2014-04-05

U BETUE... E DHA JETEN PER NJË IDEAL “ATDHÉ E FÉ”!

Nga Fritz RADOVANI:


Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...

1 At Mati Prenushi 

110 MA PARë, 4 PRILL 1904
            At Mati Prennushi, u shugurue meshtar në urdhnin Françeskan të Shkodres.
“Për gazmend t’Asaj ditës së Lume, kur Padër Mati Prennushi i Urdhnit të Sh’Françeskut, me të madhin gzim i rrethuem prej t’Vetve tha Meshën e Parë, në Kishën e Fretenve në Gjuhadol, Shkoder, 4 Prill 1904.” (Fotokopjo ruhet nga Autori FR)
At Mati Prennushi OFM, asht lé me 2 Tetor 1882 nga prindët Kolë e Drande (Roza) Prennushi, në qytetin e Shkodres. Asht i familjes vjeter Prennushi, nipi i Don Matisë, që vdiq në vitin 1904, vit në të cilin Shugurohet Meshtar me atë emen At Matia. 
            Mbasi perfundoi studimet në Troshan, vazhdoi dy vjet në Bosnje dhe shkoi per studime teologjike në Graz t’ Austrisë, ku perfundoi shkollen e naltë. U kthye në Atdhé.
            U emnue profesor në gjimnazin e Fretenve, dhe mbas një viti shkoi famullitar në Bajzë të Kastratit. Dashamirsia dhe bujaria e malësorëve e bane shpejtë per vete. Po, as këtij nuk i mungoi trimnia që shumë shpejt e bani me u rreshtue me luftarët e Lirisë!
            Nga fundi i vitit 1905 turqit mendojnë me i dhanë flaken qytetit Shkodres pak kohë para se me ra Perandoria Turke...– dëshmonte At Dioniz Maka, me 14 Prill 1995, sësi – At Matia njëditë diele mbas Meshe, u çvesh dhe i hypi kalit me alltije në brez i ndjekun nga malësorët e vet besnikë të rreshtuem mbas Tij, dhe u nisën me i ra Shkodres së zaptueme nga turqit. Erdhi lajmi në Shkoder...me të marrun vesh valia, dergoi ndërmjetësit tek Kisha e Madhe e Shkodres për me e ndalue këte veprim, tue premtue se ushtria turke nuk do të bajë asnjë reprazalje kundër shkodranëve.
Imzot Guarini i dërgoi një përfaqsues me u dalë para malësorve që po vinin me At Matinë në krye. Përfaqsuesi i Klerit i takoi ata pak pa mërrijtë në Vrakë dhe mbasi ishin marrë garancitë prej valisë, malësorët u këthyen, Shkodra shpëtoi... At Matia qysh i ri asht dallue për trimni. Kishte një za të trashë dhe pak të marrun... e, si tash, e kam ndër veshë zanin e Tij kur këndonte Gloria!..”
            At Matia bashkë me At Buon Gjeçaj janë të dy tek Maja e Bratilës përkrah Dedë Gjo’Lulit, në vitin 1911 me Flamurin e Gjergj Kastriotit të palosun në gjoksin e Tyne.

Gjaku i Malësorve Trima të Alpeve i shkuem rrëkajë përsa shekuj Fitoi!
Asht Dita ma e madhe e Popullit Shqiptar, gati pesë shekuj mbas vdekjes së të Madhit Skenderbé, kur edhe njëherë u ngrit Flamuri i Tij, me Shqipën Dykrenare.
“Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiqit, afër Tuzit. Até e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e Tij”, shkrue nga Stephen Schwartz, në Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq. 150, University of San Francisco, USA.
            Fitoria duhej shtrij në gjithë Shqipninë! Asht Imzot Lazër Mjedja, që me 10 Qershor 1911, i prinë ngjarjeve të Mëdha të Pavarësisë së Vlonës, tue shkue drejt e në çelën e At Mati Prennushit në Gerçë, ku u përpilue “Memorandumi i Gerçës” bashkë me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, Hasan Prishtinen, etj...dhe u firmue nga i Madhi Dedë Gjo’ Luli i Traboinit të Hotit, Sokol Baci i Grudës, Dedë Nika Bajraktar i Grudës, Gjeto Marku i Hotit, Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit, Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Kelmendit, Lul Rrapuka i Vuklit të Kelmendit, Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit, Mehmet Shpendi, i pari i Djelmnisë së Shalës, Martin Preka i Shkrelit, Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi i Toplanës, Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. (Nga Revista L.E.K.A. Shkoder, 1937).
            Mbas pak muejsh At Matia kapet nga forcat e Mali i Zi, dënohet me varje në litar, dhe i shpeton jeta me nderhymjen e At Gjergj Fishtës tek krajl Nikolla.
            Mbas vitit 1924 qeverisja e Ahmet Zogut merr tipare tjera drejtuese, me veprime diktature. Asht ai vit kur pothuej krejt Veriu kërkon largimin e tij nga froni...Kleri Katolik Shqiptar tue mos u pajtue me mënyren e qeverisjes së Zogut, i cili kishte ba marrveshje me Jugosllavinë kundër interesave kombëtare, doli në opozitë të haptë në vitin 1926. Zogu dënoi me varje në litar Don Gjon Gazullin dhe, e ekzekutoi vëndimin në Rrëmaj të Shkodres, ku ka vorrin. Një pjesë tjetër e klerit u interrnuen, disa morën dënime të randa.  At Matia ishte në listën e të parëve që mund të pushkatohën. Asht At Pal Dodaj që ndërhynë tek Zogu dhe e shpëton At Matinë, me kusht që ky të mos shërbente ma në krahinat e malëve të Veriut. Për këte arësye shkoi në Laç të Kurbinit, Iballe e Gomsiqe të Pukës dhe në vitin 1941, me At Anton Harapin, çelin Kishen e Fretenve në Tiranë.
At Dioniz Maka thekson: “Në Kishën Françeskane në Tiranë, me 28 Nandor 1942 Ai ka vue Flamurin Kombëtar me Shqipen e flamurit të Deçiqit (1911), pa stemat e fashizmit. Kryente vizita kortezie ndër autoritetët shtetnore edhe italiane, që i kishte të detyrueme por prej tyne konsiderohej “françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane.” (Dëshmi e A.D.Makës, viti 1995, në Shkoder).


Në vitin 1943 At Matia asht zgjedhë Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë.
            Diskutohej me u zgjedhë Ky, ose At Çiprian Nika...Merr fjalen At Matia:
“Jo!.. Mos me e zgjedhë At Çiprianin, se komunistat punën e parë që kanë me ba, kanë me pushkatue Provinçialin, prandej t’a ruejmë At Çiprianin për ma vonë mbasi asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né”. “Ai e mori vetë detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohet, por At Matisë, nuk i bante përshtypje pushkatimi se edhe dy herë ma parë kishte shkue deri te gryka e pushkës, bile, edhe deri tek stoli i konopit në Serbi...”  Kështu, shkruen At Konrrad Gjolaj OFM, në librin “Çinarët” faqe, 67.
Në janarin e 1945 shkojnë në kuvendin e Gjuhadolit kriminelët Sheuqet Peçi dhe pak ditë mbas tij, terroristi Mehmet Shehu:  Të dy kerkojnë nga At Matia shkëputjen nga Vatikani, dhe të dy marrin të njajten pergjegje: “Kjo punë nuk mund të bahet kurrë!”
At Mati Prennushi u deklarue haptas antiosmanllijë, antimalazi, antishovenist sllav, antizogist, antiitalian e antifashist, antinazist, antikolaboracionist, antikomunist...
Prandej, me okupacionin sllavo komunist, anadollakët tanë në sherbim të tyne At Matinë e arrestojnë me 17 Nandor 1946, dhe mbas 14 muejsh tortura në burgun e Kishës së Fretenve, në Janar 1948 e dënojnë me vdekje, me pushkatim. (Gjyqi kje i mbyllun).
Asht torturue mizorisht nga hetuesit e njohun kriminelë Nesti Kopali, Pjerin Kçira, Dul Rrjolli, Dulaç Lekiqi dhe Lilo Zeneli, se nuk pranonte asnjë akuzë, gja që del edhe nga dosja hetimore nr. 1302/A (Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë 1989).
Pafajsia e Tij, i akuzuem kryesisht per “futjen e armëve në kishen e Fretenëve të Gjuhadolit”, sot vertetohet edhe nga fakti se një veprim i tillë asht ba edhe në kisha të tjera katolike Shqiptare, po edhe ishte “një skenar sovjetik i aplikuem nga Stalini, edhe nder kishat tjera katolike të Bashkimit Sovjetik dhe demokracive të kampit komunist”.
Asht pushkatue me grupin e Nderuem të Prelatëve të Kishës Katolike Shqiptare, të kryesuem nga Imzot Frano Gjini, gjyqi i të cilëve nuk u pa as u dëgjue nga askush!
Në fjalën e fundit, me datën 11 Mars 1948, në ora 5.00 në Zallin e Kirit, pranë Rrëmajt, me dokument Nr. Regj. 67, në praninë e gjykatsit Kap.I Misto Bllaci, para ekzekutimit: “At Mati Kol Prennushi tha: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrrnoftë Papa, Rrrnofshin Katolikët, Rrnoftë Shqipnia!
U baj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”
            Ky ishte fundi i Kalvarit...që edhe mbas 50 vjetësh nuk mujt me u mëshef  as nga partia komuniste jugosllave, as nga partia anadollako bolshevike shqiptare, as nga spijunët e Sigurimit të shtetit...Por as, edhe nga qendra organizuese të këtij skenari në shumë prej “Demokracive Popullore”, nga Moska staliniste e Beogradi titist i vitit 1946...
            ***
            At Mati PRENNUSHI me daten 4 Prill 1904 u BETUE...
            Kryqi i Jezu Krishtit dhe Flamuri i Gjergj Kastriotit ishin të ngulun n’ Elterin e Atdheut, ku Ai, Iu ishte kushtue Idealit “Atdhé e Fé”, per të cilin bani vdekjen si me lé...
            Në këte 110 vjetor të lavdishem të Tij, këta pak rreshta, Ia kushton Autori.

Melbourne, Prill 2014.






No comments:

Post a Comment

Letër publike e Kryetarit të Komunës së Junikut, Agron Kuçi, drejtuar Kryeministrit,zt.Ramush Haradinaj

Ndalo punimet e paligjshme që degrafojnë rrjedhën e lumit “Ereniku i vogël”! I Nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Ram...