Ata që lanë gjurmë në shkencë dhe atdhetarizëm:Besim Bokshi(1930-2014)



Lindi në Gjakovë më 12.XI.1930. Gjashtë klasë të mësimit fillor i kreu në Tiranë, ndërsa dy të tjerat - në Gjakovë. Maturoi në Gjimnazin e Prishtinës. Ndoqi studimet në Katedrën e Albanologjisë në Beograd dhe, me ndërprerje, i përfundoi më 1959. Vijoi studimet pasuniversitare në Drejtimin e gjuhësisë në Beograd. Tema e tezës së doktoratës iu dha në bazë të punimit “Zhvillimi i strukturës së temave emërore të shqipes” (Gjurmime albanologjike, 1, 1971). Mbrojti tezën e doktoratës me temë “Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes” në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1977.
Ka ligjëruar lëndën e gjuhës shqipe në Gjimnazin e Gjakovës dhe në vitet 1961-63 ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të kësaj shkolle. Ka qenë profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës në vitet 1967-73 për Morfologji të gjuhës së sotme shqipe e për Hyrje në gjuhësi dhe në katër vjetët e parë e ka drejtuar punën e kësaj shkolle. Brenda kësaj kohe për tetë muaj ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Nga viti 1974 është zgjedhur ligjërues i Morfologjisë historike në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe, pas doktorimit, është zgjedhur profesor inordinar e pastaj edhe ordinar deri kur u përjashtua nga Fakulteti më 1991 bashkë me mësimdhënës të tjerë shqiptarë nga dekanati i dhunshëm. Në vitet 1992-2001 ka ligjëruar lëndën Hyrje në studimin krahasues të gjuhëve indoevropiane në Shkallën e tretë të studimeve - Drejtimi i gjuhësisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës.
Ka qenë anëtar i komisionit për konkluzione të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës më 1968 dhe delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë më 1973. Ka marrë pjesë në Kongresin e Studimeve të Evropës Juglindore në Ankara më 1978 me kumtesën për prapavendosjen e nyjës në gjuhët ballkanike. Në Universitetin e Jenës ka mbajtur ligjëratën për origjinën e mbaresave rasore të shqipes. Para ligjëruesve të Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të Tiranës dhe bashkëpunëtorëve shkencorë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë ka mbajtur ligjëratën për zhvillimin e sistemit emëror të shqipes (1979).
Ka qenë deputet në Dhomën për Arsim në Kuvendin Federativ më 1967-69. Në zgjedhjet e organizuara nga subjektet tona politike më 1992 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës. Në vitet 1993-96 ka qenë kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës.
Për veprën “Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes” ka marrë Shpërblimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës më 1980.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur më 1991, ndërsa nga viti 1996 është anëtar i rregullt i kësaj akademie. Më 2002 u zgjodh nënkryetar, ndërsa në vitet 2008-2011 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

BIBLIOGRAFIA

Librat e botuar:

Në pritje (Përmbledhje poezish, Jeta e re, Prishtinë, 1966. Ribotim nga Rilindja, Prishtinë, 1978. Përkthyer në serbisht nga E. Mekuli, U očekivanju, Bagdala, Krushevc, 1969. Në vitet 1981- 87 ka publikuar rreth 20 poezi në Rilindja e në të përkohshmet Fjala dhe Jeta e re ).
Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes, ASHAK, Prishtinë, 1980; botimi i dytë ASHAK, Prishtinë, 2006
Prapavendosja e nyjës në gjuhët ballkanike, Rilindja, Prishtinë, 1984; Botimi i dytë, ASH, Tiranë, 2009.
Hije të këputura (Aforizma), Dukagjini, Pejë, 1996.
Pjesorja e shqipes (Vështrim diakronik), ASHAK, Prishtinë, 1998.
Për vetorët e shqipes, ASHAK, Prishtinë, 2003.
Periodizimi i ndryshimeve morfologjike të shqipes, ASHAK, Prishtinë, 2010.

Studime dhe artikuj:

Ndryshimi i strukturës së temave emërore të shqipes, Gjurmime albanologjike, SSHF, 1, 1971-72, Prishtinë.
Postposision of Artikl in the Balkans Languages, Actes du Congrès International des Études Balkaniques et Sud-est Européennes, Ankara, 1978 (rezyme e kumtesës së lexuar).
Sur l’origine des pronoms possesifs en albanais, Recherches albanologiques, 3, 1984.
Recostitution des différentes phases relatives à la postposition de l’ article défini dans les langues balkaniques, Rechershes albanologiques, 3,1985.
Politika gjuhësore në disa vise të Jugosllavisë, Gjuha shqipe, 1, 1987, Prishtinë.
Agense shqetësuese anticivilizuese e makiaveliste, Rilindja, 16.VI. 1990. Ribotuar në veprën e M. Emërllahut Nyja shqiptare, Prishtinë, 2001.
Në 80-vjetorin e lindjes së akademik Idriz Ajetit, Studime, ASHAK, 4, 1997, Prishtinë, 1998.
Për format e diatezave, Studime, ASHAK, 4, 1997, Prishtinë, 1998.
Profesor Selman Riza, Demokracia, XI, 1999.
Hyri në zgjua të metaforave dhe u bë amëz e tyre, Jeta e re, 1, 2001.
Në 80-vjetorin e lindjes së akademik Shaban Demirajt, Studime, ASHAK, 5,6,7, 2001.
Për tri mbaresa vetore, Dardania sacra, 3, 2001, Prishtinë.
Për trajtat e përemrave vetorë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, 19, 2002.
Në 70-vjetorin e lindjes së Fehmi Aganit, Studime, ASHAK, 8-9, 2001 – 2002.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri