Mustafë Emini - Populli votoi për kafshatën e gojës së vet

Zgjedhjet parlamentare të mbajtura pra dy ditësh në vendin tonë u përshëndetën pothuajse nga të gjithë. Fakti se u përshëndetën nga ndërkombëtarë dhe vendës tregon për një fitore të popullit tonë. Madhështia e kësaj fitoreje është edhe më e madhe kur dihet fakti se kjo “fitore” ishte e pasuar nga një fitore tjetër (zgjedhjet lokale të vitit të kaluar). Pra, duket se tani po e krijojmë një mentalitet fituesi dhe zgjedhjet demokratike, të lira dhe fer po bëhen kulturë e shoqërisë sonë.
Një pikë e vogël që po e prish shkëlqimin e kësaj fitoreje është numri jo i madh i pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhje. Siç duket, asnjë subjekt politik nuk po e gjen formulën që t’i vërë para kutive të votimit më shumë se gjysmën e popullsisë me të drejtë vote.
Zgjedhjet nxorën një strukturë politike jo të papritur. Edhe pse së paku tri parti synonin të dilnin si partia e parë në zgjedhje, dihej se gara për vendin e parë do të zhvillohej mes dy subjekteve kryesore të skenës politike të Kosovës së çliruar. Pra, gara për lider të skenës politike ishte mes PDK-së dhe LDK-së. Dhe, ajo që është më kryesorja, Partia Demokratike e Kosovës në koalicion parazgjedhor me disa parti të vogla doli fituese e zgjedhjeve. Interesant mbetet fakti se PDK-ja i fitoi këto zgjedhje pa përkrahjen e mbi 80 për qind të dy komunave të Drenicës (Skenderajt dhe Drenasit). Kjo nënkupton se më nuk kemi të bëjmë me baza të caktuara provinciale të PDK-së, por me një shtrirje në gjithë Kosovën, afërsisht të balancuar.
Edhe partitë opozitare që kishin qenë në legjislativin e kaluar (LDK, VV, AAK), por edhe NISMA, gjatë gjithë kohës së fushatës i prezantuan programet e tyre. Përveç shpalosjes së programeve të tyre, ato gjatë dhe para fushatës zgjedhore e përdorën edhe kapitalin e tyre kryesor, “retorikën” antiqeveritare. Kritika të ashpra ndaj qeverisë “Thaçi 2” përdori edhe AKR-ja, edhe pse vetë ishte pjesë e kësaj qeverie. Mirëpo, shigjetat më të mprehta të partive opozitare u drejtuan ndërmjet vetë atyre. Dhe, kjo ia përcolli qytetarit të Kosovës dy mesazhe shumë të qarta: E para, se LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje janë pajtuar se rivali i tyre, PDK-ja, do të jetë i pari dhe se ato po luftojnë që të përfitojnë sa më shumë pas saj, dhe e dyta, tregoi joseriozitetin e tyre para popullit për ta udhëhequr atë. Këtu duhet të përmendim se VV-ja e përdori si armë kryesore të fushatës gjendjen e Komunës së Prishtinës pasi e mori nga LDK-ja.
Edhe tri partitë e tjera, AAK-ja, AKR-ja dhe NISMA, e zhvilluan një fushatë më shumë vizuale dhe spektakli, se sa përmbajtjesore. Një fakt që shihej gjatë gjithë aktivitetit të tyre ishte “besimi” në elektoratin e zgjedhjeve të kaluara lokale. Dihet se AAK-ja besonte se e kishte mbështetje kryesore Dukagjinin, AKR-ja Mitrovicën dhe Gjakovën, kurse NISMA një pjesë të Kosovës qendrore.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte një program tepër ambicioz dhe vështirë për t’u bindur se mund të jetë realist. Aleanca Kosova e Re theksonte në çdo prezantim se e kanë programin më të mirë për zhvillim ekonomik, edhe pse në fakt e demantonte veten, kur dihet se ishte pjesë e qeverisë së kaluar dhe dihen rezultatet e saj (AKR) brenda asaj qeverie. Ndërkaq, NISMA më shumë proklamonte se do ta sillte ndryshimin e nevojshëm në skenën politike. Mirëpo, ndryshimi ishte vështirë për t’u besuar, kur dihet se ndryshimin e kishin shumë më të lehtë udhëheqësit e kësaj partie kur kishin funksione të larta shtetërore.
Por, kujt i besoi populli! Gjithsesi, votën ia besoi kafshatës së bukës së gojës së vet. Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, si kryeministër i Qeverisë së shkuar, me gjithë buxhetin solid që ka vendi, arriti t’i ngritë pensionet për dy kategoritë e pensionistëve të Kosovës. I ngriti pagat për të gjithë mësimdhënësit, për shërbyesit civilë dhe për kategori të tjera të të punësuarve. Si kryeministër mori vendime që t’i përkrahë bujqit, studentët, nxënësit, por edhe fëmijët e sapolindur. Ishin këto vendime ato që e përcaktuan fituesin e zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit.
Prandaj, nuk mund t’i premtosh dikujt çorbë për të ardhmen e fëmijëve të tij, kur atij i mungon buka e kripa për darkë.
 

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri