Shqipëria, duaje ose lëre!

Nga Gideon Levy
Tiranë, Shqipëri
gideonNjë kopshtar krasit gëmushat dekoruese në oborrin e madh të një ndërtese në rrugën Ismail Qemali. Shtëpia me hapësira të bollshme të kujton vilat në Tel Avivin e viteve 1960, me grila të drunjta,  ballkone të gjera, tri-katëshe, pothuajse e stilit Bauhaus.
Shqipëria nuk di ç’të bëjë me këtë ndërtesë. Shumicën e vitit është e mbyllur për publikun dhe muret kanë zënë myk, por kopshtari vazhdon të punoj, ne oborrin e lënë pas dore.
Kjo ka qenë shtëpia e Enver Hoxhës, i cili udhëhoqi me dorë të hekurt për 40 vjet me rradhë. Kryeministri i sotëm, Edi Rama, thotë që do të donte ta kthente këtë ndërtesë,  në qendër arti, gjë që Hoxha e urrente më shumë se gjithçka. Kjo do të ishte një hakmarrje  e ëmbël për Ramën, një artist që u detyrua të largohet nga vendi i tij, për t’u kthyer si Ministër Kulture, mandej kryetar bashkie i Tiranës, dhe nga  Shtatori i vitit 2013, kryeministri karizmatik e premtues i vendit.
Zyra e Ramës mund të ketë më shumë larmi ngjyrash se çdo zyrë kryeministri në botë. Muret janë zbukuruar me afresket e tij të veçanta. Nuk ndalon kurrë së vizatuari skica, edhe gjatë takimeve  të punës. Skrivania  e tij është e mbushur me lapsa shumëngjyrësh.
Këtë pasdite, ky burrë mbreslënës – mbresëlënës edhe fizikisht, pasi është i gjatë dhe ka luajtur basketboll në rini – duket i rraskapitur. Mbase nuk ka shumë kryeministra që perballen me sfida kaq të ndërlikuara, e njëkohësisht me aq pak mundësi zgjidhjeje.
Rama udhëheq qeverinë socialiste të një prej vendeve më të varfra (Shqipëria zë vendin e 121-të në botë) dhe me më shumë korrupsion (zë vendin e 116-të në botë për vitin 2013, sipas  Transparency International). Shqipëria, e cila ndodhet vetëm një orë fluturim larg nga Roma, vuan një imazh,  qe ndoshta nuk e meriton.  Përmendet vetëm për trafiqe, prostitucion, mafie dhe varferi. Rama e di mirë këtë.
Në hyrjen e banesës së dikurshme të Enver Hoxhës, një shitës ambulant ofron misër të pjekur për pak qindarka. Përballë vilës ndodhet “Kazino Imperial”. Dikur, kjo lagje e quajtur “Blloku”, ishte zonë e ndaluar për publikun e zakonshëm, për dhjetëvjeçarë të tërë tiranie dhe izolimi të pashoq.
Tani, si për të sfiduar ish-udhëheqësin e vdekur, Blloku është kthyer në qendër të zhurmshme argëtimi me dhjetëra bare, restorante e kafene. Por varfëria dhe dëshpërimi vazhdojnë të ndihen pezull në ajër. Ky vend i varfër ka ende shumë për të bërë që t’i shërojë plagët e të shkuarës. Vendi i quajtur dikur “Koreja e Veriut në Europë” ende s’e ka marrë veten nga trauma. Nderkohë vejusha e moshuar e Hoxhës jeton në varfëri, në një ish-pulari.
Vendi që udhëhiqej nga një njeri që ndërtoi 700.000 bunkerë kundër armiqve imagjinarë, ende sot jeton ne perpjekje për të dalë nga  bunkeri mendor. Rama thotë se pengesa kryesore që has vendi është pabarazia midis arsimit dhe arsimimit, dhe mosbesimi që kanë njerëzit ndaj shtetit.  “Edhe një gjerman që në vendin e tij do ta vinte gjithnjë rripin e sigurimit për të ngarë makinën, në Shqipëri do të udhetonte  pa të”, shpjegon Rama
Si kryetar bashkie i Tiranës, Rama ra në sy për shkatërrimin e qindra ndërtesave të paligjshme dhe për lyerjen e pallateve kryesore të qytetit me “ngjyrat e Ramës”, duke i nxjerre nga  shëmtia arkitekturore komuniste. Por Tirana vazhdon sërish të jetë nje qytet i ngathët dhe pa shkëlqim.  Ndryshe nga vende të tjera në Shqipëri,  zonat malore dhe ato bregdetare ofrojnë bukuri spektakolare, ende të pazbuluar nga turizmi botëror. Ndërsa globalizimi e ka anashkaluar Shqipërinë: këtu nuk ka McDonalds, Ikea apo Starbucks.
Shqipëria është një vend me fe të ndryshme e me shumicë myslimane, por në thelb është laik.Feja nuk shënohet në dokumentet e identifikimit, dhe për shumicën e njerëzve nuk përbën asnjë problem nëse fëmijët e tyre martohen me dikë të fesë tjetër. Nga kjo pikëpamje, Shqipëria mund të shërbejë si shembull.
Në fakt, heroi kombëtar i Shqipërisë, një figurë e shekullit të 15-të, i ka ndërruar fetë katër herë gjate  gjithë jetës së tij. Poema e parë që mësohet në shkollat e vendit është shkruar nga një poet i shekullit të 19-të, Pashko Vasa, e thotë: “Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit eshte shqiptaria”. Varrezat janë laike në përbërje, dhe të njëjtat lule plastike zbukurojnë varret e të gjitha feve.
Shumica e shqiptarëve e përshkruajnë veten si te mos i përkasin asnjë feje, edhe pse shumica janë myslimanë Suni ose Bektashinj. Të krishterët janë katolikë ose ortodoksë, me pak protestantë. Vetë kryeministri është pagëzuar si katolik, por e quan veten si njeri që nuk i përket asnjë feje.
Çështjet e Lindjes së Mesme ngjallin pak interes këtu, dhe qëndrimi ndaj Izraelit nis që nga më miqësori e deri tek moskokëçarësi. Një kërkues i ri që punonte për një program televiziv më pyeti nëse palestinezët janë hebrenj. Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, prof.Tonin Gjuraj, tha që e vinte në dyshim faktin që Bregu Perëndimor ishte “territor i pushtuar”.  Ai ka qene ambasador në Izrael.
Disa njerëz gjejn ngjashmëri midis dy vendeve tona;  të dy jemi kombe të vogla e të rrethuara nga armiq – në rastin e tyre, siç mendojn shumë shqiptarë, janë Serbia dhe Greqia. Asnjë hebre nuk u vra gjatë holokaustit në këtë vend, një fakt për të cilin shqiptarët ndihen krenarë edhe sot. Marrëdhëniet midis Izraelit dhe Shqipërisë janë të mira, edhe pse Izraeli s’e ka njohur pavarësinë e Kosovës, për zhgënjimin e madh të Tiranës.
Industria ushtarake izraelite nuk ka ndonjë treg këtu. Shqipëria e ka shpërbërë një pjesë të mirë te ushtrisë me kërkesë të NATO-s, në të cilën janë bërë pjesë. Vitin që vjen, Shqipëria do të ketë  8500 ushtarë gjithsej, ndërkohë që në pikun e saj ka pasur 80.000. Forcat ajrore janë shpërbërë pothuajse plotësisht, dhe mbrojtjen ajrore të Shqipërisë e kanë në dorë vendet fqinje.
Baza e madhe detare në Pashaliman, në brigjet jugore të Adriatikut, është pothuajse e braktisur. Mbetjet e nëndetëses 105  jane si monument i së shkuares. Në kulmin e Luftës së Ftohtë, Shqipëria ishte dalja e vetme e Bashkimit Sovjetik në Mesdhe.  Shqipëria u tërhoq nga Pakti i Varshavës në fund të viteve 1960, duke u shndërruar në vendin më të izoluar në botë.
Në këtë bazë hymë falë Dritan Hilës, Zëvendës Ministër i mbrojtjes. Hila na tregon me entuziazëm, vendin e tij, bashkë me të shoqen, Rudina Xhunga, e cila drejton një program televiziv prestigjioz në Top Channel ( ku dhashe intervistën që ishte edhe  shkaku i kësaj vizite).
Xhunga e ka vizituar dy herë Izraelin, për të intervistuar shkrimtarët e njohur Amos Oz dhe David Grossman; burri i saj është një mbështetës i hapur i Izraelit dhe i mirëinformuar  për ngjarjet më të fundit atje.
Në fakt, çifti ka të gjithë veprën e  Ozit në apartamentin e tyre të bukur në katin e epërm të një ndërtese në zemer të Tiranës, ku nuk mungojn edhe dy shandanë hebrenj “Hanuka menora”. Ozi duket se eshte  autor mjaft i pelqyer ne Shqiperi.
Në kohën e lirë, zëvendës Ministri i Mbrojtjes bën raki e verë të shkëlqyer që ua dhuron miqve. Të dyjave u ka vënë emrin e vajzës së vogël të çiftit, Alanës.
Rroga e Hilës është rreth 800 euro në muaj. Monedha vendase quhet “Lek” dhe çmimet në rruge janë shumë të lira për një të huaj. Gatimet e detit dhe mishi i pjekur i qengjit janë të shkëlqyera.
Tregu i zi vazhdon të zërë gjysmën e veprimtarisë ekonomike të Shqipërisë, sipas studimeve. Reputacioni i keq ka bërë që të mos ketë shumë investime të huaja, të cilat Shqipëria i kërkon me dëshpërim, edhe pse ofron krah të lirë pune, vetëm një orë fluturimi larg Romës.
Tirana sikur zbehet me rënien e muzgut. Fshatrat në rrethinat e saj zhyten në errësirë të plotë. “Mont Blanc”, një ëmbëlsirë që shërbehet në tarracën e një hoteli në qytetin e Beratit, është tmerrësisht  e ëmbël dhe kushton vetëm një euro.
Shumica e banorëve zgjedhin si formë argëtimi të shëtisin lart e poshtë nëper rrugën kryesore  të këtij qyteti gjithë dritë dhe dritare. Duke udhëtuar sërish për Tiranë,  zëri i këngëtarit izraelit “Asaf Avidan” dëgjohet nga radioja e makinës së zëvendës ministrit, teksa këndon “Love it or leave it”
Regjimi komunist ishte vërtet mizor dhe e shkatërroi shoqërinë shqiptare. Kryeministri Rama thotë: “Për të bërë një revolucion duhen disa orë, por që ta ndryshosh shoqërinë do të duhen dhjetëvjeçarë. Regjimi i mëparshëm premtonte parajsën, por solli ferrin”.
Vete Rama e beson parajsën qe premton. Nuk di sa gjasa ka, ky udhëheqës jo i zakonshëm, ta mbajë fjalen qe i ka dhene kësaj toke të lënduar nga 500 vjet pushtim otoman e 5 dhjetëvjeçarë regjimi komunist.
Për momentin, ai po me shkruan nje dedikim interesant, për albumin e madh të pikturave, titulluar thjesht,  “Edi Rama”.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri