Cikël poetik nga Përparim Hysi


Përparim Hysi

Përparim Hysi


KU JE SOT?

Them me vete:- Eh, çfarë fati!
Që të njoha mike, moj!
Në lëkurën si bojëmjalti
Unë jam ulur dhe "pushoj"

Hundë të hollë e buzë të plota
Dhëmbë të bardhë krejt si fildish
Ti më ishe e tërë bota
Dhe një tjetër si ti s'kish.

Ato vetulla të harkuara
Përmbi sytë të mbushur qiell
Mua më çojnë në moteshkuara
Kur të dy shkuam në "esfel"

Tash u kthehem viteve tutje
Dhe të tëra i kujtoj
Heq me shpirt e heq me supe
Ku do jesh, o mike, moj?!!!



MOJ DIANË!

Moj Dianë që po kthehesh nga "gjuetia"
Me atë trup të drejtë si fidan
Punuaka me "hile" dhe Perëndia
Enkas për t'na bërë duman.

Bukuria jote është aq "agresive"
Sa silem para teje si i "pambrojtur"
Po unë di të "lexoj" përmjet syve
Ata sikur më bëjnë pakëz të "njohur"

Gjithçka mbi trupin tënd vezullon
Tek ecën me hapin tërë gaz
Unë pas të ndjek si barbon
Jam gati për ty të pëllcas.



PËR NJË MIKE

Mikja ime ka marrë prrallën
Po ngjit shkallët në pushtet
Nuk çuditem, në ktheu "pllakën"
Se pushteti është magnet.

Është magnet që të tërheqë
Sidomos, kush di të "vjelë"
Ç'më do mua, tani jam "dreq"
Për pushtet s'dita "haber"

Se pushtetin e braktisa
S'ia thashë dot për atë punë
Atëherë mua më donte mikja
Pastaj sikur u kthye në "shkumë"

U kthye "shkumë" dhe e mor era
Pa dhe zuri mik të ri
Mandej, vu për të kariera
M'i ngjit shkallët një nga nji.

Mua? S'do mend; tani s'më njeh
Më s'më shkruan dhe as më flet
Këtë vjershë e shkruaj se...
Që t'i them:- Mbetshë me shëndet!

Një porosi, dua që t'i them:
( Është proverb nga Afrika!!!)
- Majmuni sa më lart ngjitet në pemë,
Aq më shumë i duket bytha...

Tiranë, 23 nëntor 2014


PAGJUMËSI

Tërë natën e natës nuk më zuri gjumi
Ah, çfarë kam hequr natës! Ç't'ju them , i paudhi!
Seç dogja "vajguri" me hallet e botës
Sa më tha dhe gruaja:-Të la mendje e kokës.

Sikur gjithë punët, t'i kem në terezi
Tërë natën zë bredh nëpër Shqipëri.
Unë zë e "ndaj prona" siç është e drejta
Pa "sheshoj" ca sherre që kanë marrë përpjeta.

Jo iks-punë kështu, ypsilon ashtu
Hajdeni ju këtu, ikni andej ju!
Lëre se ç'vete?! Më vjen mendja anës
Flas si e ëma Zeqos që nga maja e thanës!!!

Bie nga një anë, kthehem në krah tjetër
Kush s'e ka provuar, si unë është i vjetër?
"Hallet" hanë pak gjatë, se janë të mëdha
Unë po sytë kllap,sa gdhihet sabah!

Dhe të gjitha punëve u vura "kapak"
U lanet paçë, i pagjumuri plak!!!


NJË PROVERB JAPONEZ

"Ai që kërkon të tremb të tjerët, dridhet për vete nga frika"

Ka një porverb nga Japonia
Që vlen shumë për ata që hiqen "trima"
Për ca burra "trima" që ka Shqipëria
Që, gjasme, bëjnë të trëmbin të tjerët,
E dridhen vet nga frika.

Ky proverb sikur është pasqyra
Ku këta "lloj trimash" të shohin surratin
Se para "turmave" hiqen trima
Vetëm dridhen sikur ballas shohin xhelatin.

Ky proverb u rri për shtat politikanëve
Ta bëjnë atë si "copë" për kostum
Ata që s'u lënë mangut asgjë sharlatanëve
Si luvgetër na dalin në gjumë.

Sikur ta takosh vetëm këtë "trim të çartur",
Ta shihni si do të dridhet nga frika
Ky "burrë me flatra" si pulë e lagur
Si miu jep alarmin:- Ku është vrima?

Se "vrima" i duket krejt e vogël
(Si mundet, vërtet, kjo mund të nxërë një "trim?!")
Të shkretit: i vjen mendja rrotull
Dhe katandis si një krimb...


TI

Për një të njohur

Ti sikur ke në gjuhë një thumb
E ngul këtë thumb dhe ndjen kënaqësi
As që e mendon se kështu vetëm humb
Po si mund ta dish, kur veç të liga bën ti?!

Thumbon si grerëz apo si një bletë
Se, ndryshe, vetja të ngjan si kot
Por një gjë nuk di, o i ligu, i shkretë
Grerëza, pas thumbit, ngordh...

Mos prisni nga unë karshillëk
Mos prisni nga unë karshillëk për vepra të padrejta
Kurrë nuk ju jap "jarallëk",se, tërë jetës,anoj nga e drejta
As që të njoh në je burrështeti, unë bëj si të më thotë koka
Dhe mbeta tërë jetës,"ibreti" dhe turp nuk më vjen nga bota

Nuk pyes në je i fortë, zili nuk të kam, në je i pasur
S'ka gjë që jam i dobët; s'ka gjë që jam i varfër
Anoj veç nga e drejta dhe kokën e vë në "satër"
Në dikë me fjalë mbështeta,as dua të dëgjoj gërë e mërë


PËRSE?

Përse më çon mesazh, moj mikja ime?
Se unë qeshë "fjetur" dhe më zgjove nga gjumi
Ja tek më vjen malli i një grime
Sikur ma dërgove mbi krahë pëllumbi!

Tani u zgjova. Pa zë e shkundem
Dhe kthjellem krejt si qiell pa re.
Si më tjetër jam. Mos kështu dukem?
Përse më "zgjove", moj mike? Përse?

Pa rend unë, tash, në tjetër kohë
Sa vite shkuan! Eh,se sa vite!
NGa regëtimat lëshoj dhe ndonjë "oh!"
Ç'më bëre? Ç'më bëre, moj shpirte?!!!

Të zgjosh një ndjenjë, nuk është kollaj
Se vrana në shpirt është e madhe
E kupton dhe vet që, tash, jam pa faj
Përse më ngrite në alarme?!..


SHIKIMI YT

Shikimi yt... eh, se sa i ngrohtë!
Me sy e çmoj si Golfstrim
Golfstrimi ngroh krejt një botë
Si të mos e ngroh shpirtin tim?!!!


NËSE...

Nëse sot më dhëmb mua shpirti,
Ta dish mirë që ka një shkak,
Në ditë dimri m' u kthye prilli
Nga trilli yt krejt zemërak.

Se prishja erdhi fare kot
Sikur të jesh ti mituri
Unë nuk jam Don Kishot
Dhe si Dulqinjë nuk të quaj ty.

Se mes meje dhe pushtetit
Ti vajte e zgjodhe të dytën
Të dënoftë vargu i Poetit!
Më nuk dua të shoh fytyrën!

Kur pushteti do të lërë
( E kë vallë nuk e la një ditë?!!!)
Do kuisësh:- Çfarë kam bërë?
Mos shpreso se do të hedh sytë...


VIJA E GJINJËVE

Vijë e ngjinjëve vë kufinë
Ndan një gji nga gjiri tjetër
Sa noksan që e kam synë
Zë "kullot": ashik i vjetër!

"Harruar" hapur ke bluzën
Gjiret dalin si cullakë!
E mbërthej me dhëmb gjuhën
Aq sa më del dhe gjak.

As më dhëmb dhe as e ndjej
Por mbi gjiret syri im
Sikur ja më fton "andej"
Vij... dhe shkojmë në vidhimë...


PUTHJA E PARË

Puthja e parë? Kujt s'i kujtohet?
Eh, ta dini,sa më ngjiti!
Kalojnë vjet, kurrë nuk harrohet
M'u duk vetja zog petriti.

Zog petriti... vura pëndë
Mënd dhe qiellin zush me dorë?!!!
Kush po thotë që s'qeshë në Hënë?
Edhe sot zë e marr horë!

Vjen kujtimi, më sëmbon
Dhe më bëhet si tani
Puthje e parë... askush s'harron
Ndaj të mbushë me nostalgji.


ERA LOZ ME FLOKËT E MIKES

Era loz me flokët e mikes
Sa e shoh, bëhem "nervoz"
Dua t'ia shpleks vet ashikes
Se durimi krejt m'u sos.

Dua t'ia shprish siç bën era
Dhe me gishta zë të loz
As që merrem me pandehma
Mikja më ka bërë "nervoz".

Se më kot s'jam inatçi
Dhe inatin kam mbi hundë
E përzë erën tani
Miken e zë dhe e "shkund"...



E BUKUR

Kishe një lëkurë si prej petale trëndafilash
Si në ato pikturat që pikturoi Botiçeli
M' u trallisën mendimet nga ksi bukurirash
Trallisur jam dhe nuk mbahem nga shendi.

E bukur si pikturë!Me lëkurë të lëmuar
Me faqe të kuqe me ngjyrë trëndafili
Si jashtëserie, ç' "usta" të ka "gatuar"
Se ndryshe s'ka si të jetë. Nuk ka se si?

Buzët krejt të hapura dhe sytë që lëshojnë xixa
Si ai feneri drejt të cilit rrahin krahët qindra flutura
Unë të pashë dhe krejtësisht u mahnita
Nuk kam turp të them:- Më mahnit e bukura!

Mahnitur jam dhe të ndjek me sy
Se, gati, pusullën e kam humbur
Sado që nuk kam moshë, se jam pleqëri
Por më vë poshtë, një si ti: e bukur!



ÇASTE

Humbën buzët mbi supet e zhveshur
Të një bukurosheje me freski pylli
Pastaj puth buzët krejt i etur
O çaste të bukura, rehat pse s'më lini?

Mandej, kaluam çaste deliri
Mbështjellë me njëri-tjetrin si të"lidhur"
Dhe në këtë moshë, tek unë u kthye prilli
Dashuri! Krejt më ke përtëritur...

Dashuria djeg më shumë kur ka "pengesa"
Dhe unë digjem brenda flakës tënde
Eh, se sa e mirë që ishte "audienca"
"Audiencë", moj, më çmënde.


 Soditje



Trupin tënd lakuriq

Sa e shoh, mendja-eksiq!

Sepse iku dhe kaptoi

Pa më thoni:- Ku qëndroi?

Shkoi tek ti, moj mikja ime!

Që më je si një dremitje!

Një dremitje,sa e ëmbël

Dhe më del, përherë, në ëndërr.

Shon në ëndërr gjithë nishanet

Gati që t’më zënë alarmet.

Nga alarmet, m’u prish gjumi

Nga të pashë, që më marrtë lumi.


Pa ty


Letër të dashurës

Behari pa ty, si dimër!

Dimri? Ca më keq: akullnajë!

E sheh që po të flas çiltër:

-Pa ty, s’e kam kollaj.
Diaspora TV

Në xhep nuk kam një kacidhe

Por shpirtin e kam babaxhan

Do bindesh, o e shtrenjta mike!

Për zemrën time- oqean!

Vërtet që kushtet e jetës s’i kam të mira

( Ja kështu u vërtit rrota e jetës!)

Me ty unë përzë sa e sa dimra

Dhe nuk jam aspak larg të vërtetës.


ATO…


Çdo emër si një fërgëllimë zemre

Asnjërën prej tyre nuk veçoj.

Ah, sa e madhe është botë e një femre!

Nuk flas me apriori, por jam unë që dëshmoj.

Secila prej tyre kishte sharmin e vetë

Dhe aromën e vetë kish secila

Me to qe e mbushur e imja jetë

Ndaj flas për to me superlativa.

Kështu po bëj, se e meritojnë

Të veçosh qoftë dhe dikë, bën mëkat

Flas për femra që dinë të dashurojnë

Se kurrë dashuri s’kërkova si “mëzat”

Diçka në zemër për to kam ndjerë

Dhe ndjenja ka qenë reciproke

Ndaj çdo njërën prej tyre, kujtoj me nder

Dhe nuk ka vend për ekuivoke.


X…


Tri sërë me urupa, varur mbi jelek

Dua ta pi me kupa, syrin aq m’u tek

Si e “piva” syrin, unë seç bëj më tutje

Zë edhe thith gjirin,se jam mbushur huqe.

Kam huqe të rënda, se jam pak “qejfli”

Si të kish bërë nëna, të zhvesha tani.

Bëmë ca” punë të rënda”,se qeshë i “uritur”

Mu tek këmbët u shëmba, si bar i kositur.



Pranë zjarrit

Gjuhët e flakës lëpijnë oxhakun
Ndërsa zjarri, për qejf, brambullin
Aq ma ngrohin mua gjakun,
Sa e harroj pleqërinë.

Ndjej të më bëhet gjaku valë
Dhe, papritur, zë lëshoj "fletë"
Sikur, befas, u bëra djalë
I fuqishëm zë e zaptoj retë.

Pa lëshohem tani si rrufe
Dhe si djalë nis e bëj "kërdinë?!"
Për asnjë gjë, më s'lëshoj pe
Aq më shumë për dashurinë.

Kohë e largët, më erdhi afër
Hingëllij si një kalë pa fre
Brambullin zjarri në vatër
Dhe s'vihem më në megene.

Pleqëri të kam bërë lanet
(s'u ngope që ma ke bërë tetë me dy?!!!)
Tani jam si djalë levend
Pranë zjarrit jam i ri...


Brenga

Brenga m'u shqep vënde-vënde
Dhe rrodhën prej saj, kujtime.
Më erdhe ti, moj, në mëndje
Sakaq humba në mallngjime.

Si një ujëvarë që, befas, pret shkumën
Ashtu më preu një kapitje
Kërkoj kapitjes t'i gjej gjurmën
Dhe m'u ravijëzove ti, moj mike!

Erdhe si një mallngjim i largët
Ca më shumë: si një kujtim i çmuar!
Ah, dhëmbin ! Sa dhëmbin plagët!
Aq më shumë kur je i moshuar.

Zu nostalgjia më pushtoi
Dhe humba në detin me brenga
Brenga pat fajin. Ku më çoi?!
Tek mikja që s'i dihet adresa.


Kë nuk kam pyetur

Kë nuk kam pyetur për ty
Aq sa jam bërë i bezdis-shëm.
Nuk pushoj së pyeturi (ta dish mirë, ti!)
Këmbënguljen e kam qëllimshëm.

Dua të të gjej apo dua të di
Ç'ka ndodhur, moj, në kaq vjet
Tani që u rrëzua ai "mur i zi "
Që na ndau.Mallkuar për jetë !

Na ndau, po nga mëndja s'të hoqa
Gjtihmonë, copra herësh, të kujtoj
Si, në kaq vjet, njëherë s'të poqa
Si në kaq vjet, dot s'të harroj?!

Pyetjeve të mia, u përgjigjen me të qeshur
(ëhë e kemi njohur, po më tej nuk dimë!!!)
Unë prapë zë e pyes. Ende dorë s'kam hequr.
Dhe pse mos ta them: - Për ty jam bërë tym.

Jo se do t'u kthehemi viteve para
Kur së bashku qemë si një trup
Ah. - them me vete, - mallkim ndarja!
Që vuri një "vulë" si të kishim bërë turp.

Në mes dashurisë, u fut politika
Biografia e zezë doli në plan të parë?!!!
Oh, asaj kohe, mirë bëri që i ra pika
Dashurinë e pastër, mes nesh, e ka vrarë*

* aludohet për kohën e dikatturës komuniste.

Emocione

Emocione pak romantike
Si në kohërat kalorsiake
Ndjej tani që jam në ikje
Sevdallisur me zambake.

Është e hijshme dhe shtatëhedhur
I qesh nuri çiltërsisht
Dhe më hyn si papandehur
Mu në vargje, çuditërisht.

Një fustan me një kordele
Varen flokët vezullues
Si do jem, vërtet, në vete
Ballë për ballë me një Venus ?!!!

Dehur “verës” së admirimit
Ato “shënja” mirë i njoh
Sytë e humbin prej shkëlqimit
E më çojnë në tjetër kohë.

Mu në kohë të djalërisë
Kur nuk mbahesha nga pasioni
Tash në moshë të pleqërisë
Më mbërtheu emocioni.



Kënga

Kjo këngë është e lidhur me një kujtim
Mbresa është e kahershme
E dëgjoj dhe nuk mbaj nostalgjinë
Sado që mbresa është perverse.

Një vajzë e doja dhe më donte
Më donte, por kufi u bë biografia
Dhe ja tek e dëgjoj këngën sonte
Para m’u shfaq historia.

E dhimbshme, por vallë a pati faj
Se “kloni” qe i përbindshëm
E dëgjoj… humb… dhe, pastaj,
Mallkoj regjimin e pështirshëm.



Të jem në ëndërr ?

Seç shkëlqen e tëra
Sikur je rubin
Unë po krejt u zhbëra
Veç nga një vegim.

Fytyrë të gëzuar
Buza vesh më vesh
Më ke mrekulluar
Sa jam bërë përshesh

Pranvera ka sjellë
Tek ti shend e gaz
Mua sikur më ndjellë
Ogiç, gurelmaz!

Buzëqeshjen të ëmbël
Nxjerr gjarprin nga vrima
Dhe sikur në ëndërr
Me ty ia bëj prima…

Jam i trisht

Jam i trisht siç qe Migjeni, kur "pa Kasollen e ftohtë"
Se shoh që vuan polemi, ndërsa vet këtu jam ngrohtë.
Kur shoh ujërat që vërshojnë dhe përmbytin plot shtëpi
Si padashje, sytë rigojnë; nuk janë lot, po bien si shi.
Sepse lumi s'sjell bujashka, po vërshon si lemeri
Në behar prita u dashka, jo tani: Qeveri!
Dëmet?Matë s'ka për çmimin dhe pasojat janë tragjike
Qeveri! Mëso mësimin që historia mos përsëritet.


Elegji për pyllin

Ja, këtu, ka qenë pylli
I madh, i gjerë dhe i pafund
Jam i trisht siç është trishtimi
Dhe inatin kam mbi hundë


U prish, u shkul dhe u rrafshua
Nuk di pse pylli u shpall "gogol?!"
Nga kjo prishje, kush s'u trishtua
Jam aq i nxehur,sa gati marr horë.
Po kujt iu desh një prishje e tillë
Të prishësh një pyll,sikur vret një frymor
Shtetin fajësoj, mbushur me "vampirë"
Të ndenjë të gjithë për filma me horrorë.


Botimi i parë


Poet unë u bëra nga Lasgushi
Botova në "Drita" një poezi për të.
Ky botim me emocione më mbushi
Dhe nga atëherë, nuk pushova më.
Ka ndodhur kur erdh demokracia
Nuk guxoja më parë që të shkruaja një rresht
Më pengonte atë kohë biografia
Që më la në "klasë" dhe jo me "provim në vjeshtë"
Nga duarët vjershën ma mori shkrimtari Koço Kosta
Ai, nga që e pëlqeu, u bë "kumbari im"
Mirënjohja ime shkon me "doza të forta"
Dhe këtë vjershë për të e kam si dedikim.



Tek "sinoret" e shtëpisë

Në fshatin Petovë, në Fier

E ngjit kodrën pak të thyer dhe afrohem tek shtëpia
Malli i madh më ka mbërthyer dhe nuk pyes nga pleqëria
Ja: arrita. Shtëpi s'ka. Asnjë shënjë dhe asnjë gur
Mu në shpirt si Sahara! Loti varet: s'jam më burrë.
Këtu linda dhe u rrita. Shoh dhe "shënjat" që mungojnë
Mu si natë m'u bë dita; emocionet s'më lëshojnë.
Nuk është baçja rreth e rrotull, asnjë pemë nuk ka për be
I moshuar, bëhem i vogël dhe lëshohem me shumë "pse?"
Pse-ve që u di përgjigjen dhe me vete hamendësoj
E mallkoj, o miq, ikjen dhe regjimin zë mallkoj
Mirë, regjimi qe i mbrapshtë, por tani që jemi ndryshe
Prapë mbetëm me duarthatë: s'ka drejtësi pa si e qyshe?
Zë e mbushem, pothuaj, vrer (nga të gjitha padrjtësitë)
Tek marr rrugën për t'u kthyer, nuk di ku të zbarz mëritë.



(Përparim Hysi ka lindur më 21 janar të vitit 1943, në fshatin Petovë të Fierit. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar si mësues në fshatrat e Fierit dhe ne vitet 1996-2000 inspektor arësimi për gjuhë dhe letërsi shqipe pranë Drejtorisë Arësimore në Fier.


 Ka kryer studimet pedagogjike në Elbasan dhe më vonë pa shkëputje nga puna ka përfunduar studimet e arësimit të lartë për gjuhë letërsi.

Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë-Amerikanë.

Ka botuar disa libra me poezi:

“Rektimat e dashurisë”,
 “Prushi i dashurisë”,
 “Më piku dashuria”, 
““Luftë” me dashurinë”,

"Eh,si qenka dashuria!"
,"Kurthi i mallit",
"Kot s'jam i vdekshëm", 
"Njerëz që dua"
 "Mbeta dashurive". 
Etj.

Ka botuar  disa libra në prozë:

 "Tregime",
"Faji" i Isakovskit,
 "Një meshë për "Rrobaqepsin" e Konti Monte Kristos",
 "Lotët e Kumurisë" .
Etj.

Veç këtyre në ka botuar mija poezi në shumë web faqe interneti si në "Stërkala"; "Floart","Floart-Press","Floripress","Albemigrant","Tribuna",etj. Janë në pritje për botim qindra poezi dhe dhjetra tregime.

Në pritje për botim është një libër me esse dhe përshtypje të autorit për libra të autorëve shqiptarë. Në pirtmëni për një libër më vete, është dhe libri me përshtypjet e autorëve të tjerë për të.)

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri