HISTORIA E KOSOVËS DUHET TË SHKRUHET ME DOKUMENTA HISTORIKË E JO ME FALLCIFIKIME

Nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ku shqiptarët dolën nga gjumi letargjik nën Perandorinë Osmane dhe inicioi lindjen e shtetit shqiptar, tek shkëputja e Kosovës nga toka mëmë Shqipëri. Nga padrejtësitë e politikës evropiane me vendime aq absurde, nga padrejtësitë dhe rrëmbimet e tokave shqiptare nga serbët dhe ajo që u quajt Jugosllavi, deri tek përndjekja, dhunimi, arrestimi e deri tek krime makabre ndaj kosovarëve. Nga gafa e rëndë e Enver Hoxhës, duke e lënë Kosovës nën Jugosllavi, e deri tek rizgjimi i madh popullor në demonstratat e pranverës së vitit 1981 në Prishtinë. Për të ardhur në ndërrimin e sistemit komunist, ku Kosovës në vend që t’i jepet e drejta e mohuar, u sulmua edhe më shumë nga serbët duke vrarë, prerë e masakruar sërish popullsinë. Një ecuri që pati si kulm të saj ofensivën serbe në vitin 1999 dhe po atë vit, të ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, të parën luftë që Aleanca e Atlantikut ka ndërmarrë në historinë e saj, e deri tek data e famshme e 17 shkurtit.

1. 10 qershor 1878, Lidhja e Prizrenit

Përpjekjet e patriotëve shqiptarë për pavarësi të trojeve kombëtare bënë që në qershor të 1878, në Prizren të mblidhen patriotët shqiptarë. Ndër themeluesit e saj ishin Ali Pashë Gucia, Abdyl Frashëri etj. Në vendimet që Lidhja e Prizrenit mori, i rëndësishëm ishte fakti që ideja e bashkimit kombëtar dhe krijimit të një shteti shqiptar në Ballkan nis pikërisht në Kosovë. Ndërkohë që Lidhja mori vendimin për të mbrojtur krahinën e Plavës dhe Gucisë, të cilat me vendimin e Kongresit të Berlinit i kaluan Malit të Zi.

2. 13 qershor 1878. Kongresi i Berlinit

Tri ditë pas krijimit të Lidhjes së Prizrenit, Traktati i Kongresit të Berlinit sanksionoi dhënien e tokave shqiptare të Plavës dhe Gucisë pas njohjes së pavarësisë së Malit të Zi. Luftëtarët e Lidhjes u ndeshën me forcat malazeze, duke iu shkaktuar disfata të rënda. Vetëm ndërhyrja e Rusisë arriti të shpëtojë ushtrinë malazeze.

3. Tetor 1912. Lufta Ballkanike

Ndërsa shqiptarët ishin të parët që i kthyen armët kundër pushtuesit osman, Lufta Ballkanike i detyroi ata të luftonin me fqinjët. Shtetet e “Aleancës Ballkanike”, Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria nisën luftën në Ballkan, duke larguar kështu mundësinë e krijimit të shtetit shqiptar. Kosova u gjend mes synimeve të tre shteteve. Ndërkohë që Shqipëria ishte në përpjekjet e saj për të shpallur pavarësinë.



4. 28 nëntor 1912. Shpallja e Pavarësisë

Shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor në Vlorë nga patriotët shqiptarë me Ismail Qemalin në krye, nuk ishte vetëm një datë për Shqipërinë. Efekti i saj ishte në të gjitha trevat shqiptare në Ballkan. Në shpalljen e pavarësisë në Vlorë morën pjesë dhe përfaqësues të popullit të Kosovës. Ndërkohë ushtria serbe në prag të Luftës Ballkanike kish zaptuar tokat e Kosovës. Në Kosovë u zhvilluan disa beteja, si ajo e Lumës dhe e Manastirit, që i frenuan serbët dhe bënë të munduar mbledhjen e kuvendit në Vlorë.

5. 22 mars 1913. Ndarja e Kufijve

Konferenca e Ambasadorëve në Londër pas gati tre muaj debatesh për kufijtë e Shqipërisë, më në fund përcakton ndarjen territoriale të vendit, duke u bërë lëshime serbëve në veri dhe grekëve në jug. Nga trungu i Shqipërisë u shkëputën krahina të tëra si: Rrafshi i Dukagjinit, Kosova dhe tokat shqiptare në Maqedoni. Në këtë mënyrë krahina e Kosovës me një popullsi autoktone shqiptare iu la Serbisë. Këtu nis dhe drama më e madhe e popullsisë shqiptare që ngelën jashtë kufijve.

6. 1913-1914. Shifrat e terrorit

Pas ndarjes së territorit, serbët nuk u mjaftuan vetëm me trojet. Në këto vite shënohen dhe shifra më të larta të represionit sllav mbi popullsinë e Kosovës. Arkivat historike tregojnë se vetëm nëpër burgje mund të jenë vrarë mbi 20 mijë shqiptarë. Ushtria serbe dhe malazeze ka shkatërruar mbi 350 fshatra. Ndërkohë që vetëm në Gazimestan janë vrarë rreth pesë mijë veta. Shpërnguljet masive dhe vendosja e popullsisë sllave në tokat shqiptare ishte një tjetër metodë. Sipas historianëve, dëmi që iu shkaktua Kosovës në këto vite ishte më i madh se ai i pushtimit osman.

7. 1914. Ligji serb i Kolonizimit

Sipas burimeve historike, organet serbe sollën në Kosovë gjatë vitit 1914 rreth 20 mijë serbë. Pjesa dërrmuese e të cilëve kriminelë që u përdorën për të nxitur konflikte me shqiptarët. Ndërsa në pjesën që ju dha Malit të Zi, në Pejë e në Gjakovë u vendosën rreth gjashtë mijë kolonë malazezë. Pushtuesve iu dhanë toka të shqiptarëve, duke ndryshuar dhe kadastrën e tyre. Në gazetat serbe shkruhej se kërkoheshin serb nga Amerika dhe Brazili për të shkuar si kolonë në Kosovë.

8. 1914. Krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate

Lufta e Parë Botërore do të shënonte dhe krijimin e një mbretërie në Ballkan, e cila do të kishe brenda saj disa shtete-kombe. Mbretëria Serbo-Kroate-Sollovene pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër do të kishte pjesë të saj dhe Kosovën. Kushtetuta e kësaj mbretërie i jep të drejtë ushtrisë të pushtojë territore që nuk janë pjesë e Serbisë. “Ligji për mbrojtjen e shtetit”, ose ndryshe “Obzanza” i shndërroi banorët e Kosovës në objekt arbitrariteti të ushtrisë.

9. Versajë 1919. Konferenca e Versajës

Konferenca e dytë ndërkombëtarë që sanksionoi përfundimisht copëzimin e trojeve Shqiptare e la si pjesë të Serbisë krahinë e Kosovës. Katërshja e vendeve që kishin të drejtën e votës, SHBA, Angli, Franca dhe Italia lanë një popullsi prej 1. 5 milionë banorësh shqiptarë nën mbretërinë serbe. Në këtë mënyrë Serbia mund të niste zyrtarisht sllavizmin e popullsisë autoktone që jetonte në këtë krahinë. Një e treta e popullsisë shqiptare mbeti jashtë trungu amë, duke bërë kështu dhe padrejtësinë më të madhe ndaj popullit shqiptar.



10. 1919. Reforma agrare

Pas pushtimit serbët u kujdesën që të ardhurit të kishin pronat e tyre. Në vitet 1920 nis dhe reforma agrare e drejtuar nga një ministri e veçantë, por që në Kosovë u mbështet dhe nga ushtria dhe Ministria e Brendshme. Pronat shtetërore që u përkisnin bashkive iu dhanë kolonëve serbë. Ndërkohë që dhe pronat e të shpërngulurve që u dërguan në Turqi, u përdorën për të njëjtën mënyrë. Megjithëse u shkelën hapur traket ndërkombëtare, përsëri askush nuk u kujtua për të drejtat e shqiptarëve.

11. 7 mars 1937. Teoria e spastrimit

Kosova për Serbinë nuk ishte vetëm një dhuratë e ndërkombëtarëve. Pas 1913 për shkombëtarizimin e Kosovës serbët përpunuan një strategji të terë. Në bazë të teorisë antishqiptare u vu akademiku Vaso Çubrilloviç. Ideatori i terrorit dhe shfarosjes së shqiptarëve do të botonte një libër ku orientonte politikën se si duhet të bëhej shpërngulja e shqiptarëve. Tezat e tij antishqiptare u përdorën në masë nga gjeneralët për të shfarosur popullsinë e Kosovës.

12. 1941. Marrëveshja Ribentrop-Ciano

Në prill të vitit 1941 gjermanët pushtuan Kosovën, ndërkohë që Shqipëria ishte e pushtuar që në 1939-ën. Ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Gjermanisë firmosin një marrëveshje për ndarjen e territoreve. Sipas marrëveshjes gjermane, u larguan nga Kosova duke i dhënë Serbisë Vushtrinë, Podujeven e Mitrovicën. Një pjesë tjetër e Kosovës iu dha Bullgarisë. Ndërsa pjesa tjetër iu la Shqipërisë nën pushtimin e Italisë. Italia në këto territore krijoi tri prefektura, atë të Prishtinës, Pejës e Prizrenit. Gabimisht kjo cilësohet si Shqipëri e Madhe, ndërkohë që ngelej jashtë Presheva, Kumanova, Mitrovica, Vushtria, Podujeva etj.

13. 4 dhjetor 1943. Deklarata e Titos

Në Luftën e Dytë Botërore populli i Kosovës u radhit në krah të Koalicionit Antifashist. Pjesë e këtij koalicioni ishte dhe Serbia. Udhëheqësi i saj, Tito, në një dokument të atyre viteve pranon se çështja e Kosovës do të zgjidhet në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe me normat e Kartës së Atlantikut. “Ardhmëria e Kosovës do të vendoset me plebishit dhe se kufijtë, nëse është nevoja, të rregullohen në të mirë të Shqipërisë”. Në këtë linjë duket se ka qenë dhe bashkëpunimi i ushtrisë shqiptare me atë jugosllave. Ndërkohë që koha provoi të kundërtën.

14. 31 dhjetor 1943. Konferenca e Bujanit

Gjatë Luftës së Dytë Botërore patriotë kosovarë u mblodhën në Bujan për të fituar të drejtat e tyre, duke kërkuar shkëputjen nga Jugosllavia. E cilësuar si një Lidhje e Dytë e Prizrenit, Konferenca Bujanit pati jehonë në mbarë botën shqiptare. Sipas historianëve, gjatë kohës që pati aktivitet kjo konferencë, Kosova mund të cilësohej si e pavarur. Rezoluta që u miratua nga delegatët pati vetëm tre muaj jetë. Patriotëve kosovarë u mungoi mbështetja nga Shqipëria.

15. 1943-1944. Pushtimi gjerman

Një pikë ku duket se historianët ende nuk e kanë thënë fjalën e fundit, është Lufta e Dytë Botërore. Kosova, sipas burimeve historike, pati rreth 80 mijë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore. Ndërkohë që gjatë pushtimit gjerman Kosova në dokumentet serbe nuk rezulton më pjesë e saj, por cilësohet si një krahinë e pavarur. Me gjithë diskutimet e shumta, fakti është se Kosova është çliruar nga ushtria e saj dhe brigadat që erdhën nga Shqipëria. Por ironikisht pas çlirimit nga gjermanët, jugosllavët do të tregoheshin dhe më të egër së gjermanët.

16. 18 shkurt 1945. Ushtria Jugosllave në Kosovë

Pas largimit të gjermanëve ushtria jugosllave kërkon vendosjen e administratës ushtarake në Kosovë, me pretekst për “stabilizimin e situatës politike e të sigurisë”. Takimi mes përfaqësuesve të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit dhe atyre të Beogradit, vendosën “që Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit të mbeten në Federatën Jugosllave. Në dokumente zyrtare shkruhet se për këtë duhet të vendosë populli, por sugjerimi ishte që orientimi të jetë kah Serbia…”.

17. 1 prill 1945. Masakra e Tivarit

Është një nga masakrat më të mëdha që ju bë të rekrutuarve shqiptarë nga Kosova në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Tivar, Mal i Zi dhe në rrugën për në Tivar. Numri i të vrarëve mendohet të jetë 1700-4300. Gjatë tërheqjes së nazistëve shqiptarët u rekrutuan për t’u dërguar në luftime jashtë Kosovës, ndërsa ushtria serbe qëndroi në Kosovë. Pas një incidenti të ndodhur mes ushtarëve shqiptarë dhe atyre serbë rekrutët shqiptarë u ekzekutuan në Tivar pa pasur mundësi as të mbroheshin, pasi u kishin hequr armët.

18. 1945. Viktimat e komunizmit

Me gjithë dëshirën e pjesëmarrësve në Konferencën e Mukjes, nacionalistët shqiptarë nuk arritën ta merrnin Kosovën. Nën petkun e komunizmit ajo ngeli përsëri pjesë e Serbisë. Pas hyrjes së forcave serbe në Kosovë dhe largimit të brigadave shqiptare që ndihmuan për luftën në Kosovë, nis përsëri masakra. Tivari ishte vetëm një nga të shumtat vrasje masive. Me pretekstin se ishin antikomunistë dhe agjentë të perëndimit gjatë vitit 1945 në gjithë Kosovën numërohen rreth 40 mijë shqiptarët vrarë.



19. 31 janar 1946 Kosova nën Serbi

Fundi i Luftës së Dytë Botërore e vendosi përfundimisht Kosovën nën Federatën Jugosllave. Kushtetuta e parë e Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, miratuar më 31 janar 1946, u përcaktua si njësi autonome territoriale-administrative brenda Serbisë, e quajtur “Qarku Autonom i Kosovës dhe Metohisë (QAKM)”. Me këtë përcaktim u bë një tjetër padrejtësi, sepse Kosovës ju shkëputën trevat etnike shqiptare në Maqedoninë Perëndimore, në Mal të Zi, por edhe Presheva, Medvegja dhe Bujanovci.

20. 1950. Dëbimet në Turqi

Atë që grekët e bënë në Jug në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, serbët e bënë në Kosovë në vitet 1945-1950. Etiketimi si turq i shqiptarëve nga ana e serbëve, sjelljet mizore të ushtrisë serbe, bënë që të deportoheshin në Turqi mbi 230 mijë shqiptarë. Një spastrim etnik që i kish rrënjët në teoritë raciste të Vaso Çubrilloviçit. Nën moton e “socializmit vëllazëror”, popullsisë kosovare ju desh të provonte veç një regjimi komunist edhe një regjim racist që kërkon shpërbërjen e identitetit të tyre.

21. 7 prill 1963. Shqiptarëve u njihet kombësia

Me Kushtetutën e 7 prillit 1963, RFPJ u shndërrua në Republikë Socialiste Federative të Jugosllavisë. Në nenin 111 të saj Kosova shpallet krahinë autonome. Ndërsa për shqiptarët nuk përdoret më nocioni “pakicë kombëtare”, por “kombësi”. Në fakt me gjithë ndryshimin e emërtimeve, kjo Kushtetutë nuk solli ndonjë ndryshim thelbësor në trajtimin e shqiptarëve. Megjithatë ishte hapi i parë të fituar antoniminë, e cila mori përmasa më të plota në kushtetutën e mëvonshme.

22. 14 korrik 1967. Kërkesat për Republikë

Në korrik të 1967 përfaqësuesit e Kosovës në Kuvendin e Kombeve të Jugosllavisë, me në krye Fadil Hoxhën, kërkojnë rishikimin e hapësirave kushtetuese për Kosovën. Në një projekt të hartuar, ata kërkuan bisedime me Beogradin për shpalljen Republikë të Kosovës. Pas takimeve të shumta në qytete e Kosovës lëvizja e kosovare arriti të fiksonte një takim me drejtuesit e Beogradit. Në takimin me Titon, sipas dokumenteve, ideja e republikës nuk është pranuar. “Zgjidhja e problemeve të Kosovës do të bëhet brenda statusit të Serbisë”, ka thënë Titoja.

23. Demonstrata e 1968. Simbolet kombëtare

Lëvizja e re paqësore duket se dha përkohësisht frytet e para. Protestat e organizuara në qytetet më të mëdha si Prishtinë, Podujevë, Gjilan etj, patën disa viktima dhe dhjetëra të plagosur. Por ato arritën të ndryshonin statusin juridik të Kosovës. Ato ishin hapi i parë për kushtetutën, që i ndryshoi emrin Kosovës “Krahina Socialiste Autonome e Kosovës(KSAK)”. Në po këtë vit gjuha shqipe u sanksionua me ligj si gjuhë e dytë zyrtare, u la të përdorej flamuri si simbol kombëtar dhe hapja e universitetit të Prishtinës.

24. 1974. Autonomia

Pas protestave të kosovarëve, Kushtetuta Jugosllave e 1974 do t’i jepte Kosovës autonominë. Për të parën herë i jepet e drejta që përmes parlamentit të vet dhe këshillit ekzekutiv të nis në Gjyqin Kushtetues të Jugosllavisë procesin për vlerësimin e konstitucionalizmit dhe ligjshmërisë. Për të parën herë rrethi i veprimit të Kosovës përcaktohet me aktin e vet, ligjin kushtetues të saj, në pajtim me parimet e Kushtetutës së Jugosllavisë dhe Kushtetutës së Serbisë, përderisa federata mbron të drejtat dhe obligimet e veta të përcaktuara me Kushtetutën.

25. 1989. Fjalimet raciste të Millosheviçit

Fundi i autonomisë së Kosovës ka një nisje. Dhe për ironi pikërisht ardhja në krye të Beogradit e Sllovodan Millosheviçit solli një tjetër realitet në Kosovë. Në fjalimet që mbajti gjatë viteve 1987-1989 në 600-vjetorin e betejës së Fushë-Kosovës, Millosheviçi paralajmëroi spastrimet etnike të mëvonshme. Në Fushë-Kosovë, duke e cilësuar vendin si djepin e Serbisë, Millosheviçi do t’i drejtohej minoritetit serb se “askush nuk do t’ju rrahë më”. Këto fjalime paralajmëruan një 10-vjeçar dhune dhe terrori mbi popullsinë e Kosovës.

26. 28 mars 1989. Heqja e autonomisë

Epoka e Titos mbaroj, një tjetër frymë do të vinte në Ballkan. Në krye të Serbisë tashmë ishin nacionalistët ekstremistë që interesat ekomomike i bënë ta cilësonin Kosovën si “Djepin e Ballkanit”. Qeveria e Beogradit i heq ato pak të drejta që ju dhanë Kosovës në 1974-ën. Në këtë mënyrë Kosova u kthye në pikën e saj më kritike. Tre amendamentet e kushtetutës së parlamentit Serb në 1989 bënë që në Kosovë të shpërthenin protestat paqësore.

27. 22 mars 1990. Helmimet

Nacionalizmi serb në Kosovë tregoi anën e tij më të errët. Janë rreth 20 mijë fëmijë shqiptarë që u helmuan gjatë viteve 1988-1900 nga shërbimet sekrete të Serbisë. Me anë të kësaj metode, nga serbët synoheshin dy gjëra: së pari, asgjësimi kolektiv i një populli. Helmet u hodhën nëpër shkolla, duke dëmtuar pjesën më të ndjeshme të popullsisë; Së dyti, provokime të tilla synonin të nxisin një luftë, për t’i lënë dorë të lirë ushtrisë serbe mbi popullsinë.

28. 1989-1990. 100 të vrarë

Heqja e autonomisë solli protesta në gjithë Kosovën. Ushtria serbe gjatë këtyre viteve ushtori një terror mbi krejt popullin kosovar. Sipas burimeve historike, gjatë kësaj periudhe, megjithëse kosovarët protestonin në mënyrë paqësore, ushtria serbe vrau mbi 100 persona, 400 të tjerë u plagosën, u helmuan 20 mijë fëmijë. Ndërkohë që dëmi ekonomik ishte shumë më i madh. U bastisën dhe u vodhën me mijëra familje, u shkatërruan të gjitha institucionet kulturore.

29. 23 dhjetor 1989. Themelimi i LDK-së

Themelimi i Lidhjes Demokratike e Kosovës nuk është vetëm krijimi i të parës parti politike me mbështetje të gjerë, por edhe të parës lëvizje që iu kundërvu drejtpërdrejtë regjimit komunist në fuqi. Kryetari i parë i saj ishte presidenti i ardhshëm i Kosovës, Ibrahim Rugova. Në kushtet e represionit serb, LDK u bë shumë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë, LDK-ja hartoi kornizën ligjore të decentralizmit.

30. 2 korrik 1990. Deklarata e Pavarësisë

Nëse sot i gjithë debati bëhet për pavarësinë, ka pasur një datë kur Kosovarët thuajse e kanë arritur këtë. Më 2 korrik 1990 parlamenti i Kosovës harton të parën kushtetutë, ku përcaktohej pavarësia e Kosovës. Deklarata e pavarësisë ishte pikënisja e lëvizjes së përbashkët të partive poetike të Kosovës për rezistencë kundër pushtimit serb gjatë viteve 1990. Ideator i saj ishte kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova.

31. 9 shtator 1990. Kushtetua e Kaçanikut

Është i pari dokument i miratuar nga Parlamenti i Kosovës që e njihte atë si shtet të mëvetësishëm me simbolet e tij. Në nenin e saj të parë thuhet, “Republika e Kosovës është shtet demokratik i kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera si dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vetë; serbëve, myslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqve, romëve e të tjerëve, që jetojnë në Kosovë. Sovraniteti në Republikën e Kosovës i takon popullit”.

32. 26-30 shtator 1991. Referendumi

Pas shpalljes nga ana e Parlamentit Republikë, Kosovës i duhet të legjitimonte pushtetin e saj. Për këtë qëllim më datat 23 dhe 30 shtator të vitit 1990 u mbajt referendumi për shpalljen Republikë të Kosovës më të njëjtin nivel si republikat e tjera të Federatës që do e cilësonin si shtet të pavarur dhe sovran. Rezultatet e këtij referendumi u shpallën të pavlefshme nga ana e autoritete të Begoradit. Një masë e tillë çoi në acarimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.

33. 24 maj 1992. Zgjedhjet pluraliste

Referendumi i shtatorit ishte preludi i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Kosovë. Më 24 maj 1992, në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale. President u zgjodh doktor Ibrahim Rugova. Në këtë moment u krijuan organet paralele shqiptare me ato serbe. Ndërkohë që zgjedhjet e organizuara nga autoritetet serbe u bojkotuan. Zgjedhjet e 24 maji ishin një proces i rëndësishëm për njohjen e çështjes kosovare në arenën ndërkombëtare.

34. 1995. Marrëveshja e Dejtonit

Pas disa vitesh luftë të përgjakshme, komuniteti ndërkombëtar arrit t’i ulë në bisedime serbët, boshnjakët dhe kroatët. Marrëveshja u nënshkrua në Dejton (Ohajo) SHBA. Ndërkombëtarët arritën të ulnin gjakrat mes sllavëve, por u anashkalua çështja e Kosovës. Me gjithë protestat që u bënë nga komuniteti shqiptar në Amerikë, kriza e Kosovës u la për më vonë. Marrëveshja pati për bazë vendosjen e forcave të NATO-s në zonat e konfliktit.

35. 28 nëntor 1997. Ushtria Çlirimtare e Kosovës

Kur bisedimet nuk vlejnë më, atëherë e kanë radhën armët. Ushtria Çlirimtare e Kosovës u krijua pas viteve 1995, si përgjigje e represionit serb në Kosovë. Dalja e parë publike e saj u bë më 28 nëntor 1997. Sekretar Politik i saj u zgjodh Hashim Thaçi, ndërsa komandant i Shtabit të Përgjithshëm ishte kryeministri aktual, Agim Çeku. UÇK-ja ishte lëvizja e armatosur e kosovarëve pa ndërhyrjen e të cilës BE dhe SHBA nuk do të ishin impenjuar për zgjidhjen e konfliktit.

36. 5 mars 1998. Masakra e Prekazit

Në fshatin Prekaz vriten 50 shqiptarë dhe dy serbë nga luftimet mes ushtrisë serbe dhe forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shumica e të vrarëve nga radhët e shqiptarëve ishin civilë të paarmatosur, gra dhe fëmijë, të cilët u masakruan nga bombardimet e artilerisë serbe. Në përplasjen mes forcave të UÇK-së dhe ushtrisë serbe mbetën të vrarë dhe shumë ushtarë serbë.

37. Janar 1999. “Terrorizmi” shqiptar

E gjithë lëvizja e armatosur për çlirimin e Kosovës u interpretua nga zyrtarët serbë, ndonjëherë dhe ata rusë, si një lëvizje terroriste. Duke e etiketuar si një lëvizje islamike, qeveria serbe deklaronte se në Kosovë po vriten vetëm fondamentalistët arabë. Ministri i Jashtëm Jugosllav, Ziradin Javanoviç deklaronte se Kosova është kthyer në një vatër të terrorizmit ndërkombëtar.

38. 6 mars 1998. Vrasja e Adem Jasharit

Çdo kohë ka heronjtë e vetë. Dhe lufta e Kosovës ka me mija të tillë, por emri i Adem Jasharit është një nga ata që spikat më shumë. Hero Kombëtar dhe luftëtar i çështjes për Pavarësinë e Kosovës, Adem Jashari lindi në Prekaz të Drenicës. Ishte një nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U vra më 6 mars 1998 nga një sulm i ushtrisë serbe në kullën e Jasharajve.

39. 15 qershor 1998

Aeroplanët e NATO-s fillojnë manovrat mbi Maqedoni dhe Shqipëri. Më shumë se një stërvitje ushtarake, kancelaritë perëndimore e hodhën këtë hap për të treguar se diplomacia perëndimore ishte e mbështetur dhe me forca. Nga ana tjetër, ushtria serbe e mori si një kërcënim të hapur dhe nisi një ofensivë edhe më të ashpër për të eliminuar UÇK-në, prandaj hynë ndërkombëtarët në Kosovë.

40. 8 janar 1999. Deklarata

Presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova kërkon ndërhyrjen e NATO-në Kosovë. Sipas tij, ekzistojnë plane për ndarjen e Kosovës nga ana e disa grupeve ekstremiste serbe mes komuniteteve serbe dhe atyre shqiptare. Sipas të dhënave, nga operacionet serbe rezultonin të vrarë, vetëm gjatë ditëve të fundit rreth 80 shqiptarë. Rugova edhe njëherë u kërkon ndërkombëtare se pavarësia e Kosovës do të ishte zgjidhja më e mirë.

41. 12 janar 1999. Karl Bilt

Ndërhyrja e NATO-s u bë jo pa debate. Funksionarë të organizatave ndërkombëtare i bënin thirrje BE-së dhe SHBA të ndërhynin. Në një intervistë ish-i dërguari i paqes Karl Bild akuzoi NATO-n se po dredhon, ndërsa Kosova po rrëshqet në një luftë të hapur. “Nëse NATO bënë vetëm lëshime, do ta festojë 50-vjetorin e saj të krijimit të dështuar”, ka thënë Bild.

42. 20 janar 1999. Klark-Milosheviç

Në serinë e bisedimeve, gjenerali i NATO-s për Evropën Ëesli Klark, takon presidentin e Serbisë, Sllovodan Millosheviç. Në takimin e tyre duket se ka munguar gjuha e dialogut. Këtë më së miri e tregon deklarata e bërë nga Klark për mediat, duke e cilësuar Millosheviçin si njeri me mentalitet bunkeri. Klark i kërkoi Millosheviçit ndalimin e sulmeve të ushtrisë serbe në Kosovë.

43. 27 janar 1999. Plani i shfarosjes

Vetëm pas një vitit forcat e NATO-s të dislokuara në Ballkan zbulojnë se plani që po zbatohej në Kosovë nga serbët është ideuar që më parë. Sipas burimeve të raporteve të NATO-s, në qershor të vitit 1998 shtabi i lartë ushtarak i Serbisë kish planifikuar dërgimin e mbi 200 mijë forcave ushtarake për të mposhtur rebelimin e Kosovës.

44. Mars-qershor 1999. Dëbimi biblik

Lufta në Kosovë do të tregonte anën e saj më të shëmtuar në fundin e shekullit modern. Si rrallë herë bota do të shihte se çfarë mund të prodhonte nacionalizmi në Ballkan. Ushtria serbe duke ndërmarrë një operacion të gjerë (siç duket zbatimi i planit të Çubrilloviçit) dëboi nga shtëpitë e tyre mbi një milionë shqiptarë, shumica e të cilëve gra, fëmijë e pleq.

45. 15 janar 1999. Masakra e Raçakut

Krimi që do të ndërgjegjësonte ndërkombëtarët për atë çfarë po ndodhte në Kosovë ishte Masakra e Raçakut. Mëngjesin e 15 janarit në fshatin Raçak, forcat paramilitare serbe sulmojnë fshatin duke vrarë të gjithë burrat. Pasi i torturuan, i çuan më pas në një kodër, ku i vranë me gjakftohtësi. Asnjë prej viktimave nuk ishte i armatosur. Në Raçak u vranë 45 persona mes të cilëve një grua. Ambasadori i OSBE-së do ta cilësonte si një krim kundër njerëzimit.

46. 20 Mars 1999. Marrëveshja e Rambujesë

Është një marrëveshje e firmosur vetëm nga shqiptarët, pasi serbët nuk pranuan ta firmosin. Nga pala shqiptare morën pjesë Presidenti Ibrahim Rrugova, Hashim Thaçi, Rexhep Qosja. Marrëveshja e Rambujesë ishte një nga tentativat e fundit për zgjidhje paqësore, ku pala kosovare binte dakord që në vend të kishte forca ushtarake ndërkombëtare. Më 20 mars bisedimet u ndërprenë, pasi serbët nuk pranonin të firmosnin.

47. 24 mars 1999. Sulmet e NATO-s

Serbët u kishin thënë “jo” bisedimeve në Rambuje. Ndërkohë që krimet në Kosovë vazhdonin nga ushtria serbe. Në këtë situatë NATO ndërmerr sulmin frontal ndaj ushtrisë serbe. Ishte a para betejë që u fitua nga ajri. Për 74 ditë me radhë avionët e NATO-s sulmuan të gjitha qendrat e ushtrisë së serbe në Kosovë dhe në Serbi. Bombardime u bënë dhe në Beograd.

48. 1999. Strehimi në Shqipëri dhe bilanci i luftës

Peshën më të madhe të eksodit të kosovarëve e mbajtën shqiptarët. Karvanët e gjatë me njerëz të plagosur dhe të traumatizuar nga lufta u dyndën në kufijtë e shtetit amë. Me gjithë mundësitë e pakta të shtetit tonë, u arrit të shmangej një krizë humanitare. Me mijëra familje shqiptare hapën dyert për popullsinë e Kosovës duke i pritur deri në përfundim të luftës. Në përfundim të një luftë frontale që zgjati një vit, bilanci ishte rrënqethës për popullsinë e Kosovës. Forcat militare dhe paramilitare serbe kanë vrarë, ekzekutuar apo masakruar në forma më mizore mbi 15 mijë shqiptarë. Sipas statistikave, pjesa më e madhe e të vrarëve, rreth 90 për qind kanë qenë civilë të paarmatosur. U rrëmbyen me dhunë mbi tre mijë shqiptarë. Ndërsa janë përdhunuar rreth 20 mijë femra shqiptare. Ndërkohë që ende nuk dihet fati i 2087 shqiptarëve të zhdukur.

49. 28 tetor 2000. Zgjedhjet e para në Kosovë

Prova e parë e aftësive shtetformuese të Kosovës u pa në zgjedhjet lokale të 28 tetor 2000. LDK-ja e Ibrahim Rugovës fitoi shumicën dërrmuese të njësive vendore. Por më shumë se fitorja e një force të moderuar rëndësi kishte zhvillimi i zgjedhjeve. Nga organizatat që monitoruan procesin zgjedhor, zgjedhjet e para të lira të popullsisë së Kosovës u klasifikuan të rregullta. Në zgjedhje morën pjesë 72 parti politike.

50. PAVARËSIA

Më 17 shkurt 2008 Kosova shpalli Pavarësinë e saj, duke u bërë kështu shteti më i ri i Evropës. Pavarësia e Kosovës është finalja e të gjithë përpjekjeve shumëvjeçare të popullsisë shqiptare që jeton në trojet e veta. Por, mbi të gjitha, është rikthimi i një drejte të humbur një shekull më parë ndaj një populli që ka vuajtur mbi shpinë terrorin, përçmimin dhe mungesën e vetëvendosjes, një parim mbi bazën e të cilit presidenti amerikan Wilson ndihmoi shumë shtete më 1919.

f.b.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri