Yjet që janë pushuar nga puna, përpara se të bëheshin të famshëm












Je i pushuar!
Ata që sot kanë miliona dollarë në llogarinë e tyre, e kanë nisur jetën me rroga minimale në punë të rëndomta, prej të cilave janë pushuar shpesh edhe për shkaqe ironike
Madona
Është e vështirë të imagjinohet tani, që ylli i muzikës njëherë e një kohë u pushua nga puna te Dunkin’ Donuts, një kompani e njohur që bën petulla amerikane dhe ka një grup kafenesh. Në atë kohë, këngëtarja kishte lënë kolegjin dhe ishte zhvendosur në Nju Jork, në kërkim të famës. Por kohët ishin të ashpra, ndaj ajo pranoi një punë të thjeshtë për të bërë disa para. Ajo u pushua pasi aksidentalisht derdhi xhelatinë petullash mbi një klient.
Hug Xhekman (Hugh Jackman)
Ylli i filmit Wolverine e pati përvojën e parë të punës, në një dyqan artikujsh të përditshëm. Por, mesa duket, ai ishte pak si shumë miqësor me klientët. Ai është shprehur se qëndroi gjashtë javë në atë dyqan dhe më pas u pushua sepse sipas supervizores, fliste shumë me klientët.
Snup Dog (Snoop Dogg)
Njëherë e një kohë, Snoop Dogg punonte si paketues qesesh në një dyqan ushqimesh. Por gjërat nuk i shkuan shumë mirë dhe ai përfundoi shumë shpejt i papunë. Përse? Kësaj pyetjeje Snup Dog i përgjigjet: “Isha më i mirë në vjedhjen e ushqimeve, sesa në paketimin e tyre”.
Uollt Diznej (Walt Disney)
Është e vështirë për t’u besuar, por Uollt Diznej u pushua nga puna për mungesë kreativiteti. Kryeredaktori i gazetës The Kansas City Star e informoi se ai kishte mungesë imagjinate dhe nuk kishte ide të mira. Fakti është ironik, pasi Diznej njihet si babai i personazheve vizatimorë për fëmijë.
Oprah
Kur prezantuesja, sot shumë e famshme, Oprah, po fillonte karrierën si moderatore lajmesh në një televizion, gjërat nuk i ecën mbarë. Programi nuk i shkoi mirë dhe ajo u pushua me arsyetimin se ishte e papërshtatshme për një televizion lajmesh. Më pas ajo filloi programin tashmë të suksesshëm “Oprah Winfrey Show”, që e bëri një figurë të njohur të televizionit amerikan.
Elvis Presli
Elvis mund të hiqte dorë nga këndimi përpara se të zbulonte famën, nëse do të dëgjonte disa këshilla të hershme. Kur ai do jepte një performancë në një festival në Nashvill, iu tha nga menaxheri që do të ishte më mirë të vazhdonte të ngiste kamionë në Memfis.
JK Rouling
Si shkrimtare e librave “Harry Potter”, JK Rouling është një nga autoret më të njohura të të gjitha kohërave. Por përpara kësaj, ajo punonte si një sekretare për organizatën joqeveritare Amnesty International dhe u pushua nga puna pasi e kalonte kohën në punë, duke shkruar histori. Jo shumë pas kësaj, mamaja beqare filloi të shkruante seritë e librave të njohur të “Harry Potter”.
Tomas (Thomas) Edison
Ai është i njohur për shpikjet që ka bërë dhe ishte mendja e tij kureshtare që e bëri të pushohej nga puna që kishte për Western Union, në vitin 1867. Tomas Edison u kap disa herë duke kryer eksperimente në zyrën e tij, por derdhja e acidit në dysheme i dha largimin nga puna. Pasi u pushua, ai ia dedikoi kohën shpikjeve.
Robert Redford
Përpara se të përfshihej në aktrim, Robert Redford ndihmonte në kompaninë se naftës së të atit. Një ditë ai u kap duke fjetur në një depozitë nafte të cilën duhej ta kishte pastruar. Prej asaj dite, ai u caktua te një makineri për ngarkim-shkarkimin e mallrave. Shumë shpejt u mërzit dhe nuk vonoi pushimi i tij nga puna. Kur tregon historinë e jetës së tij ai shpjegon: “Po dështoja në çdo gjë që provoja. Fillimisht nga një punë në supermarket, më pas nga kompania e tim ati dhe kulmi ishte kur fillova të kisha probleme me ligjin. Mesa duket, gjërat ndodhnin ngaqë nuk isha i lumtur me atë që po bëja”.
Stan Li (Lee)
Ai do të krijonte më pas Spider Man, por shumë përpara kësaj Stan Li u pushua nga puna që kishte në biznesin e prodhimit të pantallonave. Dy ditë përpara Krishtlindjeve, në vitin 1938, ai u pushua. Kur tregon për atë pjesë të jetës, Li kujton “ishim dy djem në atë zyrë. Sa herë ata kishin nevojë për ndonjë gjë më thërrisnin ‘djalë’ dhe unë duhej të lija gjërat me të cilat po merresha dhe t’u përgjigjesha. Disa javë më pas e kuptova se nuk më pëlqente të më thërrisnin ‘djalë’, sepse fundja kisha një emër”. Kur erdhi koha e shkurtimeve, ai ishte i pari që u largua.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri