INAT ME HASHIMIN APO NOSTALGJI PËR JUGOSERBINË E TITOS




Për një lexues të rëndomtë e të pavëmendshëm libri-pamflet kundërshqiptar i Veton Surroit, Këmbët e gjarpërit, përshkohet fillim e mbarim (nis e sos…) nga një inat që autori paska me Hashim Thaçin! Sepse, edhe libri, po të merret parasysh vetëm titulli, i «kushtohet» Hashimit dhe është prodhim i inatit (zilis) që paska Vetoni me të ! Këtu edhe qëndron hileja e madhe e Vetonit! Pastaj, është e vërtetë se nuk ka faqe libri që nuk përmendet Hashimi i pasuar (gjithmonë) nga nofka e tij, «gjarpëri».

Megjithatë, kjo do të ishte përshtypja e një të lexuari sipërfaqësor të këtij libri. Lexuesi që është i pajisur me njohuri të mjaftueshme për historinë politike të Kosovës dhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (ilegale…), që kulmoi me krijimin e famëmadhes, UÇK, do ta kuptonte fare lehtë se synim i Veton Surroit (si përfaqësues i denj i sojit të surrojve dhe «jugokosovarëve» titistë…) nuk ishte «anatemimi» i Hashim Thacit, por anatemimi dhe mohimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, me theks të vecantë i LPK-së (organizatës që themeloi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës) dhe i UÇK-së, e bashkë me të, edhe i të gjitha përpjekjeve dhe flijimeve të kësaj pjese të kombit shqiptar (Surroi i quan «kosovarë», sipas shembullit të atij «kombit jugosllav», që kishte krijuar dhunshëm dhe artificialisht e dashura e tij, Jugoserbia e Titos) për liri kombëtare, politike, demokratike e qytetare.
Natyrisht, Surroi librin e tij e fillon me Hashim Thaçin dhe me mungesën e shkollës fillore në fshatin e tij të lindjes. Këtë punën e shkollës fillore e përmend me shumë kënaqësi, duke iu referuar pa takt e pa masë disa herë…! Fakti që nuk kishte shkollë shqipe (as fillore…) në një fshat shqiptar duket ashiqare që e gëzon shumë Surroin (sigurisht edhe sojin e tij)! Duket që Vetoni «harron» se ishte pushteti kolaboracionist-titist i babait të tij dhe i sojit të tyre që e kishte lënë në atë gjendje prapambeturie fshatin shqiptar, pa mohuar arritjet e kufizuara të popullit shqiptar nën pushtimin jugoserb në fushën e arsimit. Sepse edhe në ato rrethana të pushtimit shqiptarët nuk i pushuan për asnjë çast përpjekjet e tyre për më shumë liri, arsimim, kulturë e zhvillim në kuadër të sistemit dhe kuadrit legal, por, sidomos me përpjekje të organizimeve dhe organizatave të fshehta-ilegale atdhetare, që kulmonin në revoltë, demonstrata dhe trysni mbarëpopullore.
Nuk ishin të pakët intelektualët, zyrtarët dhe funksionarët e niveleve të ndryshme që ishin bërë pjesë e idealeve dhe përpjekjeve të popullit shqiptar nën thundrën jugosllave për zhvillim e përparim (sidomos arsimim…). Kishte edhe nga ata që shikonin punën dhe rehatin e tyre (asnjënsit…), por të paktën nuk i bënin keq popullit të tyre. Mirëpo, kishte edhe nga ata që u bënë krah dhe shërbëtor besnikë të politikave shtypëse dhe shkombëtarizuese. Prandaj, edhe sot, Surroi, me antilibrin e tij, kërkon të tregojë se si Hashimi dhe, përgjithësisht atdhetarët shqiptarë, ata që ishin përpjekur, kishin vepruar dhe kishin luftuar dhe po luftonin kundër Jugoserbisë së surrojve në kushte të rënda të një terrori shtetëror, ishin ca “katundarë” që me shumë mund janë shkolluar, ca “katundarë” që nuk ishin bijë të funksionarëve të lartë filojugosllavë, ca «katundarë» që nuk do të duhej të ishin aktorët dhe të merituarit e organizimit dhe drejtimit të qëndresës dhe të Luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës, të cilën surrojët dhe soji i tyre po përpiqeshin me mish e me shpirt ta mbanin brenda kufijve të Jugoserbisë me një autonomi të “gjerë”, e cila do të garantonte sundimin e tyre të qetë! Kjo ishte formula, ky ishte projekti edhe i disa shteteve të mëdha evropiane…

Lëvizja e “heshtur” Kombëtare në Kosovë dhe soji i surrojve

Ndërsa përmes Azem Sylës, Veton Surroi përpiqet ta tregoj dhe “dokumentojë” karakterin e Lëvizjes Kombëtare Ilegale, të cilën e përshkruan si të “heshtur”… Madje, sipas tij, këtu qëndronte edhe “suksesi” i LPK-së dhe UÇK-së! Ç’është e vërteta LPK-ja dhe organizatat tjera shqiptare ishin të detyruara të vepronin në fshehtësi të plotë kundër pushtuesve, sepse “e gjithë jeta private, shoqërore e politike e shqiptarëve ishte vënë nën kontrollin (llupën) e UDB-së (shërbimeve sekrete jugoserbe…), e cila kishte hapur 120 000 dosje” (ASHRSH, Kosova në vështrim enciklopedik), por me hesht nuk kishin heshtur asnjëherë… Detyrueshmëria e organizimit dhe e veprimtarisë së fshehur i dedikohet në masë të madhe edhe bashkëpunëtorëve “shqiptarë” të pushtuesve dhe të sojit të surrojve, sepse përkrah forcave dhe shërbimeve të pushtuesit, në ndjekje të atdhetarëve shqiptarë ishin edhe mjaft shqipfolës të “heshur”, por aktiv natën e ditën, të cilët më mirë dinin të fshiheshin ditën se natën…
Me politikën dhe mediet e tyre “publike” dhe “transparente” ndihmonin edhe soji i surrojve të organizuar në LKJ e më vonë në UJD dhe LDK…! Pra ishte soji i surrojve (“jugokosovarëve”), që kishte zgjedhur heshtjen para shtypjes, dhunës, represionit, shpërnguljes (vetëm gjatë viteve 1950-1965 ishin shpërngulur me dhunë e terror rreth 500 000 shqiptarë nga shtëpitë dhe tokat e tyre…) dhe gjenocidit titisto-rankoviçist (më vonë milosheviçian…). Populli i pushtuar shqiptar, përmes simbolit të qëndresës shqiptare, Adem Demaçit, i thoshte Jugoserbisë qysh në vitin 1959, mu në gjykatën e pushtuesit në Prishtinë, se “nëse Serbia dhe Jugosllavia nuk heqin dorë nga pushtimi i Kosovës dhe nëse nuk lejojnë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia e t’i bashkohet Shqipërisë, atëherë nuk do të ketë paqe as në Ballkan, as në Jugoallavi dhe as në Serbi. Nëse Serbia do të vazhdojë me këtë politikë ndaj shqiptarëve, një ditë Serbia ka për t’u bër shkaktare e shpartallimit të krejt Jugosllavisë dhe në fund do të mbetet edhe pa Kosovën”. Parashikim profetik i Bacës…!
Në anën tjetër, në anën e pushtuesit, ishte “klasa” e titistëve surrojan që “mjaftoheshit” me të drejtat dhe privilegjet e dhuruara nga pushtuesit për ta ndihmuar dhe mbështetur shtypjen, dhunën dhe terrorin jugoserb ndaj popullit të copëtuar shqiptar brenda atij shteti pushtues, Jugosllavisë, të cilës i thurrnin himne! Ishte kjo “klasë” dhe soji i yre që nuk e hapën asnjëherë gojën dhe nuk e thanë asnjë fjalë në mbrojtje të atyre mijëra djemve e vajzave që torturoheshin barbarisht dhe dënoheshin deri edhe me 15 e 20 vite burg të rëndë pse kërkonin të ishin të barabartë me popujt tjerë që përbënin federatën jugosllave…

Lëvizja për republikën e Kosovës dhe soji surrojano-rugovian

Sipas të dhënave zyrtare gjatë viteve 1981-1988 u dënuan për vepra penale me afate të gjata burgimi 75 000 shqiptarë dhe 95 000 të tjerë për kundërvajtje. Shumica të rinj, studentë e arsimtarë. Ndërsa gjatë këtyre viteve në forma të ndryshme ishin (keq)trajtuar 584 000 shqiptarë nga policia dhe UDB-ja. Në cilën anë ishte “klasa jugokosovare” e sojit surrojan në ato vite të represionit dhe terrorit shtetëror të Jugoserbisë? Apo kërkojnë ta mbajnë të fshehur dhe të heshtur atë kohë si “kurrgjë”…!! Por dihet, se në fakt, ishte kjo “klasë e jugokosovarëve”që e hapte gojën edhe më shumë se sa ia kërkonte Beogradi, shkruante dhe vepronte për t’i ndjekur, dënuar dhe kualifikuar shqiptarët liridashës si “kundërrevolucionarë”, “irredentistë”, “nacionalistë”… Është interesant fakti se atëherë asnjëherë nuk na quanin “enveristë” e “marksistë-leninistë”, siç nisën të na quanin ne dhe Lëvizjen Kombëtare në fillim të viteve të nëntëdhjeta e deri sot!! Ishte kjo “klasë” bastardësh që u bënë altoparlantët e shtypjes dhe të terrorit jugoserb në Kosovë dhe në viset e saj shqiptare. Duhet t’u kujtohen gjithë ato mbledhje të komiteteve, të organizatave të LKJ-së dhe të LSPP-së në çdo qytet e lagje qyteti, katund e kolektiv për t’i dënuar kërkesat e drejta të popullit shqiptar për liri dhe barazi? Apo edhe ajo kohë për Vetonin ishte “kurrëgjw”…! A i kujtohet sot Vetonit në cilën anë ishte ai dhe soji i tij? Në anën e popullit shqiptar, të shtypur e të terrorizuar nga aparati shtetëror jugoserb, apo në anën e shtetit terrorist? Ne, që kemi përjetuar atë dhunë e terror, e dimë mirë se ajo “klasë” e kombmohuesve ishin pjesë e dhunës dhe e terrorit psikologjik e fizik ndaj popullit tonë dhe kërkesave të tij legjitime e demokratike…
Edhe këto përpjekje dhe flijime të rinisë dhe të popullit shqiptar, Surroi i quan të panevojshme dhe i mohon, duke shkruar se kërkesa për republikë dhe të drejta tjera mund të bëhej fare mirë edhe hapur, siç po e bënte Rugova dhe soji i surrojve pas vitit 1990…!! Pacipësia dhe hipokrizia marrin formë dhe përmbajtje si me asnjë njeri dhe kategori tjetër njerëzish me Suroin dhe sojin e tij “jugokosovarë”! Secili shqiptar (katundar a qytetar, i arsimuar apo i paarsimuar…) mund t’i bëjë pyetje Surroit dhe sojit të tij, aso kohe në pushtetin kolaboracionist krahinor: Pse nuk kërkonin dhe nuk angazhoheshin pushtetarët kolaboracionistë të asaj kohe, që ta bënin Kosovën Republikë, nëse paska mundur që një kërkesë e tillë të bëhej dhe realizohej edhe hapur dhe në rrugë legale?! Nëse paska patur mundësi (sipas asaj që “manipulon” Surroi në antilibrin e tij “heretik”, Azem Vllasi dhe klasa e tyre “jugokosovare”) që Kosova të bëhej Republikë nga soji juaj dhe nuk e keni bërë, atëherë jeni përgjegjës para historisë dhe para këtij populli…
Pse ky Rugova i sojit të surrojve nuk kërkonte që Kosova të bëhej Republikë edhe në vitet e tetëdhjeta?! Apo sepse në atë kohë hahej grosha kokrra-kokrra dhe duhet të zgjidhje: o me kërkesat e popullit (bashkë me këtë duhej “pranuar” edhe pasojat: burgu, reprezaljet, vdekja…), o me pushtuesit jugoserbë dhe me privilegjet që sillte lojaliteti-dashuria me pushtuesit! Ishte edhe një “rrugë” e tretë, ajo e “neutralitetit”, e “heshtjes”, por kjo ishte kryesisht për shtresat e “prapambetura” të shoqërisë dhe jo për “superstrukturën” e saj…
Surroi dhe soji i tij, rugovjanët, “përvetësuan” këtë kërkesë mbarëpopullore (kërkesën për Republikë…) dhjetë vite pas Lëvizjes Kombëtare Shqiptare… E “përvetësuan” në kohën që askush nuk të ndiqte dhe as nuk të burgoste më për një kërkesë-parullë të tillë të tejkaluar nga zhvillimi i ngjarjeve dhe nga shpërbërja e asaj krijese që quhej Jugosllavi… Çështja e Kosovës kishte hyrë në një fazë tjetër: kërkohej angazhim dhe veprimtari e organizaur dhe “konkrete” për shkëputjen-pavarësimin e Kosovës nga Jugoserbia. “Angazhimi” i sojit të surrojve për “pavarësinë” e Kosovës, çdo të premte nga pesë minuta (konferencat e xhumasë…), ishte një lloj “ventili” për shfryrjen e revoltës popullore. Ky “angazhim” dhe kjo “veprimtari” ishin lejuar edhe nga pushtuesi, të cilit nuk i prishnin punë fare… Me një fjalë, në kohën kur duhej folur për Kosovën dhe kërkesën e saj për Republikë, soji i surrojve kishin zgjedhur të flisin me krejt zërin dhe fuqinë e tyre kundër kësaj kërkese dhe të angazhoheshin e të vepronin në krah të pushtuesit e kundër popullit shqiptar që kërkonte Republikë… Ndërsa në kohën që kërkohej të flitej, të punohej dhe të organizohej “konkretisht” (përgatitje për mbrojtje dhe për luftë të armatosur…), soji i tyre kishin zgjedhur të flisnin për një kërkesë të tejkaluar që nuk i prishte punë fare (veç i ndreqte…) Serbisë dhe pushtuesve tjerë sllavë të tokave shqiptare. Nuk u prishte punë, sepse, për realizimin e Republikës dhe të Pavarësisë, ata u zotoheshin, u betoheshin dhe i siguronin pushtuesit nga pesë herë në ditë se për këtë “pavarësi” do të angazhoheshin vetëm me dialog, lutje, mirëkuptim, bashkëpunim… Dhuna jo vetëm që përjashtohej, por edhe dënohej nga LDK-ja (udhëheqja…) surrojane! Madje, për ta bindur Serbinë në “këmbënguljen” e tyre kundër dhunës, Surroi dhe soji i tij organizuan publikisht varrosjen e “dhunës”!! Dhe atë, varrosjen e “dhunës” shqiptare, në kohën që dhuna dhe terrori shtetëror serb ndaj shqiptarëve po shënonin “rekorde” dhe po bëheshin përgatitje intensive për një qërim “përfundimtar” hesapesh me shqiptarët! Të vetmen “dhunë” që u “lejonin” shqiptarëve Surroi dhe soji i tij rugovjan e “jugokosovarë”, ishte rrahja e kusive, tepsive, tenxhereve…!! Edhe një organizim që u bë me një “ministri të mbrojtjes” kishte për qëllim më shumë identifikimin e atyre shqiptarëve që ishin të gatshëm për luftë të armatosur, regjistrimin e armëve që kishin shqiptarët dhe dorëzimin e atyre listave në shërbimet sekrete serbe, siç edhe ndodhi! Me këtë “organizim” LDK-ja (udhëheqësi i saj…) e sojit të surrojve ia “dëshmoi” popullit shqiptar se me Serbi nuk luftohet, se me Serbi nuk bëhet shaka, se Serbia, siç deklaronte Rugova i surrojve për një gazetë gjermane menjëherë pas luftës heroike të Jasharajve në Prekaz, “na zhduk për njëzetë e katër orë nga faqja e dheut”! Edhe kjo intervistë dhe ky qëndrim i sojit të surrojve kërkonte t’i inkurajonte-demoralizonte shqiptarët dhe UÇK-në që t’i dorëzonin armët.

UÇK-ja dhe rugoviano-surrojanët

Në valë të njëjta me Rugovën e sojit të surrojve ishte edhe Bujar Bukosh-“kryeministri” (tash zëvendëskryeministër i Hashimit!!), i cili i thoshte diplomatit amerika, Gelbardit, se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një grupacion i njerëzve të frustruar, fshatarëve injorantë, të manipuluar nga fundrrinat e marksizëm-leninizmit dhe të sigurimit të Enver Hoxhës, të cilët me veprimet e tyre terroriste provokojnë policinë serbe”. Për “habinë” e sojit të surrojve ndryshe mendonte Kryetari amerikan, Klintoni, i cili shkruante te gazeta “Nju-Jork Tajms”: “Megjithëse Milosheviçi ka dëbuar me qindra mijëra shqiptarë të Kosovës nga shtëpitë e tyre, ai nuk ka mundur të eleminojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Madje, radhët e saj po shtohen dita-ditës. Ajo ka filluar të ndërmarrë ofanziva kundër forcave serbe, të cilat fshihen për t’u shpëtuar goditjeve ajrore”. Se forca dhe pesha-roli i UÇK-së ishin vendimtare për çështjen e Kosovës e thotë edhe njëri nga tre negociatorët kryesor të Rambujes, Volfgang Petriç, i cili deklaronte: “Do të doja vërtet të dëgjoja prej tij, Markoviçit, se si e parashikon ai një zgjidhje të vërtetë për Kosovën pa UÇK-në”. Kryetari i delegacionit serb, Markoviçi, dhe Serbia dëshironin dhe këmbëngulnin që të përjashtohejë nga bisedimet UÇK-ja… Serbia donte të bisedonte në Rambuje vetëm me ata “jugokosovarë” që e kishin varrosur dhunën (lojalë të saj…), me sojin e surrojve. Prandaj, Surroi dhe soji i tyre e donin në krye të delegacionit Rugovën e jo UÇK-në, të cilën anagzhoheshin ta “varrosnin”! Por, Fuqitë e Mëdha (sidomos SHBA-ja…) e dinin saktë se pa UÇK-në nuk mund të ketë as bisedime dhe as Konferencë të Rambujes, ndërsa pa Rugovën dhe pa Surrojin mund të bëheshin fare mirë bisedimet, sepse mungesa e tyre nuk do të hetohejë fare… Ata u duheshin atyre shteteve (aleatëve të Serbisë…), që ende përpiqeshin ta shpëtonin Serbinë dhe ta mbanin Kosovën të lidhur pas saj, ndërsa Amerikës i duheshin sa për të dëshmuar “unitetin” politik të shqiptarëve dhe “jugokosovarëve” (me rëndësi të madhe…) në sytë e atyre që kërkonin “jugokosovarë” që edhe mund të pranonin një “autonomi” dosido për Kosovën, ala Shën Exhidio ose ala surrojançe…!!

“Jugokosovari” Surroi mohon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës

Më tej, V. Surroi përpiqet ta “bind” lexuesin e zakonshëm dhe atë të “kualifikuar” se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte as ushtri, as çlirimtare dhe as e Kosovës…!! Këtu ai nxjerr për fushe qëllimin e tij themelor… Nuk ishte ushtri, thotë ai, sepse nuk arriti të organizohet dhe të strukturohet si e tillë! Duket që në mendjen e tij është ngulitur thellë JNA-ja (Armata Jugosllave) e shokut të tij të dashur, Tito! Veç ajo ishte ushtri me të gjitha standardet dhe normat e rregullat e një ushtrie, sepse Komandant i saj i Përgjithshëm ishte “farkëtari”, Josip Broz Tito! Këtu lexuesi edhe “zbulon” gjithë mllefin dhe inatin e tij dhe të “jugokosovarëve” me UÇK-në, e cila ia doli me sukses (lexo edhe mendimet-vlerësimet e gjeneralëve, ushtarakëve, diplomatëve… të huaj) të organizohejë, të struktorohejë, të formohejë (që nga kompania e deri te brigadatë…) dhe të komandohej nga Shtabi i saj i Përgjithshëm dhe krahu i saj politik, LPK-ja (themeluesja e saj…), më vonë Drejtoria Politike. “Ushtria Çlirimtare e Kosovës është guerilja me rritjen më të shpejtë në botë…” deklaronte Gjenerali i shquar, Vesli Klarku. Ndërsa Familja e Madhe Shqiptare, Familja Jashari, shkruante për ata që i fërkonin duart nga gëzimi pas ofenzivave dhe masakrave serbe, të cilat ngjallnin shpresën e “varrosjes” së UÇK-së, si puna e Vetonit,: “Nuk u shua familja jonë. Ne që kemi mbetur jemi në shërbim të atdheut. Nuk ka vdekur asnjë pa paguar veten… Edhe fëmijët na kanë ndihmuar në luftë kundër bishave të tërbuara… Ata që do ta lexojnë letrën, le të kuptojnë se ne do të qëndrojmë këtu, të panënshtruar…” Të njëjtën gjë e thoshte botërisht edhe anëtari i SHP dhe Zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, pena e mprehtë e të cilit dhe qëndrimi i tij i patundur ndaj idealeve të UÇK-së dhe të popullit shqiptar e paska “nervozuar” “jugokosovarin”, V. Surroin…
Duket, që Surroit dhe sojit që përfaqëson ai i ka mbetur merak FARK-u i Bukoshit, i cili kishte, përveç komponentës, “UÇK” (sepse s’kishte ushtri tjetër çlirimtare në Kosovë…) edhe komponentën e imagjinuar të aviacionit!! Një FARK partiak-virtual, që synonte ta fuste nën “kontrollin partiak e bukoshist”, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për t’i dhënë fund Luftës Kundërpushtuese Çlirimtare me një autonomi për Kosovën!!

Sipas “jugokosovarit” V. Surroi UÇK-ja nuk ishte çlirimtare 

Nuk ishte çlirimtare, shkruan V. Surroi me një kënaqësi jargore, sepse nuk arriti ta çlironte Kosovën…! Ishin ushtritë e NATO-s, vazhdon ai, ato që e çliruan Kosovën, prandaj NATO-ja është çlirimtarja e Kosovës…!! Megjithatë, Surroi s’kishte si të mos e pranonte faktin se pa UÇK-n nuk do të kishte bombardime të NATO-s dhe as Konferencë të Rambujes! Kundërthënie e kundërthënësit V. Surroi! “Jugokosovari”, V. Surroi, dhe i tërë soji i tij duhet ta marrin vesh se lufta e UÇK-së dhe e kombit shqiptar për Kosovën ishte kundërpushtuese dhe ÇLIRIMTARE, sepse po luftonte me forcat pushtuese serbe në Kosovë dhe për çlirimin e Kosovës, me ato forca, të cilat, edhe sipas Gjeneralit Klark, kishin objektiva të përcaktuara qartë: “asnjë shqiptar të gjallë në Kosovë, ndërsa pasuria e tyre të grabitet dhe të digjet flakë”. Nëse kjo Luftë nuk ishte çlirimtare për Surroin, atëherë ai dhe soji i tij po dëshmon, edhe me këtë pamflet politik (antilibër), se pushtimin jugoserb e paska pas përjetuar si çlirim dhe liri të Kosovës!! Nuk kemi dëgjuar dhe as lexuar, përvec Serbisë dhe ndonjë miku të saj në Afrikë e Azi, që dikush ta ketë mohuar karakterin çlirimtar, antipushtues dhe të drejtë të Luftës së UÇK-së dhe të kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës.
Është fakt i pamohueshëm se ndërhyrja e NATO-s i dha fund luftës, që me flakët e saj kërcënonte jo vetëm Ilirinë-Ballkanin, por edhe Evropën… Se çfarë përfaqësonte Kosova për SHBA-në dhe për paqen në Evropë e dëshmon edhe Zonja Medlin Ollbrajt, e cila deklaronte në Dhomën e Përfaqësuesëve të Kongresit Amerikan se “Kosova përbën një provë kritike për NATO-n dhe institucionet tjera në të cilat SHBA-të kanë interesa jetësore. Në rast se ne nuk këmbëngulim në vendosmërinë tonë, ne do të dobësojmë këto institucione në të cilat ne mbështetemi jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë kontinentin evropian… Nuk ekziston asnjë mundësi që shqiptarët (jo “kosovarët” e Surroit dhe të sojit të tij, shën. im…) të nënshkruajnë marrëveshjen pa pjesëmarrjen e SHBA-së në forcën ushtarake për zbatimin e saj. Në Rambuje nuk u arrit ajo që u shpresua, megjithëse Rambujeja nuk ishte fundi i përpjekjeve. Populli i Kosovës meriton të jetojë në paqe e demokraci, që shqiptarëve t’u respektohen të drejtat dhe prejardhja”.
NATO-ja nuk ndërhyri në Bosnjë, sepse ishte e siguruar se lufta atje është e lokalizuar dhe nuk kishte rrezik të kalonte kufijtë e Bosnjës… Ndërsa lufta në Kosovë dhe ndërhyrja e NATO-s nuk ishte vetëm çështje “humanitare”. Kjo luftë nuk mund të mbahej gjatë (ishte punë muajsh, ndoshta javësh) brenda kufijve të Jugoserbisë. Kosova dhe populli shqiptar kishte një shtet, i cili sado që i lodhur nga rrëmujat e brendshme, kishte armatim (mbi 1 500 depo armësh…) dhe fuqi ushtarake për ta vazhduar luftën me vite të tëra. Pastaj Kosova nuk ishte një vend me një milion e gjysmë shqiptarë. Rreth e rrotull saj dhe me TË ishte një komb prej shtatë milionëve në Iliri dhe miliona shqiptarë anembanë botës. Mirëpo, Surroji i sojit të tij nuk i përmend me asnjë fjalë të vetme këto fakte (madje as shtetin shqiptar dhe rolin e tij vendimtar…) determinuese për organizimin dhe Luftën e UÇK-së, por edhe për ndërhyrjen e NATO-s… “Në qoftë se konflikti vazhdon, deklaronte Kryetari i SHBA-së, Bill Klintoni, ka shumë të ngjarë të shkaktohen humbje të jashtëzakonshme në jetë njerëzish, por edhe një krizë për shkak të dyndjeve masive të refugjatëve në qendër të Evropës. Ekziston një rrezik serioz që armiqësitë të shpërndahen në demokracitë e reja fqinje, në Shqipëri dhe në Maqedoni, si dhe të rindizet konflikti në Bosnjë, për të cilin ne punuamë aq shumë për ta ndalur. Ai mund të përfshijë madje edhe aleatët tanë të NATO-s, Greqinë dhe Turqinë. Në qoftë se do të presim që viktimat të shtohen dhe lufta të përhapet, çdo përpjekje për ta ndalur atë do të kërkoj një çmim tepër të lartë në kushte edhe më të rrezikshme. Koha për ta ndalur është pikërisht tani”. E citova edhe Klintonin (Kryekryetarin e asaj kohe…) me shpresë që Surroi dhe soji i tij rugovian do ta kuptojnë se nuk ishin fjalët e “bukura”, diplomacia sharlatane (rugoviane-surrojane) dhe përulësia e tyre deri në nënshtrim e bashkëpunim me pushtuesin, që sollën bombardimet e NATO-s, por ishte politika dhe diplomacia largpamëse e LPK-së-UÇK-së, e cila vinte nga thellësit e ndërgjegjies së kombit, ajo që e “detyroi”, siç thotë edhe Bill Klintoni dhe shumë burra shtetesh (diplomat, gjeneralë…), NATO-n të bombardonte Serbinë dhe t’i hapte rrugë një procesi bisedimesh për një zgjidhje të kufizuar, por premtuese, të çështjes së Kosovës dhe asaj shqiptare në Iliri-Ballkan. Ishin burra shqiptarë si Fehmi Lladroci, i cili deklaronte botërisht, jo vetëm me gojë, por me çdo qelizë të qenies së tij, se ishte i gatshëm ta bënte “dekën si me le” për Kosovën dhe për krahinat tjera të pushtuara të Shqipërisë, që e sollën NATO-n në Kosovë. Ishte Familja Jashari dhe Komnadanti Legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, që me luftën dhe rënien e tyre e “detyruan” NATO-n ta bombardonte Serbinë dhe të vinte në Kosovë. Ishin përpjekjet dhe lufta e UÇK-së dhe e luftëtarëve të saj (mijëra prej të cilëve sot janë dëshmorë të kombit), dhe e kombit shqiptar, por edhe e shtetit shqiptar, pa të cilin nuk e di cili do të ishte fati i këtij kombi në Iliri, që e “detyruan” NATO-n ta bombardonte Serbinë dhe të vinte në Kosovë. Ishte edhe masakra e Reçakut dhe gjenocidi e holokausti serb në Kosovë që e “detyruan” NATO-n ta bombardonte Serbinë dhe të vinte në Kosovë… Veç një gjë është e sigurt: NATO-ja nuk do ta bombardonte Serbinë dhe nuk do të vinte kurrë në Kosovë me politikat sahanlëpirëse të “jugokosovarëve” të tipi Rugova-Surroji…
Me ndërhyrjen e NATO-s, disa vende evropiane shpresonin, përvec SHBA-së, ta “mbyllnin” luftën që kërcënonte rajonin dhe Evropën dhe ta “zgjidhnin” çështjen e Kosovës me një “autonomi substanciale” brenda kufijve të Jugoserbisë. Pastaj, është fakt i njohur që për çlirimin e Kosovës nuk është vrarë asnjë ushtar i NATO-s… Megjithatë, populli shqiptar është për jetë mirënjohës për mbështetjen që mori nga bota lufta e tij e drejtë. Ndërhyrja e NATO-s dhe mbështetja që mori UÇK-ja dhe lufta e kombit shqiptar për Kosovën nga bota është fakti më i pakundërshtueshëm për karakterin e drejtë, kundërpushtues dhe çlirimtar të kësaj Lufte. Edhe këtë fakt Surroi i surrojve nuk e përmend!
UÇK-ja ishte çlirimtare jo vetëm pse përpiqej dhe luftonte, duke derdhur gjakun lum për Kosovën dhe viset e saj të pushtuara nga republikat sllave, të krijuara në tokat shqiptare-të Shqipërisë, por ishte çlirimtare edhe për faktin se fitoi mbështetjen mbarëkombëtare (edhe në Athinë u manifestua dhe brohoritej: UÇK, UÇK… Kosova, Kosova…!) dhe mbështetjen e mbarë botës demokratike. Nuk pati kryeqytet evropian e deri në Amerikë e Australi ku nuk thirrej nga shqiptarët: UÇK, UÇK…! Edhe ky fakt, që ai nuk e përmend, duket që e ka tërbuar Surroin dhe sojin e tij “jugokosovarë”! Diplomati shqiptar (atë kohë Ministër i Jashtëm…), Paskal Milo, deklaronte: “Sa i përket UÇK-së të gjithë shqiptarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm se falë atyre djemve trima e patriotë, çështja e Kosovës erdhi dhe u bë një çështje urgjente ndërkombëtare. UÇK-ja ishte fermenti, që çoi dhe po çon në zgjidhjen e problemit të Kosovës. Pa UÇK-në Kosova do të vazhdonte ende të vërtitej në vorbullën e diplomacisë boshe, të një diplomacie joefektive, që do të kënaqej me deklarata dhe jo me veprim konkret diplomatik që synon zgjidhjen reale afatgjate të çështjes së Kosovës”. Ndërsa I. Kadare thotë se “ishte UÇK-ja ajo që i ra kambanës së alarmit për të zgjuar gjithë planetin. Ishte ajo që u vra e u copëtua për t’i bërë të qartë botës se ç’po ndodhte në Kosovë. Ishte ajo që duke shërbyer si pararojë e NATO-s, arriti të tërhiqte makinën e rëndë ushtarake të saj në vendin e harruar që quhej Kosovë…”. Lexoje me kujdes Veton “jugokosovari”: “…në vendin e harruar që quhej Kosovë”!

UÇK-ja nuk ishte e Kosovës thotë “jugokosovari” Surroi

Nuk ishte e Kosovës, sepse ishte themeluar nga LPK-ja dhe ishte krahu i saj ushtarak. Prandaj, si e tillë nuk e përfshinte gjithë Kosovën…! Teza të çuditshme “shkencore” ala surrojançe…!! UÇK-ja ishte e Kosovës, madje e mbarë kombit shqiptar, sepse ishte themeluar nga bijtë e Kosovës dhe të kombit shqiptar, ishte themeluar nga ndërgjegjia e kombit… S’kishte krahinë dhe as vendbanim e lagje shqiptare që nuk ishte përfshirë, në një mënyrë a në një tjetër, në UÇK dhe në këtë Luftë të Madhe të kombit shqiptar për Kosovën. Vetëm një grusht i vogël ujdistësh dhe “jugokosovarësh”, që ndjeheshin mirë dhe të kënaqur me Jugoserbinë pushtuese, qëndruan anash ose fshiheshin në bodrumet e ndonjë serbi a serbeje për t’u shpëtuar bombardimeve të NATO-s!!
Themeli dhe çatia e organizimit të luftës së armatosur ishte Xhavit Haziri (i zgjedhur nga LPK-ja që ta formonte dhe drejtonte krahun ushtarak të LPK-së, UÇK-n), i cili jetonte dhe bashkëvepronte te këmbët e bijëve dhe bijave më të mira të kombit shqiptar dhe në ballë të tyre pa pushuar kurrë, duke vepruar nën hundën e pushtuesit dhe të surrojve dhe sojit të tyre rugovian deri ditën që ishte arrestuar dhe zhdukur pa lënë gjurmë (sigurisht edhe me “ndihmën” e ndonjë denoncuesi “jugokosovar”…). UÇK-ja ishte e Kosovës, sepse u themelua, u përpoq, luftoi dhe derdhi gjakun për Kosovën dhe viset e saj të pushtuara nga e “dashura” Jugosllavi e Surrojit dhe e sojit të tij… Se ishte e Kosovës, çlirimtare dhe shqiptare e dëshmoi, përvec me Emblemën dhe Betimin e saj, edhe me përkrahjen dhe mbështetjen mbarëkombëtare që e fitoi për një kohë aq të shkurtër… Megjithë dhunën, terrorin, masakrat dhe gjenocidin që bënte Serbia fashiste (me këtë “kualifikim” për Serbinë nuk do të pajtohet “jugokosovari”, V. Surroi…) nuk u gjetën kurrë qoftë edhe tre shqiptarë që të shprehnin pakënaqësinë ose protestën e tyre publike kundër UÇK-së, e cila, sipas sojit të surrojve, ishte “përgjegjëse” për luftën me Serbinë! Duroi populli shqiptar (katundarë e qytetarë…) gjithë “zullumin” e Serbisë, sepse UÇK-në dhe luftën e saj e kishte gjakun e gjakut të tij, sepse e kishte të qartë si dritën e diellit se lufta e UÇK-së do t’i sillte lirinë Kosovës dhe popullit të saj shqiptar. Madje, kjo Luftë po hapte dhe niste edhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare në Iliri… UÇK-në dhe luftën e saj nuk e duronin dotë, por s’kishin ç’të bënin, një grusht njerëzish, Surroi dhe soji i tij “jugokosovar”. Pastaj, nuk kishin as guximin dhe as përkrahjen e nevojshme për të organizuar ndonjë protestë kundër një Lufte dhe kundër një UÇK-je që kishte fituar zemrat dhe mbështetjen e një kombi dhe të një bote demokratike e të qytetëruar, sidomos të kryefuqisë botërore, Amerikës.
Çudi! Edhe sot, pesëmbëdhjetë vite pas Luftës dhe pas çlirimit të Kosovës, Veton Surroi, mundohet ta «kualifikojë» dhe ta «shes» UÇK-në si «krijesë» të UDB-së !! “Nuk e morën seriozisht deklaratën e Rugovës kur tha se UCK-ja është krijesë e UDB-së”, shkruan Surroi në pamfletin e tij kundërshqiptar (antilibrin e tij)…!! “Mbajma fëmijën që t’i them sa s’më ka thënë…”, thotë nëjfarë fjale. Njeriu që është lindur dhe është përkundur në djepin e jugoserbisë, njeriu që është shkolluar-edukuar me paratë e pushtuesit, njeriu që edhe gazetën dhe “biznesin’ e tij e ka hapur me paratë e Serbisë, njeriu që…, po dëshmon edhe me këtë antilibër se i mbetet besnik asaj “dashurie” që quhej Jugosllavi, nuk di të mendoj, të flas, të shkruaj dhe punojë ndryshe. Surroi dhe soji i tij “jugokosovarë” janë një arsye madhore dhe një domosdoshmëri e kohës që Republika e Kosovës të miratonte ligjin mbi pastërtinë e figurës (lustracionit…) dhe t’i hapte dosjet e të gjithë atyre që në një mënyrë a në një tjetër kanë dëmtuar dhe po i dëmtojnë interesat e Kosovës dhe të kombit shqiptar, duke bashkëpunuar ose duke çuar ujin në mulllirin e Serbisë dje dhe sot. Shpërdorimi i gazetës, i televizionit dhe i shtëpisë botuese nga V. Surroi për të mohuar Luftën e një kombi për çlirimin e Kosovës dhe për të dëmtuar imazhin e vendit në vendet normale nuk do të lejohej… Njësoj edhe për të tjerët që mbrojnë dhe propagandojnë ide dhe “vlera jugokosovare” ose ide dhe “vlera” tjera që dëmtojnë unitetin politik dhe kombëtar të Republikës së Kosovës, imazhin e Kosovës dhe të shqiptarit në botë, ide dhe “vlera” që rrezikojnë edhe sigurinë dhe qëndrueshmërinë e arritjeve të një kombi në Kosovë e më gjerë…

Sipas Surroit LPK-ja e krijoi UÇK-në për t’ia marrë pushtetin LDK-së 

Veton Surroi është autentik dhe besnik i konceptit, ideologjisë dhe teorive të tij të frymëzuara nga “patriotizmi jugosllav” edhe në “shpjegimin” e shkaqeve të krijimit të UÇK-së. LPK-ja, shkruan Surroi, e themeloi UÇK-në për t’ia marrë pushtetin civil LDK-së…!! E para, LDK-ja nuk kishte pushtet as civil, as politik, as ekonomik, as gjyqësor, as policor, as…, pushtetin absolut në Kosovë e kishte Jugoserbia pushtuese. E dyta, nëse shtrohet kështu problemi, atëherë është LDK-ja ajo që qenka themeluar që t’ia marrë LPK-së “pushtetin”, sepse LPK-ja ishte themeluar shtatë vite e më shumë para LDK-së surrojane-rugovjane. Apo LPK-ja nuk ishte e regjistruar në Beograd, prandaj nuk ishte e Kosovës?!! Njëri prej ideologve dhe drejtuesve të dalluar të Lëvizjes Kombëtare Ilegale, Heroi i Kombit, Kadri Zeka, shkruante (jepte kushtrimin…) te “Tezat e Frontit Popullor”: “Çastet e vështira që po kalon atdheu ynë, rreziqet që po i thurren atij, e bënë edhe më urgjente nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve të ndersshëm e patriotë, pa dallim feje, klase, krahine, përkatësie politike, në luftën kundër armiqve”. Kjo “thirrje” vlente edhe për Surrojin dhe sojin e tyre, por si duket këta nuk ndiheshin shqiptarë as atëherë… Nga kjo filozofi dhe nga ky përcaktim thellësisht kombëtar udhëhiqej Lëvizja Kombëtare, pra edhe LPK-ja dhe UÇK-ja. Përpjekjet dhe lufta për çlirimin e Kosovës dhe të krahinave tjera shqiptare nuk e përjashtonin dhe nuk e përjashtojnë asnjë shqiptar, ashtu sikur nuk e detyronin me forcë-dhunë asnjë shqiptar që të bashkohejë me ato përpjekje dhe me atë luftë clirimtare…
Prandaj, them se po të hulumtohet mirë e mirë dhe po të ishte mundësia të konsultoheshin të gjitha “dokumentet” e arkivave të pushtuesit, do të dalë se LDK-ja u krijua që t’i “zëvendësonte” veprimtarinë, angazhimin dhe përpjekjet e Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Kosovës me politika të dialogut, mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe “mbështetjes” së pushtuesit për të sunduar më lehtë dhe pa “telashe” Kosovën dhe viset e saj. Gatishmëria për dialog dhe mirëkuptim me pushtuesin shkonte deri në nënshtrim dhe bashkëpunim pa kushte…!! Më saktë, Serbisë i duhej një organizim politik ose një forcë politike dhe një “personalitet” i krijuar me sforcim të gjithmbarshëm, që gjithë pakënaqësinë dhe gatishmërin e popullit shqiptar për t’u ballafaquar me pushtuesin dhe forcat e tij ta “shndërronte” në durim, pritje, nënshtrim, kapitullim dhe ikje nga vendi (shpërngulje të organizuar përmes agjencive “shtetërore”). Kështu edhe doli... Në kohën që të gjithë popujt e Jugosllavisë përpiqeshin, angazhoheshin dhe luftonin për t’u shkëputur nga Jugoserbia dhe hegjemonizmi serb, UJD-i, pak më vonë LDK-ja, angazhohej për “ruajtjen” e Jugosllavisë dhe për “demokratizimin” e saj…!!
Madje, edhe 2 korriku, të cilin Surroi dhe soji i tij e quajnë si “lindjen” e Republikës-shtetit të Kosovës, nuk ishte vepër e UJD-it dhe as e LDK-së. Kërkesa që Kuvendi i atëhershëm i Kosovës (KSAK-së) ta shpallte më në fund Republikën e Kosovës ishte inicuar nga LPK-ja me një qarkore-peticion që ishte shkruar dhe shpërndarë diku në muajin prill të atij viti. Nisma dhe angazhimi i LPK-së u përkrah edhe nga Akademia e Arteve dhe e Shkencave, e cila me deklaratën e 14 qershorit i bënte thirrje Kuvendit të Kosovës dhe delagatëve të tij që një orë e më parë ta shpallnin Kosovën Republikë. Nisma e LPK-së dhe deklarata e Akademisë u përkrah edhe nga Forumi Demokratik më 1 korrik të atij viti. Propozimin për përkrahjen e deklaratës së Akademisë e kishte bërë Zenun Çelaj… LDK-ja (udhëheqësi i saj…) surrojane-rugovjane ishte deklaruar publikisht kundër çfarëdo nisme dhe veprimi “illegal”, që ishte në kundërshtim me ligjet dhe me vullnetin e pushtuesit!! Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe kur u paralajmërua mbledhja-kuvendi i Kacanikut. Por, tashmë ishte vonuar Kuvendi surrojan i KSAK-së… “Shpallja-deklarata” e republikës u bë në rrugë… Ndërsa pas mbledhjes së Kacanikut delegatët, edhe për fajin e LDK-së surrojane-rugovjane, e cila nuk u dha asnjë përkrahje përpjekjeve për shkëputjen e Kosovës nga Jugoserbia, ia mbathën kah sytë këmbët. Pra, faktet, dëshmitë dhe dokumentet e pakundërshtueshme provojnë katërcipërisht se 2 korriku, një veprim gati i parëndësishëm dhe i pa peshë në historinë politike dhe kombëtare të Kosovës, nuk ishte as nismë dhe as vepër e LDK-së (madje as nuk ishte përkrahur nga ajo…), por nismë e LPK-së, e përkrahur nga Akademia dhe Forumi (krejt në fund…) dhe e “realizuar” nga një pjesë e delegatëve të Kuvendit të Kosovës jashtë Kuvendit (objektit…), në rrugë dhe krejt pas vendimit të dhunshëm të atij Kuvendi për suspendimin e autonomisë së Kosovës… Pesë minuta pas orës 12…!!

Surroit dhe sojit të tij ia zë udhën edhe Komandanti Legjendar, Adem Jashari

Pas “pushkatimit” të UÇK-së, Veton Surroi shpalos botën dhe shpirtin e tij titoisto-jugosllav edhe kundrejt Komandantit Legjendar, Adem Jasharit…!! Pse duhet të quhet Adem Jashari, Komandant Legjendar, pyet Surroi!! Pse duhet të dallohet Adem Jashari nga Jasharët tjerë, vazhdon ai, kur edhe Adem Jashari ishte njëri nga viktimat, pra njëri nga ata!! Adem Jashari, sipas Surroit, u quajt Komandant Legjendar për ta shembur «mitin» e Rugovës!! E çfarë “miti” ishte Rugova, ore “jugokosovar” ziu?!! Cili mendimtar, dijetar, politikan, diplomat a personalitet i rëndësishëm ka thënë a ka shkruar për “mitin” Rugovë?!! Përvec ndonjë “gazetaruci” a fanatiku të tipit surrojan-titist dhe të ndonjë politikani servil, që i zënë “ngushtë” dhe për ta përmirësuar biografinë e tij prej “ekstremisti shqiptar” shkon dhe përulet te varri i tij…!!
Komandantin Legjendar, Adem Jasharin, nuk e bëri shembull dhe referencë të heroizmit shqiptar, «legjendë» apo “mit” LPK-ja (edhe po të donte s’mund ta bënte…), por përkushtimi, përpjekja, lufta, heroizmi dhe rënia e tij e pashembulltë dhe e përmasave planetare… Se nuk mund të krijosh «mite», «legjenda» e «personalitete» sipas dëshirës apo «porosië» duhet ta dinte edhe Vetoni nga përvoja dhe përpjekja e tij e pashembulltë (dëshpruese…) për ta bërë të atin (babain) e tij «mit» të letërsisë, meqë nuk mund ta bënte në këto rrethana «mit të jugokosovarizmit»!
Nuk është LPK-ja, aq më pak Hashim Thaçi, që kanë mundur ta kthenin në vend pelegrinazhi Prekazin, ku shkojnë dhe përulen me nderim të thellë miliona njerëz nga mbarë bota, jo vetëm shqiptarët… Madje, duhet të konstatojmë (e kemi thënë e shkruar tash e disa vite…) se Hashim Thaçi dhe Qeveria e tij, edhe pse shtatë vite në pushtet, nuk ia bënë qoftë edhe një monument Komandantit Legjendar në Prishtinë!! E kush do të duhej ta kishte monumentin në Prishtinë, përveç Heroit Kombëtar, nëse jo Komandanti Legjendar? Apo pse nuk ishte «jugokosovar»?! Kjo dhe lidhja e ngushtë e H. Thaçit me sojin surrojano-rugovjan po tregon se ai po kërkon të ikë nga vetja e tij. Këtë e ka dëshmuar, përveç me anagzhime dhe veprime konkrete, edhe me deklaratatë e tij publike… Menjëherë pas Luftës deklaroi se «kurrë nuk kam qenë në LPK »!! Para një kohe deklaroi për një televizion gjerman se «kam qenë larg fronteve të luftës»!! Dhe kush?! Njeriu që i binte gjoksit me sa fuqi kishte, duke thënë: unë, unë, unë…!!
Ndërsa, përveç kombit shqiptar, edhe popuj liridashës dhe personalitete botërore e vlerësojnë lartë Komandantin Legjendar dhe luftën e Jasharajve. “Po të kishte një çmim Nobel për liri ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij”, deklaronte francezi, Bernard Kushneri, kryeadministratori i parë në Kosovën e pas luftës. Kjo deklaratë dhe ky vlerësim i bërë për Komandantin Legjendar dhe Familjen e tij, e jo për Rugovën apo për sojin e surrojve, e ka “dëshpruar” si duket “jugokosovarin”, V. Surroin… Por më dëshprues dhe që do ta çoj në çmendinë Surroin dhe “klasën” e tij “jugokosovare”, është e vërteta se më i merituar për çlirimin e Kosovës është kali ose mushka “shqiptare” se Surroji dhe soji i tij… Dhjetra kuaj e mushka janë vrarë duke bartur armatim për UÇK-në dhe luftëtarët e lirisë nga forcat pushtuese serbe, ndërsa Vetoni dhe soji i tij “jugokosvar” përpiqeshin ta “varrosnin” UÇK-në…!! Republika e Kosovës dhe populli shqiptar ia ka borxh për jetë një përmendore mu në Prishtinë kalit-mushkës “shqiptare”! Toka shqiptare e Kosovës nuk do të duhej të “rënkonte” nga pesha e përmendoreve të “jugokosovarëve”…

Qeverisja e Hashimit dhe zaptimi i shtetit

Veton Surroi një pjesë të antilibrit (pamfletit ose manifestit kundërshqiptar…) të tij ia ka kushtuar qeverisjes së Hashim Thaçit dhe të grupit të tij, politikave ekonomike të kësaj qeverie (më shumë të Hashim Thaçit-Gjarpërit), autostradës, bisedimeve me Serbinë, sidomos bisedimeve në Bruksel dhe dështimeve të Hashim Thaçit për ta shtrirë qeverisjen në tërë territorin e Kosovës, krijimit të një entiteti territorial serb dhe rreziqeve që “prodhon” ky entitet për shtetin e Kosovës… Ka shkruar shumë faqe edhe për mentalitetin “zaptues” dhe zaptimin e shtetit nga ana e Hashim Thacit dhe grupit të tij… Gjëra që edhe shumëkush prej nesh i kemi thënë e stërthënë dhe i kemi shkruar e stërshkruar që nga koha e bisedimeve të Vjenës (pjesë e angazhuar dhe e dëmshme e të cilave ishte edhe Surroi) dhe gjatë gjithë qeverisjes së Hashim Thaçit… Mund të thuhen e të kritikohen edhe aspekte tjera të këtij antilibri, siç është nostalgjia dhe mendimi e vlerësimi pozitiv për klasën politike “kolaboracioniste” e titiste të Kosovës, për sojin e tij, etj.

Për fund

Fundin e këtij shkrimi “kritik” për librin e Surroit po e nis me një deklaratë të shqiptarit dhe atdhetarit të shquar, Jashar Salihut, njërit nga drejtuesit e LPK-së dhe të UÇK-së: “Çdo gjë që është folur për UÇK-në deri më 31 janar 1997 edhe mund të arsyetohet. Por, që nga 31 janari e tutje, ai që akuzon UÇK-në, ai këtë e bënë për dy arsye: ose është idiot, ose është tradhtar”. Megjithatë, do të thoja se Veton Surroi nuk hynë as në grupin e idiotëve dhe as në atë të tradhtarëve. Ai hynë në grupin e “jugokosovarëve” besnik (ortodoksë) nostalgjik të Jugosllavisë së Titos, në grupin e kombmohuesve. Është fat i madh i Kosovës dhe i kombit shqiptar që kjo “specie” është në zhdukje… Te grupi i tradhtarëve hynë ata që tradhtuan ose tradhtojnë idealet e LPK-UÇK-së dhe të mbarë kombit shqiptar, duke u bashkuar me “jugokosovarët” për ta zaptuar dhe plaçkitur e rraskapitur lirinë, pasurinë dhe Republikën e Kosovës dhe çdo gjë (nëse nuk u mbetet në fyt…) që u fitua me mundin, djersën dhe gjakun e shumë brezave të popullit shqiptar.
Prandaj, shoku-zoti Veton dhe të gjithë ju kalemxhinj e “gallamaxhinj” “jugokosovarë”, që rrëzoni gurë në Luftën e Madhe të UÇK-së dhe të kombit shqiptar e keni gabim, madje shumë gabim. Koncepti, idetë, mentaliteti dhe shpirti juaj “jugokosovarë” nuk mund të mbulohen pas një “inati” ose “zilie” me Hashimin ose me cilindo tjetër pjesëmarrës ose drejtues politik a ushtarak të UÇK-së. Sepse UÇK-ja më së paku ishte e Hashimit apo e cilitdo emër tjetër të përvetshëm. Ajo ishte mendja, përpjekja, mundi, djersa, flijimi dhe gjaku i brezave të një kombi, më shumë se dy të tretat e të cilit mbahej e pushtuar nga fqinjët shovinistë. Cilido emër i përvetshëm që do të dëshironte ose mundohet ta personalizoj e ngarkojë mbi shpatullat e tij këtë vepër dhe luftë madhore të kombit shqiptar e siguroj se nuk do t’ia mbajë kurrizi qoftë edhe një sekond… Tendenca e “jugokosovarit”, V. Surroi, për ta “përmbledhur” UÇK-në në dy-tre emra ose për ta personalizuar me një emër dhe me një nofkë e përshkon si një fill i kuq librin… Kjo provon më së miri qëllimin e tij prej “jugokosovari” të papërmirësuar. Megjithatë, tendenca dhe mundi surrojan për ta sulmuar dhe mohuar LPK-UÇK-në dhe qëndresën e luftën e kombit shqiptar më ngjanë në një donkishotizëm të kohës sonë. Fobia për Lëvizjen Kombëtare, nëse nuk i bie “istikfa” dhe nuk ndalet në këtë “yrysh” antishqiptar, jam i bindur se do ta çmend V. Surroin. Përpjekjet dhe Luftën që fitoi (për herë të parë…), jo vetëm përkrahjen e mbarë kombit shqiptar, por edhe përkrahjen e një superfuqie, siç është Amerika, dhe të fuqisë më të madhe ushtarake që ka njohur bota, NATO-s, shpalosin shpirtin, bindjen dhe logjikën e një “specie” në zhdukje, të një “jugokosoavri”, siç është Surroi.
Republikës së Kosovës (përgjithësisht kombit shqiptar…) i duhet më shumë se kurrë uniteti politik dhe shtetëror. Njerëz që janë emra publik: politikanë, intelektualë, gazetarë, publicistë, klerikë…, do të duhej të ishin shumë më të matur me paraqitjet e tyre publike, me fjalimet (ligjëratatë…), me shkrimet dhe me veprimtarinë e tyre publike përgjithësisht. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës e çimentoi më shumë se kurrë unitetin kombëtar, shpirtëror dhe politik. Prandaj, nuk është mirë dhe nuk duhet lejuar që sot pas 15 vitesh të mundohet dikush, që nuk e ndjen veten shqiptar, qarqe të caktuara “jugokosovare”, të bëjnë propagandë me shkrime e antilibra që e tregojnë UÇK-në dhe luftën e kombit shqiptar për Kosovën ashtu siç nuk ishte dhe për qëllime të mbrapshta e të kundërta me MISIONIN çlirimtar, kombëtar, antipushtues, emancipues dhe civilizues të UÇK-së. Lufta Çlirimtare Kundërpushtuese e UÇK-së dhe vetë UÇK-ja nuk u takonë më atyre që e kanë themeluar dhe drejtuar… Në fund të fundit ajo edhe kur u themelua dhe u organizua nuk kishte qëllim që t’u shërbente themeluesëve të saj, të cilët vetëm sa i ishin bindur ndërgjegjies së kombit, kërkesës, nevojës dhe domosdoshmërisë historike për ta çliruar popullin dhe tokën e pushtuar shqiptare, sepse edhe vetë ata ishin pjellë e këtij kombi. Mision i saj historik dhe kombëtar ishte ÇLIRIMI i Kosovës dhe i viseve të saj. Prandaj, edhe u përqafua nga shqiptarët kudo që ishin dhe fitoi përkrahjen e Fuqive të Mëdha. Lufta e Madhe e kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës sot dhe në të ardhmen i bashkon partitë politike shqiptare në Kosovë dhe kudo që janë. Partitë politike mund të garojnë me idetë, ideologjitë dhe programet e tyre për ta bërë Republikën e Kosovës edhe më të fuqishme dhe më të aftë për të krijuar siguri politike, ekonomike, sociale dhe tokësore dhe për ta përmirësuar imazhin e saj në botë. Partitë politike në asnjë moment nuk do të duhej ta shfrytëzonin UÇK-në dhe Luftën e Madhe të kombit shqiptar për fushatë politike dhe në “garën” e tyre të ashpër për pushtet…
UÇK-ja tashmë është në themele të kësaj lirie dhe të Republikës së Kosovës. Ajo dhe Lufta e kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës i ka ndarë (me vetëdëshirën e tyre…) dhe i ndanë vetëm “jugokosovarët” besnikë dhe nostalgjikë të Jugoserbisë, të cilët përpiqen dhe nuk zgjedhin rrugë e mjete për t’u “infiltruar” në partitë politike shqiptare të Kosovës… UÇK-ja mund të “përdoret” vetëm si burim dhe shembull frymëzimi për brezat e tashëm dhe të ardhshëm për zgjerimin e hapësirave të lirisë dhe të demokracisë shqiptare… Madje, Ajo (UÇK-ja…), është një AMANET dhe DETYRIM për çdo shqiptar për t’i vazhduar përpjekjet në të gjitha fushat për ta përmbushur BETIMIN e ushtarit-luftëtarit të UÇK-së, që ishte BETIM dhe dëshirën e të gjithë brezave për (ri)bashkimin e Shqipërisë. Ky është interes edhe i popujve tanë fqinj, interes edhe i paqes, zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së këtij rajoni. Me këtë do të “çliroheshin” njëherë e mirë edhe popujt tanë fqinj, shtetet e të cilëve mbajnë të pushtuar edhe sot më shumë se dy të tretat e Shqipërisë dhe të popullit të saj shqiptar…

Autori është magjistër i diplomacisë, ka qenë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, anëtar i Kryesisë, anëtar i Këshillit Qendror të Fondit “Vendlindja Thërret”, përfaqësues politik i UÇK-së në Francë, deputet i Kuvendit të Kosovës, gazetar, publicist…

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri