Politikanët e Shkurtit ‘67 që sundojnë Shqipërinë


Nga Spartak Ngjela*
*Kjo është një pjesë nga libri i avokatit dhe politikanit të njohur, Spartak Ngjela, me titull “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare: 1957-2010

Tritan Shehu, ne krah te djathte te Enver Hoxhes, nismetar i letres dhe inciator per prishjen e kishes ne Tirane
Dhe ja edhe disa nga emrat e tyre të shumtë. Në Universitetin e Tiranës – Xhelal Gjeçovi, Estref Bega, Mehmet Elezi, Arshin Xhezo, Gjikë Kurtiqi, Tritan Shehu…”
IV
Ditën e 6 Shkurtit të vitit 1967, kur Enver Hoxha shpalosi luftën e tij për siguri absolute dhe për t’u shpallur mbret, të gjithë dishepujt e tij mediokër jo vetëm që e kishin pritur këtë, por edhe e kishin dëshiruar me ankth, sepse ata e ndienin se duhej mbajtur një qëndrim. Kishte rrotull tij njerëz si Rita Marko apo Ramiz Alia, e te tjerë, të cilët donin patjetër qartësi për rrugën që do të vijonin. Në fakt, ata donin garanci që situata e karrierës politike të qëndronte e ngrirë dhe Enver Hoxha duhej të ishte absolut, i paprekshëm dhe i sigurt për të ardhmen. Por, kishte edhe një rrymë tjetër, e cila gjithashtu pyeste: a do të intelektualizohej Partia e Punës?
Kishte muaj që vetë gazeta “Zëri i Popullit” dhe Hoxha nëpër biseda private, flisnin vetëm për suksesin e madh të Revolucionit Kulturor kinez, si zgjidhje për moslejimin e revizionizmit hrushovian në Kinë, dhe brenda kësaj, ata flisnin edhe për “shpikjen” e Enver Hoxhës, se “degjenerimi i partisë sovjetike kishte ardhur nga burokratizmi”, i cili duhej luftuar. Gjithçka duhej bërë që të mos vinte fryma e Hrushovit në Shqipëri dhe në shkurt të vitit 1967, Enver Hoxha mendoi që këtë moslejim ta siguronte me anë të një revolucioni që do të shkallmonte burokracinë në Shqipëri. Nga këto kuptohej qartë se Enver Hoxha nuk mund ta lejonte intelektualizimin e Partisë së tij.
Gazeta “Zëri i Popullit”, në datën 7 shkurt e botoi me pompozitet të madh fjalimin e 6 Shkurtit, me titullin: “Enver Hoxha Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë trajton temën: “Revolucionarizimi i mëtejshëm i Partisë dhe i pushtetit.” Në fakt, që këtu shihet se ai ka dashur të kalojë në një nivel të ri komunikimi, kur, vetë fjalimin kishte dashur me qëllim ta quante ‘Temë’.
Fjalimi i 6 Shkurtit ishte ultra mediokër, por edhe shumë i lig. Kapitulli më i hidhur ishte ai i quajturi: “Prapë mbi burokratizmin.” Nga i gjithë teksti, por edhe nga e gjithë veprimtaria e tij kundër burokratizmit kuptohet se Hoxha nuk ia ka ditur fare kuptimin kësaj fjale dhe, gjatë gjithë jetës së tij, e përdori me vend e pavend konceptin e burokratizmit, asnjëherë të lidhur si karakter me raportin e administrimit dhe të përfaqësimit apo të kontrollit nëpërmjet votës. Jam i bindur se as semantikisht nuk ia dinte kuptimin kësaj fjale, të cilën si koncept antistalinian Trocki e ka përdorur kundër Stalinit dhe gjendjes në Bashkimin Sovjetik gjatë gjithë jetës së tij.
Por Hoxha, në të gjithë veprimtarinë e vet intelektuale, kuptohej qartë që nuk kishte një formim akademik konceptual në përgjithësi, prandaj shumë koncepte të sociologjisë marksiste i përdorte krejt në një formë mistike dhe vetëm si fjalë, gjithmonë kur e shihte se kulti i tij kishte capak bjerrje. Vepronte kështu kur i duhej të ndizte populizmin në favor të vetes dhe ngaherë operonte në një sens të hapur terrorist me konceptin e “luftës së klasave’.
Por ajo që spikat në këtë fjalim-temë është fakti që ai dëshiron të nisë implementimin e një kulture të re, jashtë intelektualizmit, larg dijes së vërtetë dhe e gjitha e mbështetur në konsolidimin e pushtetit të tij, i cili, nga fjalimi-temë kuptohet se duhet të jetë afatgjatë dhe i paprekshëm në sundimin tërësor të një vendi.
Fjalimi në 6 shkurti të vitit 1967 do të mbetet në historinë politike të Shqipërisë si dështimi i plotë i thelbit të fshehur të qëndrimit barbar të Enver Hoxhës kundër kulturës dhe zhvillimit europian të personalitetit të individit, domethënë lirisë. Në këtë datë, i ndihmuar nga udha e Revolucionit Kulturor maoist, Enver Hoxha nisi hapur rrugën për triumfin total të vullnetit të tij të fshehur.
Ai ka shkruar me frazën e një njeriu të paditur që kërkon të operojë me formë të një sociologjizmi doktrinar, por që, të gjitha çështjet që cek në të konvergojnë në një pikë, tek vendosja e absolutizmit të tij. I gjithë fjalimi ishte një ngatërresë e madhe, pa pikë lidhjeje, por sa para bënte, askush nuk kishte të drejtë ta kundërshtonte apo t’i bënte kriticizëm. Asnjë gjë konceptuale nuk kishte në të, ndonëse ai ishte paraqitur dhe u përdor vijimisht si preludi i një epoke të re të socializmit në Shqipëri.
Nga formulimi i atij fjalimi bindesh pa mëdyshje që Enver Hoxha, kurrë nuk ka qenë një intelektual dhe për këtë shkak kishte një urrejtje të hapur kundër intelektualizmit në përgjithësi. Prandaj, në këtë fazë, ai po kalonte haptas në përdorimin e metodave tiranike të pushtetit që shoqëroheshin me një agresivitet të madh anti-intelektual. Gjuha dhe fraza e tekstit të fjalimit-temë ishte e përpunuar, sepse kishte stafin që ia bënte, por të gjitha idetë që paraqiste ishin konfuze në sensin konceptual dhe të drejtpërdrejta në sensin e pushtetit.
Fjalimet apo shkrimet e tij, duke qenë se do të dilnin përfundimisht nga dora e tij ishin pa gjykime logjike, prandaj qëndronin më tepër si pamflete kundër, sesa si kritika apo si shpalosje e ideve të reja. Enver Hoxha kurrë nuk paraqiti ide dhe prandaj edhe ata që shkruanin dhe përpunonin agresivitetin e tij verbal, kurrë nuk u rrekën të fusnin aty gjykime, sepse ai e kishte pasur tmerr mënyrën akademike të të shprehurit të ideve.
Kushdo që e lexon atë shkrim të gjatë të tij e shikon se ai është plot mllef, antipersonalitet dhe i mbushur me urrejtje kundrejt intelektualizmit. Ai e shpreh hapur këtu se pushteti i tij nuk mund ta pranojë njeriun e ditur; ai duhet luftuar sepse “është individ i predispozuar të jetë kundër revolucionit socialist”. Ky është thelbi i fjalimit dhe pjesa më e errët e tij ishte: “mendimin e atyre që kanë njëfarë diturie, por të cilën e shfrytëzojnë për të imponuar mbi masat UNIN, duhet ta luftojmë si një mendim borgjez e reaksionar.”
Më tepër me tërbonte stilema “që kanë njëfarë diturie”. Ai kishte urrejtje për dijen, por tani kishte ardhur koha që, me anë të halldupëve që kishte përreth e që sapo kishin dalë edhe nga Kongresi i Pestë i Partisë së tij, të fshinte gjithçka që mund të përbënte mendim intelektual. Vëtë fjalën UNIN, e ka shkruar më germa kapitale dhe atëherë unë me miqtë e mi ndenjëm me orë të tëra për ta konsideruar më kujdes këtë stilemë të fjalimit, sepse pikërisht këtu, ai nis të abuzojë më termin “masë”, si kundërvënie ndaj intelektualëve.
Ai i drejtohet injorancës, i bindur se ajo do t’i vijë në ndihmë për të rrafshuar gjithçka që mund të quhej kulturë e zhvilluar shqiptare. Brenda kësaj, befas u pa se në kritikën e tij për rrafshim kulturor të shoqërisë, ai futi edhe fene. Nuk e kishte pa qëllim këtë. Ai e dinte mirë se e gjithë kultura europiane kishte një sens të theksuar kristian, prandaj, duke anatemuar fenë si “opium për popujt”, mendonte të ishte më i lirë për t’iu kundërvënë kulturës perëndimore, e cila në dhjetë vjetët e fundit kishte pasur një shpërthim të madh në Shqipëri.
Të gjitha, këto në fakt flasin për një epërsi të dukshme të Enver Hoxhës si politikan. Që në moshën 36 vjeçare, ai ishte përplasur më anglezët jo të paktë në Shqipëri gjatë luftës së Dytë Botërore, dhe kishte fituar; madje i kishte bindur ata se vetëm ai dhe ushtria e tij luftonte me gjermanët, ashtu sikundër i kishte bindur që e gjithë vëmendja e Hoxhës nuk ishte te lufta kundër Boshtit, por te krijimi i një ushtrie të vërtetë, me anë të së cilës të merrte pushtetin pas kapitullimit të Gjermanisë.
Dhe ky është i njëjti stil i tij në politikë: të mendonte për një pushtet të ardhëm të tijin dhe jo për një sukses imediat, i cili mund të ishte i favorshëm për popullin. Ajo çka po mendonte dhe po krijonte në ato çaste, më fjalimin e vet të 6 shkurtit dhe me të gjitha ngjarjet që do të pasonin, ishte pa dyshim konsolidimi i pushtetit të tij të ardhshëm. Ai nuk kishte bashkëpunëtorë politikë me të cilët të menaxhonte drejtimin politik të Shqipërisë, ai donte dhe mbante vetëm njerëz të nënshtruar rreth vetes, kundrejt të cilëve kishte të drejtë absolute që t’i flakte në çastin më të parë që do t’i duhej.
Në fjalimin e 6 shkurtit, Hoxha foli si një gjeneral përpara ushtarëve të tij të uritur e të rreckosur: “Ja ku është qyteti!”, u thirri ai, “merreni dhe plaçkiteni, sepse ai që keni përpara nuk është qytet, ai është turpi i njerëzimit; ja ku e keni: merreni dhe shkatërrojeni! Sepse ai qytet ju ka shfrytëzuar. Nuk janë të ditur ata që flasin në atë qytet, ata janë mashtrues e shfrytëzues të popullit, sepse të ditur jeni vetëm ju… përpara… Urrrraaa!”.
Ky në fakt ishte fjalimi i Hoxhës në atë shkurt të ftohtë dhe menjëherë pas tij, më 8 shkurt, në gazetën “Zëri i Popullit” doli si kryeartikull iniciativa e të rinjve durrsakë të gjimnazit “Naim Frashëri”, që kërkonin mbylljen e kishave e të xhamive. Kudo një histeri antifesë. Por askush nuk po kuptonte se çfarë po ndodhte sepse ishin gjëra të pandodhura më parë në botë, në asnjë kohë. Por lukunia antiqytetërim ishte e gëzuar.
Për herë të parë në jetën time, në shkurt të vitit 1967, fillova ta ndieja realisht izolimin tonë nga bota në të gjitha aspektet e jetës. Ai ishte një izolim i thellë. Ai nuk ishte një izolim dosido sepse nuk ishte bërë ashtu krejt nga rasti apo nga një dëshirë e shfrenuar e një grupi njerëzish të fuqishëm që ishin të dehur nga dashuria për atdheun. Jo, ky s’mund të quhej aspak një nacionalizëm doktrinar, siç janë rrekur ta quajnë disa, madje nuk mund të quhet as frikë nga qytetërimi. Që në ato momente kuptohej se Enver Hoxha po fuste shoqërinë në këtë izolim, në mënyrë që pastaj të bënte çfarë të donte me shqiptarët. Dhe koha e tregoi këtë sepse më pas, sa më i thellë bëhej izolimi i Shqipërisë, aq më i lartë ishte edhe terrori shtetëror që ushtrohej.
Enver Hoxha kishte nisur më 6 shkurt të vitit 1967 periudhën e tij të absolutizmit në një krah, e të skllavërimit të të gjithë shoqërisë në krahun tjetër. Në të vërtetë këtë rrugë, ai e pati nisur që në vitin 1945, por atëherë nuk kishte metodë, ndoshta kishte vetëm një dëshirë e aq, sepse s’kishte eksperiencë.
Nga të gjithë njerëzit që kishin punuar me të dhe e kishin ndjekur, më rezultonte se gjithmonë kishte qenë shumë aktiv; kishte përqendruar gjithçka në duart e tij dhe menjëherë kishte shtyrë njerëzit e afërm t’i ngrinin kultin. Megjithatë, deri në vitin 1967, kishte qenë disi i kujdesshëm. Këtë herë çështja e kultit, dukej se ishte bërë disi më e studiuar, sepse pas vitit 1960, paralel me kultin e Enver Hoxhës, ishte lansuar edhe kulti i Byrosë Politike.
Menjëherë pas fjalimit të 6 shkurtit, u kuptua se tani nuk mund të flitej më për Byro, por vetëm për një njeri dhe atij i duhej pa dyshim kult për të bërë një përmbysje të madhe.
Prandaj, këtë herë, rritja e kultit të Hoxhës mori një tjetër formë. Por ndërsa kulti i rritej, shihej se diçka e re po ndodhte edhe në psikologjinë shoqërore, sepse njëherësh edhe njerëzit, ndonëse të varfëruar deri ku s’mbante më, bërtisnin e çirreshin për të si kurrë ndonjëherë më parë, gjë kjo që më habiste jashtë mase. Kjo çudi më ndodhte sepse atëherë ende nuk e kisha sqaruar plotësisht në veten time çështjen e totalitarizmit si fenomen e bashkë me të edhe gjithë të tjerat që rrjedhin pas tij e që lidhen me pushtetin. Sidomos, atëherë nuk isha ende në dijeni për fenomenin psikologjik të tabusë, si dhe adhurimin e tmerrin që mbart ajo njëherësh me vete.
Megjithatë, turmat që po ekzaltonte Enver Hoxha me “revolucionarizimin e gjithë jetës së vendit”, të cilat nuk ishin të mëdha, unë i quaja “hordhi barbare antiqytetërim”, sepse kuptohej që, në atë vit, ne dukej se kishim hyrë tamam në rrugën e një barbarizmi antiqytetërim. Më kujtohet se për këtë mendoja gjatë dhe nuk gjeja dot asnjë zgjidhje, por mendja më rrinte te Perandoria Romake; a nuk ishte rrënuar ajo nga barbarët? Dhe përse?
Pa dyshim sepse nuk pranonin qytetërimin romak, derisa e shembën atë, e pushtuan Romën, e shkatërruan të gjithë, duke u kënaqur tek ndërtonin barakat e tyre përbri mureve të larta të pallateve madhështore. Ndërsa ne tani, pas njëmijë e pesëqind vjetësh, përjetonim lojën e shkatërrimit të intelektualizmit me anë të injorancës që dinte shkrim e këndim dhe nuk mund të kapte kulturën. Pushteti po kërkonte ta ekzaltonte këtë gjë, prandaj, që nga ky moment, intelektualët shqiptarë e ndienë se ishin peng e robër të pushtetit politik, i cili mund t’i trajtonte si të donte, t’i burgoste, t’i kthente në punëtorë apo në kooperativistë, ose edhe t’i vriste. Ne shqiptarët ishim futur në një kohë të pasigurt ku mendja nuk duhej të punonte si e pavarur dhe mendimi asnjëherë nuk duhej shprehur hapur.
* * *
Koha po ngjizte politikën e re dhe politikanët e rinj të Shqipërisë. Menjëherë dolën politikanët e 6 shkurtit, të cilët u bënë fytyrat më të urryera të Broduejit. Ata drejtonin gjithçka dhe mëkoheshin për të ardhmen. Unë vetë e pashë se si u gjallërua hidhërimi antiqytetërim, i cili sidomos te tiranasit shihte armiqtë e vet kryesorë. Dhe mendjet e tyre diabolike, ose më mirë ai instinkti i interesit e kuptoi që për fat të mirë të tyre, rinia e Tiranës nuk ishte vetëm kundërshtare e provincialëve, por dhe e vetë regjimit. Ithtarët e rinj të sistemit e kishin kuptuar shumë mirë se regjimi i kishte thirrur në ndihmë; madje vetë Enver Hoxha. Dhe të gjithë ishin të ekzaltuar e u hodhën me tërbim kundër çdo gjëje europiane që ata, jo vetëm që nuk e dëshironin, por dhe nuk mund ta kapnin. Shqipëria po bëhej ndërkaq vendi i vetëm europian ku antiqytetërimi ishte vlerë, sepse kështu ndihej më i sigurt Enver Hoxha.
Dhe ja edhe disa nga emrat e tyre të shumtë. Në Universitetin e Tiranës – Xhelal Gjeçovi, Estref Bega, Mehmet Elezi, Arshin Xhezo, Gjikë Kurtiqi, Tritan Shehu. Në Komitetin e Rinisë të Tiranës: Arilla Papajorgji bashkë me një bandë të tërë, emrat e të cilëve nuk po më kujtohen tani ( njëri më i zi se tjetri, inkuizitorë të shkallës së lartë), Ilia Kongo, Molotov Zeqo, Timoshenko Pekmezi me të tjerë të kësaj specieje, që e kishin kuptuar se mllefi i tyre antiqytetërim dhe antikulturë, përkonte me atë të Enver Hoxhës. Megjithatë duhet pranuar se që të gjithë ishin njerëz që nuk e njihnin fare Perëndimin dhe nuk dinin fare ç’ishte qytetërimi modern. Ata në të vërtetë nuk kishin se si të ishin ndërtuar ndryshe, sepse duhet pranuar se në atë kohë Tirana ishte shkëputur shumë nga rrethet dhe shumica e tyre luftonin për të ardhmen.
Ishte pamundësi absolute që politikanët e 6 shkurtit të kishin mundësi të mendonin se regjimi i Tiranës edhe mund të rrëzohej, ose të mos e mendonin Hoxhën si një njeri të madh, kur dihej se gjithçka në Shqipëri kishte nisur të mendohej vetëm me dhe për Enver Hoxhën. Kishte ardhur tamam koha kur gjithçka do të simbolizohej me Enver Hoxhën; kurse iniciativa e Durrësit për eliminimin e fesë u bë deviza e kohës. Filloi të qarkullonte fletërrufeja dhe të akuzoheshin me anë të saj të gjithë ata që ndiqnin modën perëndimore ose ishin të dhënë pas muzikës dhe artit modern europian; ata që shkonin nëpër kisha, që festonin pashkët apo bajramin. Gjithçka po mbyllej në një unazë të hekurt që nuk lejonte gjë tjetër veç propagandës që qe ngritur me histeri kundër stilit perëndimor e duke i quajtur këto, “shfaqje të huaja që vinin nga vendet borgjezo-revizioniste”.
Por udheqësit e rinj të ardhshëm që ishin ngritur në Kongresin e Pestë si kandidatë të Komitetit Qendror të Partisë, dalëngadalë po vendoseshin në krye të Partisë nëpër rrethe të vegjël, në mënyrë që pa u nxituar t’i aviteshin qendrës kur të vinte koha. Sigurisht që këta qenë ekipi solid i politikës së lartë që krijoi 6 shkurti e që do ta shkatërronin ekonominë dhe kulturën e vendit plotësisht në vitet ‘70, por që do të shkatërronin edhe veten dhe partinë e tyre, sepse, para së gjithash, ishin injorantë. Ata ishin: Hekuran Isai, Simon Stefani, Pali Miska, Lenka Çuko, Qiriako Mihali, Tefta Çami, Memet Karakushi, Nedin Hoxha.
Ndërkohë, Revolucioni Kulturor kinez po bënte kërdinë. Ai kishte kaluar në përplasje të ashpra grupesh, ndonëse pa asnjë rrezik për Mao Ce Dunin, i cili ndërkaq kuptohet se e kishte kaluar rrezikun. Ai kishte nxjerrë në skenë Lin Biaon, duke e quajtur si pasardhës të vetin dhe shokun e tij të armëve. Kurse ne shihnim me habi Çu En Lain, i cili mbante në dorë citatet e Maos, një libër i kuq i vogël që thua se po i digjte dorën. Radiot e huaja thoshin se kishte qenë në rrezik, por e kishte mbrojtur Maoja personalisht, kurse analistët seriozë deklaronin se “nga të kalojë Çu En Lai, andej do kalojë edhe pushtetit”.
Por Çuja sigurisht që kishte zgjedhur rrugën e prudencës që të shpëtonte gjendjen: ai shte i mençur, i aftë dhe koha e tregoi se mbartte brenda vetes një përgjegjësi racionale për vendin dhe popullin e vet. Ishte politikan modern i nivelit të lartë dhe me eksperiencë botërore; e dinte trendin e zhvillimit modern të pasluftës së Dytë Botërore dhe kërkonte që të implementonte sistemin që kemi folur, por më parë duhej të shpëtonte Kinën nga hordhitë e Lin Biaos dhe të Çian Çinit.
Kurse udhëheqja e Tiranës kuptohej se nuk e donte Çu En Lain. I dukej liberal dhe ia kishin frikën se ai do ta hante Lin Biaon, të cilin e donin si të shenjtë, sepse ai ishte bërë garant për të marrë në Kinë kredinë më të madhe të imagjinueshme për Shqipërinë, dhe që do të firmosej gjatë vitit 1968. Hoxha nuk e mbante dot veten dhe disa herë ishte shprehur se “edhe Çuja grup i Liut dhe i Tenit është, por është fshehur se është dinak”. Këtë pastaj e llomotisnin edhe të tjerët nëpër shtëpitë e tyre, por gjithmonë me shpresë se do të eliminohej.
Aty nga fundi i vitit 1967, Çu En Lai bëri vizitën e dytë në Shqipëri, pasi kishte kaluar më parë në Bukuresht, si për t’u thënë këtyre në Tiranë se unë aty jam. Kurse Kiçoja, që e kishte takuar bashkë me qeverinë më tha se, pasi i kishte dhënë dorën, ai i kishte thënë: “Hajde ta shohësh nga afër Revolucionin Kulturor” dhe kishte qeshur në një farë mënyre që Kiçoja më tha më vonë se ishte sarkastike. “Po këta këtu po presin që të bjerë edhe Çuja”, i thashë unë dikur dhe Kiçoja m’u përgjigj me një siguri të brendshme: “Nuk kanë ku shkojnë dot pa të, Maoja nuk ka firaksur fare”, dhe qeshi e nuk ma hapi këtë bisedë deri në fillim të viteve ‘70 kur u dha lajmi i rehabilitimit të Ten Hsiao Pinit.

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit