Një libër për fshatin Stubëll dhe shkollën e parë shqipe (1584-1905)

Nga Tefik Selimi


Shkolla është drita e jetës. Pa shkollë, si pa sy. Kur e ke shkollën, i ke të gjitha. Ai vend që nuk ka shkolla, nuk njihet si vend i qytetëruar. Pra, është vendi i varfër me dije. Lum kush ka shkolla! Aty fitohet dija, aty është jeta dhe aty është historia e popullit. Nuk ka shkrimtar shqiptar që nuk ka shkruar për shkollën, dijen e njeriut. Shkolla e arsimon dhe e edukon popullin. Dija e kultura dalin nga shkolla. Kush e do shkollën, e do vehtën, popullin dhe atdheun e tij. Mjer ai populli që ka njerëz që e udhëheqin pa shkollë! Ku ka shkollë, ka dritë e jetë. Njerëzit jetojnë për ta shijuar të bukurën e jetës. Këtë “bukuri” të jetës e fiton në shkollë. Aty ku është libri, është dija e njerëzimit. Jo vetëm kaq. Ditë më parë, Sarë Gjergji, studjues, poet dhe publicist, ka botuar librin me titull: “Stublla me shkollën e parë shqipe 1584-1905”. Një libër që rrallë e gjen njeriu nëpër librari tona. Pse jo? Pak njerëz apo intelektualë i qasen ndriçimit të rrugëtimit të shkollës kombëtare shqipe. E, intelektuali dhe studjuesi nga Stublla, Sarë Gjergji, duke ditur se mungojnë shënime për shkollën shqipe, ai kaherë i është qasur kësaj fushe për të ardhur gjer te vërteta e hidhur se, edhe në anën e Malësisë së Karadakut jetik të Idriz Seferit, ka pasur shkollë të hershme shqipe. Kjo është fakt. Fakt që dëshmojnë shumë argumente, të cilat sot flasin qartë e bindshëm për ekzistimin e shkollës së parë shqipe në fshatin Stubëll të Karadakut. Kjo është një histori e vërtetë e rrugëtimit të shkollës shqipe. Është një histori e hershme e arsimit shqip, e cila është nëpërkëmbur me shekujt nga armiqtë e kohës, të cilët nuk ia deshën të mirën arsimit shqipe. Populli, duke jetuar nën okupimin otoman e më vonë nga okupuesit e sunduesit të tjerë, jo vetëm që ka pësuar rëndë duke derdhi gjak për liri dhe pavarësi, por, në radhë të parë, arsimimin e masës asnjëherë nuk e ka lënë anash edhe në atë kohë me rreziqe e nën zgjedhën e huaj. Pra, edhe në këtë kohë me rrezik, ai ka ditur të hapë shkolla – tempuj të dijes.



Legjenda: Ballina e librit e autorit Sarë Gjergjit

 Andaj, edhe kjo anë e Malësisë së Karadakut është e njohur me numërin e shumtë të intelektualëve që janë shkolluar, si janë: mësues, poetë, historianë, politologë, filologë, gjuhëtarë e të tjerë, të cilët, në një mënyrë a tjetër, e kanë ndihmuar popullin e tij në rrugën e dritës e të jetës. Njëri që hapëroi në ndriçimin e rrugëtimit të arsimit shqip në Malësinë e Karadakut, përkatësisht të shkolllës së parë në fashatin Stubëll, është studjuesi e krijuesi i zellshëm, Sarë Gjergji. Ky hulumtoi këto “sende” të kaluara, të cilat janë dëshmi e fortë e ekzisitimit të shkollës së parë shqipe në fshatin Stubëll. Por, ndër të parët që ka shkruar për shkollën e parë shqipe të Stubllës, është Isak Ahmeti, gjuhëtar dhe studjues, i cili, në mënyrë të argumentaur ka dëshmuar se nga viti 1584 ka ekzistuar shkolla e parë shqipe në Stubëll. Ai (I. Ahmeti), duke folur për këtë libër të Sarë Gjergjit “Stublla me shkollën e parë shqipe 1584-1905”, ka shtuar me sa vijon: “Sarë Gjergji, doktorant në letërsi, është studim monografik, që i kushtohet shkollës shqipe në Stubëll, që është themeluar, sipas studiuesit në fjalë, por edhe sipas studiuesve dhe burimeve të ndryshme, në vitin 1584.Libri në fjalë i botuar me rastin e 430-vjetorit të themelimit të shkollës shqipe në fjalë është strukturuar kështu: Parathënia: Në vend të hyrjes, Stublla në shek.XV,Vizituesit apostolike-kolegji i vitit 1584 dhe libri në gjuhën shqipe,Tradita dhe toponimi: Ara e Kishës, Shkolla shqipe në shekujt XVII-XVIII, Shkolla në Stubëll në shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, Librat e përdorur dhe lëndët mësimore, Rreth objektit të kishës-shkollës ku është mbajtur mësimi, Ndihma e Austro-Hungarisë për shkollën shqipe në Stubëll, Dokumentet arkivore, Në vend të përmbylljes, burimet dhe literatura. Kjo pasqyre e lëndës reflekton dhe dëshmon më së miri për vlerën dhe rëndësinë e këtij libri qe, sipas mendimit tim (I. Ahmeti), Stublla përkatësisht Zyra e Famullisë do duhej ta botonte sa më parë edhe në gjuhën angleze.Vlen të theksohet se nga të dhënat e burimet e shqyrtuara e të trajtuara në këtë libër, edhe sipas studiuesit në fjalë, u përfundua se viti 1584 shënon kohën e themelimit të shkollës së parë shqipe në Stubëll. Siç e dëshmojnë studiues e burime të ndryshme, shkolla ishte e rangut të një kolegji dhe aty, përveç teologjisë, mësohej filozofia e studioheshin klasikët.Themelues të kolegjit janë Aleksander Komulloviqi e Tomasso Raggio, dy ndër diplomatët e prelatët më të shquar të Selisë së Shenjtë, të cilët ishin dërguar nga Papa Gregori XIII për një vizitë apostolike në Shqipëri e me gjerë në Ballkan. Krejt në fund mendoj se ky libër studimor i Sarë Gjergjit do duhej të ishte si një Abetare në shtëpinë e çdo stubllasi, por edhe tek të tjerët! Autorit i urojmë suksese të reja!” Ndërsa, Nuhi Ismajli, studjues i letërsisë, por edhe njohës i mirë i kësaj fushe të dijes, lidhur me librin në fjalë ka shtuar: “Ky libër flet për historikun e vjetër të arsimit shqip. Ky është një kontribut i rëndësishëm në fushën e arsimit tonë kombëtar shqiptar. Qasja e tij shkencore është e mbështetur në dokumente e fakte të qëndrushmse historike. Për historikkun e shkollës së parë të Stubllës është marrë më parë Isak Ahmeti, studjues dhe krijues nga ky lokalitet. Ky autor, pastaj, që në fillim është marrë me përkushtim dhe ka arritur të bëjë një pasqyrë edhe më të plotë për historikun e arsimit shqip të zhvilluar në këtë pjesë të Kosovës”. E, autori, S. Gjergji shton se, “Historia e rrugëtimit dhe gjallimit të shkollës shqipe ndër shekuj është pjesë përbërse dhe tejet e rëndësishme e historisë sonë të gjithmbarshme kombëtare”. Ai më tej në librin e tij dokumentar, vazhdon: ”Dihet mirëfillimi se pushtimi turko-otoman solli natën më të gjatë e tmerrëshit të egër për Shqipërinë. Në të vërtetë, sulltanët turq provuan me çdo kusht zhbërjen e etnisë sonë. Në kushtet e rënda të pushtimit, populli shqiptar iu hoqën mundësitë për një zhvillim normal të jetës kulturore. U prishën qendra dhe vatrat e kulturës mesjetare shqiptare, u ndërpre me dhunë shtjellimi i saj. U dogjën biblioteka, dorëshkrime e akte. Me këto u zhdukën edhe monumentet e shkrimit shqip të shek. XIV-XV e më përpara,(f.10). “Ajo që është e rëndësishme dhe domethënëse, është fakti se këto burime flasin ndër të tjera për mbështetjen e shkollës shqipe dhe për shpërndarje librash(f. 20). Kështu, autori mbështetet në referencën e fortë J. Rexhepagiqit e studjuesve të tjerë, kur shton: “Sidomos Stublla (afër Gjilanit), fshat që flet gjuhën shqipe ku qenë i përshtatshëm për hapjen e një kolegji të këtill katolik” f.(24). Mandej shton: “Me shumë gjasë (duke gjykuar nga të dhënat që disponohen deri më sot) shkolla e parë shqiptare ka qenë ajo e Stubllës në Kosovë, themeluar më 1584”, (f. 25). Sarë Gjergji i referohet edhe studjuesit Sh. Osmanit, i cili, duke shkruar për ekzistimin e shkollës shqipe, ai shton: “Në vitet e pushtimit osman, mësimi i gjuhës shqipe bëhej fshahurazi në ato pak shkolla fetare që u lejuan të vazhdonin veprimtarinë e tyre, si në Stubëll (1584), Himarë (1627), Kurbin të Krujës (1632, Vuno e Palasë të Himarës (1632), Korçë (1637), Pllanë (1639), Bilisht (1639), Dhërmi (1660), Janjevë (1665)” etj f.26). Por, për kolegjin në fjalë flet edhe Dhimitër Shuteriqi, studjues e romanisier, i cili shton se: “Që më 1584, në Letnicë të Shkupit, më pas edhe në Shtumbulla (lexo: Stublla) të Gjilanit, dy fshatra shqiptare, kanë funksionuar kolegji fetar” (f.26). Po kështu, autori i librit shton se, kolegjet e kohës kanë qenë edhe shkolla të larta, ku përveç teologjisë, mësohej filozofia dhe studjoheshin klasikët” ka shtuar Dh. Shuteriqi shih, (f. 27). Pra, ky libër i Sarë Gjergjit e plotëson një kënd të kësaj fushe, e cila jo vetëm që është i një rëndësie të veçantë për të gjithë, por shënon një gur themeltar të ekzistimit të shkollës sonë kombëtare shqipe. Libri i autorit është i mbushur me qindra dokumente, fotografi e argumente të shumta, të cilat studjuesi ka hulumtuar nëpër arhiva të ndryshëm për ta ndriçuar këtë rrugëtim të shkollë së parë në Stubëll të Malësisë së Karadakut. Libri ka167 faqe dhe është i botuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, 2014.



Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit