Do të ngjizet ardhmëria...



Agim Metbala u lind më 1953 në Rahovec. Shkollën fillore dhe atë të mesme- gjimnazin, drejtimin e pëgjithshëm, i kreu në vendlindje, studioi dhe u diplomua pranë Fakultetit Juridik në Universitetin e Kosovës, më 1976. Aty i vazhdoi edhe studimet pasuniversitare.
Agim Metbala, ka kryer disa detyra në nivel të komunës, kurse tash e kryen detyrën gjyqtarit, në Gjykatën Komunale të Rahovecit.
Me shkrime, ka filluar të merret qysh kur ishte nxënës i klasës së katërt të shkollës fillore dhe tash e 34 vjet më parë, bashkëpuoi me shumicën e revistave letrare dhe gazetave ditore, që botohen në gjuhën shqipe, në të gjitha trojet shqiptare.
Krahas shkrimeve për fëmijë, ai shkruan edhe poezi për të rritur dhe merret me enigmatikë. Gjithashtu, Agimi merret me perkushtim mbledhe edhe materiale nga lemia folklorike.
Agim Metbala ka merita të mëdha në zhvillimin dhe përhapjen e letërsisë për fëmijë dhe të enigmatikës në komunën e Rahovecit. Ai është iniciator për themelimin e Shoqatës së Enigmatëve "Labirinti" në Rahovec, e cila është themeluar më 1985 (e dyta në Kosovë), ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të parë të kësaj Shoqate. Ka marrë pjesë dy herë në garat Federative të enigmatëve në ish-Jugosllavi, dhe ate në Lipik (Kroaci) dhe Sarejëvë (Bosnjë), por edhe në shumicën e takimeve dhe garat e enigmatëve të Kosovës.
Me iniciativën e tij, menjëherë pas themelimit të Shoqatës, ka filluar të botohet revista letrare për fëmijë "Filizat", të cilën e ka udhëhequr, e udhëheq dhe e financon edhe sot.
Për nder të 10-vjetorit të veprimit të Shoqatës, me mjete të veta dhe me punime të përzgjedhura për fëmijë, me disa kolegë, ka botuar përmbledhjen "Si duket babi im" e për nderë të 20-vjetorit të veprimit të Shoqatës, përsëri me disa koautorë, ka botuar përmbledhjen me vjersha e tregime "Pranvera në shkurt". Poashtu, boton edhe revistën letrare për të rritur (formë libri), me autorë rahovecianë, "Jehonë Anadrinie".
 
 
Veprat:

- Koautor i përmbledhjes me vjersha e tregime "Si duket babai im",
- Përmbledhje me rrëfenjëza për fëmijë, "Deti në shtëpi",
- Përmbledhje me vjersha , tregime dhe drama njëaktëshe për fëmijë, "Grindja e fjalëve",
- Përmbledhje poetike "Kohë qieinjsh".
- Përmbledhje poetike "Guximi fle".





FENIKSI KOSOVAR

Këtu si duke edhe dialektika
Është dehur deri në delirium
Dhe përdit në këtë kaos urban
Lindin pikpyetjet
Në këtë kaos urban të shfrenuar
Vështirë se do të vetëpërmbahet
Rolet janë ndërruar në mote -
Timonët i kanë në duar idiotët
Të paktë janë ata të tjerët
E Kosova zë në thua me shekuj...

Si duket këtu po perëndon
Apo po lind diç e re
Diçka si Feniks i ri kosovar
Kam frikë, kam frikë...
(këlyshët e parë hidhen në lunë)...
 
 
 
 

MOS I MBYLLNI SHTIGJET

Mos e mbyllni, hapeni shtegun
Do të shihni sa shtegëtarë ka
Që do të krijojnë shtigjet e reja
Për t'i lënë n'harresë labirintet e trishtimit...

Mos e mbyllni, hapeni portëm
Do të hapen pastaj të gjitha dyert
Frikën do ta djeg guximi
Guximi do t'i mbushë sheshet me gëzime
Frikën ia lëmë peng historisë...

Mos e mbyllni, hapeni portën
Pastaj do të hapen të gjitha zemrat
Zmra ka shumë sirtarë
Dhe në ballë të fëmijërisë
Do të ngjizet ardhmëria...




KOHË QIRINJSH

Në Kosovë
Motet ndërrohen
Nën ritmikë agregatësh
Ftohtë, akull, akullnajë
Dhe në shpirt të secilit
Mbin nga një ajsberg...
Në Kosovë
Nata edhe dita
Ndërrohen në vërtitje krismash
Duke bartur stafetën stereotipe
Me porosi të stërpërsëritura...
Në Kosovë
Çdo gjë është e brishtë
E ftohtë, akull, akullnajë
Derisa të lindë shpirti
Ai do t’i shkrijë të gjithë ajsbergët
Në bebëzat e syve do ta mbjellë dashurinë
Të kërkuar në këto mote...

18.03.2003
 
 
 
MEDALJONI

Secili që ka puthur
Mëngjesin në ball
Vetëm duke kërkuar fjalën
Pët ta shaluar
Të kalurojë mes njerëzve
Ai në çdo hap është takuar me dashuri
E gëzimi ia ka fshirë djersën nga balli...
Secili që ka shtrembëruar kurrizin
Duke e shndërruar në harqe
Mu porsi degët me peshë bore
Pastaj do të takohet me rrezet e diellit
Që burojnë nga sytë e njerëzve...
Secili që frikën e ka pshtyrë në fytyrë
Rrezikun e ka pshurë në gojë
E turpin e ka shkelur me thembër
Do të ec lehtë rrugës
Dhe do të ndiejë pasthirmën e zogjëve...
Ai s’ka çka u trembet viteve në vijim
Stolisur me medalonin e nderit!

24.08.2004



SHPIRTI NË SHUPLAKË

Kurrë nuk do të isha trembur
Nga askush dhe nga asgjë
Po të mos ishte syri im
Që ma shpalos shpirtin në shuplakë...

Durrës, 03.08.2003



KËNGËT E MIA

Këngët e mia
Këndohen dhe këndohen
Me melodinë e vjetër
Në mes meje dhe njerëzve
Mes njerëzve dhe meje...
Këngët e mia
Në ndërdijen kureshtare
Zemër buçimë e jehonshme
Në të gjeni kuptimin e çastit
Gjykimin e drejtë
Nën kureshtjen e shestuar...




LIBRI ISHTE DËNUAR ME VDEKJE

Kam ecur
Kam ecur nëpër teh të shpatës
Për të treguar sa e rëndë është e vërteta
(kam vuajtur dhimbjet)
Kur të tjerët kanë qeshur
Dhe dehur me dhimbjet tona
Kam qarë
Kur të tjerët diferenconin
Arkivolet e blombuara
Kam shkruar shqip
Kur libri ishte dënuar me vdekje
Kur të tjerët kishin bërë aleancë me kërbaçin
Kur të tjerët kishin helmuar rrugën
Kam ecur këmbë maleve përpjetë
Për t’i takuar drangonjtë...
Atëherë isha plot me serenada
Duke pritur mëngjesin e ëndrrave - zhgjëndër
Tash rri në udhëkryq
Me një pikëpyetje të madhe në ballë
Dhashtë zoti të jem në ëndërr
Se ëndrra harrohet lehtë...


 
VETËVRASJA E HESHTJES

Përditë në vend të kaftjallit
Në pjatë na servohet nga një brengë
Në tavolinën për drekë
Na shtrohet nga një vdekje enigmatike
E për çdo darkë në mbrëmje
Para syve na vidhet shpresa....
Heshtja pa kusht duhet bërë vetëvrasje
Ose ne ta vrasim botërisht
E në gishtin tonë tregues
Le të lind guximi i fjetur...

O3.09.2004




PELEGRINAZH NDERI

Adem Jasharit
U mundova të eci shtegut tënd
Që kishte vetëm një zgjidhje
Ta shkruash emrin në abetare
E trupi mburojë plumbash
E mata veten në peshojë disfatë
Nga e cila doli listë e gjatë...
Për herë të dytë e mata veten
Me pjesën e zemrës sime
Të ecë bjeshkës kur çeli dushku
Im bir hapi istikame
U kthye duarsh me ushla pentagrame...
Herën e tretë
Nuk e mata më veten
Mbase shtegut tënd
Ecën vetëm dragonj e zana
Të tjerët ishin të pafuqishëm
Për atë pelegrinazh nderi!

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri