2014-04-23

Në Suedi jepet "PENA E KRISTALTË" për shkrimtaren Vilhelme Vrana Haxhiraj




Vjollca Tytyni (Gjakova)





Qendra Kulturore Shqiptare "Migjeni" në qytetin Boras të Suedisë, gjatë vitit 2013 organizoi konkursin letrar "Sofra Poetike". Nismën për këtë konkurs e mori z.Sokol Demaku, drejtor i revistës "Dituria", Boras në Suedi. Në konkurs morën pjesë mjaft poetë nga të gjitha shtetet, ku jetojnë dhe punojnë shqiptarë.

Juria e konkursit e mbledhur në datën 29 mars 2014 shpalli fituesit e këtij konkursi. Mes shkrimtarëve fitues u vlerësuan edhe poezitë e shkrimtares së mirënjohur nga Vlora, Vilhelme Vranari Haxhiraj( Mjeshtre e Madhe). Për kontributin e dhënë në kultivimin e poezisë shqipe, autorja u vlerësua me çmimin e dytë, kurse njërën prej tri poezive të paraqitura në konkurs, me titull "Pafundësisht", "Sofra Poetike" e nderoi autoren me një çmim të veçantë "PENA E KRISTALT" .
image
Unë jam gjakovare. Kam fatin që e njoh shkrimtaren dhe krijimtarinë e saj nga afër, ku vlerësoj talentin në disa gjini letrare, palodhshmërinë, vullnetin e saj për të dhënë ato vlera që ia mohoi koha për gjysmë shekulli.

Lexuesi e di mirë se puna e saj vetëmohuese, voluminoze dhe cilësore, të cilën kritika e ka përcaktuar "Letërsi ndryshe","Letërsi bashkëkohore", apo"Letërsi moderne që vlen të lexohet në gjithë gjuhët e botës", si dhe ka sjellë "risi" në kolanën e letërsisë shqipe,"ka thyer kornizat e soc/realizmit" duke krijuar fizionominë dhe individualitetin e saj letrar.

Studiues letrarë dhe adhurues të shumtë të krijimtarisë vilhelmiane, nuk e krahasuar pa qëllim me Balzakun (Honore de Balzac), me Petro Markon, me Markezin (Gabriel Garsia Marquez, nobelistin të cilin autorja e ka idhull), me Alenden (Isabel Allende), me Mopasan (Gi De Mopasan), me Virginia Wolf( meqë autorja ka në qendër të krijimtarisë së saj, personazhin femër). Kurse për guximin që ajo ka për të thënë të vërtetën dhe realitetin, e quajtën "Musine Kokalari "e Vlorës, gjë që tregon se autorja ka vrarë frikën. Gjithashtu, jo më kot e kanë quajtur"Herta Müleri" shqiptare, por për fatin e saj të keq në kohën e diktaturës Vilhelmes i mohuan profesionin dhe çdo të drejtë njerëzore, kurse nobelistja Herta kishte mbështetje një komb, si Gjermania dhe shkruante në gjuhën gjermane. Për novelat e Vranarit, ku jeton nëpër faqet apo paragrafet e librave, letërsinë e saj e kanë krahasuar me Anton Çehovin, Remark(Erich Maria Remarque), Cvaig (Stefan Zweig) etj emra të njohur të krijimtarisë letrare.

Ata që kanë pasur rastin ta njohin nga afër këtë zonjë të vërtetë, mund edhe te kujtojnë modestinë e saj dhe respektin e pafund që shpreh për kontribuesit e shumtë që i dhanë jetë universit të saj letrarë

"I nderoj dhe u jam mirënjohëse për vlerat e mëdha artistiko-letrare dhe edukative që i kanë dhënë njerëzimit nobelistët dhe shkrimtarët e mëdhenj të botës si dhe për ndikimin e veprës së tyre në formimin tim letrar, porse unë jam vetvetja. Jam një krijuese që, për shkak të kohës, dola vonë dhe mundohem ta paraqes dramën e panumërt shqiptare me ngjyrat e kohës, të vërtetë, reale, të gjallë, pa hiperbolizma dhe paanshmëri politike apo klasore. Dëshiroj që në krijimtarinë time modeste, të vonuar dhe sipas këndvështrimit tim ndaj botës që na rrethon, të gjejë sadopak veten lexuesi. Nëse kam arritur apo do të arrij diçka të tillë, them se e kam realizuar qëllimin tim, për atë çfarë shkruaj", shprehet znj. Vranari Haxhiraj.

Autorja për arsye objektive nuk iu përgjigj dot ftesës për të marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimeve letrare në Suedi. Organizatori i konkusit z.Sokol Demaku e kombinoi dhënien e çmimit të znj. Haxhiraj me aktivitetin e tij në përurimin e librit të përkthyer prej tij nga suedishtja. Libri për fëmijë "Një përrallë suedeze nga shkrimtari Larh Westman" titullohet "Djali dhe Tigri", botim i revistës "Dituria" Boras Suedi. Përkthyer nga Sokol Demaku.

Shkrimtarja Vilhelme Vranari-Haxhiraj në fjalën e saj përshëndetëse për Çmimin "Pena e Kristalt ",u shpreh: "Jam e lumtur që marrë pjesë në një aktivitet letrar suedezo-shqiptar dhe pikërisht në Shkollën Publike " Demokracia" të qytetit bregdetar të Durrësit. Përshëndes drejorin e shkollës z. Abdyl Buçpapaj, stafin arsimosr dhe nxënësit e kësaj shkolle. Përshëndes shkrimtarët dhe grupin letrar të shkollës "Demokracia". Një falënderim të veçantë e kam për drejtorin e revistës kulturore "Dituria "në Suedi, mësuesin e gjuhës shqipe dhe të shkencave të natyrës, z Sokol Demaku! I uroj suksese në krijimtari dhe sidomos në fushën e përkthmit! Është meritë e tij binjakëzimi i shkollave të Durrësit me shkollat e Suedisë. Ka shumë rëndësi këmbimi i përvojave mes arsimit shqiptar dhe atij suedez.

Me këtë rast, meqë çmimi m'u dorëzua në këtë shkollë, falenderoj jurinë për vlerësimin e poezisë sime, megjithëse unë mendoj se nuk jam “poete”. Jam vlerësuar me "Çmimin e Karrierës", me "Medalje Argjendi", me "Medalje Ari" etj, por më duket shumë i veçantë çmimi, "Pena e Kristalt", i cili më jep një ndjesi delikate që përcjellë shumë finesë brenda qenies sime. Ju falenderoj z.Sokol Demaku për bashkëpunimin tuaj me shkollat e Durrësit. Ju uroj gjithashtu një bashkëpunim të frytshëm në binjakëzimin mes shkollave suedeze dhe shqiptare. Do të isha e lumtur nëse do ta shtrinit bashkëpunimin edhe në shkollat e Vlorës! Urime dhe Faleminderit!"

Sidoqoftë, më bën gjithnjë e më shumë përshtypje modestia, mbase e tepruar e znj. Vilhelme! Nuk e kuptoj përse Znj. Vranari, e kundërshton të qenit poete?! Nëse do t'i hedhim një sy maratonës së çmimeve: Në Torino shkrimtarja Vrana merr Çmimin e I-rë me poezinë "Rrënjët". Jo më shumë se 10 muaj më parë, më 22 maj, në Firence fiton çmim me poezinë "Sa do të doja"( Quando Vorrei) dhe mes 100 poetëve fitues të tre viteve nga e gjithë bota, me këtë poezi, ajo përfshihet në antologjinë italiane"Premio Internazionale" dhe tani përsëri fiton në Suedi një çmim prestigjioz "Pena e Kristalt",gjë që asnjë nga këto vlerësime nuk është fat, nuk është mbajtje me hatër dhe aq më tepër s'është rastësi. Jam mëse e bindur se është fryt i punës së saj këmbëngulëse dhe fal talentit të saj, që natyrisht është edhe brum i të parëve te saj, duke lënë gjurmë të çmuara në një fushëveprimtari fisnike, prej nga është edhe ajo vetë.

Ndoshta, mendon ajo, sepse poezinë e lëvron pak. Në 36 tituj të botuar të saj, vetëm tre prej tyre janë vëllime poetike, kurse 33 librat e tjerë janë në prozë. Për këtë autore nuk flitet vetëm për volum prodhimtarie, por edhe për cilësi. Nëse shohim botimet e fundit të saj, brenda 12-13 muajve është paraqitur me 4 botime:"Ankthi i së vërtetës"2013-roman;"Shoku im arushi" -2013- përralla për fëmijë;"Një mall i pashuar"-novelë- 2014) dhe u ribotua "Bashkë në dashuri dhe atdhetari" -studim- 2013.

Do të shtoja me këtë rast se zakonisht për arritje të tilla, mediat nuk duhet të heshtin. Mendoj se çmime të tilla nga jashtë kufijëve tanë shtetëror, nuk nderojnë vetëm autoren, por vendin tonë, Lidhjen e Shkrimtarëve, Qytetin e Vlorës dhe gjithë lexuesit. Ndaj mediat vizive duhet t'i reklamojnë raste të tilla, se duhet ta shohin në prizmin e kulturës kombëtare dhe jo individuale.

***

No comments:

Post a Comment

Ushtria ,policia shqiptare,FSK dhe Policia e Kosovës në gjendje gadishmerie pas termetit të sotëm në Shqipëri

Nga Flori Bruqi          Një tërmet i fuqishëm godet Tiranën dhe Durrësin Një tërmet me magnitudë 5.8 të shkallës Rih...