Qaseem Suleimani: Njeriu që tremb Lindjen e Mesme


The Guardian

Komandanti i forcave speciale iraniane është një prej njerëzve që ia kanë më shumë frikën në Lindje të Mesme. Ka ndihmuar Assadin për të kthyer rrjedhën e luftës në Siri. Tani do të ndihmojë Irakun të zmbrapsë terroristët

Qassem Suleimani, komandant i forcave speciale Quds (Jeruzalem në arabisht), një njësi e Gardianëve të Revolucionit Islamik në Irak, është lloji i njeriut që është i dobishëm për t’u pasur në krah gjatë një krize. Kryeministri Nuri al Maliki duket se ka nxjerrë një ofshamë çliruese kur Suleimani është ofruar për të organizuar një kundërsulm ndaj xhihadistëve sunitë të Shtetit Islamik të Irakut dhe të Levantit, që kanë marrë kontrollin e pjesës më të madhe të veriperëndimit të vendit dhe janë të gatshëm të marshojnë drejt Bagdadit. Suleimani është një frekuentues i zjarrtë (dhe shpesh i papritur) i kryeqytetit iraken, ku kishte një rol të dorës së parë qysh përpara pushtimit amerikan të vitit 2003 dhe të rënies së Saddam Husseinit. Duke i organizuar rezistencën, duke i mobilizuar milicitë dhe duke i korruptuar njerëzit e duhur, komandanti ka fituar reputacionin e njeriut ndër më të fuqishmit dhe më misteriozët e Lindjes së Mesme.

Vizita e fundit e tij në Bagdad është provë e gjendjes së rëndë të krizës në Irak, aleati i Teheranit sot i zënë me kërcënimin e xhihadizmit sunit. “Gardianët e Revolucionit e konsiderojnë Irakun një front tjetër, njëlloj si atë të Sirisë”, shpjegon Ali Ansari, ekspert i historisë iraniane në Universiteti St. Andrews në Mbretërinë e Bashkuar. “Po e marrin situatën shumë seriozisht”. Gjatë tri viteve të fundit, Suleimani është përqëndruar mbi Damaskun, ku ka qenë njeriu kryesor i misionit iranian, në mbështetje të Bashar al Assadit dhe i hizballahëve libanezë.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione mbi të për rolin e tij në Siri, kështu që është e vështirë të mund të takohen funksionarë amerikanë, edhe nëse Washingtoni dhe Teherani do të binin dakord do të binin dakord mbi një bashkëpunim ushtarak afatshkurtër në Afganistan. George W. Bush nuk e kishte përfshirë akoma Teheranin në “Boshtin e së Keqes” të tij.

Sot strategjia iraniane është e qartë. “Siria është fushëbeteja kryesore”, ka shpjeguar Suleimani në shkurt në një prej deklaratave të rralla të tij. “Nga njëra anë është e gjithë bota dhe nga ana tjetër është Irani. Disa po kërkojnë largimin e al Assadit, por nuk po e kuptojnë sesi janë realisht gjërat”. Pastaj i ka lëshuar akuza të ashpra Arabisë Saudite, rivali kryesor i Iranit në rajon dhe mbështetëse e disa prej militantëve që luftojnë kundër al Assadit.

Besnik ndaj Ajatollahut Ali Khamenei, Guida Supreme iraniane, në atdhe Suleimani mban një profil të ulët. Fytyra e tij e zbehtë, pothuajse spektrale, me sytë e përgjumur dhe flokët e thinjur, shfaqet në publik vetëm rastësisht në funeralet e Gardianëve të Revolucionit të vrarë në Siri. Khamenei e ka quajtur një “martir të gjallë” (një kompliment i madh). Në maj, në Facebook, është shfaqur një fotografi që e paraqet teksa i ofron ngushëllimet e tij familjes së Hilal al Assadit, kushëri i Presidentit sirian, i vrarë në luftime në afërsi me kufirin turk.

Suleimani është 57 vjeç dhe kishte pak më shumë se 20 kur është rekrutuar në ushtrinë iraniane, për të marrë pjesë në luftën e shpërthyer kundër vendit të tij, në vitin 1980, nga Saddam Husseini. I konsideruar si konflikti i armatosur konvencional më i gjatë i shekullit të kaluar, lufta është zgjatur për 8 vjet dhe ka lënë në terren më shumë se 1 milion të vdekur. Më pas Suleimani është dërguar në kufirin lindor për të luftuar narkotrafikantët afganas dhe në vitin 1998 është emëruar komandant i forcave Quds. Organizata, që sipas disa vlerësimeve duhet të përbëhet nga mijëra njerëz, zhvillon aktivitete veçanërisht delikate: spiunazh, operacione speciale, kontrabandë armësh dhe aktivitete politike të ndryshme, gjithçka që duhet për të mbrojtur revolucionin iranian, apo për të sulmuar armiqtë e tij, duke filluar nga Izraeli. “Forcat Quds përmbledhin funksionet e shërbimeve sekrete, të forcave speciale dhe të agjencive për ndihmën e vendeve të varfëra”, shpjegon një funksionar britanik. “Janë krahu i Iranit në të gjithë botën”. Vitin e kaluar Suleimani është fotografuar sëbashku me të birin e Imad Mughniyehut, komandantit ushtarak të Hizballahut të vrarë në Damask në 2008, ka shumë mundësi nga agjentët e Mossad izraelian.

Sipas ekspertëve, Suleimani do të ketë një rol të dorës së parë në Irak. “Në momentet e krizës, Suleimani është buratini suprem”, shpjegon Profesor Toby Dodge i London School of Economics. “Është një lloj qelize primare. Gjendet në çdo vend dhe askund dhe mund të konsiderohet përgjegjësi i gjithçkaje. Në Bagdad po bën atë që bënte në Damask: po këshillon dhe ndihmon një aleat në vështirësi, në këtë rast Kryeministrin al Maliki”.

Padron dhe shërbëtor

Në të kaluarën qëndrimi agresiv i Suleimani ka ngjallur disa dyzime, për shembull kur në vitin 2008 ka takuar Presidentin iraken Jalal Talabani. “Dukej sikur asistohej në një dialog midis një padroni dhe një shërbëtori”, ka rrëfyer një burim i besueshëm. Një vit më parë, gjatë një serie përplasjesh midis milicive shiite dhe ushtrisë irakene të mbështetur nga ushtarët amerikanë, Suleimani i kishte dërguar një SMS komandantit të forcave amerikane, David Petraeus: “Gjenerali Petraeus, duhet ta dini se unë, Qaseem Suleimani, jam përgjegjës i politikës iraniane në Irak, në Liban, në Gaza e në Afganistan. Ambasadori në Bagdad është njeri i forcave Quds. Kush do ta zëvendësojë është pjesë e forcave Quds”.

Sipas Dodge, një prej instrumentave më efikasë të Suleimani në Irak është Asaib ahl Haq (Lidhja e të Drejtëve), një milici shiite e themeluar nga iranianët për të kundërshtuar lëvizjen e drejtuar nga Moqtada al Sadr, nacionalisti sunit që është afirmuar si lider i rezistencës ndaj pushtimit amerikan. Qais al Khazali, kreu i milicisë shiite, është një prej personave që Suleimani duhet ta ketë takuar në Bagdad gjatë vizitës së fundit të tij. “Si struktura të tjera të krijuara nga iranianët, Lidhja e të Drejtëve është një organizatë thellësisht fetare dhe e ideologjizuar që vepron paralelisht me shtetin, duke e sabotuar apo duke e ndihmuar sipas nevojave”, shpjegon Dodge. Grupi ka kryer disa sulme spektakolare kundër trupave amerikane përpara se të tërhiqeshin në vitin 2011. Një organizatë tjetër irakene e mbështetur nga Irani, Brigada Badr, është rishfaqur në publik kohët e fundit pavarësisht se konsiderohej tashmë e shkrirë”.

Nga deklaratat publike të Suleimani nënkuptohet një impenjim strategjik i madh për kontrollin e Irakut dhe për mbrojtjen e influencës iraniane dhe shiite. “Dikur Iraku ishte një bastion i fuqishëm i opozitës kundër Iranit”, ka thënë ai. “Është për këtë arsye që Perëndimi e ka financuar kaq gjatë Saddamin, edhe përpara krijimit të republikës islamike”.


Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri