Viti 1973: Si u survejuan pesë shkrimtarët e Kosovës në Shqipëri?



Çfarë zbulon relacioni 25 faqësh i hartuar nga shoqëruesit Odhise Grillo dhe Hamit Boriçi, për udhëtimin 12 ditor të shkrimtarëve Vehbi Kikaj, Maksut Shehu, Rifat Kukaj, Qamil Batalli dhe Agim Deva.
Çdo të thoshte të ishe turist në Shqipërinë komuniste, ku gjithmonë, dyshimi i parë që sillej ndërmend për çdo vizitor ishte agjentura?
Në një vizitë turistike, në vendin më të izoluar të botës, nën vëzhgimin e rreptë të shoqëruesve, por edhe me ëndrrën e mëmëdheut të munguar, pesë shkrimtarë e studiues kosovarë të letërsisë për fëmijë, të ftuar në nëntor të 1973 për një vizitë në Shqipërinë “mëmë” ishin vënë nën skanerin e pagabueshëm të regjimit.
Ata ishin Vehbi Kikaj, Maksut Shehu, Rifat Kukaj, Qamil Batalli dhe Agim Deva.
Ftesa ishte bërë nga Komisioni i letërsisë për fëmijë pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe sektorit të historisë së Letërsisë Shqipe për fëmijë në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë. Shkrimtarët kosovarë kanë qëndruar 12 ditë në tokën e “ëndërruar”, por çdo lëvizje e tyre, çdo bisedë, çdo detaj në sjelljen dhe veshjet e secilit prej vizitorëve, dëshirave dhe përshtypjeve të tyre, është vëzhguar me kujdes, me qëllim që të raportohej më pas.
Këtë detyrë kanë pasur dy shoqëruesit shqiptarë të këtij grupi, të cilët siç ndodhte në të gjithë vizitat e kësaj natyre, pas përcjelljes së miqve kanë hartuar një relacion të hollësishëm mbi detajet e vizitës 12 ditore të kolegëve të tyre.
Relacioni, për të cilin flasim është përgatitur nga shkrimtari Odhise Grillo dhe gazetari Hamit Boriçi, të cilët ishin caktuar që të ishin shoqëruesit e këtij grupi gjatë 12 ditëve të qëndrimit të tyre në Shqipëri.
Relacioni prej 25 faqesh ofron të dhëna të hollësishme mbi jetën e secilit prej shkrimtarëve, tendencat dhe karakteret krijuese dhe intelektuale, sjelljet “borgjeze” e detaje të imëta mbi pasurinë dhe jetën me privilegje në Jugosllavinë e Titos, dyshimet e lindura dhe informacione të shumta që janë vjelë prej tyre për çështje të brendshme në Kosovë.
Sot sjellim pjesën e parë të relacionit, që ruhet në fondin 14 në AQSH, ku veç raportit mbi vizitën me të gjithë detajet e saj përgjatë 12 ditëve, jepen të dhëna të hollësishme për dy pjesëtarët e parë të grupit, Vehbi Kikaj dhe Qamil Batalli, të cilët sikurse edhe kolegët e tyre Maksut Shehu, Rifat Kukaj, e Agim Deva, janë ndarë tashmë nga jeta, pa na dhënë mundësinë që sot të zbulonim një anë tjetër të këtij udhëtimi që përshkruhet në këtë dokument të hartuar gjithsesi nën presionin dhe kushtet e regjimit totalitar.
R E L A C I O N
MBI VIZITËN E NJË GRUPI SHKRIMTARËSH DHE STUDIUESISH KOSOVARË TË LETËRSISË PËR FËMIJË, QË VIZITUAN VENDIN TONË PREJ DATËS 13-25 NËNTOR 1973
Me ftesën e Komisionit të Letërsisë për fëmijë pranë Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë dhe të sektorit të historisë së letërsisë shqiptare për fëmijë në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, erdhi për një vizitë 12-ditore në vendin tonë një grup shkrimtarësh dhe studiuesish kosovarë që merren me letërsinë për fëmijë, nga shoqata e shkrimtarëve kosovarë. Në këtë grup bënin pjesë Vehbi Kikaj (përgjegjës i grupit, anëtar i Kryesisë së shoqatës), Maksut Shehu, Rifat Kukaj, Qamil Batalli dhe Agim Deva.
Grupi erdhi në vendin tonë më 13 nëntor nga pika kufitare e Hanit të Hotit dhe u largua po nga kjo pikë më datën 25 nëntor.
Gjatë 12 ditëve të qëndrimit në vendin tonë, sipas një programi të aprovuar, grupi vizitoi Shkodrën, Lezhën, Krujën, Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Hekurudhën Librazhd-Përrenjas (urën e Bushtricës), Fierin, Gjirokastrën, Sarandën dhe Beratin. Plani i hartuar qysh më parë u zbatua me përpikëri.
Në Shkodër, Durrës, Tiranë, Fier e Gjirokastër u takuam me shkrimtarë që merren me letërsinë për fëmijë dhe me kryetarët e degëve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Takimet kanë qenë të frytshme, korrekte dhe të dobishme.
Shkrimtarët dhe studiuesit kosovarë u njohën dhe mësuan për sukseset që ka arritur vendi ynë në fushën politike, ekonomike, kulturale e artistike dhe veçanërisht në letërsi e arte. Për këtë ndihmuan shumë vizitat në muzeume, ekspozita, qendra pune e prodhimi dhe takimet me krijuesit.
Grupi i shkrimtarëve dhe i studiuesve kosovarë zyrtarisht përfaqësonte shoqatën e shkrimtarëve kosovarë, por në të vërtetë ata janë përfaqësues të shtresës intelektuale të rretheve të shkrimtarëve dhe të gazetarëve. Kjo vihet re nga pikëpamjet që kanë, nga shijet, kërkesat dhe interesat e tyre, nga mënyra e veshjes, e të sjellurit. Ja disa fakte:
Përmendnin hotelet dhe klubet më të mira që kanë ata, si Pozhuri, udhëtimet me aeroplan, pushimet në vilat e Deçanit, në plazhin e Ulqinit, udhëtimi në Turqi, Greqi e gjetkë.
Ata, jo një herë, vunë në dukje mundësitë materiale që kanë, për të blerë e mbajtur makina personale, siç kishte Maksuti, për të ndërtuar vila, siç ndërtoi Qamili, etj. Fakti që një pjesë e tyre kishin valutë të huaj (M. Shehu e R. Kukaj), dollarë, marka dhe shuma të mëdha dinarësh, tregon se ata u përkasin shtresave të pasura intelektuale. Është e kuptueshme se revizionistët titistë, me të holla e mënyra të tjera kanë blerë njerëzit e propagandës. Dhe këta të fundit bëjnë një jetë të izoluar nga populli, jepen pas qejfeve, karrierës, parave, pas pijeve dhe modave ku më shumë e ku më pak.
Kemi mendimin se pikëpamjet e tyre duhen kuptuar si pikëpamje të një shtrese të caktuar shoqërore, si opinion i përgjithshëm i qarqeve të shkrimtarëve e gazetarëve të Kosovës së sotme.
Në tërësi grupi përbëhet nga shkrimtarë jo të qartë dhe mikroborgjezë. Megjithëkëtë, duhen bërë diferencime. Vehbi Kikaj dhe Qamil Batalli na duket se janë më të thjeshtë, sikur kanë e ruajnë diçka nga populli, akoma nuk janë borgjezuar plotësisht. Rifat Kukaj nga veshja e mënyra e të sjellurit është prototipi i një intelektuali mikroborgjez. Me fjalë tregohet si i lidhur me popullin dhe krejtësisht kundër jetës luksoze.
Karakteristike ishte se kur e sillnin fjalën për Shqipërinë, për bashkimin e Kosovës me atdheun, ishin të një mendimi dhe flisnin me emocione. Janë, pra, nacionalistë.
Të gjithë ishin anëtarë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë. Nuk bëjnë asnjë dallim në mes komunistëve të vërtetë dhe revizionistëve. Kur diskutonin, bie fjala, për Spanjën, ata flisnin me admirim për udhëheqësit e partisë së sotme revizioniste spanjolle. Nuk bëjnë dallim mes luftërave të drejta dhe të padrejta. Ata arrijnë deri atje sa të flasin me admirim për Izraelin, që, edhe pse është i vogël, i dërrmoi popujt arabë, pa vënë theksin në karakterin e luftës së sionistëve.
Duket se nacionalistët kosovarë, përfaqësues i të cilëve ishte edhe ky grup, i kanë varur shpresat për të ardhmen e Kosovës, për bashkimin e saj me mëmëdheun, në inteligjencën. Ata deklarojnë se suksesi i dëshiruar do të arrihet me dy rrugë:
a) Me arsimimin (shkollimin) e rinisë. Thanë “sot kemi 20.000 studentë në Prishtinë”.
b) Me këmbënguljen për të shfrytëzuar të gjitha të drejtat që u janë siguruar me Kushtetutë. Dhe, thanë se do të vijë koha që edhe OKB-ja ta thotë fjalën e vet. Kjo vihej re në bisedat si tendencë e përgjithshme. Punëtorët nuk i zënë në gojë fare. Për fshatarësinë kanë mendimin se është një turmë e prapambetur, pa kulturë, pa kërkesa, që rend pas interesave ekonomike, që për të fituar para ikën në Gjermaninë Perëndimore, në Turqi e gjetkë. Bijtë më të mirë të fshatarësisë janë ata që po shkollohen.
Të gjithë pjesëtarët e grupit kanë shprehur besimin e madh te Titua, se të gjitha këto të drejta i kanë nga Titua dhe i lusin jetë të gjatë atij, se kush e di kush ia zë vendin. Këtu është një kontradiktë. Këta edhe i lusin jetë të gjatë Titos, edhe tregojnë shumë anekdota për të. Qamili, Rifati e Vehbiu nuk kanë as dëshirë për të shkruar për Titon.
Ja se çfarë përfaqëson secili anëtar i grupit, sipas mendimit tonë:
Vehbi Kikaj: Anëtar i kryesisë së shoqatës së shkrimtarëve, redaktor i revistës “Pionieri”, kandidat për redaktor në Entin botues “Rilindja”.
Është një tip i shoqërueshëm, i qetë, por pak naiv dhe pak hutaq. Nuk është i qartë ideologjikisht, sidomos për lëvizjen komuniste ndërkombëtare në ditët tona. Nuk dallon partitë M.L. të vërteta nga partitë revizioniste. Naiviteti i tij vihet re në disa arsyetime, në besimin që ka te atasheu kultural në Tiranë të cilin e ka pasur profesor në Prishtinë.
E do shumë Shqipërinë, Kosovën e quan një pjesë të Shqipërisë dhe mendon për bashkimin e saj me atdheun duke thënë: “Kur të vijë koha do ta hedh vetë i pari bombën aty ku duhet”. Ka shprehur dashuri të madhe për shokun Enver dhe për partinë tonë. Shënimet e tij në muzetë dhe objektet që vizituam janë më të zjarrta. Ai nuk nënshkruante tok me të tjerët por linte shënim të veçantë.
Në Gjirokastër këmbënguli që të shkëputej nga shokët dhe të vizitonte patjetër shtëpinë-muze të shokut Enver. Në mënyrë të fshehtë ia plotësuam dëshirën. Aty u mallëngjye dhe la një shënim për “njeriun më të madh që ka lindur Shqipëria”.
Gjatë vizitës në varret e Q. Guranjakut, N. Bulkës dhe Zekirja Rexhës, pa varret e prindërve të shokut Enver. Qysh aty, bashkë me Q. Batallin, shprehu dëshirën për të vendosur në varret e tyre buqeta me lule. Për t’i ruajtur ata ne nuk ua plotësuam dëshirën. Para se të largohej fshehtas la 30 lekë për të blerë lule, për t’i plotësuar dëshirën.
Gjatë gjithë kohës është treguar i afërt, ka folur gjithmonë mirë për pjesëtarët e grupit, për shkrimtarë e gazetarë, për funksionarë të huaj dhe për punonjës të UDB-së.
Ka urrejtje të theksuar për serbët aq sa në mesnatën e datës 24 nëntor, u tha pastruesve të rrugës të Shkodrës “pastrojini mirë rrugët se janë ndyrë nga gjaku i 12.000 malazezëve që i kini grirë me shpatë në Tarabosh”.
Është shok i ngushtë me Q. Batallin dhe me R. Kukajn. Mban distancë me M. Shehun e A. Devën. Të tilla porosi na jepte edhe ne. Më tepër lidhje kishte me Qamilin. Në prani të tyre fliste pak më hapur se të tjerët.
Kishte pak qejf pijen dhe tregonte për femrat, sidomos në praninë e të tjerëve (këtë na e kishte thënë edhe Rifati: kur të jemi në grup - sidomos me Maksutin dhe Agimin - bisedë pijesh dhe femrash do të kemi).
Vlerësonte shumë sukseset tona, po ndonjëherë tregohej i matur e fliste me kujdes, sidomos pas zënkës me Agimin, i cili e kishte kritikuar Vehbiun dhe shokët se po tregoheshin inferiorë ndaj nesh.
Tregohej i kujdesshëm kur shkëputej nga grupi, për të biseduar me ne. Jetonte me ankth dhe me frikën se nuk do të shihte më Shqipërinë, pasi hasmi i familjes së tij për një gjak, megjithëse ishin pajtuar, mund të shtyhej nga ata që nuk e duan Shqipërinë, që ta vriste. Këtë e theksoi me lot në sy edhe kur u nda prej nesh në Hanin e Hotit.
Ai pretendonte se bisedon gjithmonë me shokët e tij për çështjen e Kosovës, megjithëse e ka të vështirë. Përkrah ata që luftojnë për të drejtat e Kosovës, p.sh. poetin Gërvalla dhe bojkoton ata që janë në shërbim të serbëve, si p.sh. poetin Adem Gajtani, i cili ka dalë dëshmitar në gjyq kundër një shqiptari që shau serbët dhe qeverinë në një kafe.
Ai deklaroi: po gjetët qoftë edhe njëherë fjalën Serbi dhe Tito në librat e mia, më varni. Nuk shkruaj për ta se i urrej”.
Ai ka deklaruar disa gjëra që mendojmë se duhet të mbahen parasysh:
- Sekretari i Ambasadës sovjetike në Beograd ka mbaruar studimet në Shqipëri. Ai ka ushtruar presion te botuesit në Maqedoni, që të shkruajnë keq për vendin tonë. Kohët e fundit është dukur në zyrat e “Rilindjes” dhe ka biseduar me drejtuesit për çështje të tilla.
- UDB ka dhënë urdhër që poetit Gërvalla të mos i botohen më krijime, pasi ai është “ekstremist” d.m.th. i shfaq hapur ndjenjat dhe mendimet e tij për vendin tonë.
- Disa muaj pasi është kthyer në Jugosllavi nga vendi ynë (Vehbiu ka qenë te ne në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972) është thirrur në zyrat e policisë në Prishtinë dhe e kanë frikësuar. Bile edhe e kanë goditur.
- Tajar Hatibi, ish-redaktor në “Pionieri”, ndërhyn në punët e botimeve, duke i detyruar të botojnë materiale për Titon. Ai është një censor për çdo numër dhe artikull.
- Agim Deva, ka bërë thirrje të shkruante vjersha për Titon, pasi donte të botonte një vëllim. Vehbiu nuk pranoi. As Rifati e Qamili. Atëherë Agimi i kërkoi si recensentë. Këta pranuan dhe për sy e faqe thanë fjalë të mira për vëllimin.
Në Ambasadën jugosllave në Tiranë iu është thënë: “Ne dëshirojmë që ju të lini përshtypje të mira dhe të shkruani mirë për Shqipërinë, për ato që shikoni. Kini kujdes të mos bëni pyetje për disa çështje të brendshme, si për çështjen e F. Paçramit, për ndryshimet në Lidhje etj.”.
- Ai tha se në Prishtinë e sidomos në Gjakovë ka grupe të rinjsh që këndojnë këngë për shokun Enver dhe për partinë tonë. Bile ngrenë grushtin dhe thërresin.
- Tregoni disa anekdota kundër Titos dhe serbëve e sidomos kundër boshnjakëve.
- Atdhe Gashi, regjisor, shok i tij, në një kafe ka thirrur “Poshtë Veli Deva”. Iu sul polici, por e tërhoqi Vehbiu me marifet dhe iku e kështu nuk e kapën dot.
- Me mjaft takt, në bisedat që pati me shokët B. Dedja dhe D. Agolli, gjatë darkave të shtruara për ta, V. Kikaj shprehu dëshirën që në Shqipëri të botohen edhe vepra të shkrimtarëve kosovarë për fëmijët. Ai tha midis të tjerash “ne kemi bindjen e plotë se ju na kuptoni. Në kushtet e sotme të Kosovës nuk mund të shkruajmë ashtu siç mendojmë, ndaj jemi të detyruar të përdorim simbolet”.
P.sh. përdorimin e simboleve mund ta shihni qartë në librin tim të fundit “Shtëpia ime ka sy” kur flas për mbretëreshën ilire Teuta. Çdo gjë që kam thënë aty është simbol për Shqipërinë e sotme të pathyeshme”. Në rast se ju do të botoni veprat tona për fëmijët duhet të dini se kjo ka vlerë të dyanshme: e para, sepse kjo do të shërbejë si inkurajim për ne dhe e dyta se sipas pjesëve që do të zgjidhni për t’i botuar në Shqipëri, ne do të kuptojmë se cila pjesë e krijimtarisë sonë për fëmijët është e shëndoshë dhe i shërben edukimit të fëmijëve kosovarë. Pra botimi i shkrimeve tona në Shqipëri do të jetë busull për krijimtarinë tonë.
- Vehbiu shprehu urrejtjen ndaj fushatës shpifëse që ka ndërmarrë sidomos “Nova Makedonia” kundër Shqipërisë.
Qamil Batalli. Kryeredaktori i revistës “Pionieri”. Vjen për herë të parë në Shqipëri. Së shpejti shkon kryeredaktor i “Shkëndisë”.
Është tip i qetë, i përmbajtur dhe i mbyllur. Flet pak dhe interesohet shumë për gjuhën, pedagogjinë, psikologjinë e letërsinë. Shënon në bllok fjalë të urta dhe bleu rreth tri herë më tepër libra se të tjerët.
Ditët e para pothuajse nuk fliste fare. Shfaqi admirim për zhvillimin e arsimit dhe u habit që në fshat ka shkolla të mesme, bile edhe të profilit bujqësor, kur në Prishtinë ka vetëm një shkollë të mesme.
Pas dy-tri ditësh nisi të flasë lirisht vetëm kur nuk shihej e dëgjohej nga të tjerët. Frikën e justifikonte me faktin se në vitin 1947 i kanë zhdukur të vëllanë, ish-pedagog i zoti dhe patriot.
Në bisedat e ditëve të fundit sa herë që ndodheshim vetëm për vetëm me të, ka ngritur lart rolin e partisë dhe të shokut Enver, duke theksuar: “ Ju keni një Parti të fortë e një komandant të zot dhe të guximshëm”.
Vlerëson politikën tonë të mbështetjes në forcat e veta.
Shprehu mendimin se disa na kritikojnë për dyert e mbyllura ndaj turistëve, por në fakt tha se “Ju veproni shumë drejt”. Jugosllavia pa turizmin nuk mund të jetojë. 70 për qind e buxhetit sigurohet nga turistët, shumë familje në bregdet kanë përfitime të konsiderueshme, po bashkë me dollarët turistët sjellin sëmundje vdekjeprurëse për shoqërinë socialiste. Këtë e provoi Jugosllavia. Ky ndikim ndjehet edhe në Kosovë. Ndaj ka shumë pakënaqësi.
I bënë shumë përshtypje parullat, që lexonte rrugëve ose nëpër objekte, sidomos i pëlqenin dy-tre parulla si “E rrezikshme është ajo që harrohet”, “Armiqtë na kanë në grykë të pushkës, ne i kemi në grykën e topit”, “Të mos harrojmë tragjedinë e BS” etj.
- Shpesh interesohej për policët dhe oficerët, sidomos ditët e para. Ditën e fundit e sqaroi këtë gjë duke thënë: “Propaganda te ne kishte krijuar bindjen se ka shumë policë dhe veçanërisht ne do të ishim njerëz që do të ndiqeshim prej tyre. Policët e armatosur me mitraloza ruajnë shtëpitë e të dyshimtëve edhe të kosovarëve... Ne pyesnim pasi nuk po e vinim re një gjë të tillë. Gjithsej këto 12 ditë kam parë vetëm 10 policë. Jam i bindur se propaganda na mashtron atje. Këtë do ta them edhe atje, pasi te ne ka shumë policë të armatosur bile edhe me kërbaçë e shkopinj kamxhiku”.
Interesohej për libra teorike, pasi sipas tij ata janë nën ndikimin e teorive serbe-malazeze.
- Ndjeshmërinë e vet e shfaqi në Shtëpinë Botuese kur nderoi me grusht dhe tha: “Enveri të rrojë sa malet”, pasi pa një ekspozitë me fotografi të shokut Enver, ku pa kooperativistët me pushkë dhe në varrezat e dëshmorëve ku nderoi fshehtazi me grusht.
- Atë ditë që po ndahej nga ne, na përqafoi të dyve bashkë, futi kokën midis trupave tona dhe i mbushi sytë me lot.
- Qysh natën e parë e gjer në fund fjeti në një dhomë me A. Devën. Pretendon se ka biseduar me Agimin për gjithçka panë e mësuan te ne dhe se vuri re ndryshime të mëdha tek Agimi. Ai tha: “U bë shumë mirë që erdhi Agimi. Ai është rritur në ambient tjetër, ka dëgjuar gjithnjë keq për Shqipërinë. Ka ardhur me ne i bindur se do ta prisnit ftohtë, se do ta ndiqnit nga pas e do krijonit incidente për ta ndjekur nga vendi ynë. Ai nuk mund të bëhet si ne, po mësoi shumë të vërteta për Shqipërinë.
Rrallë fliste në praninë e të tjerëve. Më tepër dëgjonte. Ka botuar një tregimin për Titon, i shtyrë nga Agimi. Në të vërtetë ka hequr emrin e Skënderbeut dhe ka vënë emrin e Titos, në një tregim që e kishte gati (këtë na e tregoi Vehbiu)...

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri