Isuf Gjokaj, nga Llausha e Skenderajt, i diplomuar, jeton në gjendje të mjeruar

Kosovari i diplomuar, jeton në gjendje të mjeruar (Foto)


Nga Kajtaz Gecaj 


Ka diplomë universitare, por ajo të paktën deri me tani nuk ka bërë punë. Me gruan dhe tre fëmijët, ai jeton në një shtëpi, e cila veç sa nuk është rrënuar. Ka frikën, se fëmijët do t’i ngrijnë nga të ftohtit, pasi që nuk mund të sigurojë dru për ngrohje.

Isuf Gjokaj, nga Llausha e Skenderajt, ka kohë që ka kërkuar ndihmën e institucioneve për ta punësuar në ndonjë punë, çfarëdoqoftë ajo, vetëm që të mund të merr diçka, sa për të siguruar ekzistencën për familjen e tij. Por, deri me tani askush nuk ia ka hapur dyert.

“Ka disa vjet që e kam përfunduar fakultetin, por nuk po më hyn në punë, sepse me diplomën universitare nuk mund të gjejë punë. Kam trokitur në shumë dyer, edhe në komunë, edhe te privatët, por askush nuk ka punë për muar. Jam në gjendje të punoj çkadoqoftë, edhe me fshi, veç të kam të ardhura sa për t’i mbajtur fëmijët”, thotë 37-vjeçari nga Llausha.

Familja e Isuf Gjokajt, jeton vetëm me ndihma sociale. Ai merr nga 75 euro në muaj, të cilat, siç thotë ai, nuk i dalin as për të blerë miell. “E kam socialin, shyqyr që bile socialin e marr, e me ato 75 euro, po ia dalë të paktën të kem bukë për fëmijët. Për ne të rriturit, mua dhe gruan, nuk ka rëndësi edhe nëse mbesin ndonjë ditë pa bukë, me rëndësi janë fëmijët, ata mos të vuajnë”, thotë ai.

Fjollat e para të borës, të premtën, e kishin gjetur Isufin dhe djalin e tij, para derës së shtëpisë, teksa po flisnin se nga do të mund t’ia mbanin për pak dru, sa për t’u ngrohur. “Nuk kam as dru, as kurgjë. Tashti po i thoja djalit me shku me i marrë do degë të pemëve që i kemi krasitur, sa për t’u ngrohur. Me ato do ta nisi, ndërsa më duhet me hy borxh edhe me dalë e me e ble një ‘ram’ dru. Jemi mashtru pak, se koha ka marrë e mirë, e tani përnjëherë ia nisi bora, por dimër është ky”, shprehet Isufi.

E në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe të Mirqenies Sociale në Skenderaj, thonë se numri i familjeve që jetojnë me ndihma sociale është i madh. “Përveç që marrin ndihma sociale, ato familje që janë në vështirësi të mëdha, i ndihmojmë edhe me ushqime, sidomos me miell”, thotë Enver Gashi, drejtor i DSHMS në Skenderaj, i cili precizoi, se në skemat sociale janë përfshirë 1163 familje me 5701 anëtar. Për 5701 shfrytëzues të asistencës sociale paguhen 93.955 euro në muaj, që i bie se secili shfrytëzuar merr nga 15 euro në muaj, e që i bie se secili prej tyre jeton me vetëm 50 centë në ditë.

Me ata 50 centë, secili nga shfrytëzuesit e ndihmave sociale mund të blejnë nga një bukë dhe asgjë më tepër. Nevojat tjera jetësore, ata nuk mund t’i plotësojnë pa ndihmën e të tjerëve.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri