, dikush u kujtua se im atë paskej përmendur edhe Petritin si trim dhe plot talent në drejtimin e veprimeve luftarake. Sipas tyre, kjo ishte bërë me qëllim, a thua se babaj e kishte bërë atë Hero të Popullit, kandidat të Byrosë Politike, anëtar të Presidiumit të Kuvendit Popullor, gjeneral - leitenant, Shef të Shtatmadhorisë së ushtrisë tonë e më pas, zëvendës ministër të mbrojtjes. U morën për të masa mjaft të ashpra, të cilat ai nuk i duroi dot dhe nga turpërimi, vdiq pa mbushur 60 vjeç nga një hemoragji cerebrale.

Nuk po zgjatem duke treguar se ç`u bë me nënën time, gjithashtu një antifashiste mjaft e njohur në Vlorë dhe për të cilën shkruan pas burgut, gjeneral Rrahmani në një nga librat e tij apo me motrën që e përjashtuan nga gjimnazi. Nuk po u marr kohë as duke përshkruar se ç`i ndodhi tim vëllai Spartakut që i vunë hekurat. Kështu që radha më kishte ardhur mua.

E kam dashur me gjithë forcat e shpirtit ushtrinë. Kam shkuar qysh 13 vjeç në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”. Atje kishte kuadro dhe mësues të mrekullueshëm dhe një shoqëri djemsh atdhetarë dhe plot kulturë. Pasi kreva studimet edhe në atë që sot quhet Akademia e Forcave Tokësore, shumë shpejt u emërova komandant i një batalioni këmbësorie me ushtarë aktivë në Durrës. Punoja me përkushtim dhe shihesha si kuadër i ri me shumë perspektivë. Vazhdoja dhe Universitetin në degën e shkencave politike - juridike. Dhe lexoja shumë; çdo libër që më binte në dorë. Edukatën e të lexuarit na e kishte dhënë babaj i cili kishte një bibliotekë mjaft të pasur, por ajo erdhi dhe u forcua gjatë viteve të shkollës “Skënderbej”, ku mësuesit me pasionin dhe aftësitë e tyre profesionale, dinin të na bënim që librat t`i përpinim.

Në ushtri kishte nisur fëshfërima tmerruese e fshesës së hekurt. Dënoheshin kuadro kudo, nga ministria deri në bazë. Ndjenja e frikës mbisundonte dhe përpjekjet për mbijetesë, dobësuan edhe karakteret, sido që Uill Roxhersi thotë diku se “Çdo gjë është zbavitëse deri sa u ndodh të tjerëve”. E vetmja ndihmë që mund t`i jepje tjetrit, ishte të heshtje. Por as të heshtje nuk të linin. Kudo në ushtri dukej qartazi një klimë e padurueshme ankthi. Dhe më lejoni të flas si skolastikët e vjetër: “Experto crede Ruperto”, pra “I besoni Rupertos praktik”, atij që e di mirë atë që tregon. Ka një thënje interesante kardinali Rishelje: “Në punët e shtetit ai që ka forcën shpesh herë ka të drejtë, dhe ai që është i dobët, vetëm me vështirësi mund të tregojë përpara opinionit të shumicës së botës se nuk është gabim.” Ku të ankoheshin ata që e pësonin? Më të egra bëheshin dënimet se tani të thonin se nuk ke besim te vija gjithmonë e drejtë e Partisë.

Në këtë situatë edhe unë e nuhasja se mbi mua tani binin dyshime dhe po afrohej furtuna, ndaj mundohesha të mos u lija rast për të më goditur. Por, ruaju sa të duash; ata do ta gjenin një “casus belli”.

Gazetaria: Pra, tani del ai libri i Profesor Qosjes. Cili qe, ku e gjetët dhe përse bënte fjalë?

Përgjigje: Libri titullohej “Continuitete”, ku qenë disa shkrime nga “Panteoni i rralluar” që ishin kritika letrare dhe esse. Qe botuar në Kosovë dhe një shoku të tim vëllai që quhej Reshat, ia kisha marrë për ta lexuar. Atje flitej me shumë konsideratë për letërsinë shqipe dhe ngrihej në qiell poezia e N. Frashërit dhe mesa mbaj mend, lëvdohej edhe talenti i Kadaresë. Më çudiste kurajua e profesor Qosjes për të qortuar qëndrimet e mbrapshta ideologjike dhe politike të regjimit të Titos ndaj shkrimtarëve kosovarë dhe letërsisë kosovare. Nisur nga dëshira e mirë dhe krenaria e natyrshme kur dëgjon fjalë të mira për kulturën e vendit tënd, pavarësisht se edhe vetë ai ishte shqiptar, librin ja jap një shoku po oficer me të cilin shkëmbenim libra. Ai, pa të keq ia tregon komisarit të Brigadës së tij, mediokrit M.K. i cili duke menduar se ajo e shkruara “esse” kishte lidhje me esesët e Hitlerit, ua jep atyre të sigurimit. Ata, pa e zgjatur ja shpijen sekretarit të Komitetit të Partisë së Korpusit, injorantit L.H. ardhur nga kllasa punëtore i cili qe bërë kandidat e më pas edhe anëtar i K. Q. pa lexuar kurrë ndonjë libër dhe Hero i Punës socialiste, pasi i kishte hedhur ujë të ngrohtë llaçit në tërmetin e Dibrës. E intrigonte edhe një arrivist i quajtur D.XH. i cili me veset e tij të ulta, ka bërë shumë ligësi me kuadrot në Durrës. Thuaj unë se kjo ishte një gjini letrare që vinte nga frëngjishtja, ku “essai” donte të thoshte provë ose sprovë dhe se qe asgjë më shumë se një studim që nuk e çonte deri në fund çështjen, por vetëm hidhte disa ide, por aha. Mundohesha t`i bindja se me këtë qe marrë që para katërqind vjetësh Montenji me tre librat e tij dhe Loku, por e shihja se edhe më shumë po e rëndoja situatën. Më në fund u thashë se shihni me sa simpati shkruan Rexhep Qosja për Shqipërinë dhe letërsinë tonë. Atëherë, m`u kthyen: Ti pikërisht këtë nuk kupton, apo bën sikur nuk kupton. Ç`na hidhesh degë më degë, para katërqind vjetësh. Ne na mjafton ky autor, i cili është as më shumë e as më pak, por është një shërbëtor besnik i revizjonistëve jugosllavë, pra armik i vendit tonë që e ka detyrë të bëjë diversion te ne dhe të krijojë çoroditje tek intelektualët. Por nuk e hamë ne atë kokërr ulliri se partia dhe shoku Enver, na i kanë hapur sytë.

U përpoqa t`i sqaroja se ai ishte pjesëmarrës në kongresin e Drejtëshkrimit, por më thanë se ato punë i di tjetër kush.

Nuk vonuan dhe më nxorrën para përgjegjësisë, ku morën këto masa: përjashtim nga partia, përjashtim nga ushtria, përjashtim nga Universiteti (ku kisha vetëm provimin e formimit). Një shoku im, që kishte goxha detyrë, u tregua më i zellshëm dhe propozoi që të ndiqesha edhe penalisht për agjitacion dhe propagandë, ngaqë kisha përhapur literaturë borgjezo - revizjoniste. Kjo ishte, ç`ishte. Rexhepin e shkretë e bënë telef. Nisa nga letrat, ankimet dhe gjithmonë më jepnin përgjigje të njëjtë: Ke lexuar librin e armikut më të madh të Shqipërisë.

Gazetaria: Po ti mbete në ushtri në mos gaboj?

Përgjigje: Kjo është tjetër histori. Mehmet Shehu që ishte kryeministër qe caktuar pas pushkatimit të Beqir Ballukut, edhe ministër i Mbrojtjes. Ishte ushtarak i lindur dhe sikurse dihet, mjaft i rreptë. Mirëpo, e kishte një prirje nga letërsia. Ndaj vendosa që t`i shkruaja atij që të paktën të mos më lironin si të padëshiruar nga ushtria e për pasojë do t`i shpëtoja edhe arrestimit. Harrova të them se teksa ndodhesha në Pogradec te prindërit e gruas, kishin bërë një kontroll në shtëpi dhe ushtari Novruz Kullolli erdhi e më thotë se më kanë vënë detyrë që të të survejoj dhe të raportoj për çdo veprim tëndin. Por unë e di mirë se kush je, ndaj u ruaj nga ndonjë tjetër se nga unë nuk të vjen e keqja.

Në letrën e shkurtër që i dërgoja Mehmetit i thoshja pak a shumë se: Në qoftëse edhe ju jeni dakort që mua që kam lexuar një libër më shumë, të më përjashtojnë ata që s`kanë lexuar as gazetën, unë jam dakort t`i nënshtrohem fatit të keq dhe të pamerituar. Nuk e di në çfarë ore të mirë u ndodh kryeministri dhe dërgon një letër ku thosh se për djem të tillë ka nevojë ushtria, kurse punën e përjashtimit nga partia ta gjejë në Komisionin Qendror të Kontrollit dhe Revizjonit.

Edhe provimin e fundit në universitet e dhashë, falë dashamirësisë së kryesekretarit Eqerem Sakiqi të cilit ngaqë i erdhi keq, pasi më tregoi shkresën, më tha të futesha në provim dhe të bëja sikur nuk dija gjë përsa ishte vendosur.

Gazetaria: Dhe atje, në atë Komisionin e Revizjonimit?..

Përgjigje: Dhe atje… në atë komisionin që më kujtonte atë komisionin e Shvejkut? A ke dëgjuar ti për kryetarin e atij komisioni? Po Cerberin, rojen e Hadit që shumica e di qen me tri kokë, por që sipas Hesiodit, ky bir i Tifonit dhe Ekidnës kishte 50 kokë. Vigjilent i madh, ky farë torollaku që grindej me leckat e tij. E takova dhe sapo dëgjoi për Rexhep Qosjen u tërbua dhe u bë flakë në fytyrë. Gati më përzuri nga zyra që e kishte atje tek uzina e Traktorëve. Nuk e kuptoj as sot: përse gjithë ai mllef për profesor Rexhepin. Sikurse nuk e kam sqaruar kurrë, në e di ai se sa urrehej nga hierarkët e asaj kohe.

S`kisha nga t`ia mbaja dhe i dhashë karar që të shkoja atje larg ku më degdisën për gati njëzet vjet. Kisha shpëtuar nga burgu dhe po ashtu, duke mbetur oficer, kishte shpëtuar edhe nderi im politik. Sidoqë po të pyesësh time shoqe, do të të thotë se gjatë gjithë atyre viteve, ka jetuar me frikën e internimit. Se edhe babanë e saj e dënuan, pasi i kishte porositur një lakror Beqirit dhe kishte shkuar për urim në dasmën e një inxhinieri të ndërrmarrjes në Pogradec. Por, nga ana tjetër, kjo më mobilizoi të punoja akoma më shumë. Karriera ime u pre përfundimisht, por duhej të isha i kënaqur që puna mbeti me kaq. Kur rastësisht takova Kadarenë dhe ja tregova gjithë sa më kishte ngjarë, më tha: “Mos u mërzit se po jetojmë kohë marrëzie.” Nga ana e tij, ai ruajti ndaj meje të njejtën miqësi.

Dua të theksoj se kishte dhe eprorë që ishin njerëz të guximshëm dhe të ndershëm, të cilët gjetën mënyra dhe më përkrahën, si Sami Meçollari, Adem Meta, Ilia Nasi, Namik Hasani, Mehdi Ramohito, Lutfi Shehu, Kujtim Pulaj, Musli Matoshi, Gëzim Bega e plot të tjerë.

Gazetaria: Po më tej, a u përballe me pasoja, qoftë edhe të padukshme?

Përgjigje: Afërmendësh. Gjithshka duhet vendosur në kohë. Reparti ku shërbeja dilte përherë shembullor, unë zhvilloja stërvitje treguese për drejtuesit kryesorë të ushtrisë dhe organizoja veprimtaritë kulturore si rrallë kush, por emri im nuk zihej kurrë në gojë. Edhe një herë që e vunë fotografinë time në tabelën e nderit, erdhën të alarmuar nga Komiteti Qendror. Më quanin “ai i Rexhep Qosjes” që vuan nga intelektualizmi.

Gazetaria: Po për të shkruar dhe botuar a e provove ndonjëherë?

Përgjigje: Unë i kisha sytë në ballë dhe mendjen në kokë. Edhe atë të bëja dhe një Zot e di se ku do të përfundoja. Shkrova dhe botova vetëm pas ardhjes së demokracisë.

Gazetaria: Po. E di se shkruan vazhdimisht nëpër gazeta dhe ke botuar rreth dyzet libra me poezi, tregime, novela, romane, dhe trembëdhjetë volume me kritika letrare.

Përgjigje: Ashtu është; trembëdhjetë libra me kritika letrare… Më ka tërhequr kjo gjini, paçka se prej saj e pësova keq. Një herë, pas një takimi, vëllai im i tha Rexhep Qosjes se ç`kisha hequr për shkak të librit të tij. Ai, i çuditur i tha se i paskam bërë keq. Vëllaj, i kishte thënë se nuk është faji yt, pasi ai qe një regjim tiranik që kishte frikë nga librat dhe nga ata që i lexonin ato.

Gazetaria: Në romanet tuaja që janë përkthyer dhe botuar edhe në gjuhë të ndryshme, a ke folur mbi atë që të ndodhi?

Përgjigje: Natyrisht! Në romanet e mia “Mashtruesi”, “Zhgënjimi i Partizanit të Gramozit” dhe “Lotët e Zambakut” (Fate oficerësh) e kam trajtuar gjatë atë që më ngjau që siç e sheh nuk qe aspak një “vrejtje”, por një nxirje jete. Dhe po e gjetët të arsyeshme, po jua jap që ato pjesë t`i botoni në gazetën tuaj. Fundja, nuk bëhet fjalë për fatin e një njeriu, por për të ecur para, sikurse thotë dikush, duke e mbajtur kokën pas. Gjithmonë e kam ditur se ka një libër tjetër më të madh dhe ai është libri i jetës, për të cilin Lamartini është shprehur se as mund ta hapësh dhe as mund ta mbyllësh sipas qejfit.

Gazetaria: Janë shkruar edhe dy libra voluminozë për ju dhe veprën tuaj, nga penat më të spikatura të letërsisë: “Të shkruash në liri” dhe “Liria e të shkruarit”. Aty konfirmohen mjaft mirë këto që na tregove në këtë rrëfim pak të vonuar i cili mori shkas nga një pohim i dikujt që edhe pse fliste me shumë simpati për ju, përsëri gabonte duke thënë se të kishin dhënë vetëm një vrejtje për librin e profesor Rexhep Qosjes. Tani u saktësua gjithçka, por dua të të pyes se a ruan ndonjë inat me ata që u sollën ashtu me ty?

Përgjigje: Unë inatin e kam me atë kohë që me prapësitë e saj, i përtheu shumë karaktere. Por nga ushtria ruaj kujtimet më të pashlyeshme. Oficerët janë njerëzit më fisnikë që kam njohur dhe që janë përherë të gatshëm të bëjnë sakrificat më të mëdha për atdheun. Ata, duhen nderuar dhe respektuar nga të gjithë. Personalisht, jam nënkryetar i shoqatës Kombëtare “Skënderbegasi”, në Durrës jam kryetar i kësaj shoqate dhe në kryesinë e oficerëve të liruar dhe në rezervë. Zemra ime ende rreh për ushtrinë, pasi tek ajo kam parë Shqipërinë.

No comments:

Post a Comment

Nga Flori Bruqi : U dhunua nga pronari i lokalit në Porto Palermo, ky është miliarderi pjesë e qeverisë së Spanjës

Imazhi i Shqipërisë edhe kësaj radhe në qorr sokak?! https://www.youtube.com/watch?v=tklKY6hp09w Turistët span...