2015-03-08

Një liber studimor që solli risi


Nga Dan KOSUMI

Një ngjarje e madhe e librit dhe studimeve letrare u konsiderua promovimi i librit studimor të poetes, shkrimtares, kritikes e publicistes, Majlinda Nana Rama.

Instituti Albanologjik i Prishtinës do të ishte tempulli që mirëpriti këtë autore të talentuar, e cila i ka kapërcyer me sukses, guxim dhe seriozitet të gjitha gjinitë e krijimit letrar.


Të pranishëm në këtë aktivitet të mezipritur, ishte pothuaj gjithë elita krijuese e studiuese e Prishtinës, si Akademik Ali Aliu, studiuesi nga Tirana Behar Gjoka, studiuesit Mirvete Dreshaj Baliu, Shefkije Islamaj, Bajram Kosumi, Begzad Baliu, Sali Bytyqi, Mevlyde Mezini Saraçi, Agim Gjakova, Merxhan Avdyli, Hysni Ndreu, Dan Ibrahimi etj.



Hysen Matoshi, drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës u shpreh se ndihej i lumtur që në këtë promovim vinte një libër me vlera të mirëfillta krijuese e studimore, nga një femër e suksesshme.

‘’Unë ndihem i lumtur që sot kemi mes nesh një femër të guximshme, të suksesshme dhe të plotësuar. Është nder që të promovojmë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, një vepër me vlera të mirëfillta krijuese dhe serioze në shkencat e letërsisë’’, ka vijuar mes të tjerash Matoshi. 

Në fjalën e tij akademiku Ali Aliu do të vlerësonte librin me kritika letrare, ndërsa u shpreh se gjithë krijimtaria e Majlindës ka sjell një korpus të qartë mbi fizionominë krijuese të kësaj autoreje shqiptare që ka hyrë me seriozitet në të gjitha sferat letrare.


‘’Majlindën e njoha për herë të parë në Panairin e Librit në Fier, ku ajo ishte vetë organizatore e drejtuese. Aty mora edhe romanin e saj ‘’Perandorët’’, të cilin kur e lexova, kuptova se nuk kisha të bëja vetëm me një organizatore të mirë, por edhe me një romanciere shumë të mirë dhe më së tepërmi të guximshme. Kjo më bëri që t’i kërkoja Majlindës krijime të tjera, në poezi dhe prozë dhe të gjitha këto lexime më sollën të qartë Majlindën si krijuese, shumë e re në moshë, por me një talent të rrallë. Më pas, dorëshkrimi i saj me studime e kritika, më befasoi për mirë dhe sinqerisht e parashoh të ardhmen letrare të kësaj autoreje. Një krijuese që gjendet mirë në të gjitha gjinitë. Për këta krijues ka nevojë letërsia shqipe’’, - ka thënë Aliu gjatë promovimit në Prishtinë.

Behar Gjoka, një ndër studiuesit e njohur në Tiranë, u shpreh se Majlinda është padyshim autorja më në zë e letërsisë shqipe, e cila ka një të trajektore të qartë e të sigurtë në letërsinë shqipe.

‘’Majlinda është sot një zë serioz në letërsinë shqipe dhe kjo falë punës së saj dhe dëshmive krijuese. Në librin Kritika Letrare, autorja ka ditur të bëjë hulumtime të thella në autorë të ndryshëm, duke na sjell një qasje krejtësisht të vecantë, gjë që e ka bërë librin të jetë ndryshe nga librat e tjerë të ngjashëm të kësaj fushe. Ajo nuk i qëndron besnike vetëm fjalës akademike e shkencore, por bën interpretime krejtësisht njerëzore. Ka ditur të kalojë në kohë nga njëra epokë në tjetrën, duke studiuar rryma e letërsi, por edhe autorë të ndryshëm, duke zgjeruar gamën e studimit në libër’’, ka thënë Gjoka.



Po ashtu, Mirvete Dreshaj, u shpreh se Majlinda ka sjell një libër origjinal përsa i përket këndvështrimit të saj.
‘’E kam lexuar librin dhe e di që çdo libër ka dy krijues: autorin dhe lexuesin. Tek Majlinda gjeta shumë më shumë se kaq. Prandaj veprës së saj i jam qasur nga një kënd i tretë, i cili nuk ka të bëjë as me përmasën popullarizuese, as me prirjen shkencore të saj, por prej kureshtjes së leximit të një vepre me studime, ese, kritika letrare, të cilat ishin persiatje të karakterit vëzhgues dhe thellësisht hulumtues’’, ka thënë Dreshaj.

Gjatë aktivitetit folën edhe Mevlyde Mezini Saraçi e Fatmir Halimi të cilët vlerësuan lart veprën e Shkrimtares dhe studiueses Rama.
Në vlerësim të veprës dhe kontributit të saj në letërsi , Lidhja e Shkrimtarëve “Naim Frashëri” Fushë Kosovë, i dorëzoi autores çmimin e lartë ‘’Naim Frashëri’’ me motivacionin : ‘’Për erën e re që ka sjell në letërsinë shqipe dhe stilin krejtësisht origjinal në fushën e krijimit dhe studimit’’.

Ndërkohë, piktori i ri, Ardriti i kish përgatitur një portret shkrimtares, surprizë që i solli emocione këtij aktiviteti që u moderua nga poeti Dan Kosumi.

Majlinda Nana Rama u lind në Tepelenë, ku mori edhe mësimet e para dhe të mesme. Ajo ka kryer dy fakultete, atë për Albanologji dhe për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ka përfunduar studimet Master për Shkenca Politike ndërsa ka nisur studimet për të mbrojtur disertacionin e Doktoratës Shkencore. 
Ajo është fituese e disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa ka një biografi të pasur, si dhe një bibliografi të larmishme.

No comments:

Post a Comment

Serbia e “befasuar dhe i zhgënjyer” që nuk mori mbështetjen gjermane!

Nga Flori Bruqi **** Çedomir Jovanoviq: Aleksandar Vuçiqi është dashur të thotë se Serbia e njeh Kosovën Kryetari i Partisë L...