2014-04-25

MIRË SE ERDHE NË ÇIKAGO, PROFESOR DANAJ !

Prof.Dr.Rasim Bebo


Prof. Koço Danaj është njëri nga pёrfaqësuesit më të spikatur të pararojës atdhetare Shqiptare në 20 vitet e fundit. Unë po kthehem prapa në imagjinatë, në 2300 vitet e historisë së popullit tonë të lavdishëm, të marr një kopje të emblemës shqiponjë të Pirros së Epirit, për t’ia sjellë si dhuratë shqiptarit të sotëm Koço Danaj, për të cilin jemi mbledhur këtu. Ky patriot i flakët është si një Pirro shqiponjë dhe neve do t’i bëhemi krahët e tij, Ai ecën mbi një prush zjarri të shtruar nga boshti grek-rus-serb, si kundërshtarë të “Shqipërisë Natyrale”. Prof. Koço Danaj, me kryelartësi, ecën përpara me flamurin shqiptar, për bashkimin e pesë pjesëve të kombit nën flamurin kuq e Zi, me një gjuhë, me një komb, me një flamur dhe me një histori. Ai i bën thirrje, intelektualëve të kombit, të bashkohen në një “Marrëveshje Historike të Madhe”, në kuvend dhe në parlament. Platforma e Shqipërisë Natyrale, bazohet në Kuvendin e Vlorës, i cili shpalli pavarësinë e Shqipërisë Natyrale. Shqipëria e sotme është produkt i Konferencës së Londrës 1913. Pse? Avdi Baleta citon: “Kryengritjet shqiptare që u bënë në Kosovë 1908, 1910, 1912, praktikisht ia shtrinë rrugën serbisë. U harxhuan u grinë forcat tona me Turqinë…” Është fakt i njohur se përplasja shqiptaro-osmane e viteve 1911-1912 dobësoi ndjeshëm potencialet dypalëshe. Pikërisht pak javë pas mbarimit të kësaj lufte (me 18 gusht të vitit 1912) filloi dhe sulmi ndaj territoreve shqiptare, nga Mali i Zi, Serbia dhe Greqia. Nëse lufta e shqiptarëve do të përqendrohej kundra këtyre agresorëve, padyshim që dhe harta e sotme e Shqipërisë do të ishte ndryshe. Lajkat joshëse të diplomacisë Serbe: Marrëveshja e Isa Boletinit me serbët bëhej nëpërmjet popzhivkovit të Vushtrrisë, mundoheshin të shfrytëzonin njëri-tjetrin për interesa të veta. Ata kishin nevojë për trimërinë dhe guximin e Isait, prandaj i jepnin armë dhe para. Lexojmë, Sabri Maxhunin te “Marrëveshja”: “Çohu bre zhivke, fort ju ka gërmue, shpejt një letër me marue, Kral Pjetrit me ja çue”. Ndërsa popi i mençur, dinak, i pa besë, kur Isai bindej për pabesinë e tyre i kthente pushkën, por me shumë gjak të derdhur shqiptari. Po kështu Azem Galica bëri marrëveshje me serbët “ata pranuan” marrëveshjen, (Mori armë dhe para) sepse të dy popuj fqinjë luftonin të njëjtin armik, Turqinë. Por kur miku Miliq Kërsta e tradhtoi, Azem Galica i këndoi: “Pse bre Kërst kështu me marue, / se tri vjet ke nejt me mue, / s’kam mshef motër, / s’kam mshef grue, / të ka dasht nana ma fort se mue”. (Bot. 2011, f. 112). Të tre këto figura, Isa Boletini, Azem Galica, Idris Seferi etj., po të ishin bashkuar në një trup dhe të rruanin freskinë e forcave të armatosura, duke vlerësuar rrezikun më të madh të fqinjëve, në prag të kapitullimit të Turqisë, do të fitonin kundra koalicionit Ballkanik. Një shembull nga historia.
Fan Noli shkruan: “Gjin Bua shpata fitoi kundra koalicionit të madh e të fuqishëm: të bizantëve, turqëve, grekëve, serbëve, dhe Dokos napolitanëve më 1379 e. j. Ai përdori taktikën e një force në kështjellë dhe forca tjetër jashtë kështjellës, ai u ra përsipër si rrufe dhe i shpartalloi, duke zënë rob kryekomandantin e tyre të ekspeditës Anxhuine, Huan Fernandez Heredia. Këtë taktikë të çamit Gin Bua Shpata, e përdori Skënderbeu në rrethimet e Krujës. (“Historia e Skënderbeut”, viti 1949, f.12. ). Vendi ynë sot i është kthyer tradhtisë, në një anarki, ku krerët hanë kokat njëri - tjetrit për hirë të kariges dhe të pasurimit. Pikërisht për ketë ata janë bashkuar me armiqtë tanë shekullor, që nuk duan bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe jo se jo krijimin e “Shqipërisë Natyrale”. Këtu qëndron madhështia e Koço Danajt, që u tregon me rrugë paqësore dhe nëpëmjet dialogëve, me cilindo dhe kudo brenda dhe jashtë atdheut. Ideatori i platformës për Shqipërinë natyrale, Prof. Koço Danaj, gjen mbështetje te fjalët lapidare të historianit Amerikan Xh. Williams: “Ka ardhur koha që të njihet e vërteta historike dhe shqiptarëve t’u jepet vendi që meritojnë, për kontributin që kanë dhënë në historinë e qytetërimit botëror. Shqiptarët janë gjyshërit e kombeve dhe të gjuhëve të Evropës, si dhe krijuesit e qytetërimit më të lashtë etnik evropian dhe nuk meritojnë të trajtohen, siç janë trajtuar, sidomos në shekullin e XX”. (E. K., f. 12) Por këto merita të shqiptarëve, i ka përvetësuar greku, për këtë lexoni Prof. Gene Haddlebury, kryetar i studimeve Helenistike në Universitetin Georgetoun, që thotë: “Greqia e lashtë e “Fabrikuar krejtësisht”, … është e gjitha një sajesë e krijuar nga një ekip prej dhjetëra historianësh. Prof. Koço Danaj, ka marrë një mbështetje të gjerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sa i takon projektit për kufijtë natyralë të Shqipërisë dhe zhbërjes së Konferencës famëkeqe të Londrës. Platforma për Shqipërinë natyrale, e cila ka trazuar Serbinë, Sllavo- maqedonasit, Greqinë dhe Malin e Zi, ka gjetur mbështetje nga faktorë të rëndësishëm në SHBA. Zoti Danaj ka marrë pjesë në festimin e pavarësisë në Detroit, Çikago dhe Nju York, ku ka referuar për platformën e ideuar prej tij. Ka zhvilluar takim në Universitetin Amerikan, Monroe Kollege, ku fjalën e rastit e mbajti doktor Sesil Rajt. Prof. Koço Danaj u është përgjigjur pyetjeve për platformën e Shqipërisë Natyrale. Janë krijuar tre degë të listës për “Shqipërinë Natyrale” në Detroit, Çikago dhe Nju Jork. Në vitin 2006 kjo u publikua në shqip, anglisht, serbisht, greqisht, sllavo-maqedonisht. Në Beograd janë botuar mbi 850 botime të quajtura rreziku i “Shqipërisë Natyrale”. Mërgim Korça thotë: “Ish ministri i jashtëm, z. Edmond Haxhinasto ka deklaruar: “Bashkimi kombëtar i popullit shqiptar, apo lëvizja e kufijve, është e dëmshme si ide për shqiptarët, dhe si veprim për rajonin”. Dhe më tej duke mos pasur turp, z. Haxhinasto thotë: “Meqë lista toponimike greke për t’u miratuar, jo vetëm që është paraqitur O.K.B.-së nga ana e Greqisë, por aspak prej Shqipërisë …, ka marrë edhe fuqi ligjore,” duke pohuar edhe se fjala ÇAMËRI nuk ekzistoka. Pse jemi druajtur ne dhe vazhdimisht druhemi, t’ia paraqesim kërkesën tonë gjithashtu O.K.B. se?! Prandaj dhe më tej Shteti Grek, ndërmjet drejtuesve të tij, nuk pranon asnjë ballafaqim historik shkencor lidhur me problemin çam, ose të trajtojë problemin e Çamërisë. (Çamëria zhduket nga harta e Greqisë…)” Ndërsa, Kryetari i listës për Shqipërinë Natyrale, profesor Koço Danaj ka shprehur: “… Domosdoshmërinë e miratimit të Rezolutës për Çamërinë nga Parlamenti i Shqipërisë. Duke i bërë thirrje PD dhe PS për të votuar këtë projekt të rëndësishëm. Danaj u shpreh se, mosaprovimi i rezolutës, do të thotë të ringjallësh Napolon Zervën. Ajo është një Rezolutë, nuk është asgjë më shumë, thjeshtë tregon dinjitet. Në radhë të parë, për ne Çamëria është çështje territori, nuk është çështje pronash, pronat janë të individëve, territori është i gjithë shqiptarëve, është pjesë e kombit shqiptar me 15.000 km2. … (“Votimi i Rezolutës…” 30-3-2013).
Kuvendi i Vlorës dhe Qeveria e përkohshme doli e zgjedhur nga të gjitha trojet shqiptare. Më 4 dhjetor 1912 u zgjodh qeveria e përkohshme nga 63 delegatë, nga këta 16 delegatë ishin nga Kosova, ndërsa 7 delegatë ishin nga Çamëria dhe nga të gjithë hapësirat e kombit Shqiptar.
Pas Konferencës së Londrës, rrethanat shoqërore politike të Shqipërisë bënë një kthesë të madhe në mes shteteve të Ballkanit. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë etnike, me 28 nëntor 1912 dhe njohja e saj nga Fuqitë e Mëdha, nën sovranitetin e sulltanit, ishte një akt me rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Këtë akt të pavarësisë shtetet e Ballkanit e pritën me zemërim të madh, veçanërisht reagoi Nikolla Pashiq i Serbisë dhe me ndërhyrjen e Rusisë, Fuqitë e Mëdha e shfuqizuan vendimin e 17 dhjetorit 1913, pasi Shqipëria njihej në kufijtë e saj Etnik nën sovranitetin e Sulltanit. Shqipëria u krasit në pesë pjesë nga Konferenca e Londrës, mbi bazën e logjikës koloniale. Po kështu Gjermania u nda në vitin 1945 në katër pjesë dhe më vonë në dy pjesë. Pas 45 vjetësh kjo padrejtësi koloniale mori fund dhe Gjermania u bashkua. Ky është shembull që vlen edhe për kombin shqiptar. Gjermania e kishte të sanksionuar me kushtetutë bashkimin kombëtar. Të njëllojtë e kemi edhe ne të sanksionuar në kushtetutë bashkimin kombëtar. Por qeveria Gjermane punon për Gjermaninë, Ndërsa qeveria Shqiptare punon për veten e saj dhe për fqinjët. Një shembull: Kur kancelarit të Gjermanisë Perëndimore i arrestohet sekretarja në zyrën e tij, si spiune ruse, ky në moment dha dorëheqjen. Por qeveritë tona e kanë bërë faqen bluashkë dhe nuk u bën përshtypje.
Prof. Dr. Eshref Ymeri shkruan: “Shqipëria ka në krye një kastë tradhtarësh në pushtet dhe në opozitë … Janullatosi është guvernatori faktik në Shqipëri i shovinizmit grekokaragjoz, kurse qeveritë shqiptare që hipin e zbresin nga pushteti në Tiranë, nuk janë gjë tjetër, veçse një turmë kukullash të fëlliqura që na kanë nxirë dhe po vazhdojnë të na nxijnë faqen para opinionit ndërkombëtar. (Janullatosi guvernator grek në Tiranë, 7-9-2011). Dhe më tej. Janullatosi ka deklaruar në gazetën greke “Kathemerini”: “Nuk e Kuptoj idenë e Shqiptarëve, se feja e shqiptarëve është shqiptaria. Këtë tezë do ta luftojmë, duke dalë hapur kundra Rilindjes Kombëtare.
Kur jemi para një qeverie të tillë dhe para një Akademie të Shkencave të tulatur dhe para grekut peshkop që ka pushtuar kishën Noliane, ka filluar tani edhe goditjen e figurave të ndritura të Rilindjes Kombëtare, në këtë kohë, për kundra këtyre, ngrihet me flamurin kombëtar, për Shqipërinë Natyrale Profesor Koço Danaj, si një figurë e ndritur kombëtare. Rëndësi të madhe ka, kur me Listën për Shqipërinë Natyrale, ai do të kërkojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Shqyrtimin e Ligjëshmërisë së Konferenës së Londrës 1913, që në mënyrë koloniale coptoi në pesë pjesë kombin shqiptar. Ne do t’i paraqesim asaj dëshmi të politikanëve që janë gjallë dhe atyre që kanë vdekur, të cilët kanë pranuar se ajo ishte e padrejtë, ishte koloniale, ishte një krim dhe si e tillë duhet anulluar. Dëshmia e Eduard Greit, e Pierre Pol Kambonit, E Kontit Bekendorf, e ish kryeministrit britanik Bler dhe e Robin Kuk. Personaliteti i shquar politik francez Justin Godar (1871-1956), i ka kërkuar Evropës të korrigjojë krimin që bëri me coptimine trojeve etnike shqiptare. Këtë e kërkoi senatori Helmes në senatin amerikan në vitin 1983. Të njëjten gjë kërkoi historiani i nderuar Dr. Aleksandër Lambert, Xh. Willams për të cilin folëm më sipër. Profesori i Universitetit Colombia, David Philips, i cili është njohës i mirë i çështjes shqiptare në Ballkan, pohon se ka marrë një nismë për promovimin e idesë për krijimin e Shqipërisë Natyrale. (agjensia “INA” 22-6-2012).
Presidenti Amerikan Bill Klinton shprehu në qershor të vitit 2002 se “Nënë Tereza, ishte e para ajo që më bëri të dua kombin shqiptar dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe vlerave të lirisë”. (prof. dr. Saimir Lolja, “Bota Sot”, 19-10-2004).
Është për t’u përmendur, Zonja Magdalen Ollbrajt, në mars 1997, kur renegati ish ministri i mbrojtjes Kiço Mustaqi kishte ardhur me 400 andarte grekë dhe piketonte flamurët greke në Shqipërinë Jugore, Sekretaria Amerikane, pyeti ministrin grek, ju doni të pushtoni Shqipërinë e Jugut, por neve nuk e ndalojmë Turqinë që t’u bjerë juve. Fill pas kësaj deklaratë, kryeministrja turke i dha ultimatum grekut, për t’u kthyer mbrapsht dhe u tërhoq menjëherë. Katrahura e vitit 1997 dhe janarit te 2011, u përgatit dhe u drejtuan nga greku, që kaloi mbi pellgje gjaku të 3500 të vrarë dhe 11.000 të plagosur dhe së fundi grabitën firmat piramidale që përfunduan në Athinë. Kjo është qeveria mercenare e Tiranës që ka përballë sot të nderuarin Koço Danaj.
Ne duhet të nuhasim situatën pastaj ta’ shfrytëzojmë në interes të kombit edhe kur këto interesa kombëtare përputhen me ato të mëdhenjve. Një shembull. Në kongresin Amerikan u kritikua Presidenti Klinton për harxhimin e 6 miliardëve dollarë për Kosovën, dhe ai u përgjigj me dy fjalë: “janë interesat e Amerikës”, por Kosova fitoi pavarësinë. Nga Feliks Taho në faqet e internetit u dha një lajm interesant: “Kryeministri turk Erdogan, në një intervistë për kanalin shtetëror turk, deklaron se Turqia do të mbështesë vëllezërit shqiptar, nëse do të jetë e nevojshme me trupa ushtarake. Ai shtoi më tej, se populli shqiptar ka të drejtën e vetëvendosjes për krijimin e një shteti të madh shqiptar.… Ai shton se trupat kombëtare turke janë në gatishmëri dhe do të ndihmojnë shqiptarët për çlirimin e trojeve shqiptare. (Feliks Taho, internet, 12 maj 2012). I urojmë Profesor Koço Danajt, suksese në realizimin e ëndrrës 100 vjeçare, që të kthehet në realitet shteti i Shqipërisë Natyrale. Të gjithë jemi përkrahësit e tij.

Addison Çikago

No comments:

Post a Comment

Sinteza e dëshmive ( Recension për librin :Dibran Fylli"Tokë e mbjellë në varre" (Krimet serbe në Kosovë 1998/1999)

Mark Skinner: Të paktën 82 shqiptarëve që u dërguan gjallë në Serbi, gjatë luftës, u janë marrë organet Në raportin e Komision...