Ilire Zajmi: Gazetarinë e kam profesion, Letërsia është dashuria ime




Ilire Zajmi është nga shkrimtaret pioniere të fillim -viteve të demokracisë në Kosovë. Dhe jo vetëm kaq! Ajo ështëgazetare, shkrimtare, përkthyese e studiuese.

Ka studiuar drejtësinë.Magjistre e shkencave të gazetarisë e komunikimit masiv.Jeton në Prishtinë dhe aktualisht punon në Radio Televizionin Publik të Kosovës ( RTK), gjithashtu edhe korrespondente e Agjencisë italiane të lajmeve, ANSA .

Profesoresha e gazetarisë ështëautore e përmbledhjeve me poezi: “Këmbanat e mëngjesit”-Prishtinë (1991), “Baladë e bardhë “ – Prishtinë (2000), “Amnesia” në gjuhën angleze, shtëpia botuese Corpos Editora, Portugali (2011), ‘Ëndërr e huaj” në formatin e-book Filozofia urbane (2013), përmbledhjen me poezi në gjuhën frënge “C’est la fin” botuar nga shtëpia botuese l’Harmattan, Francë (2014).
Autore e romanit “Fashitja e ëndrrave rebele” Prishtinë (1996), librit publicistik bashkë me gazetarin italian Filippo Landi “Un treno per Blace” botuar në gjuhën italiane nga shtëpia botuese la Meridiana në Itali (1999); “Një tren për Bllacë”, shtëpia botuese Saga Prishtinë (2011), librit studimor në fushën e gazetarisë “Pamjet televizive dhe realiteti” shtëpia botuese Rozafa , Prishtinë (2011). Autore e romanit “Era” botuar nga shtëpia botuese ” Bota Shqiptare” Tiranë 2014.
Ka sjellë në shqip nga gjuha italiane, së bashku me Anton Nikë Berishën, poetin italian Giuseppe Napolitano.

Shkrimtarja dhe Studiesja e njohur Ilire Zajmi ështëprezantuar edhesi autore në revista letrare e antologji ndërkombëtare.

Poezitë e saj janë përkthyer në disa gjuhë të botës si anglisht, frëngjisht, italisht, portugalisht, rumanisht, në gjuhët malazeze, kroate, boshnjake, etj.
Pjesëmarrëse në festivale ndërkombëtare të poezisë.Fituese e çmimit “Ventennale” në konkursin ndërkombëtar për poezi në Milano të Italisë, 2011. Fituese e çmimit të parë për poezi në manifestimin “Mitingu i Poezisë” edicioni i 49 në Gjakovë, maj 2013.

Anëtare e PEN qendës së Kosovës dhe asociacionit Poetas del Mondo (Shkrimtarët e botës).
Koordinatore e festivalit ndërkombëtar “Britma e gruas” etj.

Bisedoi:Raimonda MOISIU


1 Ilire Rugova


-Jeni nga shkrimtaret pioniere të fillim -viteve të demokracisë në Kosovë. Kalimi juaj i sukseshëm nga juriste në gazetare e më pas në poete e romanciere. C’mund të na thoni si filloi karriera tuaj letrare? Si u gjendët në këtë “udhëtim” të bukur e mbresëlënës?

ILIRJA: Të bëhesha shkrimtare kam ëndërruar si fëmijë. Kam botuar vjershat e para në moshë fare të njomë. Studimet në fushën e jurisprudencës vetëm se pasuruan njohuritë e mia dhe më ndihmuan shumë në udhëtimin që kisha nisur drejt botës së madhe të librit. Me gazetari fillova të merrem kur isha studente, mirëpo shpirtin e kisha gjithmonë te poezia.

Prandaj studimet, profesioni i gazetares dhe pasioni për të shkruar , të gjitha kanë një emër: dashurinë për letërsinë, artin, të bukurën. Është një udhëtim i projektuar gjatë, i cili më sfidon , më jep kënaqësi, më merrë shumë energji, por edhe më përmbush shpirtërisht si asgjë tjetër.


E kam thënë gjithnjë gazetarinë e kam profesion, letërsinë dashuri.

-Ju jeni poete. Qindra vargje poetike dhe disa vëllime me poezi. Po citoj disa tituj të vëllimeve me poezi ; “Këmbanat e mëngjesit”-Prishtinë (1991), “Baladë e bardhë “ – Prishtinë (2000), “Amnesia” në gjuhën angleze, ‘Ëndërr e huaj” në formatin e-book Filozofia urbane (2013), përmbledhjen me poezi në gjuhën frënge “C’est la fin” botuar nga shtëpia botuese l’Harmattan, Francë (2014), dhe bashkëautore në antologji kombëtare e ndërkombëtare. C’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional?

ILIRJA: Librat e botuara flasin me gjuhën e tyre. Secili libër i botuar në Kosovë apo jashtë është një aventurë e re letrare, përvojë në vete.Për secilin varg e secilën fjalë, duhet shumë punë, sakrificë e kohë.Letërsia është kërkuese, ashtu si fryma e ajri që thithim. Më pëlqen të mos ndalem, të jem vazhdimisht në kërkim të motiveve të reja, të hapësirave të reja letrare..
E bindur se librin më të mirë akoma se kam shkruar, vazhdoj të punoj me përkushtim e ambicie në rrugën që kam nisur.Sukseset vijnë më pas, e nuk mungojnë.

-Cili është elementi më i rëndësishëm dhe interesant për të shkruar një libër të suksesshëm me poezi?

ILIRJA: Temat që trajton, gjuha që përdor, vargëzimi , stili origjinal por mbi të gjitha talenti. Pa pasur talentin, të tjerat janë kot.

-Cfarë shërben si frymëzim për të shkruar poezi? A keni ndonjë ndjesi të vecantë kur ju shkruani poezi të bukur, të ndjeshme e të mirë?

ILIRJA: Më inspirojnë gjërat e thjeshta të jetës, gjërat për të cilat shpesh harrojmë se ekzistojnë. Më inspiron vazhdimisht jeta, dashuria por edhe vdekja. Kur shkruaj diçka që më ngjason e mirë, ndjehem pezull, si të jem në ajër.

-Kur shkruani poezi, cili është vendi tuaj më i preferuar, në studio, në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?

ILIRJA: Nuk kam vend të preferuar. Mbaj gjithmonë me vete laps e letër. Vendi është irrelevant.

-Cfarë është muza për ju, është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj?

ILIRJA: Muza është hyjni, është trill i perëndive. Mister.

-Ju keni një aftësi të pabesueshme të stilit tuaj poetik, që dëshmon gjithnjë e më shumë se jeni ndër poetet e shquara të letërsisë shqipe. Kur ju shkruani një poezi, cila është pjesa më e vështirë; shtjellimin e elementeve me modelet e fjalës që e përbëjnë, muzikaliteti i vargjeve, strofës, kadenca, ruajtja e rimës, metaforat, figurat artistike, vargjet e lira… Ku qëndron forca e inteligjencës tuaj;është ambicje sfidë apo të dyja bashkë?

ILIRJA: Të shkruarit është magji. Kur hedh vargjet në letër, e analizoj a i kam thënë ashtu si i kam menduar. Shpesh shkruaj në disa variante, derisa poezia merrë formën me të gjitha finesat artistike.Ndodh që edhe atëherë të kërkoj më tepër nga vetja.

-Ju shkruani poezi lirika dashurie “të pastra dhe të drejtpërdrejta në të shprehur” –dhe vërtet jeni nga poetet e rralla që me vargjet tuaja shpërthyese ilustroni dashurinë njerëzore. Si ja arrini ta bëni këë?

ILIRJA: Dashuria është esenca e ekzistencës njerëzore. Ajo që na fisnikëron shpirtin e plotëson jetën. Nëse nuk do shkruaja për dashurinë, se besoj se do të shkruaja fare.

-Cfarë ju shtyn të shkruani një poezi protestë me ton qytetar, intelektual e social?

ILIRJA: Realiteti që jetojmë, koha dhe rrethanat, padrejtësitë. E mira dhe e keqja që përjetojmë në botën tonë. Të mos ngresh zërin kundër këtyre dukurive, dmth. të pajtohesh me to.

-Ju përvecse poete jeni romanciere dhe publiciste. A i shihni këto zhanëre si sfidë?

ILIRJA: Poezia është religjioni im. Prozën e shoh si një zhanër ku jam sprovuar më pak dhe synoj të vazhdoj. Ndërsa sa i përket publicistikës, me librin e botuar në Itali “Një tren për Bllacë” kujtoj se ia kam dalur ta sfidoj veten me sukses.

-Cila është sfida për të shkruar një roman? Zhanërin e romanit e “bëtë ju të vinte të ju”, apo është preferenca tuaj?

ILIRJA:Proza është zhanër që pak e kam lëruar deri më tani. Është preferencë imja që t’i rrekem këtij zhanri me seriozitet.

Kur ju shkruajtët romanin “Fashitja e ëndrrave rebele”(1996) dhe këtë vit romanin “Era” (2014), të vlerësuara ndjeshëm nga kritika e kohës, dhe këto vepra nuk janë fantazi, por është bota e brendëshme njerëzore.Si shkoni ju në lidhje me vendosjen e emrave, të vendeve në ndërtimin e një “bote të re” me tipikë;burim-rrëfim-frymëzim-kulturë?

ILIRJA: Romanet që ju përmendi shtellojnë ngjarje reale, romane për “kohën e thyer” siç u vlerësua në një shkrim të botuar. Janë ngjarje e personazhe nga jeta reale.Një histori dashurie, e vendosur në një periudhë historike, në Kosovën e viteve 90’.
Historia e dashurisë mes Erës e Butrintit, personazheve kryesore është vendosur në sfondin historik të kohës që i përket. Nëpërmjet tyre dhe fatit të personazheve të tjerë, jipet një tablo e qartë e jetës politike dhe sociale në Kosovën e asaj periudhe: instalimin gjithnjë e më shumë të terrorit serb, papunësinë, pasigurinë për të ardhmen, shpërnguljet masive drejt perëndimit, dilemat e shumta mbi të ardhmen, arrestimet dhe pushimet masive nga puna, etj. Pra, çdo element i asaj periudhe, është dhënë me vërtetësi në faqet e romanit.
Natyrisht se historia e dashurisë dhe emrat e personazheve janë të trilluara, por ngjarjet janë frymëzuar nga realiteti të cilin vetë e kam jetuar në ato vite të vështira për të gjithë.
Në librat e mi, realiteti dominon.

-Ju shkruani mrekullisht e mjeshtërisht në lidhje me personazhet komplekse dhe dilemat morale të cilat përballen me të metat dhe të mirat e tyre në shkallë të ndryshme. A ka ndonjë moment paralel gjatë eksperiencës tuaj, që si rrjedhojë ka sjellë edhe këndvështrimin paralel mbi përvojën jetësore?

ILIRJA: Po sigurisht. Libri publicistik “Një tren për Bllacë” i botuar në Itali në vitin 2009, ndërsa në Kosovë në vitin 2011, është libër ku rrëfej përvojën time si gazetare gjatë luftës në Kosovë. Aty e kam përshkruar Iliren si personazh, që rrëfen përvojën e saj jetësore bashkë me shumë karaktere të tjera që e përjetuan luftën në Kosovë.Të njëjtën gjë bën edhe bashkëautori i librit Filippo Landi.

-A keni menduar ndonjëherë për t’i shkruar skenar filmi? A do të jeni në gjendje ta bëni atë?Dhe po qe se provoni ta bëni atë, c’mund të na tregoni për aktin e të shkruarit të një skenari, me trillimin e karaktereve dhe të shkruarit e dialogut. Pra shumë duan të jenë shkrimtarë dhe besojnë se janë të tillë. Pra a ndikon letërsia në skenarin e një filmi?

ILIRJA: Shumë vepra të sukseshme janë xhiruar edhe si filma. Ka edhe shkrimtarë që bëjnë skenare filmash. Jam autore e disa dokumentarëve televizivë. Të jesh shkrimtare e të bësh skenarë filmash, duke njohur edhe teknikat e punës është një mrekulli.

-Znj.Ilire, jeni edhe përkthyese, dhe së bashku me përkthyesin Anton Nikë Berisha, keni përkthyer poetë më famë botërore, si poetin italiani, Giuseppe Napolitano, nga italishtja në shqip . Cfarë ju ka shtyrë t’i përktheni poezitë e tij?Cili është sekreti që fuqishëm ka influencuar në përkthimin e tyre?

ILIRJA: Përkthimi është art, rikrijim. Të përkthesh poezitë e Napolitanos ishte e vështirë por njëkohësisht edhe kënaqësi , të sjellësh një mik të madh të shqiptarëve në gjuhën shqipe. “Përshpëritje e hënës” është një poemë shumë e veçantë, e shkruar me pasion dhe vargëzim specific.

-Teoritë e përkthimit janë trajtuar më të konsiderueshme për kohën tonë. Në arkivin tuaj krijues poetik kini disa vëllime me poezi të përkthyera në disa gjuhë të huaja.A e ka nxitur përkthimi i tyre ndjenjën tuaj të krijimtarisë, intensitetin dhe kërkesat në artin e të shkruarit?

ILIRJA: Më pëlqen të përkthej autorë sidomos nga letërsia italiane. Njohja e gjuhëve të huaja dhe përkthimi të hapin dritare të reja komunikimi me botën e letërsisë së atyre gjuhëve.Lexoj e përkthej në disa gjuhë dhe kjo më inspiron dhe më jep mundësi të pakufishme të përcjell kah shkojnë tendencat në letërsinë moderne, e të bëhem pjesë e pashmangshme e tyre.

-Ju keni gjithashtu edhe karrierë të admirueshme- në gazetarinë e komunikimit masiv. Aktualisht punoni në Radio Televizionin publik të Kosovës ( RTK). Si mendoni a është domosdoshmëri ngritja e një bordi letrar apo miratimi nga kritika e kohës për botimin e një libri?

ILIRJA: Fakti se më shumë ka shkrimtarë se lexues, tregon se libri duhet të kalojë nëpër disa filtra para se të botohet. Mirëpo edhe bordet letrare dhe kritika e kohës janë mekanizma të diskutueshëm, pasi dominohen nga grupe klanore, të interesit etj.
S ‘kam dyshim se gjithçfarë librash pa asnjë vlerë botohen çdo ditë, por jam e bindur se ata me vlerë gjejnë rrugën e tyre të suksesit.

-Në cdo lloj karriere –nënkuptoj karrierën tuaj në letrat shqipe dhe në botën e artit, keni pasur zhgënjime? Cilat kanë qenë uljet dhe ngritjet gjatë ushtrimit të saj?
-
ILIRJA: Jam e vetëdijshme se rruga që kam zgjedhur është e gjatë, e mundishme, me plot të papritura. Nuk është rrugë e shtruar me lule.Më e rëndësishmja është të zgjedhësh rrugën në të cilën rrallë shkohet. Ato që e përcjellin këtë rrugë kanë fare pak rëndësi.

-Jeni vlerësuar pozitivisht dhe admirueshëm nga kritika e kohës në Europë, Ballkan por edhe më tej në SHBA-s? Cili është miratimi kritik për ju në Shqipëri?

ILIRJA: Jam prezantuar në disa antologji në Europë, SHBA e gjetiu në botë. Përgjithësisht veprat e mia janë pritur mirë, dhe janë vlerësuar me nota pozitive.E vlerësuar si poete moderne e guximshme e herë herë rebele.

Pse shkruani?A keni disiplinë në të shkruar?E përfytyroni veten pa shkruar ndonjëherë?

ILIRJA: Shkruaj sepse ekzistoj. Nuk mund ta projektoj ekzistencën time ndryshe, veçse si dikush që ka pasion shkrimin.Kur filloj të shkruaj, di të jem e përkushtuar. Por di të jem edhe shumë rebele dhe e padisiplinuar.Kur nuk shkruaj ndihem bosh.Më bëhet vetja e huaj dhe e largët.

-Si shkrimtare, poete, esseiste, publiciste dhe juriste- cili është koncepti tuaj për kombin, për pushtetin, për partitë politike dhe për demokracinë` në Kosovë?

ILIRJA: Kombi dhe vendi im po përjeton një kohë të vështirë 15 vite pas përfundimit të luftës. Varfëria, korrupsioni, mungesa e lirisë së shtypit , moszhvillimi ekonomik , degradimi shoqëror ka pllakosur Kosovën, vendin më të izoluar në Europë, të katandisur në mjerim politik e ekonomik. Ky vend duhet të ndryshojë kursin e politikës, të zgjedhë njerëz të moralshëm e të dinjitetshëm për ta udhëhqur. Të ringjallet kulturalisht.Të dal nga hiri ku është zhytur nga keqqeverisja e një klase politike që ka zaptuar shtetin. T’i kthehet respektimit të vlerave identitare , trashëgimisë e kulturës kombëtare. Të mbrojë interesat e vendit e të popullit të saj.
Kosova duhet të gjejë forcë e të shpërthejë këtë gjendje tmerri, sa nuk është bërë tepër vonë.

-Projektet tuaja në të ardhmen?Cfarë iu ka mbetur peng?

ILIRJA: Të shkruaj një libër që do të lakmonte secili lexues t’a ketë në bibliotekën e tij. Të përkthehem në disa gjuhë në të cilat akoma s ‘jam përkthyer.

-Cili është ndryshimi ndaj të cilit kemi nevojë qoftë si individë ashtu edhe si shoqëri njerëzore?

ILIRJA: Të ndryshojmë veten, të bëhemi më human ndaj tjetrit. Të falim më shumë dashuri. Si shoqëri njerëzore të këndellemi nga letargjia që na kapluar tash e sa kohë. Të mos bëhemi pjesë e së keqes, injorancës e pre e mashtrimeve.

-A ka kritikë të mirëfilltë letrare sot? Ç’ mund t’u thoni kritikëve të sotëm?

ILIRJA: Jo. Kritika e mirëfilltë pak kultivohet. Kritikët duhet të jenë të besueshëm, profesionist në atë që thonë, të mos shkruajnë me porosi. Kritika thjesht duhet të kryejë punën e saj , pa u ndikuar.

-Kush ju mbështet shpirtërisht në krijimtarinë tuaj të larmishme letrare dhe botuese?

ILIRJA: Familja ime dhe miqtë e mi më mbështesin e më japin forcë për gjithçka.

-Mesazhi për shkrimtarët e poetët e rinj….

ILIRJA: Shkrimtarët e rinj të guxojnë, të thyejnë stereoptipet, të sfidojnë kreativitetin për të dalur para lexuesve. Të besojnë në artin e shenjtë të fjalës dhe të punojnë shumë për të ndërtuar emrin.

Faleminderit!

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri