Reagim kundër librit “Lufta në Kosovë ishte një kryengritje fshatare dhe e fshatarëve.”


J. Petiffer & M. Vickers 

“Lufta në Kosovë ishte një kryengritje fshatare dhe e fshatarëve”, kështu shprehen gazetarët dhe piblicistët anglezë Petiffer dhe Vickers. Por, ndoshta, e kanë huazuar nga shprehja e Fatos Nanos, Arbër Xhaferit e Ilir Metës, pasi kur luftonin UÇK-të, ata i quajtën folklorizëm, enverizëm apo frustrim ekstremistësh.

Të gjithë ata që mund të kenë bindjen e një përcaktimi të tillë, gabohen rëndë. Vërtet që lufta në Kosovë u mbështet kryesisht në popullsinë që banonte në fshatrat malorë e kodrinorë të Kosovës, (si kudo në botë në të till luftra), pasi fshatarësia përbënte mbi 80% të gjithë popullsisë së Kosovës dhe s’kish si mund të ndodhte ndryshe. Por, ama, dihet se të gjitha luftrat guerile atje e kanë zanafillën e parë, te fshatarësia, në male, gjë që nuk do të thotë se ajo “ishte një kryengritje fshatare dhe e fshatarëve.” Mirëpo, mos harrojmë që UÇK-ja u shndërua shumë shpejt në një ushtri moderne, ndërsa kryengritjet fshatare janë një rebelim i paorganizuar.
U kujtoj autorëve të atij libri dhe bashkëmendimtarëve si ata se 82% e efektivave të UÇK-së ishin me arsim të mesëm dhe të lartë, si rallë ndonjë ushtri e botës moderne. Madje mbi 60% e luftëtarëve të UÇK-së vinin nga emigracioni shumëvjeçar perëndimor dhe si të tillë ishin më qytetarë se dhe tërë politikanët intelektualë kundërshtarë të tyre të Kosovës, madje edhe se vet drejtuesit e lartë të ushtrisë armike të tyre.(2)

Po të kemi parasysh atë çka thotë Viktor Hygo: “të studjosh në Paris, do të thotë se ke lindur në Paris”, mund ta perifrazojmë edhe për 60 përqindëshin e luftëtarëve emigrantë të UÇK-së: “të jetosh, të punosh dhe të mësosh me dhjetra vjet në Evropën Perndimore, do të thotë se ke lindur në Perëndim, je evropianoperëndimor”. Parë në këtë kënd, kemi të drejtë të themi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një ushtri e edukuar dhe jo një rebelim alla Haxhi Qamilçe.
Po të kemi parasysh të dhënat e mësipërme për UÇK-në dhe t’i referohemi filozofit të lashtë kinez, Konfucit, i cili thotë: “Kur njerëzit e edukuar kanë kurajo kur nuk ka drejtësi, ata bëhen rebelë. Kur njerëzit e vegjël kanë kurajo kur nuk ka drejtësi, ata bëhen banditë”, dalim në përfundimin se: UÇK-ja ishte një ushtri e përbërë nga njerëz të ditur dhe të edukuar që rebeluan kundrejt një padrejtësie të madhe e bërë ndaj popullit të tyre. Jo më kot thuhet se luftrat çlirimtare janë një rebelim që përfundojnë me sukses, ndërsa rebelimi është një revolucion që përfundon pa sukses. Nëse do të kish ndodhur kjo e dyta, atëherë zotërinjtë anglezë do të kishin të drejtë të shpreheshin në këtë formë. Nuk ka si të jenë rebelë dhjetra mijëra “fshatarë” në një shtet 2 milionë banorë, kundër të cilëve u angazhua një ushtri 100 milionëshe.
Po të pranojmë se UÇK-ja do të ishte thjeshtë një “kryengritje fshatare dhe e fshatarëve”, atëherë edhe ne do të ishim thjeshtë një ushtri banditësh dhe do të kishim djegur e plaçkitur tërë shtëpitë e fshatrave serbe dhe shqiptare në Kosovë, sikundër bëri policia, ushtria dhe paramilitarët serbë kundrejtë fshatrave shqiptare.
Po të ishim thjeshtë një ushtri fshatarësh të paedukuar, (pasi autorët me atë shprehje kuptojnë thjesht fshatarin, pa dije shkollore, ose me një edukim minimal, i shndërruar në bandit për shkak të padrejtësive dhe urrejtjes), do të kishim vrarë e hapur varre masive me kufoma serbësh, sikundër hapi ushtria, paramilitarët dhe policia serbe, 450 varre masive, dhe i mbushën me kufoma shqiptarësh. Dhe sot, në vend që të çohen ata para gjyqit, çohen këta “rebelët fshatarë”, që nuk vranë as edhe një civil të pafajshëm serb!
Po të ishim thjeshtë ca fshatarë banditë, do të kishim djegur e shkatëruar edhe ne 218 kisha e manastire, sikundër dogjën ushtria e policia serbe 218 xhami dhe gjithë teqetë bektashiane në Kosovë.
Po të ishim edhe ne një turmë fshatarësh të kthyer në banditë, sikundër ishin policia dhe ushtria serbe, do të kishim grumbulluar, të paktën, tërë pasurinë e fshatarëve serbë si dhe gjitha gjënë e gjallë të tyre, sikundër bënë ushtria e policia serbe me blegtorinë e gjithë fshatrave shqiptare.
Po të ishim, thjesht, një ushtri banditësh, sikundër ishin paramilitarët dhe policia serbe, UÇK-ja nuk do të ishte e kthjellët në atë që kërkonim: krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës deri në bashkim me shtetin amë, sikundër e kishim të theksuar edhe në tekstin e betimin tonë.
Zotërinj anglezë, më gjeni një rast që një kryengritje fshatarësh ka patur betim ushtarak dhe regullore ushtarake. Duke qenë një ushtri e komanduar nga një Shtab ushtarakësh të mirëfilltë, me rregullore dhe disiplinë të rreptë, a mund të quhet ajo luftë në Kosovë “një kryengritje fshatare dhe e fshatarëve”, të cilët luftonin as për tokë, as për pasuri e as për qeveri, por për bashkim kombëtar, ndaj dhe kur luftëtarët e saj, sa herë hidheshin në sulm, nga kraharorët e tyre shpërthente kënga: “Hej, Shqypni, mos thuj mbarova / Është ngritë në kambë e tanë Kosova”, dhe flokët e tyre ngriheshin përpjetë nga guximi dhe shndërroheshin në epikë, sepse nuk kërkonin parcelën e tokës që ua kish marrë Serbia dhe që ua kish dhënë kolonëve serbë, por kërkonin ëndrrën e Rilindies, bashkimin e kombit. Luftonin duke kënduar sepse ky ishte gëzimi i tyre, bashkimi i tërë kombit në një shtet të vetëm, pavarësisht se u tradhëtuan. Po ta përpjesëtojmë tekstin e këngës së luftëtarëve të UÇK-së me natyrën tonë të civilizuar, atëherë, autorët e këtij etiketimi do ta kuptojnë se sa na kanë fyer.
Ne ishim një ushtri çlirimtare, me njerëz të edukuar, por të rebeluar nga padrejtësitë shekullore dhe qendrimet e njëanshme të Evropës, qëndrime që edhe vetë autorët Petiffer & Vickers e trajtojnë me shumë fakte një gjë të tillë. “Vetëm të rebeluarit – thotë B. Breht – janë ata që përmbysin fronet, se të jetë për katedrat dhe institucionet zyrtare, ato i lënë të qeta fronet (sundimtarët)”. Dhe, faktikisht, po të qe për Rugovën dhe institucionet e LDK-së në Kosovë e jashtë saj, Millosheviçi do të ishte edhe sot gjallë dhe Kosova do të ishte edhe sot një fshat i madh i Serbisë.
Lidhur me fshatin dhe fshatarësinë, autorët e mësipërm të librit në një pikë kanë të drejtë, pasi pjesa dërmuese e luftëtarëve të UÇK-së ishin të lindur dhe kaluar fëmininë në fshat, pastaj kanë shkuar nëpër shkolla në qytete, ku kanë bërë shkollën e mesme dhe ato të larta. Pra, me origjinë ishin fshatarë, por sikundër thashë më lart, fshatarë të civilizuar, ndaj dhe bazën e patën te prindërit e tyre, në fshatin shqiptar të Kosovës.
Mirëpo, mos harrojmë diçka historike, që fshatrat malore shqiptare, sikundër është Drenica, Jezerca, Karadaku, Kamenica, Malësia e Gallapit, Shala e Bajgorës, Malësia e Gjakovës dhe e Prizërenit e të gjitha malësitë shqiptare, e kanë zanafillën e vet kur trojet e Ilirisë u pushtuan nga Romakët, 200 vite para Epokës së Re. Garnizonet e ushtrive që erdhën në trojet tona, dimë që u përqëndruan në fushat anës rrugëve dhe në qytete që gjetën apo krijuan, por kurrë nëpër fshatrat e thella e në malësi.
Si të tillë, banorët e këtyre fshatrave shqiptare, nga doli dhe UÇK-ja, kanë mbetur me gjak të pastër shqiptari, të pa përzier me gjak të ushtrive pushtuese. Ky është një ndër shkaqet kryesore pse të gjitha kryengritjet dhe luftërat e popullit tonë për liri janë nisur fillimisht në fshatin malor, janë zhvilluar nga popullsia e tyre dhe janë mbështetur më pas nga e gjithë fshatarësia jonë, me përjashtime të pakta. Nuk kemi dëgjuar që gratë e fshatrave dhe qyteteve fushorë të jenë vetësakrifikuar për të mos i përdorur ushtritë pushtuese qoftë për presion qoftë për përdhunim, por vetëm ato, amazonat e malësive tona, si p.sh. Maro Konda, Nora e Kelmendit, Shote Galica apo Xheva Krasniqi - Lladrovci e UÇK-së. Si mund të quhet kryengritje fshatarësh dhe e fshatarëve kur në atë luftë u rreshtuan në radhët e UÇK-së rreth 400 vajza e gra luftëtare?(3), që do të thotë 2% e gjithë UÇK-së. “Në cilën anë të luftës sheh se gratë kanë rrokur armët, mos dysho në të drejtën që ka ajo anë, sepse gruaja nuk i kapë armët pa qenë gjendja e padurueshme”, thotë Sami Frashëri. Edhe sot në Krujë është një shkëmb, që quhet “Shkëmbi i Vajës”, mbi 300 metra humnerë, ku u hodhën me vaje e ulërimë 80 gra e vajza të malësisë krutane, që nuk pranuan të dërgoheshin në haremet e pashallarëve dhe ushtarëve turq.
Dimë, gjithashtu, se në të kaluarën kryengritjet e Kosovës, duke qenë thjesht kryengritje fshatarësh të pashkolluar, ndaj dhe nuk kanë përfunduar me fitore shtetformuese.
Lufta Çlirimtare e Kosovës 1997-1999, duke nxjerrë për herë të parë në Kosovë, një ushtri kryengritëse të edukuar, 82% e së cilës me arsim të mesëm e të lartë, ndaj dhe bëri me vete tërë opinionin dhe diplomacinë botërore dhe angazhoi përkrah saj edhe aleancën më të madhe ushtarake botërore, NATO-n. Kjo erdhi nga që ne, pjesëtarët e UÇK-së, ishim më të civilizuar se tërë inteligjenca e Prishtinës.
Është e vërtetë se, pothuajse në përqindjen dërmuese, pjesëtarët e UÇK-së ishin me origjinë dhe përbërje fshatare, por nuk është turp të jesh nga fshati dhe fshatar, është turp të mbetesh me mentalitet fshatar, siç ka mbetur edhe sot e gjithë ditën shumica e inteligjencës “kosovare”.
Prandaj, zotërinj autorë të librit “Çështja shqiptare” dhe ju pacifistët dhe antishqiptarët e pandreqshëm: korigjohuni! I edukuari, e në mënyrë të veçantë idealisti për kombin, nuk është as fshatar, as banor i qytetit, por është thjesht një qytetar i emancipuar i shoqërisë njerëzore, ndaj dhe dinim të luftonim, dinim të bënim edhe politikë edhe diplomaci, pavarësisht se në fund u tradhëtuam dhe u çarmatosëm. Ndoshta, kjo nga që ishim të edukuar, ngaqë besonim se njerëzit e edukuar nuk tradhëtojnë, qofshin ata shqiptarë apo ndërkombëtarë. Besimi i tepëruar është një tipar i idealistëve.
Megjithatë, janë vet autorët anglezë, që bien ndesh me konkluzionin e tyre, kur një faqe më pas shprehen: “lufta nuk bëhej thjesht për të çliruar territoret, por për të hapur kufijtë me Shqipërinë, ndaj dhe lufta kish një dimension më të madh ushtarak dhe politikisht, simbolikë që nuk e gjeje gjëkundi tjetër”(4).

Sikur ajo luftë të ishte thjeshtë një luftë fshatarësh të paditur, sikundër përfytyrohen fshatarët e Ballkanit, njësoj si dy a më shumë shekuj më parë, a mund të kishte ajo ushtri çlirimtare dhe ajo luftë atë simbolikë dhe ato përmasa që shprehen vet autorët?
Lufta çlirimtare në Kosovë nuk mund të quhet e tillë edhe për një lloj kuptimi tjetër, pasi kemi të bëjmë me një fshatarësi të ngritur nga ana kulturore dhe arsimore. Në vitet 1997-1999 kish kaluar ajo kohë kur fshatarësia shqiptare e Kosovës nuk kish asnjë privilegj, që ishte e përjashtuar nga çdo lloj dije dhe që jetonin të mbyllur në bashkësi të vogla (fise) e të veçuara dhe mbeteshin jashtë aktivitetit shoqëror, si të huaj ndaj fatit të tyre historik. Fshatarësia e Kosovës ishte njëqindpërqind e shkolluar, të gjithë dinin të shkruanin e të lexonin, jetonin pranë njeri-tjetrit nëpër bashkësi komunash, në kooperativa dhe ndërmarrje bujqësore, por edhe në qytete, pa folur për rininë e saj e cila ose ishte nëpër universitete ose ishte emigrante në Perëndim nga dhe u kthyen dhe mbushën radhët e formacioneve të UÇK-së. Fshatarësia e Kosovës ishte ajo që bijtë e saj universitarë në vitin 1981 tronditën jo vetëm Jugosllavinë por tërë Evropën me demnostratat e tyre, që e detyruan Jugosllavinë të zbarkonte 150 mijë ushtarë në Kosovë, të shoqëruar me qindra tanke e autoblinda, dhe ishin ata “fshatarët” universitarë që u hodhën mbi tanke si Vojo Kushi dikur në Tiranë.
Organizimi i popullsisë fshatare nëpër organizata atdhetare ilegale dhe shndërrimi i fshatrave në baza të atyre ilegaleve dhe më pas të forcës politike ilegale që shpërtheu atë luftë çlirimtare (LPK), e cila ishte shumë herë më e fuqishme dhe më me ndikim në popullsinë që banonte nëpër fshatra se sa gjithë forcat politike legale të Kosovës, madje edhe në një pjesë të mirë të popullsisë që banonte në qytete, por që gjysmën e familjes e kishin në fshat. Mund të themi se edhe familja qytetare e Kosovës kishte veprimtari të dyfishtë: në bujqësi dhe në industri. Në këtë mënyrë kultura e mirëfilltë patriarkale fshatare kish ardhur dora-dorës duke u venitur, ku një pjesë e tyre ishin kthyer në borgjezë të fshatit dhe të qytetit dhe që e përpinin me babëzi letërsinë artistike dhe atë politike, e veçanërisht atë historike.
Formula e zotërinjve Pettifer&Vickers është fare e pakuptimtë. Nëse fshatarësia e Kosovës do të ishte ashtu si e konceptojnë ata zotërinj, as që mund të konceptohej fare dhënia e gjithçkaje që ajo kish për një ideal aq të madh sa është bashkimi kombëtar. Ndërkohë që kryengritjet fshatare as që e kanë patur kurrë një ideal kaq të madh, as dikur dhe as sot. Sipas zotërinjve Pettifer & Vickers, ata që japin gjithçka, edhe jetën, për një ideal të madh, sikundër ishte edhe rasti i “fshatarësisë” së Kosovës, çlirimi nga një pushtues shekullor (Serbia), dhe bashkimi me shtetin amë, mund ta bëjnë vetëm nëse janë fshatarë të shekullit të XV? Këta zotërinj anglezë, në këtë rast, më duket se janë treguar tepër cinikë. Unë nuk e besoj që ndonjë njeri me mend t’i quaj këto lloj virtytesh të pjesës dërmuese të popullit shqiptar në Kosovë tipare të një fshatarësie në kuptimin më vulgar që i japin ata zotërinj.
Si kujtojnë zotërinjtë Petifer & Vickers, se luftrat çlirimtare duhet t’i bëjnë shtresat aristokratike, apo ata shtetarë të shkolluar dhe që e kanë barkun bosh dhe që përbuzen çdo ditë dhe që nuk përfitojnë nga shpërndarja e pasurisë kombëtare? Sips tyre, kushdo që rrëmben pushkën për liri na qenka fshatar i pagdhendur?! Nuk përjashtohet mundësia që propaganda e LDK-së t’i ketë infektuar deri diku edhe ata dy zotërinj, autorë të librit.
Të gjitha këto çka rreshtuam më lart, i patën dhënë fshatarësisë shqiptare të Kosovës një prirje natyrore qytetare të vetëvetishme. Inteligjenca e dalë nga ajo fshatarësi e kulturuar ishte e pakënaqur nga urtësia prozaike rugoviane, ndaj dhe ata u bënë të ndjeshëm ndaj joshjes së çlirimit ideal, bashkimi kombëtar, i proklamuar nga forcat politike ilegale me në krye LPK-në, e cila ishte një ndjenjë ngashënjyese, si një kërcim në të ardhmen.
Në ato kushte, fshatarësia shqiptare e Kosovës ishte e aftë që të dilte mbi forcat politike legale “qytetare” të Kosovës; fshatarësi e cila i dha vetes misionin historik të atij populli për ndryshimin e historisë së Kosovës, pavarësisht se nuk ia arriti përfundimisht për paaftësi të udhëheqjes politike të asaj ushtrie çlirimtare. Asgjë nuk na tregon se atë ndryshim historik të Kosovës janë paracaktuar ta bëjnë punëtorët dhe intelektualët qytetarë të Kosovës.
Po, cila ishte ajo gjë që i bënte këta fshatarë të kulturuar e të civilizuar si të paracaktuar që ta kishin vetëm këta këtë fat? Ishte vuajtja shekullore, ishte emigracioni ekonomik i imponuar, ishte ndarja shumëvjeçare e prindërve nga fëmijët e tyre në Kosovë, ishte shkalla e lartë e papunësisë, mosbindja ndaj politikanëve të privilegjuar që u predikonin “durim se lirinë do na e falin” duke jetuar vetë në luks etj., të cilat dëshmonin për padrejtësinë shoqërore dhe për mjerimin njerëzor të pjesës dërmuese të Kosovës. Vuajtjet e kësaj popullsie “fshatare” edhe sot e kësaj dite flasin për ndërgjegjen jo të pastër të atyre që bënin dhe drejtonin politikën në Kosovë, (por që nuk kanë ndryshim nga këta sot), e që gëzonin privilegje. Ishin këto fatkeqësi që sollën prirjen e natyrshme të asaj “fshatarësie kryengritëse”, atë prirje që kanë sot ata që kërkojnë me këmbëngulje bashkimin me shtetin amë dhe jo si variant të fundit të zgjidhjes.
Lufta çlirimtare në Kosovë nuk ishte “kryengritje fshatarësh”, pasi ata nuk shpërthyen as kundër tregtarëve të pasur, as kundër politikanëve të privilegjuar, as kundër mbledhësve të 3% për luksin e politikanëve të tyre, as kundër pronarëve të pasur të tokës, as kundër papunësisë bujqësore e blegtorale, as nga mosgjetja e tregut për prodhimet e tyre blegtorale e bujqësore, as për reformë agrare dhe çështje të tjera të tokës, as për ndonjë lloj lufte klasash në kuptimin klasik të tyre, pasi nuk u dha as edhe një shenjë e tillë gjatë gjithë asaj lufte, por ishte një luftë midis dy kombeve. Duke e pranuar qoftë edhe këtë të fundit, automatikisht që bie tërësisht etiketimi i zotërinjve Pettifer & Vickers se lufta jonë na paskësh qenë, thjesht, një “kryengritje fshatare dhe e fshatarëve”.

Dilaver Goxhaj 

Fusnotat:

1) J.Petiffer&M.Vickers, “Çështja shqiptarë”, f. 183
2) Sh. Golemi, “UÇK-ja dhe Kadareja”, Prishtinë 2004, f. 119
3) Instituti Albanologjik, Prishtinë: Veprimtaria e gruas në lëvizjen kombëtare për çlirim”, Prishtinë 2010, f. 246
4) J. Petiffer&M.Vickers, “Çështja shqiptarë”, f. 184 

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri