Historia e Brigadës “Mërgimi”


Shumë tronditëse është historia e dhimbshme e Brigadës “Mërgimi”. Lufta sjell humbje dhe tragjedi. Kur ato t’i shkakton armiku përballohen më lehtë. Por kur t’i kurdisin ata që ua ke shpëtuar jetën, siç ka dëshmuar komandant Tahir Zemaj, ajo është tragjedi e veçantë. Dihet botërisht se brigada “Mergimi”  ishte më e përgaditura: si me ushtarë edhe me teknikë luftarake e moderne. Për herë të parë para gjithë botës, me proçesverbal të nënshkruar, komandant Zemaj ka  dëshmuar për armatimin që ka disponuar ajo brigadë dhe çfarë ndodhi me atë armatim. Veç kësaj, një zot e di sa  lexues janë neveritur kur kanë lexuar se si forcat shqiptare të Shqipërisë së Fatos Nanos e kishin rrethuar Brigadën “Mërgimi” të UÇK-ës për t’a çarmatosur, për t’a  poshtruar. Por kjo nuk është e tëra! Fatin tragjik që ka pësuar kjo brigadë gjatë rrugëtimit nëpër Shqipëri, sidomos pas hyrjes së saj në Kosovë, është shumë trishtues.

 
Një skenë të ngjajshme trishtuese, siç e ka përshkruar edhe komandanti Zemaj,  e kam parë me sytë e mi në Pejë, në afërsi të ish-shtëpisë së mallrave. Kjo ka  ndodhur vetëm pak ditë pasi kanë hyrë forcat e NATO-s në Kosovë. Nga një kamion i ndalur në rrugën kryesore, në pikë të ditës, zbritnin ushtarë me shenjën e UÇK-ës në ballë, të cilët shaheshin, çarmatoseshin dhe maltretoheshin,  nga ushtarë po të UÇK-ës. Të dy palët flisnin shqip. Çfarë tmerri! Duke parë këtë skenë makabre, nuk munda pa e pyetur një njeri, ç’po ndodhte? Pasi rrudhi krihtë më tha: “Kanë ardhur ata të Drenicës, e po i çarmatosin tradhëtarët e Kosharës”.

Më vonë e kuptova realitetin;  as nuk  ishte UÇK e Drenicës që maltretonte e as ushtarët e maltretuar nuk ishin të Koshares. Kuptova se lufta po hynte në drejtimin prej ku kthim prapa s’ka, pa vrasje politike për pushtet. Dhe vrasjet vazhduan, herë me ritëm më të shpejtë, herë më të ngadalshëm, herë vritej një e herë më shumë veta, herë komandantë të UÇK-së herë politikanë, por gjithmonë sipas listave të zeza, të përgaditura gjatë luftës. Edhe komandantin Tahir Zemaj, të birin e tij Enisin dhe kusheririn, kryetarin e FR të LDK-së së Deçanit, i vranë ata që Komandanti Zemaj ua ka shpëtuar jetën me ushtarët e vet. I kishte shpëtuar kur ishin gjetur në rrethim të hekurt nga forcat serbe. Çka të thuhet tjetër, veçse vrasje sipas radhës së shkronjave të alfabetit. Sa shumë shkronja ka edhe ky alfabeti jonë!?…
Komandantit Tahir Zemaj, djalit të tij Enisit dhe kusheririt Hasanit, u qoftë i lehtë dheu i Kososvës! Ai dhé që e çliroi vetë komandant Zemaj për gjeneratat e ardhshme, për fëmijët e bukur të Kosovës,shkruan në mes tjerash 
Sefedin KRASNIQI.


Brigada “Mërgimi” rrethohet nga kalashët e Mejdanit dhe të Nanos !
Ndërkohë që Gjenerali Xhekson me oficerët e Ushtrisë Serbe nënshkruajnë marrëveshjen e kapitullimit të forcave serbe në Kumanovë, menjëherë Presidenti i Shqipërisë dhe Kryeministri i saj dolën me një deklaratë ku kërkohej “çarmatimi i njësive të Bujar Bukoshit, pasi ato rrezikonin pushtetin në Shqipëri”!! Thjeshtë kjo deklaratë , është e zonja të dëshmojë se kush e kishte dëmtuar dhe penguar luftën në Kosovë, se cila aleancë i kishte bërë puç përpjekjeve të jashtëzakonshme të institucioneve të Republikës së Kosovës për të organizuar dhe drejtuar një rezistencë dinjitoze ushtarake ndaj pushtuesit serb.

Toiaj Ilir i Zemaj



Një ditë më vonë, pas kësaj deklarate – rrëfen Tahir Zemaj – kazerma jonë në Mamurras është gjendur e rrethuar nga forca të shumta të ushtrisë dhe policisë së Qeverisë Shqiptare. Imagjinoni se çfarë gjendje shpirtërore mund të jenë gjendur ushtarët dhe oficerët e Brigadës “Mërgimi”, që kishin ardhur nga të gjitha shtetet e botës për të luftuar për Kosovën e tyre, dhe në një mëngjes të bukur gjenden të rrethuar nga forcat e ushtrisë shqiptare ?!
Në bisedime me drejtuesit e atij “operacioni” dhe në marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Rendit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, kemi arritur në përfundim që ne nuk do të dorzonim armatimin personal, deri në kalibrin 12.7 mm. Do t’u mbetej ushtarëve, dhe nëse ishte nevoja do t’ua dorzonim forcave të NATO-s dhe të magazinoheshin në Kosovë, pasi ishin pjesë e pasurisë së saj. Armatimin e rëndë : disa lloje topash, minahedhësish, raketash kemi vendosur që me Proçes-Verbal t’I falet Akademisë ushtarake të Shqipërisë.
Nga ana e Policisë Shqiptare është marrë angazhimi që ata të na shoqëronin deri nhë kufi për të na “mbrojtur” nga incidentet. Mua, me dekret, më kanë emëruar në një detyrë tjetër pranë Ministrisë së Mbrojtjes së republikës së Kosovës. Më është thënë që të nesërmen do të takoheshim bashkë me Presidentin e kryeministrin, me gjeneralin Xhekson.
Drejtimin e Brigadës e ka marrë zoti Fazli Rugova, zëvëndësi im. Brigada është nisur drejt veriut për të kaluar në Kosovë. Ndërkohë, ajo është braktisur nga policia ushtarake dhe ajo e rendit e Shqipërisë, që sipas marrëveshjes kishte marrë përsipër shoqërimin e saj deri në kufi, rrjedhimisht ata kanë rënë në një pritë të disa forcave policore – paramilitare afër Tropojës.
Megjithatë kanë mundur të depërtojnë pa luftime, pasi kam komunikuar drejt për drejt me komandantin e Brigadës dhe i kam thënë se, nëse pas pesë minutave nuk hapej rruga atë do ta hapnim ne me të gjithë fuqinë e zjarrit që posedonte brigada. Kam kërkuar të flas me drjetuesin e forcave policore paramilitare, ish shefin e komisariatit të Tropojës, haklaj, e kam informuar se ka një marrëveshje e ai më ka thënë se nuk e njihte atë marrëveshje. Atëherë i kam thënë se, nëse ai nuk i njihte eprorët e tij dhe marrëveshjet e nënshkruara prej tyre, ne do ta hapnim rrugën me zjarrë.

Pas kësaj ai më është përgjigjur që “ne qenkeshim vëllezër” dhe rruga është hapur pa pasur nevojë për shkëmbime zjarri. Në fakt brigada nuk kanë pasur atë itinerar që ka ndjekur. Ajo nuk ka pasur të shkojë fare në tropojë, pasi rruga mes Kukësit dhe Tropojës ndahet në qafë të Malit, në bjeshkët e Fushë Arrëzit.
Pikërisht aty ka filluar vënia në jetë e skenarit të ri ose e marrëveshjes së fshehtë për çarmatimin e plotë të Brigadës. Ja sepse zoti Ramë maraj me një pjesë të policisë Ushtarake të UÇK-së pranë Ministrisë së Mbrojtjes së republikës së Kosovës, nuk i ka shoqëruar trupat sipas marrëveshjes. Kam ndjerë se po luhej një lojë e ligë, pasi një pjesë e shtabit me policinë ushtarake kanë hyrë pa asnjë problem në Kosovë, nëpërmjet Kukësit, ndërsa trupat e brigadës kanë kaluar nëpër një kalvar shumë të gjatë. Ram Maraj duhet tashmë vetë të bëjë publik qëndrimin e tij, pse nuk i ka shoqëruar trupat sipas marrëveshjes, pse brigada “Mërgimi” ka devijuar rrugën, çfarë e ka penguar atë të paraqitet në orën e caktuar për fillimin e marshimit të Brigadës etj?


Pasi kanë kaluar pritën në hyrje të Bajram Currit, brigada ka marrë drejtimin e Qafë Luzhës, ka dalë në kam, Has, Krumë, Kukës, pastaj në Qafë të Morinës. Praktikisht ka bërë më shumë se 200 km rrugë të pa asfaltuar, malore, tepër të vështirë në vend se të kalonte sipas planit drejt në rrugën e Kukës-Prizren. Në tokën e Kosovës, brigada fillimisht është pritur nga KFOR-i gjerman, të cilit I është dorëzuar një pjesë tjetër e armatimit me proces-verbal.
Prej në Prizren brigada ka provuar një ferr të vërtet. Tashmë ishin “fitimtarët”, ata që ushtruan dhunë mbi brigadën “Mërgimi”, disa plehra që qenë organizuar dy-tre ditëve të fundit, si gjoja policia e UÇK-së e të tjera formacione më të vogëla që qenë formuar nëpër male e që kishin zbritur si çlirimtarë qyteteve e fshatrave të Kosovës. Duhet theksuar se ditëve të fundit janë formuar me dhjetëra njësi të tilla, me numra e emra, të cilat kishin një ditë apo dy që ishin kthyer në Kosovë, nga kampet apo nga bregdeti dhe pretendonin se kishin marrë pjesë në luftime për çlirimin e Kosovës !
Po të mos kishin qenë forcat gjermane, do të kishin ndodhur edhe incidente të përgjakshme. Edhe në Gjakovë ka pasur rrahje, fyerje, keqtrajtime deri në orën 24. Po ashtu ka ndodhur edhe në Pejë.
Forcat Italiane nuk kanë qenë të informuara mirë. Këtë gjë e kanë shfrytëzuar “policët” e UÇK-së. Aty është marrë e gjithë njësia dhe është dërguar në drejtim të Dashinocit me urdhër të Shatbit, se gjoja këto ishin bandat e Bujar Bukoshit dhe të Tahir Zemës. Në Ratishë është plaçkitur gjithë arsenali i ndërlidhjes, kamionët, paisjet e tjera automibilistike, çisterant, uniformat, të hollat personale etj. Në ish fabrikën e “Zastavës” kanë ndërhyrë forcart e KFOR-it italian dhe për fat deri në atë çast nuk ka pasur të vrarë.
Të nesërmen me përcjelljen e KFOR-it janë nisur për në Prishtinë ku edhe janë shpërndarë. Kjo rrugë për të hyrë në Kosovën e lirë, ka qenë shumë më e përgjakshme se marshimi i tri brigadave një vit më parë, kur Kosova gjendej e pushtuar nga forcat policore-ushtarake serbe. Nuk mund të harrohet kurrë, dhe dikush do të përgjigjet një ditë për pesë luftëtarët e kësaj brigade, Rexhë Osaj nga Deçani, Bashkim Balaj i Isniqit, Sinan Musaj nga Strellkci i Epërm, Ram Peja nga peja dhe Vesel Muriqi nga Rugova e Pejës, të cilët drejtonin automjete të kolonës e që janë marrë dhe dërguar në zyrën e “Prefektit të Pejës” një kushëri i Agim Çekut, Et’hem Çeku dhe të Ramush Haredinajt.
Aty ata jjanë rrahur barbarisht, u janë thyer brinjët, janë sharë e ofenduar, pastaj është urdhëruar : “të veprohet dhe të dërgohen atje ku duhet !”. I kanë nisur në drejtim të Ratishit përsëri nën komandën e “togerit” dhe prej atij momenti nuk dihet më asgjë për ta. Më vonë nga ana e KFOR-it italian është bërë ekspertiza e vendit të ngjarjes, pasi sipas dëshmitarit që ka mbetur gjallë, Vesel Muriqit, ata mund të jenë ekzekutuar. Veseli ka dëshmuar edhe për ato skena të tmerrshme që kanë ndodhur në zyrën e Et’hem Çekut dhe Ramush haredinajt.
Të gjithë ushtarët e tjerë nuk kanë mundur të inkuadrohen asnjëherë, disa prej tyre janë urdhëruar të paraqiten pranë komandave lokale për t’u marrë në pyetje dhe për të dëshmuar prezencën, një imitim i shëmtuar i skemave të policisë serbe. Të gjitha këto gjëra po dokumentohen dhe po përgatiten akuza të mbështetura ligjërisht dhe nuk do të jetë e largët dita që personat përgjegjës do të japin llogari dhe nuk do të jetë e largët dita që personat përgjegjës do të japin llogari për këto sjellje barbare. Tashmë po merret vesh më së miri se kush ishin ata që luftuan për çlirimin e atdheut.
Ata që dikur i shisnin mend popullit se duke qenë bij të tij nuk kishin nevojë për grada dhe për akademi për ta çliruar Kosovën, sot janë vetëgraduar, gjeneralë e nën gjeneralë, kolonelë e marshallë, veç gjeneralisim nuk ka sot në Kosovë. Gjatë gjithë luftës në Kosovë, ka pasur vetëm dy beteja, ajo e Loxhës dhe e Kosharës, nuk duhet ngatërruar pritat apo ndonjë shkrepje armësh me beteja, as marrja e ndonjë poste policie me dy-tre policë, as bombardimet e serbëve ndaj popullsisë civile. Beteja të mirëfillta me luftëtarë të rreshtuar në front, ka pasur vetëm dy, ato që i përmenda.
Eprorët dhe luftëtarët që morën pjesë këto dy beteja dhe që u flijuan nuk janë graduar, janë graduar njerëz të tjerë. Në fund të fundit është e nevojshme të marrim vesh se ku e kishin hallin ata njerëz, çfarë qëllimi kishin, ta digjnin Kosovèn bashkë me forcat serbe, apo ta çlironin atë bashkë me ne ??
Sot është fakt që njerëzit po zgjohen, ata e njohin të vërtetën, ne kemi borxh të ofrojmë dëshmië tona me qëllim që pejsazhi tragjik, por edhe heroik i Luftës së Kosovës të ndriçohet sa më mirë që të jetë e mundur, me qëllim që t’u lëmë brezave dëshmi të pakontestueshme. Vetëm kështu ata do të mund të korrigjojnë gabimet tona pa i përsëritur ato. (Kështu foli Tahir Zemaj,Fq.119 – 124)

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri