Kushtetuta “dërgon” drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Kushtetuta “dërgon” drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme
Vendosmëria e krerëve të LDK-së, AAK-së, NISMA-së, si dhe Lëvizjes Vetëvendosje, që ta “pensionojnë” kryeministrin në largim, Hashim Thaçi, sipas analistëve, mund të ndikojë që vendi të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme. Sipas tyre, interpretimi i dyanshëm i Kushtetutës, ka prodhuar një gjendje të paqartë.
Analisti Halil Matoshi, ka thënë për Telegrafin se pas marrëveshjes në mes tri partive politike (LDK-AAK-NISMA), është krijuar një situatë goxha problematike.

Sipas tij, kemi të bëjmë me dy tabore të cilat interpretojnë Kushtetutën e Kosovës në mënyra të ndryshme, duke shtuar se marrëveshjet politike janë legjitime dhe në bazë të tyre mund të veprohet.

“Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ardhur në pozitën e saj si pasojë e marrëveshjes, aso kohe, në mes tri partive politike (LDK,AKR PDK). Enver Hasani në komentarin e tij, bërë kësaj gjendje, po e thotë të kundërtën me këtë që ka ndodhur me rastin e Presidentes. Nëse i referohemi nenit 95.1 i Kushtetutës së Kosovës, ka të bëjë me shumicën parlamentare, e jo me atë zgjedhore. Koalicioni që arrin të ketë 61 deputetë, atëherë ata kanë të drejtë ta formojnë qeverinë. Partia e Thaçit po përballet me një bllok i krijuar nga opozita, që po dëshiron të formojnë qeverinë pa partinë e tij”, ka thënë Matoshi.

Madje Matoshi, ka deklaruar se nëse interpretimi i gjykatës kushtetuese e pamundëson një qeveri të përbërë nga LDK, AAK dhe Nisma, vendi shumë lehtë mund të shkoj përsëri në zgjedhje.

Analisti Krenar Gashi, ka deklaruar se iniciativa e partive politike: LDK, AAK dhe NISMA, e cila ka rezultuar me marrëveshje në mes tyre për formimin e qeverisë, nuk është antikushtetuese dhe e pamoralshme.

Megjithatë, sipas tij, gjendja e krijuar ka prodhuar një situatë e cila është konfliktuoze, për shkak se kemi të bëjmë me interpretimin e Kushtetutës, praktikat institucionale dhe parimet e demokracisë.

“Kushtetuta e parasheh që ata që e kanë shumicën e numrave në Kuvendin e Kosovës, ta marrin mandatin për formimin e qeverisë, ndërsa praktika institucionale tek ne ka qenë, që partia fituese e zgjedhjeve të mandatohet që ta formoj qeverinë”, ka theksuar ai.

Ndërsa i pyetur se si do të dilet nga ky ngërç, Gashi ka thënë se, nga situata e krijuar, pret që vendi t’i nënshtrohet edhe njëherë procesit zgjedhor.

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit