PSE NJË DIPLOMAT BËHET SHKRIMTAR?



Fenomeni i diplomatit-shkrimtar është dokumentuar dhe studiuar në shumë vende të botës, por në Shqipëri ende nuk ka një traditë, qoftë dhe të trajtimit të këtij fenomeni. Duke parë këtë mungesë në fushën e botimeve, Qendra UET në bashkëpunim me UET- Press do të synojnë të paraqesin në një libër të gjithë ambasadorët krijues shqiptarë

Ylljet Alicka

Të gjithë mund të shkruajnë si burra dhe gra, natyrisht përveç analfabetëve. Mes tyre, pak kanë ambicie të ndajnë me të tjerëteksperiencat, kujtimet, ëndrrat, shpresat, ankthet etj., e aq më tepër t’i bëjnë ato publike.
Në pafundësinë e krijuesve ekziston dhe veçohet një mikroambient; ai i diplomatëve. Sigurisht që ky grup nuk ka monopolin e shoqërisë letrare, por për shembull, krahasuar me mjekët, avokatët, profesorët etj., janë pa dyshim më të përfaqësuar.
“Mendoni se kjo është thjesht një përshtypje?” – pyetJacques Rummelhardt, diplomat karriere në Francë, që ka shërbyer në vende të ndryshme, si Kanada, Nigeri, Spanjë, Belgjikë, Bullgari, Tajlandë, Zvicër etj, teksa shtjellon në një shkrim të tij fenomenin e diplomatëve-shkrimtarë. “Stendhal, Ivo Antic (Nobel 1961) janë shkrimtarë të njohur, por nuk kanë patur detyra të dorës së parë gjatë karrierave diplomatike. Por nuk ka ndodhur kështu për Paul Claudel, Paul Morand, Jean Giraudoux, Saint John Perse (Nobel 1960), fenomene në botën letrare franceze të gjysmës së parë të shekullit XX, njëkohësisht aktorë të rëndësishëm mes të cilëve dhe d’Orsay.
Ndërsa Gobineau ishte shkrimtar ekselent, por një diplomat mediokër. Rasti i diplomatëve-shkrimtarë është shumë i gjatë për të qenë i kufizuar vetëm në Francë. Të mendojmë për ambasadorët e çmimeve “Nobel” në letërsi: George Seferis (1963), Miguel Angel Asturias (1967), Pablo Neruda (1971), Octavio Paz (1990), pa përmendur ambasadorë të tjerë e shkrimtarë të mëdhenj si Carlos Fuentes o Guimarães Rosa; ky i fundit ishte mjek dhe u bë shkrimtar vetëm pasi kaloi konkursin në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Brazilit. Në të njëjtën periudhë, disa diplomatë që nuk u bënë ambasadorë, si Romain Gary o Czeslaw Milosz (Nobel 1980) njohën lavdinë e letërsisë”, – shkruan ai.
Edhe Shqipëria e ka njohur fenomenin e diplomatit krijues që me Pashko Vasën që shërbeu si sekretar në ambasadën e Britanisë së Madhe dhe guvernator në Liban për të vijuar me Fan Nolin e Faik Konicën, Eqerem Bej Vlorës etj, deri te modelet e sotme të shkrimtarit-ambasador si Besnik Mustafaj, Ylljet Aliçka, rast i tillë është dhe e shkrimtarit shqiptar nga Maqedonia, Luan Starova, edhe pse në diplomaci nuk shërbeu për vendin e origjinës.
Pse një diplomat bëhet shkrimtar?
“Mos ndoshta sepse ka shumë kohë të lirë dhe asgjë tjetër për të bërë- vijon, diplomati francez, Jacques Rummelhardt që i ka kushtuar një sërë shkrimesh dhe studimesh këtij fenomeni.
Nëse teza se një ambasador përveçse të firmosë s’ka punë të tjera të bëjë konfirmohet, atëherë shumë mirë ai (diplomati) mund të përqafonte të tjera mjete krijuese si piktura ose muzika, por në vend të tyre ka zgjedhur të shkruajë.
“Jo të gjithë ambasadorët bëhen shkrimtarë që arrijnë të botojnë dhe jo të gjithë diplomatët që botojnë janë ambasadorë. Aktiviteti letrar më i praktikuar në këtë profesion janë kujtimet. Ndonjëherë bëhet fjalë për dëshmi shumë interesante, mbi të gjitha nëse nuk i përkasin autorit. Aktualisht, në fakt nuk duket se spikat në plejadën e letërsisë botërore ndonjë diplomat shkrimtar… Në Francë, pas Rasinit dhe Volterit, opinionin dominues i shekullit XVIII ishte se nuk do të shkruhej më kurrë një tragjedi; dhe nuk ishte ‘zbuluar’ akoma Shekspiri. Për të kuptuar duhet të kemi parasysh dy faktorë alternativë dhe grumbullues: diplomatët e fshehin talentin e tyre prej shkrimtari. Nuk po them se shkrimtarët-shkrimtarë, shkruajnë keq. Por për fat të keq atyre u inkurajohet të mos jenë të kuptueshëm për publikun e gjerë por duhet të kenë stil.”- thotë Rummelhardt.
Por në lëmin e shkrimtarisë ngulmohet shumë në letërsinë fiction me origjinë diplomatike. Kujtimet edhe pse dikur më të parapëlqyerat ia kanë lënë vendin letërsisë. Diplomatët nuk më drojë për të shfaqur talentin prej shkrimtari.
Rummelhardt hedh tezën se një diplomat që të arrijë një numër të mirë botimesh, përpiqet të përqafojë atë letërsi që aktualisht shet më shumë: atë të fillit policesk.
Dy shembuj jep ai për këtë model diplomati-shkrimtar. “Holandezi Robert van Gluck që shkruan në gjuhën angleze me gjykatësin e tij kinez të shek VII ose Jean François Parot më intrigat e tij të Francës para revolucionit. Nga një rast në tjetrin, këto nuk janë dëshmi faktesh diplomatike por që mund të konsiderohen humusi nga ku piqen krijimet e tyre.”
Pavarësisht të gjithave ai nuk e vë në dyshim që personazhi i shkrimtarit diplomat do të mbijetojë. Siç analizon diplomati francez, zhvillimet e ardhshme do të bazohen patjetër mbi kultura teknologjike. “Wikileaks ose Valixhja e Ambasadorit Spanjoll na tregojnë që disa anë letrare gjejnë strehë në korrespondencën diplomatike madje sigurojnë rekorde shitjesh. Një tjetër rrugë për diplomatët është e hapur nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë dhe dishepujt e saj. Përhapja në masë e sekreteve, manipulimeve të thashethemeve, konfidencave false do të jenë burim frymëzimi për letërsinë e bazuar te realiteti, autenticiteti. Epoka e dyshimit do të vihet dhe vetë në dyshim: John Le Carré i paraprin asaj. Diplomacia është kaq e lidhur zhvillime, mashtrime, drama dhe shpresa që do të vazhdojnë të furnizojnë një kontingjent të njerëzve të letrave. Për rrëfimin nevojiten tre elementë thotë i proverba: në fillim një histori e mirë, pastaj një histori e mirë dhe në fund një histori e mirë.”
Fenomeni i diplomatit-shkrimtar është dokumentuar dhe studiuar në shumë vende të botës, por në Shqipëri ende nuk ka një traditë qoftë dhe të trajtimit të këtij fenomeni. Duke parë këtë mungesë në fushën e botimeve Qendra UET, në bashkëpunim me UET Press do të synojnë të paraqesin në një libër të gjithë ambasadorët krijues shqiptarë. Iniciatorë dhe autorë të këtij Projekti janë Valbona Nathanaili dhe Ylljet Aliçka.
“Në këtë botim ne do përpiqemi të krijojmë traditën, ose të shtrojmë shinat e dokumentimit dhe paraqitjes të veprimtarisë së tyre, duke zgjedhur disa, mbi bazën edhe të dy parimeve të tjera: koha e shërbimit dhe gjeografia e vendit ku kanë qenë. Synimi është të jemi sa më përfshirës, sikundër edhe të identifikojmë dhe analizojmë rolin që kanë luajtur personazhe të tillë, shpesh i panjohur për publikun e gjerë.”
Për Mapo-Librin flasin autorët Valbona Nathanaili & Ylljet Aliçka
valbona nathanaili
Ambasadorët tanë/ Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë
UET Press, në bashkëpunim me UET Centre, brenda këtij viti do të nxjerrë librin “Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë“, që do të bëjë bashkë të gjithë ambasadorët krijues. Pse kjo temë kërkonte vëmendje për t’u bërë subjekt në një libër?
Valbona Nathanaili: Praktikat diplomatike të shumë shteteve në botë njohin emërimin e Ambasadorëve nga fusha e krijimtarisë. Sikundër edhe fenomenin e anasjelltë: duke qenë në shërbim, përfaqësuesit diplomatikë kanë trendin të shkruajnë rreth përvojave të tyre, shpesh në mënyrë artistike, ose të ndajnë me publikun kujtimet. Edhe vendi ynë nuk i ka shpëtuar këtij trendi. Në fakt është ambicie e madhe të synosh të paraqitësh në një libër të gjithë ambasadorët krijues shqiptarë. Në këtë botim ne do përpiqemi të krijojmë traditën, ose të shtrojmë shinat e dokumentimit dhe paraqitjes të veprimtarisë së tyre, duke zgjedhur disa, mbi bazën edhe të dy parimeve të tjera: koha e shërbimit dhe gjeografia e vendit ku kanë qenë. Synimi është të jemi sa më përfshirës, sikundër edhe të identifikojmë dhe analizojmë rolin që kanë luajtur personazhe të tillë, shpesh i panjohur për publikun e gjerë. Me këtë rast, dua të shpreh falënderimet për Ministrinë e Kulturës që mbështet shtypjen e librit.
A kemi ne raste mjaftueshëm të ambasadorit krijues, sa të mund ta konsiderojmë fenomen? Nëse po, është një trend i viteve të fundit?
Ylljet Aliçka:Jo, fjala është për një traditë gati-gati të institucionalizuar, pra më tepër se sa një çështje konjukturash, nevojash politike, ose emërimi politik, ajo ka evoluar ose është konsoliduar si një lloj rigjenerimi i trupit diplomatik, pra si çështje strukturore e diplomacisë së një vendi, ose edhe e parë thjesht si një praktikë e politikës kulturore.
Thënë ndryshe, më tepër si rregull, se sa si përjashtim. Cilido qoftë termi: diplomat-shkrimtar ose shkrimtar-diplomat, përqasja e këtyre dy profesioneve (apo vokacioneve) ka qenë objekt i gjerë debatesh në opinionet publike. Pavarësisht dallimeve (shkrimtari me të drejtën e emocionit, diplomati i imunizuar nga kjo ndjenjë, apo diplomati me prirjen për moderacion dhe kompromis, ndërsa letërsia veprimtari e lirë e shpirtit), përvoja botërore ka treguar se diplomati dhe shkrimtari mund të bashkëjetojnë harmonikisht, në një aliazh dy kokësh duke njohur e respektuar funksionet respektive, sepse ata kanë një detyrë të përbashkët: të dëshmojnë.
Po të kesh parasysh shembujt e marrë nga historia ky është një subjekt sa retrospektiv, aq dhe perspektiv, pasi dhe vet tipologjia e shkrimtarit diplomat është e gjerë, pra nuk ekziston një portret unik, më tepër kemi të bëjmë me një siluetë të retushuar. Mjaft të përmendim disa nga majat e letrave botërore: Shatobrian, Stendal, Sen Xhon Pers, Zhan Zhirodu, Pejrefit, Romën Gari, Pol Morand, Malaparte, Albert Cohen, Seferis,J akup Kadri, Karlos Lamas, Horge Eduards, Pablo Neruda, Migel Aanhel Asturias, Carlos Fuentes, Roberto Eceverria,, Gabriela Mistral, Octavio Paz, Hulio Casal, Mario Vargas Llosa….
Çfarë do të përmbajë ky botim?
Valbona Nathanaili:Synimi është të hulumtojmë në fushën e diplomacisë shqiptare dhe të identifikojmë kontributet e atij grupi përfaqësuesish të shtetit shqiptar në botë që kanë ditur të gërshetojnë diplomacinë me kulturën, detyrën me pasionin krijues, përgjegjësinë me përkushtimin ndaj fjalës së shkruar dhe t’i paraqesim në një dritë të re. Pse jo, të hapim një debat rishqyrtues dhe vlerësues të diplomacisë shqiptare ndër vite.
Ndonëse jemi në fazën e diskutimit të përmbajtjes së detajuar, synimi është të gërshetojmë veprimtarinë konkrete të ambasadorit në vendin e atashuar me veprimtarinë krijuese dhe sa e si kjo veprimtari, – nëse po -, e ka ndihmuar në promovimin e vendit tonë, të vlerave e kulturës, ose në zgjidhjen e çështjeve specifike. Pjesë e paraqitjes do jetë edhe vendi ku ka shërbyer, me veçoritë politike e shoqërore të periudhës kur Ambasadori ka qenë me shërbim. Detaje të tjerë që kërkojmë të bëjmë me dije lidhen edhe me faktin se sa parametrat striktë të diplomacisë i kanë penguar ose jo për të qenë pjesë e aktiviteteve të ndryshme kulturore; ose sa kanë ndikuar njohjet e rrjetet sociale që kanë pasur, falë krijimtarisë, në emërimin në postin e ambasadorit, pasi një pjesë e mirë nuk kanë qenë ambasadorë karriere; gjuhët e huaja që zotërojnë; librat që kanë shkruar; nëse fakti që kanë qenë shkrimtarë, autorë librash ose përkthyes i ka ndihmuar për të realizuar takime, pavarësisht rrethanave politike apo vështirësive politike, ose që në rrethana të tjera do kishte qenë e pamundur, për të qenë pjesë e rretheve intelektuale të vendit, për të ndikuar pozitivisht në qarqe vendimmarrjeje në të mirë të Shqipërisë etj. Pra, për secilin nga emrat e zgjedhur, do krijojmë një portofol të cilin do të përpiqemi t’ia paraqesim lexuesit shqiptar jo vetëm në një formatim të bukur, por mbi të gjitha në mënyrë korrekte. Sigurisht që do e kemi më të vështirë për ata personazhe që nuk jetojnë më, por mendoj se do arrijmë të gjejmë të gjitha burimet për të realizuar synimet tona.
Kujt i nevojitet një libër me subjekt të tillë? Kush është lexuesi që i drejtohet?
Ylljet Aliçka: Bilanci ose rasti shqiptar nuk mbetet pas traditës europiane, pasur parasysh historinë e shkurtër të shtetit shqiptar, por pranohet se në këtë drejtim ka një deficit komunikimi. Subjekti meriton trajtim shumëplanësh: atë historik, sociologjik, kulturor, madje dhe “gjenealogjik”. Për pasojë dhe një libër me subjekt të tillë mund të zgjojë interesin e të apasionuarve të fushave të mësipërme, dhe pse jo të një publiku të gjerë.
Çfarë zhanri mund të themi se do jetë, duke qenë se është një libër i pazakontë në botimet shqip?
Valbona Nathanaili:Botimi i librit plotëson një mungesë në bibliografinë shqip. Të gjitha “copëzat” e jetës dhe veprimtarisë së ambasadorëve tanë krijues janë një mundësi e mirë për të njohur, në mënyrë të tërthortë, jo vetëm historinë e vendit tonë, por edhe atë të vendeve të tjera, sikundër mund të shërbejnë edhe si një referencë e mirë për të njohur kontekstin politik e social të vendit. Nëse do më duhej të bëja katalogimin e librit, do thosha se është një ndërthurje e historisë me letërsinë, e politikës me shkencat sociale, një hapësirë ku priten vende e kultura të ndryshme.
Projekti
Është në kuadër të një thirrjeje për projekte, e hapur nga Ministria e Kulturës në fushën e artit dhe të kulturës. Projekti është fituar nga Qendra UET në bashkëpunim me UET-Press. Pika kryesore e projektit është botimi i librit. Universiteti Europian i Tiranës synon që, krahas promovimit të librit, të mbështesë edhe mbajtjen e një forumi me ambasadorë dhe ish-ambasadorë në fundvjeshtën e këtij viti. Mbetet e hapur thirrja për bashkëpunime me UET në mbajtjen e këtij forumi nga organizma të ndryshme, qeveritare e joqeveritare, si dhe janë të mirëpritura të gjitha propozimet, idetë e projekt-idetë që nxisin debat në këtë fushë...

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri