Jakup Krasniqi: Ka vite që studentët janë vënë në shërbim të mbledhësve të votave për sundim

​Jakup Krasniqi: Ka vite që studentët janë vënë në shërbim të mbledhësve të votave për sundim
Deputeti dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA's, Jakup Krasniqi, në një shkrim të postuar në Facebook, për gjendjen e fundit në Universitetin e Prishtinës, thotë se studentët duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë: të protestojnë për mungesën e profesorëve, për ligjëratat e dobëta, për numrin e madh të studentëve.
Ai thotë se "sikur të mos ishte kryer puçi mbi Kuvendin", deri tani ky institucion do të duhej të merrej seriozisht me çështjen e arsimit.
Shkrimi i plotë në Facebook:
PËRCKA DUHET TË PROTESTOJNË STUDENTET?
Shkruan: Jakup Krasniqi
Sikur mos të ishte suspenduar nga një veprim më shumë se arbitrar puna e Kuvendit të Kosovës; sikur mos të ishte kryer puqi “kushtetues” mbi organin më të lartë të shtetit; sikur mos të ishte plagosur për vdekje Republika Parlamentare e parlamentarizmi, Kuvendi i Kosovës do të duhej të merrej seriozisht me çështjen e arsimit në përgjithësi e të arsimit të lartë në veçanti. Por kjo është e pa mundësuar nga ata që patën fytyrë të na flasin për demokracinë!!! në ditën e Demokracisë me Kuvend të suspenduar. Një soj i njerëzve mendon se fytyra e njeriut është sa Fushë e Banatit e jo “dy gisht” fytyrë që lehtë mund të humbet!? Pasi fjala në Kuvend është pamundësuar, e shfrytëzoi ketë formë për ti shfaqur shqetësimet e mija jo vetëm si deputet i zgjedhur, por në rend të parë si arsimdashës e qytetar i Republikës Parlamentare.
Pa dashur të bëhem avokat i Rektorit të posa zgjedhur, të cilin personalisht nuk e njoh, nuk mund të pajtohem me veprimet e ngutshme të studentëve, të cilët nuk reaguan meritueshëm ndaj asnjë skandali dhe veprimi shkatërrues në arsimin e lartë gjatë gjithë këtyre viteve, në vend se të bëhej e kundërta. Studentët duhet të reagojnë e të protestojnë fuqishëm e guximshëm, parësisht për ngritjen e cilësisë së studimeve e jo të bëhen argat të këtij apo atij rektori a ish rektori që kanë kontribuar në degradimin e Universitetit publik. Sigurisht që nuk ka qenë e zgjedhur as gjuha e Rektorit të posa zgjedhur të cilit nuk po i epet koha e duhur për të treguar përgjegjësinë e tij në ndryshimin e gjendjes në arsimin e lartë. Ai është dashur të fliste më një gjuhë të zgjedhur, se atë detyrë po e pranonte për hir të Universitetit e jo të interesit personal a familjar, se ishte sakrificë e jo privilegj të qenit Rektor në këto momente. Nëse Rektori i ri e ka thënë një të vërtetë që i ka goditur veset e ndonjë studenti, qoftë ai apo ata edhe përfaqësues studentor, në ketë rast ata do të duhej të reflektonin e jo të pretendonin se janë të pa prekshëm nga veset e këqija të shoqërisë sonë në tranzicion.
Në rastin tonë, studentet duhet të përcaktohen, për rikthimin e gjendjes se shitblerjes se notave, të vazhdimit të agonisë më shumë se dhjetëvjeçare apo të mendonin më shumë për rehabilitimin e studimeve në Universitetin e Prishtinës – “Hasan Prishtina”.
Ne, në Kosovë nuk mund të jemi të pa kënaqur me shumësinë e numrit të studentëve të regjistruar në universitetet tona publike e private, por duhet të jemi më shumë se të shqetësuar me kualitetin e studimeve në të gjitha fakultetet e universiteteve tona. Pse studentet tanë nuk po reagojnë a protestojnë asnjëherë, e më asnjëherë për ligjërata të dobëta, për cilësinë e dijeve që marrin dhe për mungesat e shumta të profesorëve në orët e mësimeve, disa prej të cilëve janë bëre supremen për vende e shumta të punës, në vendim më shumë të papunë.
Kosova që sa vite nuk mund të qahet (ankohet) për numrin e madh të studentëve që regjistrohen për çdo vjet, sidomos ata që regjistrohen në fakultetin ekonomik e juridik dhe njëkohësisht ekonomistët e juristët na mungojnë me të madhe. Pse? Me keqardhje duhet ta them, ka vite që studentet janë vërë në shërbim të mbledhësve të votave për sundim! Studentet duhet të vihen në shërbim të studimeve të përparuara, pa të cilat nuk ka zhvillim e progres shoqëror.
Personalisht do të ndihesha shumë më mirë sikur gjendja të me demantonte apo të ishte ndryshe!

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri