Ministër i Shëndetësisë, unë


Partnerja e vogël e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Partia e Drejtësisë (PD), dëshiron që me çdo kusht të përfshihet në qeverinë e re, e cila do të drejtohet nga koalicioni PDK - LDK.
Kryetari i PD-së, njëherësh ministër i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka thënë se përfshirja e kësaj partie në qeveri, parashihet në marrëveshjen e arritur me PDK-në para zgjedhjeve parlamentare. Ai ka bërë me dije se PD-ja, sipas marrëveshjes parazgjedhore me PDK-në, parashihet ta drejtojë një ministri dhe t’i ketë disa zëvendësministra. “Siç e dini, kemi qenë pjesë e koalicionit parazgjedhor të ‘Misionit të Ri’ me PDK-në dhe disa subjekte të tjera politike. Pjesëmarrja jonë në atë koalicion ka qenë e bazuar në një marrëveshje me PDK-në, e cila, mes të tjerash, ka paraparë edhe pjesëmarrjen e PD-së në Qeverinë e re të Kosovës. Kjo pjesëmarrje ka të bëjë me udhëheqjen e një ministrie dhe disa poste të zëvendësministrave”, ka deklaruar Agani. Në këtë kontekst, Agani ka thënë se të gjitha faktet udhëzojnë se edhe në mandatin e ardhshëm qeverisës do ta drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë. “Më e rëndësishme është puna që është bërë në Ministrinë e Shëndetësisë në katër vjetët e kaluar. Puna që është bërë ka qenë e cilësisë së tillë, që e imponon nevojën e vazhdimit të reformave të filluara në sektorin e shëndetësisë, ku kemi krijuar një bazë të fuqishme ligjore. Vlerësoj se ky është argumenti kryesor për vazhdimin e udhëheqjes së Ministrisë së Shëndetësisë në periudhën e ardhshme kohore”, është shprehur Agani. Ai ka vlerësuar se drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë është edhe pritje e të gjithëve. “Kjo është edhe pritje e qytetarëve të vendit dhe e punëtorëve shëndetësorë në të gjitha nivelet. Në anën tjetër, edhe marrëveshja parazgjedhore që e përmenda parasheh vazhdimin tonë në Qeverinë e Kosovës dhe në këtë aspekt pritjet e mia janë reale”, ka thënë Agani. 
Më tutje, Agani ka thënë se e ka obligim nga mandati i kaluar qeverisës t’i konkretizojë ndryshimet e domosdoshme të politikave shëndetësore. “Ky është obligim dhe përgjegjësi e imja publike, të cilën e kam marr para katër vjetëve dhe mendoj se mandati i ardhshëm do të jetë periudhë ku do t’i konkretizojmë ndryshimet të cilat i kemi projektuar në politikat shëndetësore dhe në Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë planifikuar 2014-2020 si dhe në Kornizën Ligjore e cila është miratuar në mandatin e kaluar në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Agani, duke shtuar se për këtë çështje ka qenë në kontakte të vazhdueshme me PDK-në e Hashim Thaçit. “Natyrisht se ka pasur biseda lidhur me këtë çështje, para zgjedhjeve të 8 qershorit, pas periudhës zgjedhore dhe tani. Kontributi im në këtë drejtim është fuqizimi i koalicionit të ri qeverisës si dhe formulimi i programit qeverisës në mes të ‘Misionit të Ri’ - PDK-së dhe LDK-së”, ka deklaruar Agani.

Koalicioni PDK - LDK, më i dobishmi për Kosovën
Ferid Agani, kryetar i Partisë së Drejtësisë, e ka vlerësuar lart arritjen e marrëveshjes për koalicion në mes të PDK-së dhe LDK-së. Agani ka thënë se në këtë fazë koalicioni PDK - LDK është më i dobishmi për Kosovën. “E kam pasur bindjen edhe para zgjedhjeve, se koalicioni më i vlefshëm dhe më i dobishëm për Kosovën në këto momente është koalicioni në mes të PDK-së dhe LDK-së, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për dy parti të cilat kanë një elektorat shumë të fuqishëm dhe kanë programe të qarta qeverisëse”, është shprehur Agani. Ai ka thënë se PDK-ja dhe LDK-ja kanë vizion dhe qëndrueshmëri politike. “Këto dy parti kanë qëndrueshmëri dhe vizion politik. Ajo që nuk është dashur të ndodhë është zvarritja e procesit. Mendoj se ky koalicion është dashur të arrihet shumë më herët sepse dëmet do të ishin shumë më të vogla”, ka deklaruar Agani.
Kryetari i PD-së ka kërkuar nga koalicioni PDK - LDK që me mençuri t’i shfrytëzojë të gjitha potencialet për zhvillimin e vendit tonë. Mendoj se duhet të shfrytëzohen të gjitha potencialet e këtij koalicioni, të cilat janë të mëdha, por të cilat natyrisht duhet të shfrytëzohen me një politikë të mençur, e cila do ta ketë qytetarin në qendër të vëmendjes. Po ashtu, ky koalicion duhet t’i ketë në vëmendje të gjitha dukuritë negative që janë evidentuar në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian. Kjo duhet të jetë agjenda e koalicionit të ri qeverisës”, ka thënë Agani.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri