2014-04-23

Refleksione letrare :Mos i'a rrëfe shpirtin lumit

Foto: PUBLICISTI, SHKRIMTARI, POETI FLORI BRUQI, PRISHTINE, KOSOVE , NOMINOHET NGA AKADEMIA ALTERNATIVE E PEGASIT ME TITULLIN E LARTE " PUBLICISTI  I VITIT 2O12 I LNPSHA "PEGASI" ALBANIA, "PEGASI" KOSOVA "

Nga Flori Bruqi


Nuk më ndodhi kështu me këtë libër për të cilin po bëj këtë përcjellje sepse autorja Mimoza Legisi vjen tashmë me libër në një moshë serioze e të pjekur, ku ka patur gjithë kohën të lëshojë në tokë lulet e para të rinisë që bien nga një ngricë e lehtë dhe nuk rrezistojnë gjatë. Ajo vjen me libër në një moshë kur poezia është poezi e pjekur, e formuar, vjen pa bujë, pa zhurmë, por me një siguri të kuptueshme, ani se e brishtë në dukje.
Lexuesit do t’i thoja se në këtë libër ka botë, ndjenjë, ka jetë njerzore në gjithë pamjet e saj, me gjithë ngjyrat e saj, ka ftesë për mirësi e fisnikëri.


Përgjithësisht, janë poezi të arrira që shtrihen në një rrafsh poetik me një nivel të bukur artistik. Motivi, figuracioni, ndërthurja e bukur lirike e mendimit poetik janë përmbajtësore dhe të realizuara bukur. Plot ndjenjë, emocion, vrull, zjarr rinor, ku ngarendin në kahje të kundërta dashuria për atdhe nga njëra anë, dhe dashuria për të bukurën, të dashurën. 


Që të dyja këto në kushte e rrethana të jashtëzakonshme, që i shkojnë ndesh njëra tjetrës pa guxuar të bashkohen, pikërisht shkaku i gjendjes në të cilën ndodhen të dyja përkrah njëra-tjetrës. Pra, është koha kur atdheut i dridhet trolli nën këmbë, sikurse edhe dashurisë së autorës :


“Te kërkova maleve, shkrepave, shkëmbinjve
Nuk u lodha aspak për pak mirësi…”


 (”Mirësi”)

Poetja Mimoza Legisi, përmes vargjeve na dërgon deri tek thellësitë e ndjeshmërisë së qenies, që herë-herë na del e thyer në mijëra copa, sikur një violinë, deri tek telat e hollë të shpirtit. Ose, deri aty ku lexuesi dëshiron me hy, pra atje ku dashurojmë deri në marrëzi, ëndërrojmë të jemi edhe kur s'mundemi me qenë. Ku vuajtja për gjënë e dashur është më e ëmbël, se sa humbja e saj krejtësisht:


“Ti, shko sot, shko
Unë do të ndjek me sy gjer në fundshikim…”


 (“Ti, shko sot ,shko”)

Përgjithësisht poezitë e Mimoza Legisit, të (ri)lexuara janë të ndërtuara bukur, e mirë mbi realitetin shqiptar e të vërtetën në përgjithësi. E, të ndërtosh poezi në këto dy dimensione, në këto dy plane, pra, mbi zhgënjimin dhe të vërtetën, ose, të vërtetën zhgënjyese po të duash, është një betejë e ashpër. Dhe, pikërisht këtu është ambivalenca e ndjesive të autorës që e shtyp këtë betejë. Betejës që i hyn dhe ia del mbanë, Mimoza Legisi . Pikërisht duke i strukturuar poezitë në këto dy principe: “Unë jam gjithmonë pranë teje, në mbrëmje dhe agim”… sikur është lajtmotiv, ngjallje shprese që shihet ngado nëpër këtë vëllim poetik të kësaj autoreje, është premtim që të fal siguri, paqe, është betimi i bukur dhe solemn dashurie që e bën më të bukur çdo njeri.



Prishtinë, 6 mars, 2014.

No comments:

Post a Comment

Letër publike e Kryetarit të Komunës së Junikut, Agron Kuçi, drejtuar Kryeministrit,zt.Ramush Haradinaj

Ndalo punimet e paligjshme që degrafojnë rrjedhën e lumit “Ereniku i vogël”! I Nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Ram...