KUSH NUK FLET ME EMNA ?!

Fritz Radovani

Nga Fritz Radovani

Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

■“NË ÇDO METER KATROR – VETËM DOSJE…”

Besoj, ju kujtohet shprehja popullore: “Më ka çue Nana, me la gojën!”…

Me rasën e shumë të përfolunave “hapje dosjesh”, lexoj artikuj e shumë mendime që jepen për këte veprim që asht një “dëshirë” ma shumë se 24 vjeçare e zhvillimeve demokratike në Shqipni. Më kujtohet mirë kur kam kerkue në mbledhjen e zhvillueme në Komitetin Ekz. K.P. të Rrethit Shkodres, në Shtator të vitit 1991 nga z. Gramoz Pashko, formimin e “Shoqatës së të Përsekutuemëve Politik të Shkodres”, dhe mbas pak ditësh, z. Pashko, erdhi në Shkoder dhe komunikoj kerkesen time, që bana në emnin e BSPSh së Shkodres. Me komunikimin e Tij, shoqnohej edhe një porosi: “Kini kujdes në zgjedhjen e drejtuesit, që të përfaqsohet nga një figure e paster!..”. Për këte figurë kam shkue tek z. Bardh Shiroka, Karlet Luka, ku ishte prezent Dedë Gjomarkaj…dhe mbasi këta nuk u zotuen, kryesisht nga mosbesimi tek e ardhmja, dhe jo nga papestërtia e vet, kemi bisedue me Lin Martinin, për të cilin ishe plotsisht dakord, mbasi kishe edhe një thanje për Te, vite ma parë nga At Pjeter Mëshkalla: “Ndër djelmët shkodranë që kanë vuejtë dënimin në Burrel, Lini asht kenë ma i miri djalë me qendrimin e Tij”. Dhe Lini u zgjodh Kryetar i Shoqatës. Një ditë pa u kujtue askush, mora vesh se Pjeter Arbnori dhe Ali Kazazi, kishin formue një fraksion tjetër me epitetin “shoqata ‘antikomuniste”…


Kështu, si gjithkund, “demokratët”, edhe këtu filluene përçamjen…

Në vitin 1992, PD fitoi zgjedhjet, dhe qeverisja kaloi në drejtimin e saj.

Me zgjedhjen e Filip Guraziut kryetar Bashkije i Shkodres, kam shkue dhe i kam paraqitë edhe një projekt të vizatuem për një Monument të Viktimave të komunizmit në Zallin e Kirit, pikrisht aty, ku janë krye vrasjet ma të shumta. Shoqata bani edhe një njohtim në gazeten “Pishtari” për idenë time në lidhje me Monumentin, dhe mbas pak ditësh u njohtue se nga Amerika kishin dergue “disa” dollarë ndihmë për ndertimin e tij.

Deri sot, me sa dij unë, nuk asht ba asnjë veprim në këte drejtim. E hapa këte temë, mbasi “hapja e Dosjeve” ka me tregue edhe kush i saboton veprimet e Shoqatave të të Persekutuemëve Politik në Shqipni? – Po, si do të merren vesh këta sabotime?
Kampi i Tepelenës, Vizatim Lek Pervizi
Kampi i Tepelenës, Vizatim Lek Pervizi

Kryesisht, veprimet antidemokratike, duhet të publikohen me Emna! Autorët që veprojnë ashtu, duhen publikue haptas dhe PA FRIKË, kush nuk do me shkrue haptas të mbyllin gojen dhe të mos gabojnë me shkrue me sigla, ose njeni apo dikush… Ata që do të vazhdojnë me shkrue me “nënkuptime” ase sigla, nuk kanë nevojë fare me ua hapë dosjet, mbasi ua kanë hapë vetes së vet. Shkrimet me sigla kanë autorë të gjithë “ata”, që “i ka çue e ama, me la gojën…”, deri ndër tavolinat e Kuvendit Popullor apo Presidencë, dhe nuk kanë kurajo me thanë haptas: “Ne nuk jemi për këte vend, mbasi na mungon kryesoria, Pastertia e figurës së Shtetasit Shqiptar”! Ka ardhë koha me ua thanë haptas: “Pusho, dhe qerou nga ky vend, se ishe dhe mbetesh agjent i sigurimit të PPSh”!

Hapja e Dosjeve vërtetë asht një pastrim i dëshrueshëm prej shumë vitësh, nga të gjithë ne që endè nuk njohim vrasësit e njerëzve tanë shumë të dashtun, po njëheri asht edhe një qetësi shpirtnore për të gjithë ata që me dekada kanë jetue tue mendue me vete: “Kush ishte gjakbasi i njeriut tim?!”, dhe kjo, asht ma e randsishmja e hapjes së tyne.

Porsa, rifilloi tashti diskutimi i “Hapjes së Dosjeve”, rifilloi njëheri edhe akuza ndaj të burgosunve politik, që kishte bazë imorale shpifjen! Agjentët e vjetër fillojnë me shpifë kundër mjaftë figurave të Nderueme Atdhetare, madje deri tek i pavdekshmi dhe i panjollosuni asnjëherë, Martiri Prof. Arshi Pipa! Edhe ajo shpifje ka bazen e vet, po aty, ku asht “fabrikue” gjithmonë ma e flliquna mënyrë njollosje ndaj Atyne Figurave!

Sot, lexova, z. Kolec Traboini, botoi emnat e nënshkruesëve për pushkatimin e të Ndjerëve Skënder Daja, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Hajri Pashaj, me 24 Maji 1973…

Nënshkruesit ishin: “Haxhi Lleshi, Rita Marko, Myslim Peza, Shefqet Peçi, Bilbil Klosi, Pilo Peristeri, Kahreman Ylli, Sadik Bekteshi, Agim Mero, Dhimiter Shuteriqi,Vito Kapo dhe Spiro Moisiu.” Asnjë nga këta emna nuk më çuditë. Ishte vendi dhe detyra!

Madje, as edhe ata që do të vijnë ma vonë ndër shkrimet pasuese. Ky dokument u thotë shpifësve haptas dhe “me shkronja të mëdha”, si dikur, “fletë rrufetë”: “Ndaloni pak “vrapin” kur kerkoni me akuzue njerëz të pafajshëm, dhe veshtroni me kujdes se deri ku kishte mërrijtë “pushka dhe thika e pabesë” e agjentave të vjeter dhe të rijë e komunistëve agjenta: “Me nënshkrue me vra njerëz të Pafajshëm” ministri i arësimit Kahreman Ylli dhe, kryetari i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipnisë, Dhimiter Shuteriqi… apo do të shohim shpejtë edhe “dr. prof e akademikët”, që nuk asht larg mjerisht ajo kohë, bashkë me publikimin atyne që predikojnë “demokracinë”…

Po kje se, asht thanë se vërtetë do të hapen dosjet, ata duhen hapë pa kushte dhe pa asnjë ndryshim nga e verteta sado e hidhun kjoftë për ata që i kanë sherbye atij vend vllavrasës, torturues, shpifës, hakmarrës, shnjerzor, shnderues, kriminal dhe terrorist!

Betimit të Presidentit dhe Figurave të tjera të Shtetit Shqiptar, duhet ti shtohet se: “Nuk jam kenë as nuk jam agjent i sigurimit shtetit komunist, dhe agjent i huej…etj.” Nëse, mbas Betimit vertetohet e kunderta, ai duhet dënue per tradhëti të naltë!

Unë jam për publikimin e plotë të listave emnore të nëpunësve agjentë, dhe të gjithë atyne që kanë marrë edhe rroga apo dekorata e shperblime për agjenturë, tue fillue nga viti i parë i thëmelimit të Sigurimit Shtetit komunist, 21 Prill 1943, dhe me vazhdue me organet e Ndjekjes, brigadat e pushkatimit, hetuesitë, gjykatat, vrasësit e mësheftë të organeve të PKSh (PPSh), që mëshefeshin nën masken e Frontit Demokratik… dhe, kur të jenë ba të njohun këta bisha, duhet vazhdue me emnat e vitëve pasuese deri në vitin 1992. Atëherë, mund të fillohet me të “dhunuemit” ndër hetuesi apo kampe pune, reparte ushtarake etj…Për të mërrijtë në vazhdimsinë e tyne deri ndër ditët tona, ku nuk duhet të perjashtohen asnjëherë, datlindja, vend lindja, vendpunimi, koha e saktë e shërbimit, dhe vdekja, për mos me krijue analogji tjera me emnat e vërtetë të agjentëve.

Ata përsona që kërkojnë saktësi për shpifsat, vrasësit apo dhunuesit ndaj tyne, duhet me çdo kusht, ti drejtohen Zyres përkatëse të Arshivave dhe dokumentave, që asnjëherë, nuk duhet të jenë në varësinë e institucioneve të njollosuna me ata krime.

Njerzit ma të “pafalshmit” e të mësheftit deri sot, janë hartuesit dhe projektuesit e Dosjeve Konsultative, ku projektohej arrestimi, dënimi dhe përfundimi i Viktimave të Pafajshme, për me ushtrue terrorin që kerkonte ideatori terrorist Enver Hoxha.

Rrugët tjera vetem të çojnë tek thanja popullore: “Më ka çue nana..me la gojën”!



Melbourne, 2014.

Floripress

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri