Putini po ecën në gjurmët e Stalinit

Prof.dr. Eshref Ymeri



Para pak ditësh, gazeta franceze “Le Figaro” botoi një analizë, kushtuar ngjarjeve pas pushtimit dhe aneksimit të Krimesë prej Federatës Ruse, pas një referendumi që u zhvillua atje me një nguti të habitshme. Me këtë rast, gazeta citon një fjalë të urtë që e përmend ish-i burgosuri i GULAG-ut, disidenti sovjetik Sergej Kovalov (1930), pjesëmarrës i lëvizjes në mbrojtje të të drejtave të njeriut në Bashkimin Sovjetik dhe në Rusinë passovjetike, personalitet politik dhe shoqëror rus, ish-deputet i tri legjislaturave të parlamentit rus (1993-2003).
Skeda:Union of Soviet Socialist Republics (orthographic projection).svg
Duke pasur parasysh synimet ekspansioniste të Putinit në qëndrimin ndaj ish-republikave sovjetike, Kovalovi thotë se “oreksi vjen duke ngrënë”. Me këtë fjalë të urtë, Kovalovi ka parasysh qëndrimin e Putinit ndaj Gjeorgjisë, së cilës, në vitin 2008 i gllabëroi Osetinë e Jugut dhe Abhazinë. Siç del nga zhvillimi i ngjarjeve, Putini, me sa duket, mbrojtjen e rusëve që jetojnë përtej kufijve të Rusisë, e ka vënë në qendër të politikës së vet ekspansioniste. Dhe kjo me pretekstin se atyre “po u shkelen të drejtat”.
Në të vërtetë, në Ukrainë nuk ishin vënë re kurrfarë shkeljesh të të drejtave të rusëve. Të ashtuquajturat të drejta të shkelura të rusëve në Krime ishin thjesht inskenime të Kremlinit, të orkestruara drejtpërsëdrejti nga Putini. Prandaj edhe rusë të Krimesë dilnin me pankarta në duar, në të cilat bëhej thirrje “për t’i shpëtuar” atdheu-mëmë.



Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, rreth 25 milionë rusë mbetën në ish-republikat sovjetike. Duke përdorur si vjegë gjoja mbrojtjen e tyre se “po u shkelen” të drejtat, Putini i është kthyer politikës ekspansioniste të carizmit për pushtime territoresh të huaja. Në këtë mënyrë, ai po mundohet të vërë në jetë politikën e shovinizmit rusomadh, përmes së cilës kërkon të ringjallë ish-Bashkimin Sovjetik. Se jo më kot ai pati deklaruar dikur se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik na paskej qenë tragjedia më e madhe e shek. XX!

Kësisoj Putini është duke nxitur një reaksion zinxhir: fill pas aneksimit të Krimesë, në Pridnjestria, (ish-pjesë e territorit të ish-Republikës Sovjetike të Moldavisë), të cilën trupat ruse vazhdojnë të mbajnë të okupuar që prej viteve ’90 të shekullit të kaluar, kanë filluar të dëgjohen thirrje për të hyrë në përbërjen e Federatës Ruse.


Në ish-republikat sovjetike të Azisë së mesme, rusët përbëjnë afërsisht 10% të popullsisë. Por në Kazikstan, me një popullsi prej rreth 17 milionë banorësh, rusët përbëjnë rreth 27% të saj. Prandaj presidenti (i përjetshëm) Nazarbajev i Kazakistanit, në kushtet pas aneksimit të Krimesë prej Kremlinit, tani ndodhet në një pozitë me të vërtetë delikate. Por pas aneksimit të Krimesë, edhe presidenti Lukashenko i Bjellorusisë nuk e ndien veten fort rehat. Seç ka një shqetësim që po e bluan përbrenda.

Pakicat nacionale ruse nuk janë të pakta edhe në ish-republikat sovjetike të Priballtikut, sidomos në Estoni. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Kremlini, përmes këtyre pakicave kombëtare, bëri ç’është e mundur për të penguar hyrjen e tyre në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por nuk mundi t’i pengonte dot. Gjithsesi, tre shtetet e Priballtikut e ndiejnë veten të mbrojtur nga aleanca e NATO-s, në krahasim me Ukrainën, e cila ka mbetur e zbuluar para epsheve shoviniste të Putinit.


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh Bush, pikërisht në pranverën e vitit 2008, pati propozuar që Gjeorgjia dhe Ukraina të përfshiheshin në programin e përgatitjes për të hyrë në NATO. Por Franca dhe Gjermania nuk pranuan.

“Ky hap i Parisit dhe i Berlinit, - nënvizon gazeta “Le Figaro”, - duhej të kishte shërbyer si një gjest paqtimi në marrëdhëniet me Moskën. Por Vladimir Putini e vlerësoi atë si një shenjë dobësie… Që asokohe kanë kaluar gjashtë vjet dhe Perëndimi aneksimin e Krimesë e quan po aq të papranueshëm, sa edhe copëtimin e Gjeorgjisë. Ai, me shumë të drejtë, heq dorë nga përdorimi i forcës, por a i ka vallë mjetet dhe mundësitë për t’ia disiplinuar në njëfarë mënyre orekset presidentit të Rusisë? (Citohet sipas: “Le Figaro: Hapat e Perëndimit për pajtim, Putini i merr për dobësi”. Marrë nga faqja e internetit “charter97.org”. 26 mars 2014).

Para pak kohësh, udhëheqësi i tatarëve të Krimesë, ish-udhëheqësi i Kuvendit Kombëtar (Mexhlisit) të Krimesë, Mustafa Xhemilev, zhvilloi një bisedë me Putinin, në të cilën theksoi rëndësinë e ruajtjes së tërësisë territoriale të Ukrainës, në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar më 1994 prej vendeve garantuese: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Rusisë. Dhe cili ishte reagimi i Putinit, sipas Xhemilevit?
“Për këtë temë, Putini preku një të tillë çështje, sipas së cilës vetëshpallja e Ukrainës si vend i pavarur, nuk përputhej krejtësisht me normat sovjetike që parashikojnë procedurën e daljes nga përbërja e Bashkimit Sovjetik. Ja ky ishte qëndrimi i tij” (Citohet sipas: Udhëheqësi i tatarëve të Krimesë rrëfen për bisedën me Putinin”. Marrë nga faqja e internetit “utro.ru”. 12 mars 2014).


Duket fare sheshit që Putini ka dalë me një deklaratë paradoksale në qëndrimin ndaj Ukrainës. Normat sovjetike për daljen nga përbërja e Bashkimit Sovjetik kishin fuqi ligjore për aq kohë sa Bashkimi Sovjetik ishte më këmbë si një strukturë shtetërore unike. Por asokohe cila nga republikat mund të kuturiste të bënte kërkesë për të dalë nga përbërja e Bashkimit Sovjetik? Asnjëra, se Kremlini do ta mbyste në gjak. Por kur ngrehina sovjetike u shkërmoq, atëherë për çfarë normash sovjetike e ka fjalën Putini, për të cilat kërkuaka që t’i respektojë Ukraina? Epshet shoviniste ndaj Ukrainës, Putinin e kanë verbuar keq, prandaj ai arrin të nxjerrë nga goja edhe deklarata të pamatura, si kjo që u përmend më lart.

Në qëndrimin ndaj Ukrainës, Putini udhëhiqet nga mendësia hegjemoniste e Bashkimit Sovjetik, i cili shfaqjet e nacionalizmit nëpër republika, i vlerësonte si tendenca për minimin e ngrehinës sovjetike. Në këtë aspekt, ai është duke ndjekur gjurmët e Stalinit, i cili nacionalizmin ukrainas e kishte halë në sy. Madje ndjenjat nacionaliste nëpër republikat sovjetike duhej të çrrënjoseshin tërësisht dhe në mbarë Bashkimin Sovjetik, domosdo, duhej të lulëzonte vetëm nacionalizmi rus. Po çfarë deklaronte Stalini konkretisht?
“Jo, ne po veprojmë drejt që po i ndëshkojmë kaq rreptë nacionalistët e të gjitha kallëpeve dhe ngjyrave. Ata janë ndihmësit më të mirë të armiqve tanë dhe armiqtë më të tërbuar të popujve të vet. Se me ëndrrën e vet të përhershme, nacionalistët kanë për qëllim ta shkërmoqin Bashkimin Sovjetik në shtete të veçanta “kombëtare” dhe atëherë ai do të bëhet kollaj pre e armiqve. Kurse popujt që banojnë në Bashkimin Sovjetik, në shumicën e tyre, do të shfarosen fizikisht, kurse ata që do të mbeten do të shndërrohen në skllevër të pagojë dhe mjeranë. Jo rastësisht tradhtarët e përbuzur të popullit ukrainas, udhëheqësit e nacionalistëve ukrainas, të gjithë këta melnikët, konovallët, banderat, kanë marrë tashmë detyra nga zbulimi gjerman për të ndezur mes ukrainasve, që janë po ashtu rusë, urrejtje për rusët dhe të arrijnë ta shkëpusin Ukrainën nga Bashkimi Sovjetik… Prandaj ata duhen mbajtur nën fre, të mos lejohen t’i vënë minat unitetit të Bashkimit Sovjetik” (Citohet sipas: J.V. Stalin. Vepra të plota. Vëll. 15. Bisedë me A.S. Jakovlevin. 26 mars 1941, f. 17. Marrë nga faqja e internetit “Mësimet e harruara të historisë. Stalini për nacionalizmin ukrainas”,“ahtubinskpilot.ru”. 28 shkurt 2014).


Zhvillimi i ngjarjeve pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, vërtetoi në praktikë se deklarata e Stalinit kundër nacionalistëve nëpër republikat sovjetike dhe sidomos në Ukrainë, rezultoi se kishte qenë thjeshtë një demagogji e pastër që kishte për qëllim vetëm lartësimin e nacionalizmit rus dhe justifikimin e tendencave ekspansioniste të shovinizmit rusomadh në kurriz të popujve jorusë. Republikat u pavarësuan pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe askush nga vendet perëndimore nuk e vuri në rrezik tërësinë e tyre territoriale dhe sovranitetin kombëtar. Përkundrazi, integritetin tokësor dhe sovranitetin e tyre kombëtar e ka cënuar dhe po vazhdon ta cënojë pikërisht shovinizmi rusomadh, si në rastin e Moldavisë, të Gjeorgjisë dhe të Ukrainës.


Ish-republikat sovjetike, fill pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, u larguan marramenthi nga tutela e Moskës sepse gjatë shtatëdhjetë vjetëve, ajo kishte arritur t’i nënshtronte plotësisht. Madje qe përpjekur që të ndryshonte ca nga ca edhe përbërjen demografike të tyre përmes rusifikimit të shkallëshkallshëm. Se po të kishte ndodhur e kundërta, domethënë nëse Moska do t’i kishte trajtuar republikat me të drejta të barabarta, nëse do t’u lejonte sa më shumë pavarësi, sa më shumë të drejta për vetëqeverisje, për vetëzhvillim dhe për ngritje të nivelit të mirëqenies, ato me siguri që nuk do të shkëputeshin nga Moska me aq shpejtësi.
Të gjitha konfliktet që kanë lindur me Moldavinë, me Gjeorgjinë dhe me Ukrainën dhe që nesër pasnesër mund të lindin edhe me shtete të tjera fqinje, ish-republika sovjetike ose, si fjala vjen, me Finlandën, e kanë burimin jo vetëm te shpërfillja dhe përbuzja që shovinizmi rusomadh ushqen ndaj tyre në vazhdimësi, i kapluar keq nga ndjenja e madhështisë, por edhe te ringjallja e stalinizmit, i cili, pas ardhjes në pushtet të Putinit, është rehabilituar në një mënyrë të pabesueshme. Një shpërfillje dhe një përbuzje të tillë e ushqejnë jo vetëm politikanët por edhe populli rus, siç del qartë nga burimi i mëposhtëm:
“Vladimir Putini i ka propozuar Bjellorusisë të hyjë në përbërjen e Rusisë me krahina. Shembuj të tillë të një qëndrimi përbuzës jo vetëm nga ana e politikanëve, por edhe nga ana e rusëve të thjeshtë ndaj Bjellorusisë dhe ndaj Kazakistanit, mund të gjesh me shumicë. Duke i vlerësua këto qëndrime në tërësi, ne arrijmë në një përfundim të thjeshtë: Bjellorusia, përgjithësisht, nuk është kurrfarë shteti, kurse në përbërjen e Kazakistanit ka shumë krahina “ruse”. Nëse Putini do të arrijë ta copëzojë Ukrainën, atëherë për Kazakistanin dhe për Bjellorusinë do të nënshkruhet dënimi me vdekje” (Сitohet sipas: Valerij Portnjikov. “Agresori i vetëm Putin”. Marrë nga faqja e internetit “glavred.info”. 04 mars 2014).


Qëndrimi përbuzës që Putini ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë ndaj Ukrainës, është me të vërtetë i përmasave skandaloze. Këtë të vërtetë tragjike e pranon zonja Lilia Shevcova (1949), politologe ruse, doktor i shkencave historike, profesore e Katedrës së Politologjisë Krahasuese të Institutit Shtetëror Rus të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, bashkëpunëtore shkencore përgjegjëse e Qendrës Karnegi të Moskës.
Ajo deklaron:
“Ukraina është, së pari, një projekt personal i Putinit që prej vitit 2004. Udhëheqja politike e Rusisë e konsideron Ukrainën si një vend që s’ka arritur të bëhet shtet, si dikë që s’ka arritur të bëhet njeri, si një bashkësi që nuk ka komb, që nuk ka identitet. Prandaj jo më kot Putini i deklaroi Bushit në vitin 2008: “Xhorxh, çfarë po thua për Ukrainën, se ajo, përgjithësisht, nuk është shtet dhe i tillë s’ka për t’u bërë kurrë”. Përveç gjithë të tjerave, Ukraina, për shumë njerëz në Rusi, konsiderohet si kryenëna e shtetit rus, pikërisht si puna e Kosovës për serbët. Dhe madje më shumë” (Citohet sipas: Lilia Shevcova. “Ukraina është një dackë për elitën politike ruse”. Marrë nga faqja e internetit “LB.ua”. 02 mars 2014).
Pas shpalljes të së ashtuquajturës “Republika Popullore e Donjeckut” më 07 prill 2014, sipas të gjitha gjasave, Putini do t’i zgjerojë kufijtë e Federatës Ruse me të tjera “republika popullore”, me të vetmin qëllim që ta shndërrojë Ukrainën në një “bashkësi pa komb dhe pa identitet”. Domosdo, përderisa Ukraina është katandisur në një vend pa zot. Se gjatë 22 viteve nuk qe në gjendje të nxirrte në krye një klasë politike me dinjitet kombëtar.

Ky qëndrim prej shovinisti të kulluar i Putinit ndaj Ukrainës, nuk mund të vlerësohet ndryshe, veçse si një stalinizëm i pastër në ndërtimin e raporteve me ish-republikat sovjetike.
Shkrimtari, publicisti dhe veprimtari politik Aleksandër Prohanov (1938), në një konferencë shtypi, të zhvilluar para disa vjetësh në qytetin e Ekaterinburgut, ka deklaruar:
“Pothuajse 60% e banorëve të Rusisë janë stalinistë të bindur… Josif Visarionoviçi po rend nëpër hapësirat e vendit me shpejtësinë e dritës. Duhet kuptuar mrekullia e stalinizmit” (Citohet sipas: “Ditari i Eduard Volkovit”. Marrë nga faqja e internetit “liveinternet.ru”. 15 prill 2010).
Nënkuptohet që merita kryesore për ringjalljen e stalinizmit në Rusi, i takon Putinit, i cili është dashuruar keq pas një pushteti autokratik. Në bazë të orientimeve të tij të drejtpërdrejta, fryma e stalinizmit po injektohet me shumë kujdes në radhët e brezit të ri. Nga një sondazh i kryer kohët e fundit, kanë rezultuar të dhëna me të vërtetë befasuese:
“Në një mënyrë të çuditshme, pikërisht brezat e rinj, të cilët s’e kanë jetuar kurrë periudhën e stalinizmit, janë duke përjetuar nostalgjinë më të madhe për të kaluarën. Por në këtë mes nuk ka asgjë për t’u habitur, sepse kjo valë e kthimit të nostalgjisë për stalinizmin e ka burimin në arsimimin shkollor dhe universitar, përmes programeve të “historisë politike”, të frymëzuara prej Vladimir Putinit” [Citohet sipas: “Rusia: kthimi i stalinizmit”. Marrë nga faqja e internetit “inosmir.ru”. 23 mars 2014].



Duke ndjekur gjurmët e Stalinit, Putini e ka armiqësuar keq Ukrainën me politikën e Kremlinit. Në këtë mes, siç thotë Xhejms Bruk, ish-gazetar i “Zërit të Amerikës” në Moskë, “Rusia e ka humbur betejën me Perëndimin në përpjekjet për të fituar zemrat dhe mendjet e ukrainasve. Këta nuk i kthen më dot prapa. Duke e pranuar këtë fakt, Putini kërkon të hedhë në veprim një variant rezervë: ta destabilizojë Ukrainën, duke ndezur përçarje gjuhësore dhe ndëretnike” (Citohet sipas: Xhejms Bruk. “Rusia me sytë e një amerikani. Vladimir Putin ka të drejtë: Perëndimi ndikoi mbi zgjedhjen që bëri Ukraina”. Marrë nga faqja e internetit “voanews.com”. 16 mars 2014).
Ёshtë e qartë se Putini nuk mund të veprojë dot ndryshe, sepse nuk mund ta braktisë dot psikologjinë e Kremlinit, sipas së cilës Rusisë i intereson që shtetet rreth e rrotull saj të jenë shtete të mekura që i bluajnë vazhdimisht konfliktet e brendshme. Prandaj edhe Ukraina, megjithëse kanë kaluar më shumë se 22 vjet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe pavarësimit të saj, vazhdon të mbetet ekonomikisht dhe politikisht një shtet me sovranitet të dyshimtë. Pra, gjendja e tanishme e Ukrainës është pasojë e drejtpërdrejtë e politikës hileqare të Kremlinit ndaj saj, çka ka gjetur pasqyrim në korrupsionin skanadaloz të elitës së saj politike dhe në tradhtimin prej saj të interesave kombëtare të popullit ukrainas.


Në këtë aspekt, politika e Kremlinit ndaj Ukrainës është vite drite larg politikës amerikane ndaj dy shteteve fqinje: Kanadasë dhe Meksikës. Duke bërë krahasimin mes këtyre dy politikave, gazetari Xhejms Bruk ka shumë të drejtë në gjykimin e vet kur deklaron:
“Po të bëjmë një krahasim mes bëmave të Rusisë në Krime dhe qëndrimit të kontinentit amerikanoverior, atëherë do të dukej sikur gjoja Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vendosnin ta përçanin dhe ta dobësonin Kanadanë, duke nxitur tendenca separatiste në Kuebekun kanadez, ose të fillonin të financonin ndonjë kryengritje në Meksikë. Në vend të një politike të tillë, populli amerikan dhe politikanët e tij besojnë dhe janë të bindur se zhvillimi i suksesshëm i Kanadasë dhe i Meksikës është në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj edhe qe nënshkruar dhe vazhdon të respektohet Marrëveshja Amerikanoveriore për Tregtinë e Lirë, një asociacion vullnetar ky i shteteve demokratike, si puna e Bashkimit Evropian, i leverdishëm për të gjithë anëtarët e vet” (po aty).


Kremlini, fatkeqësisht, është shumë larg një mendësie të tillë politike në marrëdhëniet me Ukrainën. Dhe gjasat janë se zor se mund të çlirohet ndonjëherë nga një psikologji e tillë, përderisa Putini përdor autoritarizmin në ushtrimin e pushtetit. Kjo ka bërë që ai, si një figurë e dalë jo nga radhët e inteligjencies së kultivuar ruse, por nga radhët e KGB-së, t’i kthehet stalinizmit, çka do të thotë që ai, jo vetëm brenda vendit, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, parapëlqen të komunikojë me gjuhën e forcës. Prandaj edhe Vashingtoni, edhe Brukseli duhet ta kenë parasysh faktin që edhe Putini gjuhën e forcës e kupton më mirë. Sepse vetëm kështu mund të vihen në zap epshet e tij ekspansioniste.

Santa Barbara, Kaliforni
08 prill 2014

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri