Koka e elefantit në gjendje të çmendurisë melankolike



Prof.Dr. Vlera Bytyqi-Ejupi

Ekziston një rregull e shkruar por edhe e pashkruar e cila daton që nga krijimi i njerëzimit. Këtë rregull njerëzit duan ta kenë si forcë lëvizëse gjatë tërë ditës së tyre, e kjo është dëshira e tyre e madhe që ata të mos ballafaqohen me asnjë fatkeqësi. Kjo rregull pa dyshim se përfshien dhe dëshirën e tyre të flaktë që të kenë ditë të qetë. Në budizëm për ta arritur këtë njeriu duhet tu shmanget katër veprimeve siç janë: vrasja, hidhërimi, marrëzia dhe frika. Sa e bukur është teoria e këtillë, e sinqertë dhe e dlirë si reflektimi i perëndimit të diellit mbi sipërfaqen e qetë të detit.

Në hapësirën në të cilën jetoj, për të aritur këto gjëra duhet të jesh ose e padukshme dhe tu shmangesh shikimeve plot zili, por edhe tentimit për ta thënë lirshëm mendimin. E treta që të ngel është të ushqesh ëndra të cilat i ushqen edhe pse e din se kurrë nuk do të realizohen. Këto janë disa nga mënyrat të cilat kanë shkatërruar, pra vrarë krejtësisht energjinë e të menduarit. Është degjeneruar mu ajo energji e të menduarit dhe të rezonuarit që të sjell gjer te forca lëvizëse e mendjes. Pra është humbur kontrolli i të menduarit, prandaj mendimi i parë që më kalon në kokë është se na kanë bërë të ndihemi sikur jemi futur në mes të sanduiçit ku mezi po marrim frymë, frymëmarrje kjo plot stres e telashe.

Kur na e marrin frymëmarrjen, fillojnë të na përdorin si instrumente dhe të tallen me ne. Atëherë të fusin frikën nga shprehja e mendimit të lirë, i cili herë kur do, do të shpërthejë për ti shembur malet e deziluzionit. Atëherë mendimi i ynë do të mund ta heq nga shpatullat barrën e rëndë të shkaktuar nga katër elemenet e e lartëpërmendura. Ky shpërthim do të shemb gjithashtu konvencionin e qelbur të shoqërisë për të dërmuar kundërminin e fëlliqur të tij, i cili pa dyshim quhet vrasje dhe frikë. Frika na bën të jemi skllevër të konvencion-farkuesve, frika na bën ta shuajmë formën që e kemi krijuar në vehte dhe na shndëron në një amorfitet të panevojshëm. Do të kishte qenë hiprokizi të them prap të heshtim, se kjo fare nuk përkon me karakterin tim, sepse janë këto mendime skajshmërisht absurde dhe diskriminuese për një mendje të shëndoshë.

Në veprimin e mirëfilltë të dikujt, disa njerëz bëjnë diskriminim duke e ndarë këtë mendim në të keq ose të mirë. Ata e bëjnë këtë vetëm si rezultat të lehtësimit të çmendurisë dhe dështimit të tyre. Por nuk duhet haruar që mendja e shëndoshë flak çdo gjë e cila është jo substanciale, duke iu shmangur kështu mendimeve diskriminiuese dhe me plot gracka. Ky lloj i njerëzve, i cili për fat të keq është duke u shtuar sot, i kapin gjërat nga imagjinata e tyre si rezultat i rrehatisë dhe komoditet që kanë, i kapin gjërat për të zmadhuar pasurinë materiale dhe nderimet donkishotiane të cilat në fund na bëjnë ti nënshtrohemi në mënyrë dëshpëruese jetës së vetme që e kemi.

Sipas një anekdote të vjetër hinduse, një herë moti një njeri i cili udhëtonte gjatë, iu afua një lumi duke i thënë vehtes:”Kjo anë e bregut të lumit është tepër e vështirë dhe e rrezikshme për ta kaluar, kurse ana tjetër e lumit, pra ana e bregu tjetër, duket shumë më e sigurtë dhe më pak e rezikshme, prandaj si ta kaloj vallë?” Kështu ai ndërtoi një lesë notuese dhe sigurtë e kaloi lumin, por sapo ariti në bregun tjetër tha :”Kjo lesë ishte shumë e dobishme për mua, prandaj do ta mbaj me vehte.”

Vallë a mund të quhet ky njeri i mençur?

Vallë a mund të quhen njerëz të mençur ata të cilët po mundohen të na detyrojnë të ndërtojmë “lesa” për ta kaluar lumin e qytetit tonë i cili do të thotë JETË?

Por para se ti përdorim lesat për të kaluar lumin, le të shëtisim nëpër pjesën me fasada pak sikur më të zverdhura, ku dikund dikund ka rënë ndonjë tjegull apo copë e murit, me shpresë se nuk ka lënduar dikend. Pastaj mund të shohim disa shtëpiza të cilat kanë mbier si vetëtima nga qielli i kthjellët në kodrën e Gazibabës, të cilën e mbaj mend për hapësirat e gjelbërta ku kënaqeshim me lojrat fëmijërore kur bënim pikniqe familjare aty. Pastaj prap, si ndonjë kërpudhë mbas shiu kanë mbier në Çair disa godina sikur turpshëm krenare. Janë të këtilla se janë të rrethuara nga shtëpizat e shkupjanëve të cilët nuk kanë bukë për të ngrënë se janë të papunësuar; ose vazhdimisht janë njerëz të dyshuar për ndonjë krim inekzistent; të cilët nuk kanë ujë për të pier se nuk kanë ujësjellës; por të gjithë këta nuk kanë humbur diçka që quhet vetëdije kombëtare.Këtu gjindet dikund edhe krenaria e familjeve të vjetra shkupjane të cilat janë strukur gjetiu nëpër banesat e tyre dhe duke u Zgjuar ndonjëherë në formë të robotëve para ekraneve telvizive sa për të na përkujtuar se dinë të drejtojnë shikimin dhe bishtin andej kah i artikulon vëllai i madh. Por prap se prap janë vetëm fasadat e vjetra për të cilat mund të themi se meritojnë të mbajnë vulën e historisë.

Marim lesën dhe dalim në anën tjetër të bregut, por e lëmë atë aty për ti shërbyer dikujt tjetër, që është veprimi i kundërt i personazhit të lartëpërmendur. Ne shkupjanët e kemi tepruar më me dhënien mme zemërgjërësi të gjërave, sot, dje, pardje, nesër... Shëtisim në sheshin të themi të bukur, i cili sikur na e bën me sy duke na thënë-edhe pak kohë ju ka ngelë se së shpejti këtu më nuk do të ketë vend për ju. Përgaditeshka revolucion urban, ngritje në këmbë e shumë donkishotëve dhe të papranuarve që nuk kanë fytyrë të përballën me fasadat përballë plot krenari. Këta donkishotët duken pakëz kryelartë, duken pakëz modern, lënë përshtypjen sikur me zor duan tu futen godinave përreth nga dyert dhe dritaret e të cilave sikur të grabëllon urrejta e grumbulluar aq shumë aty dikund mbrenda.

Por Sanço Pançua nuk harron. Një qytet mund të jetojë dhe të mbijetojë vetëm nëse shijohet dhe përqafohet nga të gjithë banorët e tij.Vallë a do të shndërrohet prestizhi donkishotian në muze metuzalemësh? Vallë a do të shndërrohet ky shesh në një guacë të mbyllur, pa margaritarin e çmueshhëm mbrenda?Si duket ky shesh do të shëndrohet në një hapësirë paradoksale e kryeneqëve të cilët do të ndërtojnë mure, godina, objekte të ftohta të cilat sipas Ç.Dikensit do ti kishin ngjarë “kokës së ulur poshtë të një elefanti në një gjendje të çmendurisë melankolike.” Pse nuk ndërtohen sheshe takimi e dashurie, sheshe kënaqësie e përkujtimesh të gjërave të bukura të pranuara nga të gjithë.

Por mos të harrojmë edhe një gjë, se nëse gjërat krijohen pa i kalkuluar shkaqet të cilat për dikend janë vazdhdimisht të njëjta, atëherë këtë dukuri do ta quaja permanencë marrëzie, ashtu siç është marrëzi të besosh se gjërat kompletisht zhduken. Të gjithë këtë do ta quaja teori të inekzistencës. Është elefanti kafsha grandioze e cila mband mend shumë dhe asnjëherë nuk harron... prandaj në fund fiton. Por edhe Sanço Paçua është ai i cili kurë nuk harron dhe çdo herë i qëndron afër Don Kishotit për tu shndërruar në sy dhe vesh të tij, natyrisht për tia tërhequr vëmendjen...

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit