Në vazhdim të arsyetimit të prof.dr. Vedat Shehut

Prof.dr. Eshref Ymeri
 

 
       Ditën e shtunë, më 14 qershor, prof. Nexhmedin Spahiu kishte botuar në internet njoftimin e mëposhtëm, të cilin po e riprodhoj saktësisht sipas origjinalit:
“Te enjten (19 qershor) ne ora 12.00 ne Sheshin 21 behet promovimi i librit tim te 8-te te sapo dale nga shtypi: FOSHNJERIA E KOMBIT KOSOVAR.
Ftoj miqte dhe dashamiret e mi te vijne ne kete promovim, t'i diskutojme shume gjera se bashku. Ne promovim do te jene shumica e ambasadoreve te akredituar ne Kosove. Ndonjeri prej tyre do te flase per kombin e sapolindur Kosovar.
 juaji
Nexhmedin SPAHIU
cell: +377  44 147596”.
Kurse sot, më 21 qershor, profesori i nderuar dhe intelektuali i shquar Vedat Shehu, kishte botuar në internet reagimin e mëposhtëm ndaj njoftimit të prof. Nexhmedin Spahiut:
“I dashur dhe i nderuar studiues Nexhmedin Spahiu,
Mos ndoshta ngatërrohet termi “komb foshnjor” me termin “shtet foshnjor”? Kombi është rrjedhojë natyrore dhe gjenetike e zhvillimit të një njësie shoqërore në një territor të caktuar. Shteti në vetvete është administrim i pushtetshëm i një territori me një apo më shumë njësi gjenetikisht kompakte. Pra, duhet thënë“shteti foshnjor i Kosovës”, konformë përcaktimit të Ahtisaarit, si shtet polietnik , shumëkombësh.
Të fala shqiptarisht.
Vedat Shehu”
       Më poshtë unë kam bërë disa sqarime se çfarë fshihet pas termit të prof. Spahiut “komb foshnjor kosovar”, duke e vazhduar më tej arsyetimin shumë të drejtë të prof.dr. Vedat Shehut.
Profesor Nexhmedin Spahiu nuk e ka fjalën absolutisht për “shtet foshnjor kosovar”. Ai e ka fjalën pikërisht për “komb foshnjor kosovar”. Dhe me këtë shprehje ai kërkon t’i imponohet mbarë opinionit publik shqiptar  se ka bërë “shpikjen më të madhe” në historinë e njerëzimit, “ka shpikur kombin kosovar”. Ky “kombi kosovar”,tani është duke u nanurisur në “shpërgënjtë” e profesor Spahiut, sepse sapo ka lindur nga imagjinata e tij dhe pritet të mëkëmbet dhe të hedhë shtat. Domosdo që këtij “kombi foshnjor kosovar”i duhet edhe një gjuhë e re, në të cilën do të mund të belbëzojë. Dhe kjo gjuhë e re, sipas një aradhe intelektualësh nga Prishtina që përbëjnë taborrin e argatëve të kollarisur të Serbisë në Kosovë, do të na qenka “kosovarishtja”që nuk do të na paskej asgjë të përbashkët me gjuhën e njësuar shqipe të mbarë kombit shqiptar në Evropën Juglindore. Ideja e krijimit të “kombit kosovar” ka kohë që qarkullon në radhët e ca intelektualëve trumykur të Prishtinës, të cilët janë vënë kokë e këmbë në shërbim të grekosllavizmit, me të vetmin qëllim që të mos i tunden themelet veprës kriminale të Konferencës famëkeqe të Londrës në copëtimin e trojeve etnike shqiptare. Prof. Spahiu dhe bashkëmendimtarët e tij, si mercenarë të Serbisë që janë, me “kontributin e shquar” që po japin për “krijimin e kombit foshnjor kosovar”dhe të “gjuhës kosovarishte”, janë rreshtuar në të njëjtën barrikadë me ca të ashtuquajtur ndërakademikë në Prishtinë dhe në Tiranë që po rreken të përmbysin normën e njësuar të gjuhës shqipe dhe të nxisin lulëzimin e dialekteve. Ky është një shërbim shumëi madh që këta intelektualë-mercenarë po i bëjnë grekosllavizmit dhe konkretisht trekëndëshit Athinë-Beogradë-Moskë, qëllimi mbinjëshekullor i të cilit ka qënë: që trojet tona etnike të mos bashkohen kurrë, që kombi shqiptar të vazhdojë të zvarritet barkas dhe të mos ngrihet kurrë më këmbë. Dhe ilaçi më i mirë për arritjen e një objektivi të tillë është përçarja sa më e thellë e kombit shqiptar. Mëgjithatë, unë kam bindjen e plotë se ribashkimi i trojeve tona etnike është një domosdoshëri historike, është një proces që nuk mund të ndalet dot, që dikur do të jetësohet në praktikë dhe vepra e mercenarëve të grekosllavizmit me siguri që do të përfundojnë në koshin e mbeturinave të historisë.
 
Tiranë, 21 qershor 2014

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit