Të gjitha këngët i thamë, Por më të mirën e lamë



Prof.Dr.Eshref Ymeri


(Nëntë pyetje dhe nëntë përgjigje)

Në faqen e internetit albcameria të datës 15 shkurt 2014, ishte botuar një material me titull “Fronti Demokristian Shqiptar”. Materialin e botonte zoti Alban Daci. Materiali ishte botuar si intervistë apo autointervistë e zotërisë në fjalë, meqenëse nuk përmendej emri i intervistuesit. Në këtë material, zotëria Alban Daci prezantohej si këshillëtar politik i këtij formacioni të ri politik. Kjo qenka një parti e re që qenka themeluar në Diasporë.

Të bën përshtypje fakti që zotëria Alban Daci ka qenë figurë me shumë peshë në formacionin politik “Aleanca Kuq e Zi”, të themeluar prej zotit Kreshnik Spahiu. Megjithëse zoti Kreshnik Spahiu, dikur, në një intervistë, dhënë gazetarit të mirënjohur Bashkim Hoxha, pati deklaruar se deri në festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë, “Aleanca Kuq e Zi” do të kishte në radhët e veta 1 milion anëtarë, në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 rezultoi se e vërteta qëndronte ndryshe: ky formacion politik nuk arriti të fitonte dot as edhe një deputet të vetëm. Pra, rezultoi një flakë kashte. 

Gjatë kohës që “Aleanca Kuq e Zi” vazhdonte aktivitetet e veta nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë para zgjedhjeve të 23 qershorit, jam njohur me mjaft shkrime dhe intervista të zotit Alban Daci, të cilat i kam vlerësuar për përmbajtjen e tyre. Dukej që zoti Alban ishte një figurë me një kapacitet të admirueshëm kulturor. Kryerja e studimeve të larta jashtë vendit kishte lënë gjurmë në formimin e tij si intelektual. Dihet që “Aleanca Kuq e Zi”, në themel të programit të vet kishte ribashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar, duke nisur fillimisht me ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë. 
Pas zgjedhjeve të 23 qershorit, “Aleancës Kuq e Zi” i ra gjuha e këmborës dhe pothuajse nuk ndihet më për “e gjallë”. Në këto kushte, zotëria Alban Daci e paska braktisur dhe qenka përfshirë në një tjetër formacion politik, me qendër në Diasporë, në Frontin Demokristian Shqiptar. 
Nga nëntë pyetjet e intervistës, dy prej tyre më bënë më shumë përshtypje, bashkë me përgjigjet që jep zotëria Alban Daci: 
A është Fronti Demokristian Shqiptar një lëvizje politike lokaliste? 
Përgjigje: “Fronti Demokristian Shqiptar duke qenë se në gjirinë e tij ka shumë shqiptarë nga Diaspora e duke poseduar një shtrirje që cek tre kontinente, është lëvizje politike kombëtare. Megjithatë, ajo është në koherencë me proceset e globalizimit. Kështu, misioni i Frontit Demokristian Shqiptar është të mbrojë e të nxjerrë në pah vlera lokale, të cilat për shkak të anarkisë sociale që po kalon vendi, shumë herë janë harruar e ndonjëherë janë edhe asimiluar”. 

Hajde ta kuptosh përgjigjen e zotërisë Alban Daci se Fronti Demokristian Shqiptar na qenka një lëvizje politike kombëtare, por na qenka edhe në koherencë me proceset e globalizimit! Çdo të thotë kjo përgjigje? Kjo, me sa duket, do të thotë: do të hyjmë në Evropë të globalizuar dhe s’është nevoja të mendohet për problemin më jetik që qëndron para kombit shqiptar: ribashkimin e trojeve etnike që Evropa na i copëtoi padrejtësisht në vitin 1913. Kur ishte në strukturat drejtuese të “Aleancës Kuq e Zi”, zotëria Alban Daci kishte përqafuar platformën kryesore të saj: ribashkimin e trojeve tona etnike, duke nisur nga ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Tani ky zotëri e paska kthyer pllakën dhe, si këshillëtar politik i Frontit Demokristian Shqiptar, fillon të propagandojë globalizimin, ashtu siç deklaron Tirana zyrtare, sipas së cilës ribashkimi i trojeve tona etnike do të bëhet në Bruksel! Idenë e globalizimit, zotëria Alban Daci e përforcon edhe më shumë në përgjigjen e pyetjes së mëposhtme: 
Kush është pozicioni i Frontit Demokristian Shqiptar në raport me BE? 
Përgjigje: “Fronti Demokristian Shqiptar ka të njëjtin qëndrim me atë që ka familja e madhe demokristiane europiane. Për Frontin Demokristian Shqiptar edhe nëse nuk do të ekzistonte BE, do ta kishim krijuar një të ngjashëm për të jetuar të bashkuar, në harmoni dhe për të menaxhuar më mirë e së bashku kontinentin tonë, ku ne si popull shqiptar kemi lënë ndoshta gjurmët e para si banorë të tij”. 

Vajmedet ç’na gjeti! Edhe sikur të mos ekzistonte Bashkimi Evropian, këtë do ta shpikte Fronti Demokristian Shqiptar, për hir të të ashtuquajturit globalizim! Domethënë, t’i largohemi sa më shumë ëndrrës shekullore të kombit shqiptar për ribashkimin e trojeve tona etnike dhe të shkrihemi në globalizimin evropian! 
Nga nëntë pyetjet dhe nga nëntë përgjigjet e zotërisë Alban Daci, nuk preket absolutisht Çështja Kombëtare Shqiptare: ëndrra e ribashkimit të trojeve tona etnike. 
Nga intervista e lartpërmendur, paçka se deklarohet që Fronti Demikristian Shqiptar qenka themeluar në Diasporë, nuk thuhet asgjë se kush janë nismëtarët e krijimit të tij, cila është qendra e këtij Fronti. Sepse vetvetiu lind pyetja: si qenka e mundur që këtyre nismëtarëve të thmelimit të Frontit në fjalë në Diasporë, nuk iu interesuaka absolutisht Çështja e Ribashkimit Kombëtar, ndërkohë që Diaspora Shqiptare, sidomos Diaspora Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë dhe vazhdon të mbetet vatër e pashuar e Çështjes së Ribashkimit Kombëtar? Sipas këndvështrimit tim, Federata “Vatra” është ylli i karvanit i Diasporës Shqiptare, e cila ribashkimin e trojeve tona etnike e ka në themelin e veprimtarisë së vet patriotike. Prandaj e quaj të arsyeshme t’u përmend lexuesve të nderuar një fakt konkret për qëndrimin e Federatës “Vatra” ndaj Çështjes Kombëtare Shqiptare: 
“Në intervistën për gazetën “Shqiptare” në mars 2012, kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, interpreton mendimin: “Fjala nacionalizëm tek ne nuk ka kuptimin e ekstremizmit, por është sinonimi i shqiptarizmit të kulluar…Zgjidhja e çështjes çame dhe bashkimi kombëtar, janë dy fillime ende të paarritura!..” (Citohet sipas: Neki Babamusta. “Çamëria, problem ndërkombëtar që kërkon zgjidhje”. Gazeta “Dielli”. 14 shkurt 2014). 
Nuk ishte e rastësishme fjala e Kryeministrit shqiptar, zotit Sali Berisha, i cili, pikërisht në kohën e duhur, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, në Shkup dhe në Vlorë, si edhe në disa qytete të tjera, dekalaroi botërisht për domosdoshmërinë e ribashkimit kombëtar, brenda kufijve natyralë të Shqipërisë Etnike. 
Prandaj më vjen keq që Çështjen Kombëtare Shqiptare, Fronti Demokristian Shqiptar nuk e paska absolutisht në rendin e ditës. Ky fakt të bën të dyshosh se Fronti në fjalë duhet të jetë krijuar me frymëzime jashtëshqiptare. Këtë dyshim ma përforcon më shumë fakti që Vatikani, sipas faqes së internetit të zotit Feliks Taho të datës 29 tetor 2013, ka deklaruar botërisht: 
“Kosova, djepi i Kishës Ortodokse Serbe”. 
Kjo deklaratë skandaloze, me të cilën mohohet një e vërtetë e shenjtë për historinë e kombit shqiptar, të bën të hamendësosh se miqtë e ngushtë të Serbisë në Vatikan, kanë vënë në lëvizje Selinë e Shenjtë për krijimin e Frontit Demokristian Shqiptar, i cili pretendon se përfaqësuaka Diasporën Shqiptare në kuadrin e këtij formacioni të ri politik. 
Tani nuk është çudi që nesër, pasnesër, me frymëzime dhe nxitje jashtëshqiptare, të na dalin në skenë formacione të tjera politike, me emrin Fronti Ortodoks Shqipar, Fronti Mysliman Shqiptar, Fronti Protestant Shqiptar, Fronti Bektiashian Shqiptar e ku ta di unë se çfarë frontesh të tjera. S’ka asgjë për t’u çuditur. Nuk është hera e parë që armiqtë tanë tradicionalë, interesat kombëtare shqiptare janë munduar t’i varrosin me përçarjen ndërshqiptare edhe me duart e vetë shqiptarëve antishqiptarë. 
Me sa duket, paria e Frontit Demokristian Shqiptar, e yshtur me drogë jashtëshqiptare, i paska mbushur mendjen vetes se, që të fitojnë dashurinë e Bashkimit Evropian, shqiptarët duhet të “demokristianizohen” dhe të “antinacionalizohen”. Ç’ka Bashkimi Evropian, problemet nacionale brenda vetes i ka zgjidhur me kohë e me vakt, kurse me kombin shqiptar sillet ndryshe: pasi e copëtoi në një mënyrë kriminale në vitin 1913, vazhdon të ngulë këmbë që tapitë e tokave shqiptare që ua dorëzoi sllavogrekëve, këta të mos i lëshojnë kurrë nga dora. 
Prandaj, kur mbarova së lexuari intervistën e zotërisë Alban Daci për krijimin e Frontit Demokristian Shqiptar, menjëherë më erdhën ndër mend dy vargjet e para të një kënge të vjetër labe, me të cilët titullova këto shënime: 
Shumë “këngë” përmëndi zotëri Alban Daci në intervistën e vet, por nuk përmendi atë “këngën” kryesore: Çështjen Kombëtare Shqiptare - ribashkimin e trojeve tona etnike në një shtet të vetëm kombëtar, me një stemë dhe me një flamur. 


Sa për sqarim lexuesve të nderuar të gazetës “Dielli” 

Pas botimit më 16 shkurt 2014 në faqen internetike të gazetës së nderuar “Dielli” të artikullit tim me titull: 
“Të gjitha këngët i thamë,
Por më të mirën e lamë”, 

në rubrikën “Komente”, lexuesi Nik Kodra ka bërë ndërhyrjen e mëposhtme kundër meje. Komentin e vet, ky lexues, pasi më heq mua një një sapun mbi gunë, e ka shoqëruar me një shpifje të çuditshme. Komentin e tij po e riprodhoj fjalë për fjalë, me pikë e me presje, megjithëse më vjen keq që ai nuk ka respekt për shkronjën “ë”: 

Nik Kodra says: 
February 17, 2014 at 1:40 am 
“Kam respekt per shkrimet qe benit dikur tek Gazeta “Rimekembja Kombetare” qe delte ne Tirane Z. Ymeri dhe me kete shkrim me vjen shume mire qe jeni aktive perseri pas nje kohe te gjate qe nuk ju kam pare ne shtyp. Zoteria juaj mban dhe tituj shkencore e akademike si “profesor” e “doktor” qe nuk mund ta ve ne dyshim se i keni merituar si mesimdhenes ne universitet por sinqerisht u habita me frazen tuaj:
“Nuk ishte e rastësishme fjala e Kryeministrit shqiptar, zotit Sali Berisha, i cili, pikërisht në kohën e duhur, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, në Shkup dhe në Vlorë, si edhe në disa qytete të tjera, deklaroi botërisht për domosdoshmërinë e ribashkimit kombëtar, brenda kufijve natyralë të Shqipërisë Etnike”. Kjo ishte nje befasi shume e madhe per mua sepse thenie te tilla i degjoj per here te pare nga ju atribuar Saliut tuaj thene “boterisht” ne Shkup, Vlore dhe disa qytete te tjera te Shqiperise! Me vjen keq por ky eshte nje spekullim i paster dhe shpresoj qe fale integritetit tuaj t’i kerkoni falje lexuesve qe mos te zhgenjehen nga pena juaj e nderuar.
Sinqerisht,
Nik”.
 

Me këtë rast dëshiroj të jap disa sqarime, në mënyrë që lexuesit Nik Kodra t’i thjellohet truri sadopak, derisa të zgjohet plotësisht nga gjumi i gjatë letargjik që e paska mundur keqas. 
Së pari, sipas tij, unë paskam botuar shkrime publicistike dikur vetëm në gazetën “Rimëkëmbja” dhe që prej kohës kur kjo gazetë u mbyll në muajin janar të vitit 2007, unë s’paskam botuar më asgjë dhe askund! [Këtu dëshiroj të hapë një parantezë: më bëhet shumë qejfi që ky Kodra e paska ndjekur rregullisht gazetën “Rimëkëmbja”, e cila, gjatë tërë viteve të botimit të saj, që prej vitit 1995, platformën e ribashkimit kombëtar e ka pasur si yll karvani në faqet e saj, së bashku me çlirimin e Kishës Ortodokse të Shqipërisë nga thonjtë e kishës shoviniste greke dhe dëbimin e Janullatosit nga kreu kishës fanoliane. Pra, gëzohem që Nik Kodra e heqka veten për nacionalist, megjithëse sulmi me shpifje që ka ndërmarrë kundër meje, më bën të dyshoj në nacionalizmin e tij]. 
Pra, sipas tij, unë paskam heshtur që prej vitit 2007. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Unë nuk e kam ndaluar asnjëherë aktivitetin tim publicistik edhe pas mbylljes së gazetë “Rimëkëmbaja”. Kam vazhduar të botoj në gazetën “Republika”, “Bota Sot” dhe në gazetën “Telegraf”. Madje në këtë të fundit, në janarin që kaloi, janë botuar edhe dy artikujt e mi me titull “Rama pse kaq inferior para Beogradit?!” dhe “Janullatosi dekorohet se Shqipëria është vend pa zot”. Përveç kësaj, pas mbylljes së gazetës “Rimëkëmbja”, unë kam botuar rregullisht artikuj publicistikë dhe analiza në faqet e internetit që prej vitit 2007 e deri ditën e sotme, si në gazetat internetike “Shqipëria Etnike”, “Zemër Shqiptare” “Tribuna Shqiptare”, “Agjencioni Flori Press”, “Fjala e Lirë” etj. Prandaj me deklaratën e vet se unë paskam heshtur për një kohë të gjatë, zotëria në fjalë u ofron lexueve një informacion të rremë. 
Së dyti, ç’hyjnë në këtë mes titujt shkencorë apo akademikë që më përmend ky lexues? Ç’lidhje kanë këta tituj me përmendjen prej meje të deklaratës së Kryeministrit Berisha në Shkup për çështjen e ribashkimit kombëtar?! 
Së treti, përmendjen prej meje të deklaratës së Kryeministrit Berisha në Shkup, Nik Kodra e vlerson si diçka të befasishme sepse ai na e dëgjuaka për herë të pare se ajo nuk na qenka e vërtetë. Por këtij lexuesi nuk ia ka kush fajin që vazhdon gjumin e gjatë letargjik dhe kur zgjohet i thotë këmbës dorë. Duket ashiqare që atij i ka shtegtuar mendja, prandaj, për ta ndihmuar të zbresë me këmbë në tokë, po e citoj konkretisht se çfarë ka deklaruar në Shkup Kryeministri Berisha me rastin e manifestimeve të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë: 

“Askush të mos druhet, të mos irritohet nga përpjekjet e shqiptarëve për bashkimin e tyre kombëtar, se kjo synon përqendrimin, shpalosjen e energjive të tyre të pafundme, për të ndërtuar atë që u mungoi. Askush nuk duhet të harrojë se shqiptarët u takuan me shekullin e ri, të lirë, por si një komb që kishte mbijetuar, si një komb që padrehtësitë e mëdha nuk e kishin lejuar të ndërtojë të ardhmen. Shqiptarët presin nga ne që në projektin tone evropian, si e ardhmja më e shkëlqyer e tyre, të realizojnë njëkohësisht projektin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, ndaj dhe nën moton të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Evropën le të përqendrojmë ne tërë energjitë tona” (citohet sipas: “100 vjet Pavarësi, nga Shkupi mesazhe për bashkim kombëtar”. Marrë nga faqja e internetit “Shqiptarja.com”. 25 nëntor 2012). 
Përveç deklaratës së Kryeministrit Berisha, po citoj edhe fjalët e një personaliteti të mirënjohur shkencor lidhur me problemin e ribashkimit kombëtar. 
“Pavarësisht se si do të pozicionohet Qeveria, Kuvendi dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë lidhur me kërkesën historike të kryeministrit Sali Berisha për bashkimin kombëtar shqiptar, të pohuar në mënyrë premtuese, të guximshme dhe solemne në manifestimet madhështore të kremtimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë së Ismail Qemalit, kryeministri Sali Berisha zyrtarisht në emër të Qeverisë së tij, i dha vizën legale bashkimit kombëtar shqiptar, me ç’ rast i hoqi “vellon” e zezë kontestuese, irracionale dhe përfolëse të bashkimit kombëtar shqiptar, duke nënvizuar se ai është realitet, domosdoshmëri e kohës, europianizëm, qytetërim, demokraci, paqe, stabilitet, siguri dhe qetësi, jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për mbarë rajonin dhe Evropën e integruar demokratike… Duke mbajtur parasysh faktin relevant se me deklarimin zyrtar të Kryeministrit Sali Berisha, bashkimi kombëtar, tanimë, nuk është kurrfarë tabu teme, as miti, as kurrfarë fantazme e trilluar, por realitet dhe domosdoshmëri e pashmangshme për zgjidhjen përfundimtare dhe të drejtë të problemit kolonial të shqiptarëve në Ballkan, si Qeveria, Kuvendi, ashtu edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në mënyrë urgjente, konstruktive, demokratike dhe kushtetuese, duhet ta mbështesin dhe ta zyrtarizojnë APELIN PËR BASHKIMIN KOMBËTAR shqiptar të kryeministrit Sali Berisha, pavarësisht nga shpifjet dhe nga kritikat politiko-propagandistike antishqiptare të Athinës, të Shkupit, të Beogradit dhe të Podgoricës, të cilat e kanë akuzuar Sali Berishën kinse ai po kërkon formimin e një “Shqipërie të madhe”(Citohet sipas: Prof.dr. Mehdi Hyseni. “Të mbështetet apel-kërkesa e Sali Berishës për bashkimin kombëtar shqiptar”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Dielli”. 05 dhjetor 2012). 

Së katërti, ky njeri shpif kundër meje pa iu skuqur faqja kur shkruan të zezën mbi të bardhë se deklaratën e Kryeministrit Berisha unë e paskam shpikur nga mendja dhe ia paskam veshur Kryeministrit Berisha. Nuk e di se çfarë ka ky njeri që më bie në qafë pa të drejtë. Deklaratën e Kryeministrit Berisha për ribashkim kombëtar e mori vesh i madh e i vogël brenda trojeve tona etnike dhe në Diasporën Shqiptare. Atë e transmetuan të gjitha agjencitë e lajmeve në mbarë botën, kurse ky zotëri s’paska marrë vesh gjë! Mos vallë ky njeri paska qenë në ndonjë planet tjetër! 

Së pesti, në vazhdën e shpifjes së mësipërme, zotëria në fjalë deklaron pa pikë turpi se unë paskam bërë një spekulim të pastër, prandaj duhet t’u kërkojë falje lexuesve për një “shpifje” që nuk e kam bërë. Unë mendoj se falje lexuesve duhet t’u kërkojë ky njeri që shpif ditën për diell kundër meje. Duhet t’u kërkojë falje pikërisht lexuesve të nderuar të gazetës “Dielli”për shpifjen e vet, jo mua, se unë shpifësit nuk di t’i fal. Se institutin e shpifjes unë nuk e njoh. Se nga prindërit, gjyshërit dhe stërgjyshërit e mi kam si trashëgim institutin e së vërtetës, të cilin jam munduar t’ua edukoj edhe studentëve të mi. Prandaj edhe sot, në pension dhe në moshë të thyer, jam ballëlart para tyre për edukatën që u kam dhënë gjatë gati tri dekadave me radhë. 

Së gjashti, ky shpifës i rëndontë, duke m’u drejtuar mua, përdor shprehjen “Saliu juaj”. Me sa duket, këtë njeri të shkretë “e paska zënë samari keq” me Kryeministrin Berisha, prandaj edhe më drejtohet mua me këtë shprehje pa edukatë. Kjo shprehje më kujton kohën kur zoti Rama ishte në opozitë dhe sa herë që i duhej të përmendte Kryeministrin Berisha, gjithmonë i drejtohej në mënyrën e tij tipike, të pakulturuar: Sala, Sala, Saliu, Saliu. Ndërkohë që Kryeministri Berisha i drejtohej gjithmonë me shprehjen “zoti Rama”. 
Për dijenin e këtij njeriu shpifës, inatçor dhe të paedukatë, dëshiroj të theksoj se Kryeministri Berisha është imi, ashtu siç është edhe i atyre 600 mijë shqiptarëve që më 23 qershor votuan për alternativën e tij. Kryeministri Berisha është i mbarë shqiptarëve që e kanë të shtrenjtë çështjen e ribashkimit të trojeve tona etnike. Se ai është i pari politikan i lartë i kombit shqiptar, i cili, me rastin e një ngjarjeje mjaft simbolike, siç ishte 100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë, deklaroi botërisht se trojet tona etnike duhet të ribashkohen në një shtet të përbashkët, me një stemë dhe me një flamur. Se me emrin e tij lidhet hyrja e Shqipërisë në Këshillin e Evropës, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, marrja e ftesës për të hyrë në NATO, anëtarësimi në NATO dhe heqja e vizave në kuadrin e Marrëveshjes Shengen. Me emrin e Kryeministrit Berisha lidhet fshirja e emrit të Shqipërisë nga lista e vendeve me trafik të theksuar droge dhe me trafik klandëstinësh, me emrin e tij lidhet zhdukja e bandave dhe vendosja e qetësisë publike, me emrin e tij lidhet rritja e vazhdueshme e pagave dhe e pensioneve, që rrogëtarët dhe pensionistët tashmë duhet ta qajnë rritjen e tyre nën qeverisjen e zotit Rama. Kurse tani bandat dhe vrasësit me pagesë kanë filluar të aktivizohen si me magji, trafiku i drogës ka marrë përmasa të frikshme, saqë Italia ka dhënë alarmin, tritoli është bërë një dukuri kaq e përditshme në Shqipëri, saqë në faqet e internetit vura re njerëz që bënin roje me radhë në makinën e tyre se mos ua hidhte ndokush në erë. Prandaj ka shumë të drejtë zoti Lulëzim Basha që ka filluar të përdor termin“tritolpolitika”. 
Në fund dëshiroj të theksoj se ky njeri, që shpif kundër meje, është e pamundur që të mos ketë informacion për deklaratën e Kryeministrit Berisha më 25 nëntor 2012 në qytetin e Shkupit.Por padijen e tij të shtirur ai e përdori si vjegë për të më sulmuar mua në një mënyrë të pabesë, siç e kanë zakon njerëzit e pakarakter. Me siguri që e ka një arsye se pse shpif, por nuk e ka burrërinë të dalë në sheshin e mejdanit. Prandaj edhe dyshoj për “simpatinë” e tij të dikurshme për shkrimet e mija në faqet e gazetës nacionaliste “Rimëkëmbja”. 



Nuk vendoset qerrja para kalit

Në përgjigje të replikë së zotit Alban Daci 

Pas botimit në internet më 16 shkurt 2014 të shkrimit tim me titull: 
Të gjitha këngët i thamë,
Por më të mirën e lamë,
 
në të cilën bëhej fjalë për intervistën e zotit Alban Daci për formimin e Forumit Demokristian Shqiptar, të botuar në internet më 15 shkurt 2014, vjen reagimi i tij me titull: 
“Replikë në lidhje me shkrimin e Eshref Ymeri me titull “Ribashkimi i trojeve shqiptare! 17-02-2014- (Nëntë pyetje dhe nëntë përgjigje)” 
Në replikën me mua, zoti Alban Daci deklaron për veten e vet: 
“...unë jam pjesë e Lëvizjes Federaliste Europiane, e cila kërkonte e kërkon të krijoi një federatë europiane që do të kishte për qëllim të krijonte Shtetet e Bashkuara të Europës. Ajo që kam shkruar unë se edhe nëse nuk do të ekzistonte Bashkimi Europian, do të kishim krijuar një të ngjashëm. Kjo është një ndër filozofitë e Lëvizjes Federliste Europiane dhe nuk e kam shpikur unë”. 
Me këtë deklaratë, zoti Alban Daci e ka sqaruar bukur mirë se cili qenka qëllimi i krijimit të Frontit Demokristian Shqiptar. Ndërkohë unë mendoj se Fronti Demokristian Shqiptar, në programin e vet, duhej të kishte si detyrë parësore organizimin e mbarë Diasporës Shqiptare që ajo të bëhet pjesë e pandarë e problemeve të brendshme që ka kombi shqiptar brenda trojeve etnike. Dhe si detyrë parësore, për mendimin tim, duhej të ishte pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e Diasporës në proceset zgjedhore që zhvillohen në mbarë trojet tona etnike. Në këtë mënyrë, Diaspora e organizuar do të ndiqte shembullin e Zvicrës, në zgjedhjet parlamentare të së cilës marrin pjesë edhe rreth 700 mijë votues të Diaporës Zvicerane pëmes votimit elektronik. Kësisoj, Diaspora Shqiptare do të ushtronte ndikimin e vet të drejtpërdrejtë edhe në jetën politike në mbarë trojet tona etnike. 
Së dyti, unë përsëri këmbëngul se pa bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të përbashkët, çdo pjesëmarrje në lëvizjen federaliste evropiane është në dëm të interesave tona mbarëkombëtare. Sepse, me trojet shqiptare të ndarë pikë e pesë, Evropa Federaliste do të sillet si agai me shërbëtorin. 
Nga faqet e shtypit është bërë i njohur ky informacion: 
“Hungaria është kundërpërgjigjur ndaj penalizimeve të bëra nga Bashkimi Europian. Kryeministri i këtij vendi Viktor Orban akuzoi BE-në se po përpiqet të kolonizojë vendin. Gjatë një takimi me mbështetës të tij Orban deklaroi në Budapest se vendi nuk kishte ndër mend të jetonte në bazë të urdhrave dhe dëshirave që ka Brukseli" (Citohet sipas: "Orbani i përgjigjet BE: Hungaria nuk është koloni". Gazeta "Start". 16 mars 2012). 
Kur Brukseli e trajton si koloni një shtet me autoritet, si Hungaria, merret me mend se si do të sillet ai me Shqipërinë Londineze dhe me Kosovën në Evropën Federaliste. 
Prandaj, të merresh me lëvizje federaliste evropiane pa zgjidhur çështjen kombëtare - shkrirjen e trojeve tona etnike në një shtet të bashkuar - do të thotë të veprosh si puna e atij që gjë në shtëpi nuk ka dhe kërkon të japë sadaka, ose të vendosësh qerren para kalit. 
Në artikullin tim unë nuk përdorja asnjë fjalë fyese në adresë të zotit Alban Daci, për të cilin shprehja respekt për formimin e tij si intelektual. Kurse ai, në replikën e vet, ka përdorur një sërë fjalësh dhe shprehjesh fyese në adresën time. Unë po rezervohem këtë herë të përdor fjalë fyese në adresë të tij. Ai është i ri dhe në turrin e vërtikshëm që ka marrë drejt federalizmit evropian dhe krijimit të Shteteve të Bashkuara të Evropës, të kujton dhëndrin e ri, të cilit nuk i dilet përpara. 
Ftoj lexuesit e nderuar të shprehen se kush ka të drejtë. 

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri