2014-04-08

Konfuci dhe Konfucianizmi










Instituti i Konfucit, çelja e të cilit u inaugurua jo pa bujë në Tiranë, synon përhapjen e gjuhës kineze, por me gjasë, një objektiv mjaft i rëndësishëm i tij pritet të jetë edhe promovimi i kulturës, civilizimit e historisë së Kinës. Dhe kur flitet për kulturën tradicionale kineze, Konfuci padyshim është njëri prej filozofëve e mendimtarëve më të shquar në gjithë historinë shumëshekullore të Kinës. Madje, në vitet 70-të të shekullit të kaluar, një studiues i njohur amerikan, në një renditje të njëqind personaliteteve që kanë pasur ndikimin më të rëndësishëm në historinë e njerëzimit, Konfucin e rendit në vendin e pestë.
Konfuci është themeluesi i doktrinës së Konfucianizmit në Kinë. Për më shumë se dy mijë vjet, ndikimi i ideologjisë konfucianiste në Kinë, shfaqet jo vetëm në politikë, por edhe në mënyrën e të vepruarit, në mentalitetin e në mënyrën e të menduarit të çdo kinezi. Madje, disa studiues të huaj ideologjinë konfucianiste e konsiderojnë si ideologjinë fetare të Kinës. Por, në ndryshim nga ideologjitë sunduese në Perëndim, Konficializmi fokusohet në jetën reale, në vlerat praktike, në mënyrë të veçantë në rëndësinë e familjes dhe normat që rregullojnë marrëdhëniet mes njerëzve, pra nuk është një ideologji që beson tek zotat, ose në jetën e përtejme.
Konfuci ka lindur në vitin 551 Para Lindjes së Krishtit dhe ka jetuar plot 70 vjet, pra ka jetuar në një periudhë rreth 100 vjet më të hershme se Aristoteli i Greqisë së Lashtë. Babai i vdiq kur ishte vetëm 3 vjeç dhe më pas së bashku me nënën u vendos në provincën e Shandong-it të Kinës së sotme. Emrin e vërtetë e ka pasur Kong Qiu dhe Konfuc, (Kong Zi) është quajtur në shenjë respekti. Konfuci ka jetuar në periudhën Chun Qiu (Pranvere-Vjeshte), periudhë në të cilën sistemi i shtetit unik u shpërbë dhe pas tij lindën një serë pricipatash të vogla vasale. Konfuci jetonte, pikërisht, në njërin prej këtyre shteteve të quajtur Luguo, i cili ishte edhe shteti më i zhvilluar nga pikëpamja kulturore për kohën.
Një ndër shkaqet kryesore se përse Konfucianizmi u pranua si ideologji sunduese, është se ai predikonte shoqërinë hierarkike, ku perandori ishte në majë të këtij sistemi, ishte një ideologji që i shkonte për shtat interesave të klasës sunduese, por gjithashtu ishte në dobi të ruajtjes së stabilitetit social dhe zhvillimit të vendit. Konfuci e vinte theksin tek rregullat etike dhe rendi. Sipas tij, nëse një vartës dilte kundër eprorit, ose fëmija dilte kundër prindit, ky konsiderohej si krimi më i rëndë. Sipas teorisë së Konfucit, zyrtari i shtetit ka për detyrë të qeverisë mirë vendin, kurse populli duhet të jetë besnik ndaj sovranit. Vetëm kështu, garantohet paqja e vendit dhe populli mund të jetojë në stabilitet. Konfucianizmi u zhvillua në një ideologji zyrtare në periudhën e Dinastisë Han, në shekullin e II Para Erës së Re. Në atë kohë, Kina ishte një vend i fuqishëm e unik, me një sistem qeverisës të përqendruar, autokratik dhe sunduesit e kuptuan se teoritë e Konfucit ishin mjaft të përshtatshme për ruajtjen e stabilitetit të shoqërisë feudale.
Idetë dhe veprimet e Konfucit përmblidhen në një libër, të quajtur “Lun Yu”-në, të cilin përmblidhen citate të Konfucit dhe biseda të tij me studentët. Në Kinën antike, ky libër është konsideruar i shenjtë, gati-gati, njëlloj si Bibla për perëndimin. Një qytetar i thjeshtë, me idetë e këtij libri, vendos rregullat për jetën e tij, ndërsa dikush që dëshiron të merret me politikë e të bëhet zyrtar, duhet që ta studiojë në thellësi këtë libër. Ka ekzistuar dikur thënia se “me gjysmën e Lun Yu mund të sundohet bota”, që do të thotë se, nëse zotëron vetëm gjysmën e librit Lun Yu, është e mjaftueshme për qeverisjen e vendit.
“Lun Yu” në vitin 1687 është përkthyer në latinisht nga misionari Jezuit Matteo Ricci dhe disa vite më vonë edhe në frëngjisht dhe anglisht. Në vitin 1691, një tjetër misionar francez, Louis le Comte boton në Paris librin “Mbi ritet kineze”, në të cilin bën një paraqitje të qartë të ideologjisë Konfucianiste të Lindjes. Thelbi i Konfucianizmit është Humanizmi dhe Virtyti, Etika. Sipas tij, Humanizmi duhet të shprehet në qeverisjen humane të bazuar në dashurinë për njerëzit, në mënyrë që gjithsecili të gëzojë të drejtën për të jetuar dhe për të qenë i lumtur. Ndërsa Etika, synon ndërtimin e një sistemi moral të shoqërisë, ku gjithsecili është i ndërgjegjshëm për përkatësinë e tij, që do të thotë se anëtarët e shoqërisë duhet të kenë një përcaktim moral dhe pranim moral të qëndrueshëm, për statusin e tyre social. Sipas këtyre dy parimeve bazë, nëse anëtarët e shoqërisë gëzojnë masivisht të drejtën për të jetuar dhe për të qenë të lumtur, do të thotë që ata nuk kanë nevojë për rebelim dhe trazira. Po kështu, nëse ata pranojnë masivisht sistemin moral të shoqërisë dhe zbatojnë rregullat morale, që ju përshtaten kushteve konkrete të tyre, atëherë rebelimi dhe trazirat nuk kanë bazë morale, pra nuk kanë bazë ideologjike. Duke qenë se shoqëria, nuk ka as nevojën dhe as bazën ideologjike të rebelimit, atëherë ajo do të gëzojë stabilitet afatgjatë. Mu për këtë shkak, Konfucianizmi ka qenë ideologjia kryesore gjatë gjithë periudhës feudale të Kinës dhe njëkohësisht, mori përhapje dhe ndikim të gjerë në shumicën e vendeve aziatike.
Koncepti i vlerave që dominon shoqërinë kineze, e ka prejardhjen pikërisht nga filozofia Konfucaniste, e cila ka qenë mbisunduese, jo vetëm në periudhën më të madhe historike të Kinës, por pa frikë, mund të thuhet se, në një masë të madhe dominon edhe vlerat e shoqërisë së sotme kineze. Dhe një nga tiparet me të mëdha të kulturës kineze, është pikërisht fakti se sistemi i vlerave të kinezëve në thelb është sistem sekular, në Kinë nuk lindi një fe, në kuptimin e mirëfilltë të saj. Nuk është rastësi që, Partia Komuniste e Kinës, asnjëherë nuk është shkëputur nga tradita kulturore e filozofike, duke u shprehur vazhdimisht për zbatimin e marksizmit në kushtet specifike të Kinës dhe pas zbatimit të politikës së hapjes dhe reformave, në ndërtimin e socializmit me tipare kineze. Dhe në këtë mënyrë, gradualisht është përpunuar dhe gjithnjë e më tepër po njihet e pranohet sistemi i vlerave me tipare kineze, i cili mbështetet në harmonizimin e vlerave të individit me progresin e gjithë shoqërisë, në ndryshim me konceptin e vlerave të perëndimit, i cili theksin e ve në liritë e individit. Në fakt jo vetëm në Kinë, por edhe në shoqëritë moderne të Japonisë, Koresë së Jugut, Singaporit, etj, të cilat kanë pranuar kulturën konfucianiste, mund të shihet qartë ky sistem vlerash. Këto vende, megjithëse me një demokraci të konsoliduar dhe nivel të lartë zhvillimi ekonomik, në ndryshim nga perëndimi, i japin rëndësi besnikërisë ndaj vendit, bashkëpunimit kolektiv, rregullit e rendit, duke ndërtuar atë që quhet kapitalizmi kolektiv. Dhe këto vlera shprehen në mënyrë të koncentruar në thënien e Konfucit se “Edukimi i vetvetes sjell unitetin e familjes, qeverisjen e mirë të vendit dhe paqen e botës”. 
Duke qenë një vend në rilindje të fuqishme, ekonomia e dytë në botë dhe me ambicie gjithnjë në rritje në arenën politike botërore, Kina aktualisht synon edhe propagandimin dhe konfirmimin e modelit kinez të zhvillimit, një model që deri tani ka rezultuar mjaft i suksesshëm dhe vital, një model i bazuar në sistemin e vlerave të shkollës së Konfucit, që kërkon harmonizimin e lirive individuale me zhvillimin e gjithë shoqërisë. Në kushtet kur Kina, dita ditës, po afrohet në mesin e vendeve të zhvilluara, si dhe kur Perëndimi për shkak edhe të krizës financiare po përballet edhe me krizën e sistemit të vlerave, modeli kinez i zhvillimit, pra sistemi i vlerave i tipit kinez pritet të sfidojë fort sistemin e vlerave universale të Perëndimit dhe madje të fitojë hapësira të reja e të gjejë mbështetje në rang botëror, por sidomos në vendet në zhvillim.
Disa thënie të Konfucit:
-Morali është baza e karrierës.
-Familja që bën të mira ju lë lumturi paraardhësve, ajo që bën vetëm të këqija ju lë fatkeqësi.
- Pasuria zbukuron shtëpinë, morali zbukuron njeriun.
-Kush sillet me moral, fle i qetë e pa brenga, kush bën të këqija, sado të përpiqet nuk do të gjejë rehati.
-Nderet që tjetri bën për mua nuk duhet të harrohen, nderet që unë bej për të tjerët edhe mund të harrohen.
-Në marrëdhëniet me miqtë, duhet të jesh i besueshëm e të mbash fjalën
-Më mirë një diamant të dëmtuar, se sa një gur të lëmuar.
-Nëse nuk e njeh jetën, nuk ke si të kuptosh vdekjen.
-Të jesh i qartë për atë qe di dhe atë që nuk di, kjo është dituria e vërtetë.
-Njeriu zotni, (njeriu i zgjuar) kërkon marrëdhënie të mira me njerëzit përreth, por gjithmonë duke menduar në mënyrë të pavarur dhe jo duke ndjekur të tjerët qorrazi, njeriu i vogël synon vetëm që të bëhet si të tjerët, por nuk arrin të ruajë marrëdhënie miqësore me njerëzit.
-Njeriu i nderuar mendon me moral e virtyt, njeriu i vogël vetëm për komfortin e tij.
-Jeta është e thjeshtë, jemi ne që e komplikojmë.
-Çdo gjë ka bukurinë e vet, por jo të gjithë e shohin atë.
-Ai që lexon por nuk mendon është i humbur, ai që mendon por nuk lexon është në rrezik të madh.
Nga Iljaz Spahiu*
*Sinolog

No comments:

Post a Comment

Letër publike e Kryetarit të Komunës së Junikut, Agron Kuçi, drejtuar Kryeministrit,zt.Ramush Haradinaj

Ndalo punimet e paligjshme që degrafojnë rrjedhën e lumit “Ereniku i vogël”! I Nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Ram...