Rjetet sociale – Jeta private në ankand publik

Ilire Zajmi-Rugova


Rrjetet sociale në internet kanë shënuar një zhvillim marramendës viteve të fundit. Prej paraqitjes së tyre në vitin 1995 ato janë shumëfishuar duke u shndërruar në hapësirat më të vizituara të internetit.
Në thelb, rritja e këtij fenomeni ka më tepër rëndësi cilësie e jo sasie.
Ato janë tregues i një bote materialiste në të cilën jemi duke jetuar, dhe ambivalencës së kohës që po kalojmë. Përkundër rolit të shtirur të neutralitetit, rrjetet sociale janë një arenë betejash.
Përmbajtja që postohet në rrjetet sociale është bioritmi me të cilën ne jetojmë: gjuha e komunikimit, mendimet e vlerësimet tona, shijet, çështjet që na preokupojnë.
Emëruesi i përbashkët i të gjitha këtyre është padyshim vetë jeta jonë.



Kjo po ndodh me dy rrjetet më të popullarizuara sociale në botë, Facebook e Twitter.
Në rrjetin social Facebook, vërehet se aktiviteti parësor i pjesës dërrmuese të përdoruesve është në krijimin e një tregimi multimedial të jetës së tyre.
Jeta private bëhet jetë publike, dhe të gjitha përmbajtjet e plasuara shndërrohen në konkurrencë joformale për gjërat vitale. Numërohet numri i “pëlqimeve “ të marra nga miqtë virtual, numërohen komentet e postuara.
Në rrjete sociale me miliona njerëz shpenzojnë kohën e tyre duke publikuar të dhëna të detajuara të ngjarjeve nga jeta e tyre. Kontaket e krijuara me miqtë virtual paraqiten si trofe të një jete intensive të fituar nga interaktiviteti, të cilat maten jo bazuar në shkallën e cilësisë së raporteve të krijuara, por në sasinë e lidhjeve që grumbullohen.
Dhe këtu duhet kuptuar, se në realitet duke u lidhur me të tjerët, ne vazhdojmë të flasim për vetveten. Sa më afër aq më larg jemi. Është një formë shoqërimi që na mbyll në një paradoks, pasi gjithë komunikimi sillet rreth një rrjeti virtual i cili individualizon.
Fenomeni i globalizimit kështu po tret edhe jetën tonë private, përmes rrjeteve sociale.
Ato po shfrytëzojnë jetën private të përdoruesve në internet.
Rrjeti tjetër social Twitter, u lejon 50 milionë përdoruesve të komunikojnë përmes postimeve të shkurtëra. Twitter menaxhohet nga një ndërrmarrje private e cila nga momenti i themelimit ka përfituar 55 milion dollarë nga fondet e investimeve. Deri kohë më parë Twitter ka funksionuar në gjuhën angleze dhe japoneze. Ndërsa, së fundi ka parajmëruar funksionimin në versione të gjuhëve të tjera. Kjo do të jetë fare e thjeshtë si procedurë, pasi vetë përdoruesit do të punojnë në përkthimin e versioneve të reja në mënyrë vullnetare, pra do të angazhohen falas.
Sipas këtyre të dhënave, Twitter nuk ka teknologji e as infrastrukturë, pasuria e saj e vërtetë janë përdoruesit si kapital njërezor.
Pra, kështu angazhimi vullnetar i përdoruesve është vetë jeta e tyre sociale. Nuk ka nevojë të kërkohen përdoruesit, ata janë në të gjitha anët e botës, dhe vënë në dispozicion tërë kohën e tyre. Kjo pjesërisht ndodh ngase një pjesë e madhe e përdoruesve të rrjeteve sociale, janë të papunë, dhe komunikimin në rrjete e përjetojnë si punë me orar të plotë.
Shumica e rrjeteve sociale janë të thjeshta, aplikacionet shumë të lehta për përdorim, qasja të pakufishme në grupe të ndryshme shoqërore të të gjitha fushave, për të gjitha interesimet.
Kjo të bën të kuptosh se kategoria e të qënit përdorues të cilët navigojnë në internet e popullarizojnë rrjetet sociale, janë në realitet prodhuesit apo krijuesit e rrjeteve, pra nuk janë shfrytëzues të një shërbimi. Prandaj rrjetet sociale janë një lloj bashkëprodhimi me përdoruesit, pasi pikërisht përdoruesit janë pjesë aktive,ndërsa krijuesit e tyre janë pjesa pasive. Besoj se pronarët e rrjetit social Twitter kur lansuan rrjetin e tyre online, gjashtë vjet më parë kishin paraparë këtë gjë. Rrjeti u krijua që klientët e tyre të komunikojnë mes veti, përmes të ashtuquajturve “tweets”, komunikime në formë teksti të kufizuara deri në 140 fjalë. Ajo që është më interesante të potencohet është se krijuesit e rrjetit s ‘kanë fare gisht këtu, ishte inteligjenca kolektive e përdoruesve ajo solli inovacion.
Por, në esencë çka ndodh me jetët e përdoruesve të rrjeteve sociale­­?
Konceptit i kuptimit të miqësisë ndërthuret në logjikën e funksionimit të rrjetit, miqësia vihet në kalkulator dhe propozohet pa fërkime. Paradoksalisht kjo miqësi nuk ka vlerë por vlerëson ata që e posedojnë, dhe e demonstron si kapital simbolik.
Ky kapital vazhdimisht gjendet pëballë problemit të njejtë: përbën një formë të re të ndikimit. Sepse “shoqëritë online” në botën bashkëkohore janë shndërruar në një instrument për shtrirjen e ndikimit dhe konfliktet sociale.
Shumë zhvillime të ngjarjeve në botë u kualifikuan si “revolucion Twittter”,pasi luajtën një rol të rëndësishëm në organizimin e protestave, përhapjen e lajmeve me shpejtësi rrufeje, ndërkombëtarizimin e dhunës që ushtrohej në ato vende. Duke shfrytëzuar lirinë e plasimit të informacioneve në twitter, përdoruesit e këtyre vendeve, arritën të informojnë njerëzit në mbarë botën në kohë reale për ngjarjet që kishin përshkuar, duke iu shmangur cenzurës së hekurt qeveritare. Ngjarjet në Iran e Siri janë dy nga rastet e fundit të “revolucionit Twitter”.
Tani, vijmë edhe te një fakt tjetër për rrjetet sociale. Përveç për ndikime e përfitime individuale, del që këto rrjete përdoren shumë edhe për qëllime politike. Rrjetet sociale janë ideale për këto veprimtari, pasi janë “territor i mbipopulluar” për të thithur informacionet që postohen.
Fenomeni i “fansave” apo adhuruesve është ideal për përhapjen e ndikimeve, qoftë edhe atyre politike. Përvojat e fansave, shërbejnë për të hapur diskutime. E një “fans” nuk është thjesht një adhurues entuziast i dikujt apo diçkajes, ai apo ajo rrit dhe zgjeron në mënyrë sociale botën e fenomeneve që e rrethojnë. Një fans i ndonjë aktori, për shembull, nuk rri vetëm duke shikuar filmat e tij në kinema apo televizion, por ai shpërndan informacione për të në internet, u kërkon miqëve të tij t’a pëlqejnë, duke shumëfishuar popullaritetin për idhullin e tij. Një botë e tërë e fansave që postojnë, shpërndajnë lajme, fotografi, video për idhujt e tyre në internet.
Pasoja më e rëndësishme e dukurisë së globalizimit, është krijimi i një bote të cilën e ndajmë me të gjithë. Një botë që ka futur miliona njerëz në kurthin e saj të brendshëm. Gjithçka luhet brenda saj. Një botë që për shumëkend ka krijuar botëra të reja. Një hapësirë që gjithkujt i jep mundësi të marrë pjesë. Me profile reale, faqe e grupime të ndryshme të vërteta apo të trilluara. Me postime të pacensuruara. E çka është më e rëndësishmja, që tregojnë për pavarësinë e individit për t’u sjellur, kontribuar, e shpërndarë informacione të pakontrolluara apo diktuara nga të tjerët.
Por sigurisht, kjo i pengon dikujt. Shumë qeveri kanë ndaluar e censuruar rrjetet sociale, duke u munduar të kontrollojnë ndikimin dhe përhapjen e informacioneve në botë.
Këto masa nuk kanë sjellur rezultate, përkundrazi janë treguar kontraproduktive. Qeveri të verbëra nuk janë të vetëdijshme se rrjetet sociale janë log betejash që i shërbejnë emancipimit të individit, i kontribuojnë dinamizimit të ngjarjeve aktuale, rritjes së lirisë së diskutimeve të shtruara, por edhe i shërbejnë një radikalizmi të ri demokratik. Kështu, përdoruesit e rrjeteve sociale, shndërrohen në një lloj të opozitës joformale për qeveritë e tyre. Logjika e rezistencës përmes rrjeteve sociale dëshmon për zhvillimin e “ një inteligjence kolektive” e cila mishërohet e brymoset nga aktivitetet e veprimet tona si kapital relevant në internet.
Ky kapital e kjo inteligjencë kolektive e grumbulluar rreth rrjeteve sociale nuk ka transformuar vetëm jetën e njerëzve, por edhe gjithë botën brenda e jashtë saj.

@ ilirezajmi botuar tek "Koha ditore" shtojca e kulturës

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit